Të punësohet dikush me anë të nepotizmit sot në Kosovë, është po aq normale sa në Lindjen e Mesme që është normale poligamia. Pra, na u është shëndruar në një vlerë, zakon tonin, të cilin e përqafon secili nga ne, Kosovarët.
Që para qindra viteve, deri ku edhe e mësojmë historinë, si popull kemi qenë të sulmuar e të nënshtruar sa nga një perandor e sa nga një sulltan, e tani e dijme krejt nga kush. Mirëpo, edhe pse një popull i vogël, kemi qenë të ndarë në fise të shumëta, ku edhe ka filluar krijimi i zakonit që e përmenda në fillim. Duke qenë të sunduar nga sundimtarë të ndryshëm, kemi pasur edhe sisteme të ndryshme të “qeverisjes”, andaj “institucionet” e ndryshme, kanë qenë të drejtuar nga njerëzit e sundimtarit kryesisht. Por, sigurisht që kanë punuar edhe shqiptarët, ani pse me numër shumë të vogël. Prandaj, në mundësinë e parë e cila u është ofruar, secili nga shqiptarët, e kanë punësuar vëllaun, djalin, babain, dajën, me një fjalë, dikë nga familja. Kjo për disa arsye. E para, rritet numri i shqiptarëve në institucione, pra në vende ku drejtoheshin nga armiku. Kjo krijonte mundësi që të operonin më lehtë duke marrë informacione ndaj armikut, duke i paraprirë ndonjë sulmi a rreziku, si dhe janë forcuar shqiptarët. Do të thotë se, ishte një rritje e mbrojtjes së shqiptarëve, si dhe ishte një lëvizje e shkathët për përgaditje të ndonjë sulmi. E dyta, gjendja ekonomike. Duke qenë të sunduar e pa të drejta, mundësia që të ushtronin veprimtari ekonomike ka qenë tejet e ulët, andaj punësimi i një anëtari tjetër të familjes, padyshim që ka qenë një mundësi e artë dhe një veprim më se i nevojshëm, meqenëse deri vonë në Kosovë, e madje edhe sot në disa vende, kemi jetuar në familje të mëdha, (bashkallak).
Tani, krejt kjo kohë ka kaluar. Sigurisht që rruga në të cilën kemi kaluar për të arritur ku jemi sot nuk ka qenë aspak e lehtë, por me mund dhe sakrifica të shumëta, ja kemi arritur. Jemi të pavarur qe një dekadë. Sot, institucionet tona drejtohen nga njerëzit tanë, të cilë i zgjedhim ne me votën tonë. Zgjedhje të lira e demokratike. Kemi mundësi me zgjedhë, jo në mes të dy a tri partive, po gjashtë a shtatë. Pra, jemi të lirë. Ekziston një rend dhe ligj, i cili duhet respektuar. Sido që të jetë, akoma me mundësinë e parë që na vjen nga duart, e punësojmë një të afërm. Nuk mund t’i ikim kësaj vlere, e kemi në gjak. Madje, krenohemi kur e punësojmë dike të afërm në punë sepse mendojmë se, është mire, e drejtë, a ku ta di unë. Krenohemi kur, e përdorim veturën zyrtare për të shkuar në pushime, për të shkuar në vizita te miqtë apo edhe për të bërë pazarin në një supermarket.
Krenohemi….
Tani më, familjet veq se janë zvogëluar nga numri, ndoshta një mesatare në Kosovë do të ishte pesë anëtarë për familje, jo shumë. Mundësitë ekonomike nuk janë të mira, por të paktën e kemi një diasporë të fortë, që na ndihmon edhe nëse dëshirojmë të investojmë në një biznes të vogël. Pra, kemi shanca të mbijetojmë.
Rruga të cilën ne si popull dhe si shtet po dëshirojmë ta ndjekim, është ajo drejtë Evropës. Diçka më perëndimore, liberale, BE, OKB e NATO. Këtë aspirate e filluam duke e ndryshuar sistemin juridik. Duke i harmonizuar ligjet me vlerat evropiane. Menduam se e kemi bërë një hap të duhur e të saktë. Ndoshta edhe e kemi bërë. Mirëpo, nepotizmi, nuk është vlerë evropiane sa është monogamia në Lindjen e Mesme. Që të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane, duhet bërë shumë punë në aspektin e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, luftimi i korrupsionit etj etj. Sido që të jetë, ne kemi stagnuar në një pikë, e cila, nuk ka nevojë as që të jetë si kusht për të iu bashkuar Evropës, sepse është e nënkuptueshme. Por, ku qëndron problemi? E përmenda rendin dhe ligjin më herët, per të cilin flasim aq shumë se si nuk respektohet, se si duhet të respektohet, a në fakt jemi ne vetë ata të cilët e shkelim atë duke e përkrahur nepotizmin. E pikërisht ata të cilët thirren në emër të ligjit, e shkelin atë. Ligji bëhet konform traditave dhe zakoneve të atij populli, dhe me zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë, ndryshojnë edhe ligjet, në mënyrë që t’i përshtaten shoqërisë për të cilën edhe janë formuar. Po, prit pak. Nëse ne si shoqëri, në fakt një shumicë e madhe e shoqërisë tonë e “përqafon” dhe përkrahë nepotizmin aq shumë saqë ka kaluar në një zakon, a do të duhej që nepotizmi të ishte pjesë e ligjeve, pra të lejohej, ose thënë më ndryshe, të mos ndalohej me ligj? Mos kemi shpejtuar pak me harmonizimin e ligjeve tona me standartet Evropiane? Mos është dashur që, të punojmë me popullin tonë njëherë? Të mundohemi t’i përgadisim për atë për të cilëm jemi duke menduar se po punojmë? Nuk e di.
Duke e punësuar një të afërt unë, një ti, një tjetri e tjetri, kapet shteti. Kur kapet shteti, ka korrupsion. Kur ka shkelje të ligjit nga njeri nga ne, e kemi tjetrin që na mbulon dhe na mbronë sepse ne e kemi punësuar. Korrupsioni shkon në rritje, raportet për Kosovën dalin negative, duke rezultuar në mos realizim e aspiratave tona si shtet. Keqpërdoren mjetet shtetërore, rriten shpenzimet e buxhetit shtetërorë, pastaj nuk ka mjete për investime në politikat publike të cilat do t’i shërbenin të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm një pakice e cila punon pikërisht kinse për qytetarët e Kosovës.
Pra, të ndalemi pak e të mendojmë, sepse, koha po ecën mirepo siç duket, ne akoma kemi ngecur mbrapa në kohë. Sepse shoqëria duhet të emancipohet, të zhvillohet, ndryshe shuhet, ose thjeshtë mbetet në mjerim, duke mos ditur se çka do të ndodhë me të, ashtu si uji i cili nuk lëviz që nuk është i pijshëm. Nejse, bagëtia e pin në fund të fundit. Mirëpo, duhet ta kuptojmë tanimë se, një veprim, vlerë, zakon që ka qenë e nevojshme para disa kohësh, sot nuk është, në fakt është diçka që një shoqëri e zhvilluar, e përjashton nga vlerat e saj. E ashtu duhet të veprojme edhe ne. Në fund të fundit, krejt çka kemi në mendje është që t’i bashkohemi familjes evropiane, pse të mos fillojmë të sillemi si të tillë?