15 maj 2020
14:17

Si bëhet që vullneti ose fjala e dikujt, qoftë në formë dëshire, urdhëri apo ligji, të jetë e detyrueshme për ne? Përse prindi a vëllai i madh, mbreti a presidenti, profesori a hoxha/prifti, manjati a gazetari, kanë më shumë fuqi shoqërore se të tjerët? Nëse ndonjëherë i keni bërë vetit pyetje të ngjashme në lidhje me shpërndarjen e pabarabartë të fuqisë dhe pushtetit, atëherë, mund të themi se jeni preokupuar me temën e legjitimitetit. Ky artikull merret pikërisht me këtë temë, vetëm se me një lloj të veçanti të legjitimitetit që ka të bëjë me pushtetin politik, pra me legjitimitetin politik.
Termi “legjitimitet” rrjedh nga gjuha latine dhe në fillim është përdorur me kuptimin “i ligjshëm”, domethënë në përputhje me ligjin. Në këtë kuptim, “legjitimiteti politik” ka nënkuptuar marrjen, mbajtjen dhe delegimin e pushtetit politik në pajtim me rregullat ligjore. Mirëpo, me kalimin e kohës termi ka marrë edhe kuptime tjera.
Politika mund të kuptohet si si garë ose luftë simbolike për të arritur poste të autoritetshme dhe për të ushtruar pushtet, në të cilën agjentët politikë synojnë ta shtiejnë në dorë pushtetin dhe ta ushtrojnë atë. Mirëpo, ndërmarrja politike nuk mbaron me kaq. Sundimtarët dhe qeveritë synojnë që pushtetin të cilin e kanë dhe e ushtrojnë ta justifikojnë në sytë e të sunduarve ose të qeverisurve, ose që “forcën e tyre ta kthejnë në të drejtë dhe bindjen ndaj tyre në detyrë”, siç shkruante filozofi Jean-Jacques Rousseau. Ky justifikim ka të bëjë me legjitimitetin politik, pra me besimin e të sunduarve a të qeverisurve se pushteti është arritur përmes ndonjë rruge të pranuar si e drejtë dhe ushtrohet në mënyrë të drejtë. Kështu, nocioni i legjitimitetit është po aq i rëndësishëm për politikën sa edhe nocioni i pushtetit.
Rëndësia e legjitimitetit politik
Pse është i rëndësishëm për një autoritet ose rend politik që të gëzojë legjitimitet? Në këtë pyetje janë dhënë përgjigje të ndryshme që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe efektshmërinë, përderisa është bërë përpjekje të argumentohet se një rend legjitim është më stabil, ose që një marrëdhënie pushteti e legjitimuar mund të mbahet pa dhunë e detyrim dhe është më efektiv, duke e ulur kështu koston e mbajtjes së pushtetit dhe shtuar efektshmërinë e tij.
Mirëpo, këtu dua ta theksoj njërën përgjigje që më duket se është me e saktë. Ajo ka të bëjë me funksionimin e një pushteti ose rendi të legjitimuar. Edhe po qe se mungesa e legjitimitetit nuk do të përbënte telashe për mbajtjen e pushtetit—pasi që ekzistojnë faktorë të tjerë që i kontribuojnë mbajtjes së rendit shoqëror, stabilitetit dhe efektivitetit të tij—mungesa e legjitimitetit gjithsesi përbën problem për mënyrën e funksionimit të rendit. Në mungesë legjitimiteti, pushteti rrezikon të shndërrohet në instrument vetëshërbyes: bëhet i papërgjegjshëm ndaj subjekteve dhe nuk i nënshtrohet kurrfarë kontrolli nga ana e subjekteve, dhe kështu degjeneron në marrëdhënie të pushtetit absolut, vetëshërbyes dhe të papërgjegjshëm, ndërsa vetë rendi politik i palegjitimuar funksionon ekskluzivisht në interes të grupit që mban pushtetin politik.
