Pylljon Nura 27/07/2018

Gjykatës pa çekiç

Çdo ditë, pranë rretheve të nxira të filxhanëve me kafe, kur ndeja ka pushtuar foletë tona të quajtura ‘’kafiteri’’, zhvillohen seanca joformale të gjykimit. Por jo vetëm aty; kudo. Në shtëpi, në rrugë, në parlament. Nga shpeshtia e tyre, fillojnë e bëhen më ‘’formale’’.

Unë gjykohem, ti gjykohesh, ata gjykohen. Arsyet e gjykimit mund të jenë të ndryshme; në bazë të moralit, bindjeve, ideologjive dhe pikëpamjeve politike dhe zgjedhjeve personale në jetë.

Sa më e ulët liria e mendja e hapur, aq më i madh gjykimi. Sa më i lartë gjykimi i pavërtetë e i pabazuar, aq më i madh dëmi.

Faji ynë? Një akuzë e zbrazur si ndaj zotit K. tek ‘’Procesi’’ i Franc Kafkës, e padefinuar për fajin real që posedon, për arsyet e gjykimit, për gjithë këtë hallakamë gjykuese që nuk ndalet, por thjesht mbetet si një barrë dhe ‘’test moral’’ që i vihet personit.

Kush gjykon? Le të fillojmë me ca profesorë universitetesh, mbase me pozita të kontestuara po që përgjithësisht prekin qiellin e shtatë nga niveli akademik që mendojnë që e kanë, ministra e nëpunës të parfumosur të ministrive dhe institucioneve tjera, që nuk dinë të shkruajnë dy rreshta në gjuhën shqipe, pronarë të mediave dhe gazetarë të ndryshëm që të bëjnë për 5 pare veç nga qejfi për publikimin e ndonjë lajmi bombastik por të pavërtetë dhe poashtu të tjerë që bëjnë muhabete ‘’deep’’ e të kryqëzojnë në forma e mënyra të ndryshme.

Ne gjykojmë vajza të reja studente ose të punësuara të cilat kërkojnë vlerësim korrekt në mësim dhe rroga dhe kushte më të mira të punës. Të njëjtave u bëhen oferta për favore seksuale nga profesorët dhe shefat, ndërkohë që ne vetë i lejojmë këta njerëz në pozita ekzekutive.

Në fund, rënkojmë duke nxjerrur konstatime e supozime konspirative që mbase ‘’ajo vet e ka lyp’’ dhe ‘’ja kanë bo ndonjë nder e kjo ja ka kthy’’.

Ne gjykojmë të rinjtë duke i cilësuar si dembelë, të paaftë dhe injorantë, ndërkohë që nuk marrim mundimin të përmirësojmë kushtet ku ata arsimohen, emancipohen dhe punësohen.

U pëshpërisim në vesh “Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit’’. Kur një i ri vendos të bëhet pjesë e vendim-marrjes, politikë-bërjes dhe përfitimeve nga mundësitë e ngritjes profesionale, i shajmë se janë të pakualifikuar, ju përkujtojmë moshën e re dhe pa përvojë dhe ua mbyllim derën në fytyrë.

Ne gjykojmë njerëz që shkëpusin lidhjet shoqërore e dashurore apo edhe martesat, për shkak të luksit që kërkojnë për të gjetur një përmbushje shpirtërore dhe një jetë më ndryshe. Shkurt e shqip, e cilësojmë si luks përzgjedhjen individuale e nevojën e personit dhe shmangien e kolektives për të mbajtur të bashkuar një gjë që s’funksionon.

Ne gjykojmë njerëz në bazë të pikëpamjeve dhe bindjeve politike. I linçojmë, degradojmë dhe kryqëzojmë në bazë të orientimit të tyre ndaj një politike ose partie të caktuar dhe refuzimit të përkrahjes së një besimi të përgjithshëm politik.

Ne gjykojmë njerëz në bazë të besimeve fetare, përzgjedhjes personale që bëjnë në raport me besimin në fuqitë mbinatyrore: Zotin, energjinë, lopën etj. Gjykojmë ateistët si dhe konservatorët fetarë sepse nuk i duam që të mendojnë ndryshe dhe të çlirohen nga boshti i mendimit të përgjithshëm kolektiv.

Ne gjykojmë kafen që e pimë, e kohën që po na shkon. Gjykojmë e nuk mendojmë ti lëmë njerëzit të shkojnë.