Greta Abdyli 31/07/2018

Patriotizmi simbolik

Pseudo-patriotizmi apo paraqitja e një patriotizmi si një simbolizëm, si një shabllon në fakt është mjaft shqetësues. Paraqitja e flamurit kuq e zi, apo duke e bërë me duar shqiponjën kudo që ne shkojmë, nuk na bën neve më krenar apo më patriot dhe nuk është vetëm shqiponja ajo çka e karakterizon popullin shqiptar. Nëse me të vërtetë paskemi mbetë vetëm tek simbolika për me e tregu sa shumë e duam vendin tonë e në anën tjetër pa kontribuar shumë për të, atëherë ne nuk qenkemi asgjë më shumë se surrealistë e gënjeshtarë të vetes sonë.

 Mendoj që ne ende nuk e kuptojmë çka është shteti, populli jonë është ende i mpirë me një folklorizëm patriotik sesa me një patriotizëm të vërtetë. Ka dallim të madh mes folklorit kur je i okupuar dhe patriotizmit kur je i lirë, e patriotizmi kur je i lirë është qytetaria aktive, pagesa e tatimit, respektimi i ligjeve, refuzimi i nënshtrimit ndaj pushteteve të këqia, përpjekje gjatë të gjithë kohës që të përparojë vendi dhe kjo ka të bëjë ose me organizimet qytetare ose organizimet politike. Edhe sot populli fokusohet ne disa mite të kota sesa në vendime racionale për përparim të vendit tonë, dhe natyrisht pastaj vjen edhe izolimi i cili është edhe mendor në vendin tonë ku ne mendojmë që ne jemi komplet jashtë rrjedhave globale dhe kur je jashtë rrjedhave globale dhe nuk i kupton ato ti merr edhe vendime të cilat nuk të përafrojnë me botën, asnjëherë. Qartë vërejmë një shpërputhje mes potencialit shoqëror dhe stagnimit politik të cilin ne e kemi si shtet.

 Nuk duhet e nuk respektohet atdheu vetëm nëpër foto, e nëpër evente të ndryshme, pa bërë as edhe një përpjekje me i ndërru këto mentalitete të pjekura e këtë strukturë hierarkike shoqërore. Kur ne mbërrijmë me e përmirësu gjendjen ekonomike, sociale, kulturore, shëndetësore, kur nuk ka dallime mes shtresave sociale në këtë vend, ku secili mendon mirë për tjetrin e besa edhe i ndihmon, kur nuk shesin mend para fukarenjeve këta që po sillen me këto veturat luksoze (që në fakt nuk po i bëjnë përshtypje askujt, se njerëzit nuk kanë as bukë), kur të rregullohet sistemi arsimor dhe të jetë prioritet primar edukimi kualitativ i gjeneratave të ardhshme, të rregullohet sistemi administrativ, kur ne ndalemi duke e vjedhë vendin tonë, kur ne ndalemi duke e ndotë e  duke e keqpërdorë këtë natyrë të bekuar, kur ta kuptojmë se këto kisha e xhami në fakt janë mbetje e Perandorisë Bizantine dhe e asaj Otomane, kur të mësohemi se turkun nuk e kemi vëlla, e kur të mos bëjmë dallime të tilla si shqiptar katolik apo shqiptar musliman por ta kujtojmë gjenezën tonë, kur ta forcojmë memorien kolektive për ngjarjet historike, kur të mësohemi mos me e tradhëtu shqiptari-shqiptarin, kur ta kuptojmë se gjithçka në këtë vend është e politizuar dhe secili po përfiton në dobësinë e injorancën tonë, e sidomos kur fillojmë të veprojmë me një aktivizëm të plotë të masës qytetare për çështjet që ceka më lart, atëherë mund ta bëjmë shqiponjën me duar, e ta vizatojmë në ballë. Përndryshe, kjo po mbetet vetëm një shprehi, një simbolikë dhe një pseudo-patriotizëm.