Çfarë është legjitimiteti politik
Se çfarë është legjitimiteti politik, varet se në cilën lloj literature e kërkojmë përgjigjjen. Nëse përgjigjjen e kërkojmë në literaturën e shkencave shoqërore empirike, në sociologji e shkencë politike, do të gjejmë se legjitimiteti i një regjimi ka të bëjë me mbështetjen që qytetarët i japin atij regjimi duke u bazuar në bindjen e tyre se ai është sundim i drejtë dhe i shërben të mirës së përbashkët. Ndryshe nga kjo, në literaturën filozofike dhe të teorisë politike normative, do të gjejmë përgjigjen se një regjim është legjitim nëse në marrjen dhe ushtrimin e pushtetit plotëson standarde të caktuara normative.
Ndërsa të dy qasjet konsiderojnë se kusht i domosdoshëm i legjitimitetit është justifikimi moral i pushtetit, dallimet e tjera janë të dukshme. Nga njëra anë, qasja empirike e shkencave shoqërore e studion justifikimin që buron nga besimet dhe veprimet e subjekteve të atij pushteti në një shoqëri të caktuar historike. Nga ana tjetër, qasja normative e filozofisë së moralit dhe filozofisë e teorisë politike, standardet justifikuese i nxjerr nga gjykime normative si parime universale legjitimuese. Me një fjalë, ndërsa qasja e parë pyet se si është legjitimiteti, e dyta pyet se si duhet të jetë legjitimiteti. Në këtë artikull merrem me kuptimin e parë empirik të legjitimtetit.
Megjithkëtë, teoricieni social David Beetham argumenton se qasjet normative dhe empirike, janë të ndërlidhura, përderisa asnjëra nuk bën pa tjetrën dhe nuk mund të zhvillohet pa ndihmën e tjetrës. Sipas Beethamit, legjitimiteti përfshin tre kritere që janë zhvilluar në tre tradita studimore: për studiuesit e së drejtës, një pushtet është legjitim nëse arrihet dhe ushtrohet në pajtim me rregullat ekzistuese, qofshin ato konventa joformale ose ligje formale; për filozofinë politike dhe filozofinë morale, pushteti është legjitim nëse del nga një burim valid i autoritetit dhe përmbush qëllimet e duhura a të drejta të qeverisjes ose parimet normative që mund të arsyetohen moralisht; për shkencat shoqërore, pushteti legjitimohet kur publikisht shprehet pëlqimi ndaj tij dhe pranohet si legjitim, pra si moralisht i duhur e i drejtë, nga subjektet e nënshtruara ose aktorët relevantë përmes veprimeve që e konfirmojnë pranimin e tij si të tillë, ose kur njihet si i tillë nga autoritetet tjera legjitime.
Nocioni empirik i legjitimitetit
Kur sociologu Max Weber shkruante: “çdo autoritet ose sistem autoriteti synon të themelojë dhe kultivojë besimin në legjitimitetin e tij”, ai fliste për një kuptim empirik të legjitimitetit që ndërlidhet me besimin e subjekteve të një autoriteti në legjitimitetin e tij. Pikëpamja e Weberit për legjitimitetin si besim në legjitimitet ka diktuar orientimin e pjesës dërrmuese të konceptimeve të legjitimitetit në shkencat shoqërore që legjitimitetin e përkufizojnë si besim ose ndjejnë subjektive ndaj një autoriteti ose sistemi politik. Nga përkufizimet e shumta empirike në traditën e shkencave shoqërore, legjitimiteti i një autoriteti, regjimi politik, shteti ose vendimi politik, buron nga besimi i subjekteve ose i qytetarëve për të drejtën e autoritetit për të sunduar, validitetin e autoritetit dhe besimin se autoriteti është i duhur ose i përshtatshëm.
Mirëpo, është e rëndësishme të nënvizohet se sipas këtyre pikëpamjeve, besimi në legjitimtietit nuk nënkupton çfarëdo lloj besimi, por bëhet fjalë për një besim të kualifikuar. E përbashkëta e këtyre përkufizimeve është se legjitimiteti ka të bëjë me besimin e pjesëtarëve të një sistemi politik se autoritetet janë më të duhurat për të realizuar prishtmëritë e pjesëtarëve në fjalë përkitazi me atë se si duhet të sillet sistemi politik. Kështu, besimet (si dhe veprimet që e shoqërojnë atë) të cilat motivohen nga egoizmi, domethënë interesi privat, frika për veten, e të ngjashme, nuk kanë të bëjnë me legjitimitetin.
