S'pari pa fillu, unë e di se prej titullit me anë të mendimit intuitiv, "shokohesh" pa pikë arsye, se qysh po e perdhosë kështu himnin. Të gjithë e dimë se himni është simbol “autentik” po e quaj, i kombit, i një strukture kulturore, etnie, çuditërisht të përbashkët. Shumica e dimë se jemi "viktima" të eksperiencave, kur në momente kur lëshoshet apo këndohet himni, ngritemi në këmbë pa pritu hiç, fillon të ngrihet pulsi, e ne e shfaqim anën tonë nacionaliste dhe ndihemi krenar dhe e falenderojmë Zotin që jemi pjestar të "X-kombit". A e keni vërejtë ndonjëherë, sidomos gjatë lojërave olimpike, kur atletit më të zotit i lëshohet himni, po tjetrit... po tjetrit. Të gjithë diqysh njëjtë. A nuk është e supozuar që himni arab te jetë më "arab", himni japonez të jetë më "japonez" e kështu me radhë?
Të gjithë himnet janë vatër e kolonizimit!
Himni i parë thuhet të jetë ai i Holandës i prodhuar në shekullin XVI "Het Wilhelmus" i dedikuar bashkë-kombasve holandez. Veç pak, unë e di se kombi i parë është formuar me shpalljen e pavarësisë së Francës i cili është shumë më vonë se vet krijimi i himnit holandez, nuk po filloj me filozofi analitike të cilën TruAktiv-i ma ka shtjellu aq bindshëm, po po vazhdojë me qasjen time fundamentale si kosovar që guxoj lirinë individuale. Çka është tash liria?....hmm. Nejse.
Pas holandezëve, pëson himni i Britanisë së Madhe "God save the King/Queen", i cili u popullarizua në rritjen e "Jacobite-ve" rreth 1740-ve.
Pas influencës së nacionalizmit perëndimor të shekullit XVIII/XIX, shtetet tjera filluan të krijojnë himnet e tyre "përkatëse" (Gjermania, Spanja, Franca), të gjitha këto kolonizuese në çdo pjesë të ndryshme kontinentale, tek ato shtete të cilat "improvizuan" dhe përshtatën të drejtën e tyre për simbolin moral kombëtar edhe pas sovranitetit të tyre, ata përsëri "perëndimizuan" atë.
Pas shpërndarjes së imperializmit dhe shijes muzikore evropiane, ndikuan ndërkombëtarisht në influentimin e himneve si p.sh të Japonisë. Në disa raste inferiorët evropianë gjithashtu kompozonin meloditë dhe luheshin me instrumente evropiane.
Për dallim nga produksioni e melodia, p.sh Afrika në përgjithësi e cila ishte e kolonizuar deri vonë, e copëtuar nga kolonizatorë periodik, me probleme diplomatike e me hierarkinë politike të papërshtatshme për popullin e "nemun" me qindra vite, dallon nga evropianet përnga teksti.
"Let us all unite and celebrate together, the victories won for our liberation. Let us dedicate ourselves to rise together, to defend our liberty and unity", African Union Anthem.
("Le të bashkohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, fitoret e fituara për çlirimin tonë. Le të përkushtohemi për të ngritur së bashku, për të mbrojtur lirinë dhe unitetin tonë", Himni i Bashkimit Afrikan.)
Si reflekton ky paragraf i shkëputur në perspektivën time unë e vërej se kohërat e “zeza” të cilat e copëtuan domografikisht dhe moralisht zemrën afrikane, pasqyron vet himni, ku kërkesë të vetme kanë sovranitetin dhe lirinë, njëkohësisht bëhet thirrje të festohet arratisja nga trysnia “tradicionale”.
E kryva obligimin për shtjellimin kulturo-historik-monotonik, e po vazhdojë të thellësohem për perceptimin personal të himnit Kosovar.
Si shtet në "tranzicion”, termin që e hasim në diskurse të çkepta gjithëkund, e që është rrënjosur në kokën tonë, sjellë krizë identitare si shumica qe kanë qaluar përgjatë saj.
Si popull nuk vuajmë nga patriotizmi, por nga "nacionaliteti" i tepërt, si emocion e jo gjendje konstante. Pse?
