Paris Guri 20/12/2018

Uh...Tybistikfa!

“Tybistikfa”, “ata punën e tyre, unë timen”, “duhet të luftojmë për të drejtat e tyre”. Këto janë tri frazat të cilat spjegojnë në mënyrë kronologjike, më së miri trajnimin tre-ditorë të Truaktiv-it, e po ashtu e determinojnë rëndësinë e këtij programi.

Storien time po e nisi me këto tri fraza, sepse përmes këtyre tri frazave do të kuptohet evoluimi i mendimit nga pjesëmarrësit në trajnim.  

Pasi që ishim njoftuar të gjithë me njëri-tjetrin një natë më parë kur edhe ishte “mbrëmja sociale”, erdhi koha që t'i fillonim ligjeratat, çuditërisht të gjithë ishim mbledhur para kohe dhe po prisnim me padurim ta ndëgjonim Krenar Gashin duke folur për politikën dhe shoqërinë, sidomos disa nga ne të cilët studionim në degën e shkencës politike dhe e njihnim mënyrën e të spjeguarit të tij.

Derisa po diskutonim për ligjërimet interesante të Krenarit njëri nga pjesmarrësit ulur në një qoshe i shmangur nga të tjerët me një gjysmë zëri, nga pasiguria dhe frika e reagimit të të tjerëve tha: M'u duk' interesant edhe tema për rimendimin e konceptit të gjinisë të cilën do ta ligjerojë Ajete Kërqeli nesër. Dikush tha “me siguri do të mësojmë për ata homoseksualët”, zëri tjetër doli me një vendosshmëri dhe besim të plotë në atë që po e thoshte “është sëmundje, madje ngjitëse” zëri tjetër me plotë siguri, vrazhdësi, me doza të theksuara arrogance që kalonin në neveritje u shpreh “Tybistikfa”. Me këtë shprehje filloi jozyrtarisht Truaktiv-i. Ishte po kjo shprehje e cila ndau grupin në dysh, ata të cilët u mundoheshin që me anë të argumenteve të tregonin se ndjenjat për gjininë e njejtë janë tejet normale, dhe në asnjë moment nuk duhet t'i paragjykojmë, t'i ofendojmë, t'i përjashtojmë, t'i gjykojmë personat të cilët kanë orientime seksuale të ndryshme, dhe grupi tjetër që përveq argumentimit mbi baza religjioze nuk mund të gjenin ndonjë argument tjetër për të thënë “Tybistikfa” sa herë që përmendej komuniteti LGBTI.                                                       

Filluam ligjeratën “Poltika dhe Shoqëria”, temë mjaftë interesante, mirëpo gjatë gjithë kohës vërejta disa pjesëtarë tjerë me të cilët isha ulur afër e të cilët më parë thonin “Tybistikfa”  sa herë përmendej LGBTI, të kyçur në telefonat e tyre të mençur duke kërkuar fakte të reja rreth orientimeve seksuale. Thënë të drejtën edhe pse po humbisnin një ligjeratë mjaftë të vyer, më bëhej qefi që ata po e ngacmonin trurin e tyre dhe po hulumtonin rreth orientimeve seksuale, sidomos kur e dija se nëse janë duke lexuar në burime shkencore përveç që janë duke e ngacmuar trurin e tyre me njohuri tjera ata në të njejtën kohë janë duke e sulmuar edhe “Tybistikfan” e tyre.

Për çdo pauzë që kishim, si të sinkronizuar dilnim shpejtë jashtë dhe fillonim debatin për temën e njëjtë. Vëreja se mendimet e tyre radikale po veniteshin si dhe termi “Tybistikfa” dalëngadalë po tretej, e nuk po përdorej më sa herë që përmendej LGBTI.

