Connect with us

Hi, what are you looking for?

Blogje Tematike

Pasqyrë e sociologjisë së intelektualit

Është interesant se në zanafillën e tij, termi “intelektual” ka qenë një fjalë fyese, domethënë sharje për ata njerëz të kulturës që përmes ndërhyrjes së tyre në fushën e politikës lypin popullaritet nga një audiencë më e gjerë. Termi “intelektual” është përdorur qysh prej fundit të shekullit XIX kur shkrimtari francez Emile Zola ia kishte drejtuar botërisht një letër të zjarrtë presidentit të Francës, në lidhje me një çështje të nxehtë të kohës: letra njihet me titullin emblematik “J’accuse” që shqyrtonte një skandal politik që përfshinte padrejtësinë dhe antisemitizmin në republikën e tretë të Francës, që njihej si “çështja e Drejfusit”. Ky merret si momenti kur shkrimtari kalon kufijtë e tij dhe del në politikë. Jo pak njerëz të letrave në Francën e kohës ia kishin parë për të madhe Zolës këtë shkelje të kufirit që e ndan kulturën nga politika. Mbi Zolën rëndoi fjala fyese: “intelektual”, pra, diletant që ka tradhëtuar vlerat kulturore në kërkim të audiencës më të gjerë me qëllim të arritjes së publicitetit dhe popullaritetit.

Mirëpo, me kohë, termi u bë nofkë për profesionistin e fushës së specializimit të tij që ka zgjedhur të angazhohet në betejat politike me grupin a grupet që ushtrojnë pushtet në shoqëri. Kështu, sipas këtij kuptimi, intelektual është një person që përdor dijen e specializuar të tij/saj për të kundërshtuar të pushtetshmit që kanë në dorë dizgjinat e politikës, shijes dhe opinionit. Pra, një shkrimtar a studiues, quhet intelektual kur merr përgjegjësi shoqërore dhe qëndrime në lidhje me konfliktet politike të kohës dhe kështu i kontribuon zhvillimit të vetëdijes politikwe të grupeve të ndryshme shoqërore.

Kësisoj, së paku sipas një kuptimi të përhapur në Perëndim, intelektuali është një person që ka arritur kapital të caktuar kulturor në universin e krijimtarisë letrare a artistike ose në fushën e studimit dhe specializimit të tij/saj dhe është angazhuar në mejdanin e politikës, ku kryen një akt profetik që synon të imponojë në publik vlerat të cilat janë të pranueshme në universin e tij/saj. Bie fjala, në disa shoqëri të Europës Lindore të shekullit XIX, intelektuali është kuptuar si dikush që identifikohet me ide e lëvizje intelektuale zakonisht moderniste dhe kundër tradicionalizmit, dhe që vetes ia atribuonin një mision përndritës të shoqërive të prapambetura në aspekte ideore a kulturore.

Shkurt, siç e thotë sociologu Pierre Bourdieu, intelektuali është shkrimtari, artisti, shkencëtari, i cili, në saje të famës e pranimit që gëzon në fushën e tij që e ka arritë falë kompetencës dhe autoritetit në fushën e tij, ndërhyn në arenën politike. Kësisoj, intelektuali është dikush që i ka dy anë: ai mban diploma e tituj shkencorë/artistikë dhe angazhohet në politikë.

Intelektuali organik – Gramsci

Një pjesë e madhe e sociologjisë së intelektualëve merret me rolin politik të intelektualëve. Marxi dhe Engelsi i shihnin intelektualët si të rreshtuar në krahun e klasës kapitaliste në luftën e klasave, por që megjithatë, një pjesë e tyre, bashkë me një pjesë të borgjezisë, që ngriten në një nivel nga i cili e kuptojnë teorikisht lëvizjen e historisë, do të bashkohen me klasën revolucionare, pra me proletariatin, në luftën e tyre klasore.

Në konceptin majtist, të kuptuarit e intelektualit ka të bëjë me rolin social të tij. Sipas teoricienit marksist, Antonio Gramscit, roli social i intelektualit është të marrë anë në betejat sociale a klasore, pasi ai nuk mund të mbesë i paanshëm dhe i të gjithëve, pra universal. Kjo është e pamundur, për aq sa vetë shoqëria nuk është e të gjithëve, por e ndarë në klasa. Andaj, duke qenë se intelektuali nuk mund të jetë jashtë shoqërisë, ai doemos i përket njërës nga klasat e papajtueshme dhe armiqësore të shoqërisë ose njërës kategori të identitetit grupor, ose “ne”-së në një shoqërie politike, siç janë, ta zëmë, të kamurit, të skamurit, punëtorët, pronarët, të papunësuarit, të përjashtuarit, gratë, burrat, etj.