Ta zëmë, për David Beethamin, legjitimiteti ka të bëjë me besimin vetëm atëherë kur besohet se një autoritet është krijuar në bazë të procedurave të justifikuara ose se funksionon në bazë të rregullave ekzistuese dhe mbështet ide e vlera të pranuara nga popullata. Pra, vetëm në raste kur subjektet besojnë se një autoritet është krijuar ose sillet në bazë të rregullave të pranuara, si dhe ushtrimi i tij është në përputhje me idetë dhe vlerat që ata i marrin për të drejta, ai autoritet mund të cilësohet si legjitim. Pra, shpërndarja e pabarabartë e pushtetit në shoqëri legjitimohet përmes besimit të subjekteve të pushtetit vetëm nëse plotësohen kërkesa të caktuara normative.
Beetham numëron tre kërkesa të tilla që mbase mund të vlejnë universalisht, pavarësisht varianteve të tyre historike. Së pari, parimi i diferencimit nënkupton që pushteti i sunduesve justifikohet në saje të kualifikimeve, meritës, pozitës së tyre që i dallon ata nga të tjerët dhe i bën përjashtimisht vetëm ata të përshtatshëm ose të duhur për të sunduar. Së dyti, mbajtja e pushtetit nga ana e sunduesve justifikohet nëse mund të provohet se ata i shërbëjnë jo vetëm interesave të tyre, por edhe të subjekteve të tyre. Së treti, pushteti i sunduesve justifikohet nëse provohet se gëzon pëlqimin e lirë, pra jo të detyruar të atyre që janë të thirrur të japin një pëlqim të tillë.
Shkalla dhe spektri i legjitimitetit
Është e përshtatshme që kjo paraqitje përmbledhëse të mbyllet me një vërejtje. Për aq sa nocioni empirik i legjitimitetit ka të bëjë me besimin e njerëzve në legjitimitetit, ose më saktësisht me arsyet e një besimi të tillë, legjitimiteti është çështje e shkallës dhe jo diçka që ose ekziston plotësisht, ose mungon fare, pasi që njerëzit mund të besojnë më pak a më shumë në legjitimitetin e autoritetit. Pra, nuk mund të thuhet se një autoritet është ose nuk është legjitim në tërësi, por se është më shumë a më pak legjitim. Si i tillë, legjitimiteti nuk është absolut, në kuptimin se një autoritet është plotësisht legjitim, por më saktë, thuhet se ai gëzon legjitimitet deri në një masë, më shumë ose më pak, varësisht nga shkalla e besimit të subjekteve që i nënshtrohet ose binden atij autoriteti.
Gjithashtu, legjitimiteti duhet të shihet si çështje e spektrit, pasi që një autoritet mund të gëzojë legjitimitet në lidhje me disa aspekte ose veprime të tij, por jo në lidhje me të tjerat. Ta zëmë se një organ ligjvënës gëzon legjitimitet të marrë vendime sa i përket jetës publike të shoqërisë, bie fjala, të vendosë ligje që rregullojnë sjellet e personave në publik, por të njëjtit organ nuk i njihet e drejta legjitime për të vënë ligje që normojnë sjelljen e njerëzve në sfera të jetës private. Andaj, nuk mund të thuhet se një autoritet është legjitim në mënyrë absolute, nëse ai legjitimohet në disa aspekte ose veprime të tij, por jo në të tjerat. As mund të thuhet se ai nuk gëzon legjitimitet në mënyrë absolute, nëse nuk legjitimohet në disa aspekte ose veprime të tij, por po në të tjerat.
---
Referencat
David Beetham, The Legitimation of Power (1991).
Jean-Jacques Rousseau, Mbi kontratën shoqërore ose parimet e së drejtës politike (1762).
Max Weber, Economy and Society: An Outline of Interpretive Sociology (1921).
15 maj 2020
14:17