Përfundoi edhe ligjerata tjetër që ishte e paraparë për ditën e parë dhe erdhi koha që të shkonim në shtëpi, Mirëpo, vërehej dëshira e madhe e të të dy fronteve atyre “pro” si dhe atyre “kundër” LGBTI që të vazhdonin akoma debatin sepse mbi të gjitha debati kishte filluar të bëhej konstruktiv, ndoshta si rezultat i dy ligjeratave të mbajtura ose si rezultat i hulumtimit nga ata që ishin kundër.

Të nesërmen sërish të gjithë ishim të mbledhur para kohës në qendrën ku po zhvillohej trajnimi. Pas mirëmëngjeseve të shkëmbyera, menjëherë filluam me “temën e nxehtë” e cila ishte diskutuar e stërdiskutuar ditën e djeshme. Ata që ishin “pro” komunitetit LGBTI i kishin përforcuar argumentet e tyre me anë të  njohurive shtesë të marra në shtëpite e tyre, poashtu edhe ata që ishin “kundër” nuk po e përmendnin më asnjëherë frazën “Tybistikfa”. E mira ishte se që të dyja “frontet” kishin mësuar gjëra të reja, e si më me rëndësi po e vlerësoja evoluimin nga “Tybistikfa” në “Ata punën e tyre, unë timen” dhe nuk përdoreshin më terma siç ishin ata të një dite më parë. Tani pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk po i cilësonin si të sëmurë, sëmundje e cila mund të ngjitet, tani po i pranonin si njerëz normal, vetëm se nuk donin t'i kishin afër, kjo ndoshta se egoja nuk ua lejonte që të bënin këtë tranzicion kaq të shpejtë, ose ndoshta kishin nevojë akoma për hulumtime të mëtutjeshme.

Isha tejet optimist pasi që e dija që ligjerata që po na priste sapo të fillonte trajnimi do të ishte “Rimendimi i Konceptit të Gjinisë” dhe besoja shumë që ligjërimi i asaj dite do të na mbushte me informacione rreth gjinisë, orientimit seksual, seksit etj.,  dhe si rezultatë të dy “frontet” “pro” dhe “kundër” do të përafroheshin edhe më shumë.

Nuk munguan debatet dhe pyetjet e pafundme për ligjëruesen, e ligjëruesja po ju jepte përgjigjje në mënyrë briliante çdo pyetjeje që i bëhej. Përfundoi ligjërata dhe sigurisht nga lodhja e ligjëratave për dy ditë rresht u larguam të gjithë pa pasur mundësi të debatojmë siç e kishim zakon pas çdo ligjërate të debatojmë për çështjet të cilat u ngritën gjatë leksionit dhe pa harruar asnjëherë “temën e nxehtë” që ishte bërë zakon që në çdo pauzë ta diskutojmë.

Të nesërmen ishte dita e fundit e trajnimit ku edhe do të çertifikoheshim. Vonesa dhjetë minutëshe e ligjëruesit për arsye të komunikacionit të ngjeshur solli momentin që me një optimizëm thuaja se utopik që nga momenti kur degjova frazën “Tybistikfa”, i njëjti person i cili përdori këtë frazë në fillim të trajnimit, i ulur dhe pa qenë temë e diskutimit tema për LGBTI, fillimisht me një tonë keqëardhës i cili nga përfundimi i fjalisë u bë tonë i cili po nxirrej nga goja me krenari tha “Ne si shoqëri duhet të luftojmë për të drejtat e tyre, pasi që ata janë të diskriminuar nga të gjithë ne”.

Grupi i cili ishte “pro” në fytyrat e tyre kishte një buzëqeshje e cila buronte nga brendësia. Tani më nuk kishte dy fronte “pro” dhe “kundër”. Tani kishte një front të vetëm e ai front ishte “duhet të luftojmë për të drejtat e tyre”. 

Ky ishte tranzicioni nga një “Tybistikfa” si rezultat i mungesës së mendimit kritik në një “ata punën e tyre unë timen” si rezultat i hulumtimit dhe mendimit kritik fillestar, në një zë të fuqishëm “duhet të luftojmë për të drejtat e tyre” si rezultat i Truaktiv-it.