Kështu, pyetja që shtrohet është se kë përfaqëson një intelektual kur flet në emër të kolektivit? Cilës kategori të “ne”-së i takon filan intelektuali kur zbulon ose shpall “të vërtetat”? “E vërteta” tek e cila arrin intelektuali nuk është jashtë pushtetit që zbulohet nga shpirtërat e lirë. E vërteta është gjë e kësaj bote në të cilën pushtetet janë të pranishme në çdo relacion. Intelektuali, si dikush që është brenda këtyre relacioneve, nuk mund të pretendojë të gjejë të vërtetën universale. Atij i duhet të vendosë se në cilën anë është dhe çfarë argumente do të mbrojë a avancojë. Kësisoj, kur flasim për intelektualin nuk mund të flasim si për dikë që është “bartësi i së vërtetës universale”, por, si për një person i cili zë pozicion të caktuar social dhe vendos të bëhet vetëdija a ndërgjegjja e klasës. Në terminologjinë e Gramscit, ky është “intelektuali organik”, që punon për të formuar vetëdijen kulturore, ideologjike e politike të klasave të caktuara.

Këtij lloj intelektuali i kundërvihet “intelektualit tradicional” që pretendon një funksion ose pozicion të pamundur, por edhe ideologjik, për aq sa pretendon se është i të gjithëve, por pasi klasat nuk mund të pajtohen, ai vetëm ushqen iluzionin e pajtimit të tyre. Kështu, në të vërtetë, “intelektuali tradicional” vetëm ruan status-quonë, duke u vënë në shërbim të klasës sunduese, për aq sa i kontribuon riprodhimit të marrëdhënieve ekzistuese shoqërore.

Problemi i përkufizimit të intelektualit – Bourdieu

Traditat jomarksiste nuk e konsiderojnë se qëndrimet dhe sjelljet e intelektualëve kanë taban social ose klasor, medoemos. Bie fjala, sociologu Karl Mannheim, inteligjencinë, pra intelektualët si grup, e konsideron si “relativisht të paklasë” që zë pozitë të zgjidhur nga klasat ose, së paku, të lidhur joshtrënguar me strukturat sociale. Disi ngjashëm, më vonë, sociologu Pierre Bourdieu, argumentonte se qëndrimet e intelektualëve nuk mund të shpjegohen ose reduktohen në pozita klasore, por që ato pasqyronin “manovrime politike” që synojnë arritjen dhe mbajtjen e mbizotërimin “simbolik” në fusha të caktuara të prodhimit kulturor.

Pierre Bourdieu iu qas problemit të përkufizimit të intelektualit, duke dashur ta analizojë atë si objekt studimi sociologjik. Ai nuk u nis nga një përkufizim a priori që e përcakton rolin politik të intelektualit, pasi druante se një përkufizim i tillë i objektit studimor mund të paragjykonte studimin mbi të. Një sociologji e intelektualit, vërente ai, duhej të kuptonte se përgjigjja e pyetjes “kush është intelektual”, përcaktohej nga autoriteti që vendos se kush është intelektual, e kush jo. Kështu, sipas Bourdieusë, për sociologjinë, objekt studimor është autoriteti që e përkufizon intelektualin dhe konflikti që shpërthen nga betejat simbolike ndërmjet burimeve të autoritetit që duan ta monopolizojnë të drejtën për të përkufizuar intelektualin.

Në analizat e tij të “betejave” të tilla në kuadër të garës për autoritetin për të përkufizuar format legjitime të prodhimit shkencor dhe kulturor, Bourdieu identifikon intelektualët e etabluar, konservuesit e dijes ose kulturës, në njërën anë, dhe sfiduesit e tyre, krijuesit e dijes dhe kulturës, në anën tjetër. Të parët ndjekin strategji konservatore që ka të bëjë me riprodhimin dhe transmetimin e dijes së trashëguar e të pranuar tradicionalisht, ndërsa e të dytët ndjekin strategji subversive që sfidon dijen e trashëguar dhe shpik forma të reja të dijes duke u shërbyer me qasje, koncepte, metoda e teori të reja ose të papërdorura më parë në fusha e çështje të caktuara studimore. Nga lloji i parë janë arsimtarët, ndërsa nga të dytët, hulumtuesit shkencorë dhe intelektualët e pavarur.

Këtu nuk mund të mos vërehet një ngjashmëri me dallimin që sociologu Max Weber kishte bërë ndërmjet “priftërinjve” dhe “profetëve” në studimin e fesë: të parët ruajnë status quonë dhe forcojnë fenë e etabluar, ndërsa të dytët e sfidojnë atë, kërkojnë ndryshimin e saj ose themelojnë fe të re. Vetë Bourdieu shërbehet me koncepte teologjike për të emërtuar këto objekte studimi, teksa flet për “ortodoksinë” që mbështetet nga konservuesit dhe “heterodoksinë” që mbrohet nga krijuesit. Në analizë të fundit, del se përkufizimet e intelektualit kanë karakter historik dhe politik, për aq sa rezultojnë nga betejat simbolike në fushën e prodhimit kulturor për të legjitimuar përkufizime të caktuara të intelektualit nga grupe kundërshtare.

———–

Referencat:

– Pierre Bourdieu, Homo Academicus.
– Pierre Bourdieu, “The field of cultural production”.
– Pierre Bourdieu, “The Role of Intellectuals Today”.
– Antonio Gramsci, Selections From the Prison Notebooks.
– Karl Mannheim, Ideology and Utopia: An Introduction to the Sociology of Knowledge.
– Karl Marks dhe Fridrih Engels, Manifesti i Partisë Komuniste.
– Max Weber, The Sociology of Religion.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.