Eranda Bokshi 26/07/2018

Ironia e cenzurës

Andrei Tarkovsky njihet si poeti i kinemasë. Sot padyshim konsiderohet si një ndër regjisorët më të mëdhenj jo vetëm në Rusi, por edhe në botë. Ai pati një karrierë 12 vjeçare gjatë së cilës krijoi shtatë filma. Përveç dy filmave të fundit, Nostalghia (1983) dhe The sacrifice (1986) , pesë filmat paraardhës i krijoji në vendlindjen e tij, Rusi. Të pestë filmat ranë në filtrat kontrollues e bastardizues të cenzurës së shtetit Rus. Cilido film i Tarkovskit që shfaqej premierë, në Europë krijonte sencazion, filmat e tij shfaqeshin, merrnin respektin e merituar dhe gjenilaiteti i tij njihej edhe nga vetë gjenitë evropianë si Ingmar Bergman. Ndërsa në Rusi,vendi me të cilin Tarkovsky ishte shumë i lidhur, filmat e tij ktheheshin prapa me shumë shënime e korigjime nga cenzuruesit, një proces shumë i gjatë dhe i dhimbshëm deri në finalzimin e filmit. Njërin prej filmave ja kthyen me mbi 40 korrigjime, gjë që e bëri Tarkovskin të thyhej shpirtërisht dhe të qante gjatë xhirimeve, duke i kërkuar falje secilit prej anëtarëve të stafit të tij, pasi ndihej i përgjegjshëm për rrugëtimin artistik që kishin marrë. Ta cenzurosh një artist në mënyrë të tillë, është dhunim i esencës së tij. Përveç cenzurës, filmat e tij në Rusi talleshin, keqkuptoheshin e shfaqeshin në orare të papërshtatshme. Megjithatë, të gjitha këto vështirësi nuk zbehen aspak kryeveprat që Tarkovsky krijoi. Sfida të tilla e vështirësuan dhe zgjatën procesin, por nuk e ndaluan atë. Në fund mbizotëruan shtatë filma tejmase të veçantë, artistik e spiritual. Mbizotëruan filma që për mua hyjnë në koleksionin e shenjtë të artit infinit, i cili qëndron përtej kohës, sepse në çfarëdo pike në kohë filma të tillë jo vetëm që janë ende të shikueshëm, por edhe të domosdoshëm që të shihen, tronditës e të prekshëm. Do të jenë të prekshëm përgjithmonë. Do të prekin një audiencë të gjerë dhe secilin prej shikuesve në mënyra subjektive do ta ndryshojë, do ta shtyjë të reflektojë e krijojë. Ne sot njohim Tarkovskin, regjisorin e madh, e jo cenzurën. Cenzurë të tillë përjetuan edhe regjisorët polak nën regjimin komunist të Polonisë pas luftës së dytë botërore. Krzysztof Kie?lowski, regjisor i kreveprave si Decalogue (1989) dhe The three colors triology (1993, 1994) gjatë një interviste tregon se si cenzura sado që është kufizim i tmerrshëm, mund të jetë edhe hapje e mundësive për artistin që të eksplorojë, eksperimentojë, e të thellohet si artist. Ai thotë se kishte përfituar nga cenzura pasi ajo e mundësoi të kërkojë mënyra simbolike e metaforike të shprehjes, kërkime e zbulime që kolegët e tyre në Perëndim nuk do ti njihnin kurrë. “Nëse shikoni kinemanë hungareze, ruse, çeke ose polake, do të shihni se cenzura i detyroi regjisorët të gjejnë mënyra të shprehjes që më parë nuk e dinin se ekzistonin, një komunikim me audiencën që qëndronte mbi nivelin e cenzorit.” Për Kie? lowskin, të gjesh mënyrën që të mos biesh në bllokimin total të cenzorit dhe po ashtu të mos humbasësh autencitetin si artist, ishe si të gjesh balancin në skajin e briskut.

 Cenzura nuk prek vetëm krijimtarinë, por çdo kënd e cep të jetës së përditshme. Cenzurimi nuk është patjetër regjim diktatorial komunist. Cenzura mund të jetë edhe ‘demokratike’. Edhe rrethanat në Kosovë i konsideroj një lloj cenzure, sado indirekte. Sepse nëse i merr parasysh të gjithë faktorët, rrethanat në Kosove pak a shumë imponojnë një realitet të vetëm të cilin e ndajmë të gjithë ne. Ky realitet që në thelb e ndajmë të njëjtë e që në detaje ndryshon prej personit në person, është shumë limitues e përjashtues në mundësitë dhe llojllojshmëritë e të çenurit që ofron, çfaredo qofshin ato. Ndoshta nuk është një kufizim që të futë në burg, të rrah e të dhunon, ndoshta nuk është një kufizim që të detyron ta ndryshosh artin tënd, mirëpo sado tinzak e i tejdukshëm që është, padyshim edhe ky si çdo abuzim lë barrën e vet tek njerëzit, le plagën e vet. Mirëpo sikurse Kieslowski, edhe unë mendoj se një kufizim i tillë, pavarësisht impaktit të dëmshëm që ka, nga një këndvështrim tjetër mund të jetë edhe një gjë e mirë, sepse rrethanat shtypëse asnjëherë nuk e kanë ndaluar njeriun që të kërkojë e të gjejë edhe skutën më të vogël të lirisë për kreativitetit. Rrethanat e brumosin karakterin e njeriut dhe nëse rrethanat janë shumë të rehatshme, kam frikë se karakteri do të jetë shumë i dobët. Një adoleshent Kalifornian asnjëherë nuk do ta kuptojë shpirtin e një adoleshenti kosovar që përpiqet e lufton përtej rrethanave të veta. Një kosovar mund të ndjehet i frustruar nga rrethanat, të ndjehet se nuk ka hapësirë për të shpalosur autencitetin e vet, mirëpo pikërisht rrethanat do të jenë ato që do ta shtyjnë të kërkojë brenda vetes dhe ta gjejë mënyrën për ta realizuar veten edhe në kushtet më negative. Rrethanat shtypëse nuk bllokojnë duke shpalosur rrugë vetëm për artistin, kanale nëpër të cilat mund të lundrojë, të zhvillohet më shumë, të njeh më mirë veten, të bëhet më kreativ e kërkues, mirëpo edhe për çdo njeri tjetër. Të gjithë ndjekim pas vetë – realizimin, ndryshe nuk do vazhdonim të qohemi në mëngjes. Lufta për ekzistencë është dhe shpirtërore. Këtë më së miri mund ta dijmë ne. Rrethana të tilla i shoh si një burim i madh për krijimtari dhe art. Arti është pikërisht përgjigjje e revoltë ndaj këtyre rrethanave, edhe nëse ky nuk është qëllimi i artistit. Pikërisht ata që të cenzurojnë nuk do ta kuptojnë satirën tënde mbi ta. Arti është infinit në lirinë që të ofron, në art nuk ekziston as edhe një kufi. Arti të ofron hapësirë të paskajshme të thuash atë që dëshiron ta thuash, apo edhe të mos thuash asgjë. Artisti është gjithmonë pjellë e shoqërisë së vet, dhe artisti me krijimtarinë e tij gjithnjë e vendos vulën e tij në atë shoqëri. Prandaj besoj shume se nga ky vend siç kanë dalë do vazhdojnë të dalin artista të mëdhenj, pikërisht dhe pavarësisht rrethanave.