Iliria Kadromqaj 25/07/2018

Liria xhabiriane

Kosova e pasluftës u karakterizua nga një errësirë totale dhe kjo jo vetëm për faktin se termoelektranat tona ishin buzë kapitullimit energjetik por edhe sepse njerëzit ishin bërë aq misteriozë, kudo dëgjoje raste të rrahjes, uzurpimit dhe vrasjeve që mëtoheshin së bëheshin duke u thirrur në emblemën më të shenjtë që kishte pasur populli ynë ndër vite.

E gjithë dekada e parë e pasluftës iku thuajse nën tension dhe gjëja e vetme pozitive pa dyshim mbeti vetëm data e 17 shkurtit e vitit 2008, sepse para dhe pas kësaj date nuk ndodhi diçka që populli t’i gëzohej. Hoqëm shumë mund derisa u çliruam, e pas çlirimit u vërtetua ajo që liria është një gjë e shenjtë dhe është një rrobë që s’i kishte hije çdokujtë.
Hije i kishte të gjithë njerëzve që sakrifikuan, humbën e u dogjën por jo edhe atyre që hynë me plane biznesore në luftë, dolën të pasur nga ajo e u bënë milionerë pas mbarimit të saj.

Një prej figurave që është diskutuar shumë për të është edhe famozi Xhabir Zharku që udhëhoqi Komunën e Kaqanikut në vitet 2007-2012 dhe edhe pse me dënim në fuqi në vitin 2011 ai mbajti postin dhe në momentin kur iu rrezikua liria e tij, ai iku.
Liria, kjo fjalë që na ka shoqëruar që nga lindja jonë, fjalë që rreth saj mblodhi mendimtarë të mëdhenjë gjatë historisë njërëzore në përpjekje për ta definuar, por të gjitha biejnë poshtë kur na paraqitet koncepti i Lirisë Xhabiriane.

Xhabiri, një djalë kaqanikas pas luftës bëri pasuri milionëshe me prona të luajtshme e të paluajtshme, shtëpia e tij ishte një magazinë armësh gati për të shkrepur plumba e eksploziv por kësaj rradhe jo për Kosovën po për interesat e tij. Formoi një kompani për material ndërtimor për të treguar që është i fortë e emërtoi “XForte”, ai tashmë kishte filluar planet e tij.
Asnjëherë nuk u kuptua si mundi të arratisej një kryetar komune që jo vetëm Kaqaniku por e gjithë Kosova e njihte, si mundi ai ti ikte drejtësisë kosovare?

Si doli ai jashtë?

Përgjigjet mbase i dijnë miqtë e tij, pushtetarët tanë, por ç’rendësi kishte kur ai ia hodhi një shteti të tërë dhe na bëri të dukeshim budallenjë para gjithë botës. Suedia do të bëhëj strehë e tij për gjashtë vite, e derisa në Kosovë kërkohej nga organet e drejtësisë për ekzekutim dënimi, ai nga veriu nordik na dërgonte selame përmes rrjeteve sociale e që besa edhe përmes pjesëmarrjeve në ngjarje që organizoheshin për diasporën tonë në Suedi nga Qeveria e Kosovës.
Çfarë hipokrizie, Xhabiri i lirë hedhë shotën përballë zv. Ministrit të atëhershëm, përballë flamurit të Kosovës e në fakt përballë shtetit të Kosovës që e kishte dënuar sepse ai kishte bërë shkelje ligji, rrjedhimisht sepse ai kishte bërë krim.

Por, kjo është Kosova, një vend i brishtë që është në posedim të disa individëve të cilët i markuan regjionet, i ndanë bizneset e tani funksionojnë si shërbyes të popullit kur faktikisht po e gërryejnë çdo qytetarë të këtij vendi. Mbase Xhabiri, nuk ka faj, faj kemi ne që e akuzuam, faj ka sistemi gjyqësor që e dënoi. Mbase ne nuk e kuptuam drejtë qëllimin e tij kur në derë u shkoi vëllezërve të gjorë dhe u tha se do të derdhej gjak. Mbase e keqkuptuam të gjithë këtë punë?!

Këtë vit, sikurse edhe qindra e qindra raste tjera edhe rasti Zharku u parashkrua, në fjalë të tjera u vjetërsua dhe tashmë ai ishte i lirë të kthehej në Kosovë si një qytetarë që nuk i ka kurrëfarë borxhi sistemit të drejtësisë e as ligjit. Dhe nuk vonoi, erdhi Mesiah.

Askush nuk tha gjë përpos disa fjalëve të ambasadorit britanez e një komenti të ministrit të drejtësisë dhe kundër komentit nga zoti Zharku i cili në njerën prej ditësh tha se po t’i kishte dy jetë një do t’a jetonte për të apostrifuarit dhe tjetrën do ta jetonte për drejtësi.
Pra, thënë në fjalë tjera, njerën do të jetonte për hejtera e tjetrën do ta jetonte për të vënë rend dhe ligj.

Nuk u çuditëm dhe as që çuditemi sepse në vendin tonë mund të ndodhë gjithçka. Në fund të fundit, ne vendin tim nuk asht aq problem i madh edhe nëse e vret dikë e edhe nese i vjedhë që të gjithë, sepse për aq sa thesi yt mbanë, le tu shqyhen xhepat e të tjerëve.

Ç'është e vërteta kur gënjeshtra bëhet normë?

Ç’është drejtësia kur krimi bëhet ligj?

Kosovë, të prezentojmë me shpëtimtarin, birin tënd që të përbuzi e t’u kthye në tokën tëndë sërish. Qetësi, lë të ndizen dritat, të bëhet gati skena, të përgaditen qiellndriçuesit sepse tani do t’i thotë dy fjalë Xhabiri…. po më duket sikur po e shoh tek prezentohet në skenën e legen(d)ave me plan konkret zhvillimor për Kosovën:

Xhabir.

My name is Xhabir Zharku...

 

(The rest is history)