Për një Sociologji të të drejtave të njeriut - një qasje konstruksioniste

12 mars 2019 10:44

A është e mundshme një Sociologji e të drejtave të njeriut? Në vijim po prezantoj qasjen e konstruksionizmit shoqëror për këtë problem teorik që ardhjen e të drejtave të njeriut e shpjegon si rezultat i baraspeshës së fuqisë/pushtetit ndërmjet interesave politikë në një kontekst të caktuar historik. A është kjo një qasje alterntative apo e pajtueshme me qasjen fondacionaliste ndaj të drejtave të njeriut është pyetja që pashmangshëm shtrohet në këto teorizime.

Siç e kemi shtjelluar në artikullin paraprak, sociologu Bryan S. Turner ardhjen e të drejtave të njeriut e shpjegonte përmes brishtësisë njerëzore, kërcënimeve institucionale dhe empatisë kolektive. I pabindur në argumentin fondacionalist të propozuar nga Turneri, sociologu Malcolm Waters në një shkrim të tijin të vitit 1996 i kundërvihet propozimit që Sociologjia të zhvillojë një qasje fondacionaliste për të drejtat e njeriut. [1]

Watersi do që diskutimin sociologjik për të drejtat e njeriut ta vërë në terrenin e teorisë së konstruksionit shoqëror. Kështu, ai argumenton se një teori sociologjike për të drejtat e njeriut duhet të marrë një qasje konstruksioniste që të drejtat e njeriut i sheh si “institucion specifik për kontekstin kulturor dhe historik”, si dhe vetë universalitetin e tyre e sheh si “konstruksion njerëzor” (Waters, 1996: 593). Waters insiston se, si çdo dukuri e institucion tjetër njerëzor, edhe të drejtat e njeriut duhet të shihen përmes këndvështrimit të konstruksionit shoqëror që thotë se e tërë jeta shoqërore është dhe duhet të shihet si krijim shoqëror, kulturor e historik. Në rastin e të drejtave të njeriut, Waters propozon që ato të shihen si produkt i baraspeshës së fuqisë/pushtetit ndërmjet interesave politikë në një kontekst të caktuar historik. Ai beson se teoria e konstruksionit shoqëror është më e përshtatshme se teoritë fondacionaliste për të “shpjeguar zanafillën historike të instituticioneve të të drejtave të njeriut” (Waters, 1996: 598).

Teoria e konstruksionit shoqëror e të drejtave të njeriut shtron pyetje që kanë të bëjnë me zanafillën e ideve dhe diskurseve të të drejtave dhe praktikën e tyre shoqërore: si vijnë të drejtat në realitetin shoqëror; si operojnë ato në praktikën shoqërore; interesave të kujt i shërbejnë dhe interesat e kujt i mbrojnë dhe si garantohen ose kufizohen ato nga ligji i shkruar dhe praktika ligjore. Për shembull, pyetjet tipike që teoria konstruksioniste në Sociologji bën në lidhje me të drejtat e njeriut janë: në ç’mënyrë lindin të drejtat në një realitet shoqëror; kush, për kë, nga kush dhe në ç’kontekst shoqëror krijohen të drejtat; si ndikohen të drejtat nga konteksti shoqëror, politik dhe ekonomik në të cilin lindin; në interes të kujt ngriten pretendimet për të drejtat; çfarë roli luajnë strukturat shoqërore përkitazi me të drejtat; si ndikojnë raportet e pushtetit në krijimin dhe funksionin e të drejtave; në ç’masë garantohen e kufizohen të drejtat nga ligji, e të ngjashme. Sociologjia duhet të analizojë rrethanat që mundësojnë ose pamundësojnë daljen e kërkesave për të drejtat dhe të shpjegojë përse, kur, si dhe nën çfarë rrethanash” dalin, ose nuk dalin, kërkesat për të drejtat në një shoqëri.

Këto pyetje që synojnë të zbulojnë rrethanat e daljes së kërkesave për të drejtat e njeriut, na orientojnë nga përgjigje të cilat nuk kanë të bëjnë me universalitetin e të drejtave, por me analizën e mënyrave të ndryshme të kërkesave të praktikës së të drejtave të njeriut. Përmbledhtazi, Sociologjia synon të kuptojë rrethanat në të cilat lindin të drejtat dhe të tregojë sesi diskursi dhe praktika e të drejtave varen nga ato rrethana. Në këtë linjë argumentimi, zanafillën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së të vitit 1946 dhe përhapjen e zbatimin e parimeve të saj, Waters i gjen te katër grupe të interesave: “interesat e aleatëve ngadhënjyes në Luftën e dytë botërore për të stigmatizuar dhe penalizuaar armiqtë humbës të luftës; interesat e shteteve pjesëmarrëse në Luftën e ftohtë për të rrënuar/diskredituar legjitimiteti e njëri-tjetrit: interesat e superfuqive për të legjitimuar intervenimin në çështjet e shteteve të tjera dhe interesat e grupeve në disavantazh për të pretenduar të drejta kundër veprimeve të shtetit” (Waters, 1996: 597).

Në përgjigjen e tij ndaj artikullit të Watersit, Turneri nuk e përjashton mundësinë që të drejtat e njeriut të shihen nga pikëpamja konstruksioniste.[2] Në të vërtetë, ai nuk e pranon dikotominë në mes fondacionalizmit dhe konstruksionizmit si epistemologji e shkencave shoqërore. Turneri nuk sheh ndonjë kundërthënie në mes teorisë fondacionaliste dhe asaj konstruksioniste të të drejtave të njeriut dhe insiston se është e mundur që “të drejtat e njeriut të kenë ontologji fondacionaliste, në kuptimin se qeniet njerëzore janë të brishta, dhe të pranohet argumenti se të drejtat e njeriut do të konstruktohen në mënyra kontingjente dhe jo të njëjtrajtshme, sipas karakteristikave të veçanta të shoqërive në të cilat zhvillohen ato dhe si rezultat i konflikteve për interesa politikë” (Turner, 1997: 566). Me fjalë të tjera, Turneri do të argumentojë se pavarësisht që të drejtat e njeriut bazohen në një ontologji universale njerëzore, nga pikëpamja e konstruksionizmit shoqëror, ato mund të shihen si reprezantime kulturore që realizohen në trajta dhe shkallë të ndryshme.

Në këtë drejtim dhe përtej debatit dikotomik ndërmjet universalizmit dhe partikularizmit, studimet etnografike në Antropologji kanë vënë në pah ndërveprimin e kulturave me të drejtat e njeriut, domethënë sesi kulturat lokale në ndërveprim me koncepcionet universale të të drejtave të njeriut rezultojnë në kultura të të drejtave që nuk janë as universale as partikulare tamam. Natyrisht, gërshetime të tilla të lokales e partikulares me globalen dhe universalen nuk mund të përthekohen as vetëm nga teoria fondacionaliste e as vetëm nga teoria konstruksioniste. Prandaj, dikotomia mes fondacionalizmit universal dhe konstruksionizmit partikular është e pafrytshme në Sociologjinë e të drejtave të njeriut.

----

[1]  Malcolm Waters, “Human Rights and the universalisation of interests: toward a social constructionist approach” [Të drejtat e njeriut dhe universalizimi i interesave: drejt një qasje të konstruksionizmit shoqëror], 1996.

[2] Bryan S. Turner, “A neo-Hobbesian theory of human rights: a reply to Malcolm Waters” [Një teori neo-hobsiane për të dretjat e njeriut: përgjigje ndaj Malcolm Waters-it], 1997.

 

 

12 mars 2019
10:44

Gëzim Selaci