Si miqtë tanë afrikan, popull i "urtë" e fatkeq, pre e grabitqareve, përafërsisht idealet pa-mëshrismërisë, që dikush në një kohë dhe hapësirë i quajti "The Big Other". Arsyeja se pse jemi Kosovar/Shqiptarë, vetëm se nuk jemi "X-pushtues". Unë si 17 vjeçar, jo pjesëtarë fiziko-psiqik i periudhës së luftës të fundit, i vetmi emocion gërshetues mes patriotizmit e i nacionalizmit, perveç narrativit të '99…është kur lëshohet himni.
Nuk jam fans i ngjarjeve politiko-palidhje në Kosovë, prandaj më jepet rasti ta dëgjoj vetëm gjatë debutimit te kombetarës. Amin që u pranuam në Fifa, e jemi pjestarë të ndeshjeve jo-miqësore, sepse isha në panik se mos nuk e kam gjakun utopik të kosovarit.
Ky është momenti kur ndalojë t'zgjerumi e i kthehem titullit.
Çka nëse himni im i zhanrit EDM (Electronic Dance Music) në përgjithësi të jetë profitabil në krizën time emocionale e të çdo bashkë-kombasi tjetër, i cili nuk lëshohet vetëm në lojëra futbolli, por të lëshohet edhe në klube, festivale, koncerte, në ndeja familjare? Në ndeja të bashkëmoshatarëve të mi, ku mungon fryma e muzikës kualitative, të na rikujtojë në çdo moment se ne e dojmë Kosovën edhe kur në ndeshje futbollistike humbet.
Himni momental i Kosovës duket të jetë i imponuar deri diku, i papërfunduar dhe i paracionalizuar, ku vjen deri në atë pikë ku elita jonë e ngatërron padashje me një kompozim të mirëtrajtuar të Bethovenit. Nëse qëllim kemi të jemi popull i frymës “perëndimore” (nga jemi nisur besoj), liberal dhe të reflektojmë bukur mirë tek shokët “ndurkombtarë” është kjo procedurë e vogël, e propozuar nga unë.
Çka më pengon tek himnet në përgjithësi, më duket se janë shumë konservatore dhe tekstualisht jo të përosura. Besoj se së paku çdo 100 vjet të ri-kompozohet dhe të ri-tekstualizohet himni kompetent. Një shkrim në Sbunker më la mbresa se si një feministe gjithashtu propozoi që himni i Shqipërisë, jo i Kosovës të pasurohet me vlera feministe. E pamenduar dhe e padëgjuar besoj gjatë konstruktimit të vet himnit. Çka nëse himni të dalloj pak (shumë) nga himnet tradicionale dhe të jetë më modern, ashtu qysh kemi qejf na me qenë, çka nëse teksti përqafon sinonime më të buta ku nuk përmenden “gjaku” e “lufta, “malltretime” e “keqtrajtime”?.
Çka nëse teksti të mos jetë shumë maskulin, por t’a portretizojmë dashurinë për gratë tona siç shkruajti Fishta e Mjedja? Ta servojmë himnin pak edhe me atdhe-dashuri jo të dhunshme, e t’ia bashkangjesim disa copa autoktone e vlera prej ma t’mirave, nuk na konvenon jo se duhet ta përkujtojmë se historikisht jemi popull i “hjekun”, e ato nuk bën me i harru…palidhje a?
Paramendone tash këtë ideal diskursiv të shekullit të XXI t’iu bashkohej një track-u të papërmbajtshëm elektronik. Edhe nëse dëshirojmë të integrojmë vlera dhe të “perëndimizohemi”, ta krijojme këtë kamoflazhë…mes tyre është dhe ky himn që e posedojmë tash, këtë obligim kombëtarë…nuk d.m.th që ka protokoll apo ndonjë testament që e kundërshton këtë ide…veç më mirë. Mund të jemi lider të kësaj fryme nga imagjinata ime për të parën herë në histori, të ndikojmë shumë pozitivisht në tregun diplomatik dhe të krijojmë përshtypje e të mbysim paragjykime. Procedurë përkushtuese shume e vogël, por me targetiva masive dhe globale, brenda pak orësh nga inagurimi i kësaj dëshmie arti i jep nje “boost” relacioneve Kosovë-Botë.
Fatëkeqësisht nuk e kam shembullin gati me anë të valëve të zërit t’a performojë tek ju, por po “improvizoj” se e kemi ne gjak.
