Është viti 2018. Ti tash je 20 vjeç, dhe je duke jetu në kohën e Slavoj Zizekut, problemeve socio-ekonomike, ndotjes së ajrit dhe mbizotërimit të kangëve në gjuhën angleze. Ti si e re ndihesh "e amerikanizuar".
Po s'ka lidhje, tek e fundit, krejt e dimë dashninë tonë për Amerikën. Krejt e dimë që dikun në Prishtinë është një shesh me emrin "Bill Clinton" e një butik me emrin "Hillary". E dimë edhe që vjet për vjet mbahet një koncert në sheshin kryesor të Prishtinës me titull "Thank You USA". Bile, bile, ti edhe mesazhet me shoqni e përshkrimet mbi foto në rrjete sociale i ki në gjuhën angleze. Kur i mendon krejt këto, ndihesh "shoqërisht e pranuar". Nejse, ti je duke jetu edhe në periudhën e kangëve të Shyhrete Behlulit e të Medës. Kangëve të tyre që i ndëgjon nëpër dasma, e sidomos kur je duke udhëtu me autobus.
E kur jemi tek muzika e autobusit, sot e ndëgjova një kangë të Shyhrete Behlulit, si duket bashkë me vajzen e saj.
Një pjesë e tekstit:
"Në der' t'huj të kemi rrit, ki kujdes bijë, hapi syt', hapi syt' e boni katër, djal' të huj nuk dojmë për dhandër"
Pastaj po i kthehet kjo:
"S'ka nevojë me m’porositë, me tradita m'keni rrit', do t'shkoj nuse me tupana, sikur gjyshja, tezja e halla."
Interesant, krejt kjo ty t'doket e çuditshme dhe interesant. Pastaj çuditesh pse po t'doket interesant! Ti s'duhesh me u çuditë. Ti je 20 vjeç, ti e din që bile edhe msitnia është akoma prezente në Kosovë. Ndoshta veç pak ma e modernizume, por prapë diçka që ende po zbatohet në Kosovë. E di, "zbatohet", nuk është fjala më e duhur.
Ama a nuk është msitnia edhe një lloj ligji? A nuk është ky fenomen një "ligj i pashkruar" ku dy palë, në këtë rast dy familjet propozojnë ose edhe vendosin për partnerët e fëmijëve të tyre? Teorikisht shumë diçka e mirë. Praktikisht, jo edhe aq. Tek e fundit prindërit ja dojnë vetëm ma të mirën fëmijëve të tyre. Mirëpo, jo çdo herë prindërit e tu munden me e ditë çka është mirë për ty. Fillon me e paramendu veten në shpi bashkë me gjyshen, tezen, hallen, nanën e motrën. Ku fillon me mendu ndoshta gjyshes tande i kish pëlqy shumë kjo kangë, tezja e halla t'kishin porositë me e kry fakultetin e me i lonë këto punë se ka kohë hala. Nana jote t'kish shiku me dyshim se qysh po reagon ti kur lëshohet kjo kangë, motra jote e vogël që ka lindë mbas 2002 e kish' përqeshë krejt këtë mesele edhe e kish qujt "Budallaki e ktyneherit".
Fillon me mendu për gjininë e burrave. Ty po t'kujtohet qe në semestër t'kalum kur ke pasë provim në "Filozofi politike" ke shkru për Platonin, Arsitotelin, Makiavelin, Hobsin e plot filozofë të tjerë. Krejt këta burra. Po, ti ke shkru vetëm për burra. Ty nashta t'vjen pak inati pse krejt filozofët burra, se dje në mbramje e ke pa filmin dokumentar "Suffragette", e ke pa qysh ka fillu vala e parë e feminizmit, qysh disa gra kanë rreziku edhe jetën e tyre vetëm e vetëm për të pasur të drejtën e votës. Ti je inspiru, nervozu, çuditë dhe gëzu gjatë krejt 2 orëve që ka zgjatë dokumentari.
Po nejse, tek e fundit këta janë burra të mençëm që i kanë kontribu mendimit kritik në përgjithësi. Këta burra janë ata që kanë shkru për shtetin, qeverisjen e rolin e njerëzve në shtet. Kur i mendon krejt këto, ti ndihesh e kontrolluar. Ti ndihesh produkt social i një periudhe kohore të caktuar. Fillon me mendu për gratë që kanë jetu në kohët e këtyre filozofëve. Pastaj mendon për veten. Çka do t’kishte ndodhë me ty nëse kishe jetu me një kohë tjetër? A kishe me qenë kështu qysh je? E din që jo. Ti veç nëse kthehesh 20 vjet mbrapa në kohë, e din që jeta jote kish me qenë ma ndryshe. Duke u bazu prej literaturës së sociologjisë që ke fillu me lexu kohëve të fundit ku shpjegohet qartë që faktorët socialë luajnë një rol tejet të madh në formësimin e personalitetit tonë. Shkurt gjithçka e ka një arsye pse është ashtu siç është.
Ti dje e ke pa në Facebook ni publikim t'një organizate për një hulumtim ku tregon për gjendjen e grave në Kosovë ku e trajton cështjen e trashëgimisë në pronë.
- "Gajle e madhe", kishte pasë me thon ai kojshia në mahallë që rrin gjithë me nerva. "Qikat te baba janë në derë të huej". A s'duhet me qenë "gajle e madhe" për faktin që gratë akoma nuk janë në gjendje me e marrë diçka që i takon ligjërisht? A s'duhet me qenë problem që 80.2% e grave janë jo aktive në tregun e punës? Ose edhe nëse punojnë gjasat që të diskriminohen janë shumë të mëdha?
Krejt kjo është luftë. Me veten dhe me të tjerët. Por më së shumti me veten. Sepse e gjen veten të ngërthyer në dy karaktere. Në atë se çfarë viti 2018 kërkon të bëhesh, dhe në atë se çfarë të tjerët presin nga një vajzë 20 vjeçare të bëhet. Sado klishe që mund të tingëllojë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë nga e kaluara. Vetëm jemi "modernizu" e "amerikanizu" pak. Sidomos ne, gjenerata e luftës në Kosovë.
Pas pak, ti mbërrin në destinacion, dhe i shtyn këto mendime për herën tjetër. Që nuk do të jetë shumë larg.