Paramendone, intro-në e himnit me një okarinë tradicionale dhe një acapella të një gruaje kosovare, pastaj një “rrëmujë” te shkurtër të ngjarjve te pa-anashkaluara historike të dizajnuara me zë përafërisht të zhanrit riddim, perfekte. Pastaj vjen një valë lehtësimi e qetësie shpirtërore e përcjellur me qifteli, me 128 BPM, e përshtatshme për femijë e pleq. Ritëm paqësorë, harmonik dhe familjar. Britma e një bariu i regjionit të Shalës në prapavijë e cila shpie deri tek refreni apo kur të gjithë mundemi të kërcejmë, hallakatemi, qajmë (varet se si e perceptojmë atdhedashurinë). Kisha mix-u zhanre që nuk ndërlidhen me vete vetëm sa të jem më specifik, edhe ashtu nuk kemi nevojë me ndërlidhë se për këtë njihemi ne. Kah refreni kisha jap disa nuanca të tropical house, më e lehtë dhe mesazh-dhënëse se edhe ne dimë çka është chilli, se nuk jemi të egër dhe ti i cili nuk i përket doktrinës së “dytë e kemi gjakun e njejtë”, mund të chill-im bashkarisht…disa partikujë instrumental thelbëbërës, ndoshta të keq-interpretuarë të cilat në të ardhmen e afërt do t’i konkretizoj!
Dhe si kulminacion dhe tradicionalo-thyes do t'ishte video klipi i himnit. Pse nuk kanë kombet tjera videoklip?...ndoshta se nuk ka pas kamera në shekullin e XVI, e këta tipat e shekullit të XVI i ka kopju “1 kerr” (njësi matëse kosovare) kombe, çka po di unë…
Qysh e kisha vizualizu? Kishte me qenë sa më kosovar i mundshëm. Kishte me qëne video 1:30 minuta, sa zgjatë “himni”. I gjithë klipi i animuar bardhë e zi me vija të lehta e komplekse të lapsit, duke e përfshi një Kosovar që jeton që nga fillet e gjenezës tonë e deri me shpalljen e pavarësisë, i cili në klip shihet se jeton me qindra vite duke u bazu në rrethana. Çdo event të arsyeshëm historiko-kombëtarë kishte me qenë fusha e veprimit të rolit kryesor, kurse rolet dytësore që shihen në klip (familja, bashkë-luftëtari), janë të vizatuar fundamentalisht, përveç Nënës!
Kosovari lind dhe njoftohet me ontologjinë e rrethit, e sheh babain duke punu tokën, buzëqeshjen direkte të nënës, e kështu me radhë në procese kognitive. Prekë maturinë dhe kupton se duhet ta kap shpatën dhe të “veprojë”, ky është momenti kur hyn zhanri riddim dhe e gjithë skena përcillet me kohë të vranët dhe me shi, shihet dhe “face expresion” i zymt i kosovarit. Lufta mbaron dhe ndihet zëri i bariut, me britmën e tij gufon toka, qielli perfeksionohet dhe tani kosovari buzëqesh rrugës duke u kthy tek nëna. Kosovari tash mbushi të 30-tat dhe krijon familjen e tij, punon paqësisht si paraardhësit e tij, i lumtur e jo-materialist. Një ditë kthehet nga puna si 60 vjeqar, shtrihet dhe ndezë televizorin dhe nga reflektimi syve të tij shihet shënimi i 17 Shkurtit të 2008, syri i përlotet dhe buzëqesh në mënyrën e njëjtë si kur u kthye nga lufta, dhe në këtë moment delikat dhe të përbërë, ne hyjmë në imagjinatën e tij pozitive dhe shohim një popull të tërë duke kërcy, ky është qasti kur pëson një refren shumë erotik për të gjithë kosovarët. Kosovari tash pas 10 viteve nuk është në mesin tonë, por ne jemi pasardhësit të cilët vazhdojmë t’a ndërtojmë strukturën plurale dhe sa më kombëtare, vetëm t’a arrijmë idealin që e ka pasur Kosovari i parë ne vizion.
Fatkeqësisht ende jemi në tranzicion, por himnin tash e krijuam sa më oportunist të mundshëm dhe tash na bie ta dëgjojmë më shpesh dhe të përfitojmë moralisht prej tij, vetëm nëse kjo trajtë e energjisë te shëndrrohet në besim dhe punë!