Alban Alshiqi 13/02/2023

Cilat janë sfidat e të rinjve në Kosovë?

Kosova ka popullsinë më të re në Europë, çka potencialisht është avantazh i madh, pasi numrat, entuziazmi dhe krijimtaria e tyre mund të jenë një forcë shtytëse për zhvillim. Por, rinia kosovare në ditët e sotme ballafaqohet me sfida të shumta. Disa nga sfidat më të mëdha janë: mungesa e mundësive për punë, situata e dobët ekonomike, nepotizmi në proceset e rekrutimit, mospërfshirja në vendimmarrje, e shumë të tjera.

Të rinjtë e të rejat ndonëse përfundojnë studimet ose shkollat profesionale dhe mundohen të ambientohen me jetesën në vendin tonë, shumë nga ata nuk mund të gjejnë një vend pune. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021, kanë emigruar rreth 42,728 persona. Shtetet të cilat po ofrojnë kushte sado pak më të mira të punës (pagë, kontratë, sigurim shëndetësor), tash e shumë vite janë bërë destinacione afatgjate të të rinjve e të rejave. Të diplomuarit që qëndrojnë këtu janë të detyruar të punojnë profesione që nuk i dëshirojnë, profesione që nuk përshtaten me titujt e diplomave te tyre si shkak i mospërputhjes mes nevojave të tregut të punës dhe profileve të të diplomuarve. Mund të jesh jurist i diplomuar, por, punën e bën të kamarierit ose shankistit, pa i paragjykuar këto profesione. Sistemi ynë ka dështuar t’i punësoj të rinjët në bazë të meritokracisë.

Si shkak i nepotizmit në proceset e rekrutimit, në Kosovë është krijuar opinioni se nëse nuk ke ndonjë lidhje të fortë ose përkrahje politike, nuk do të mund të punësohesh në profesionin e dëshiruar. Sa i përket punësimit, të rinjët përballen edhe me kriterin e të pasurit studimet Master të përfunduara dhe përvojë pune. Jo e gjithë rinia kosovare disponon Master dhe përvojë pune për ta plotësuar atë kriter. Në shtetet europiane, shembull në Gjermani, gjasat për t’u punësuar janë më të mëdha edhe duke mos qenë fare kriter niveli Master, sepse atje paguhet më shumë dora e punës, zanati, prodhimi, produktiviteti në veprimtari e nuk kriterizohet vetëm ana teorike, diploma universitare dhe titulli akademik.

Në anën tjetër, mosliberalizimi i vizave nga Bashkimi Europian, tash e sa vite është shndërruar në temë të shterruar. Të rinjët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë në universitetet prestigjioze të vendeve europiane, duhet të nxjerrin një mori dokumentash e të presin orë të tëra para ambasadave. Sigurisht, kjo kushton financiarisht dhe në fund mund të të vie lajmi se viza është refuzuar, e kjo sigurisht krijon dëshprim te të rinjtë kosovarë. Nëse liberalizohen vizat, në rast se dëshironi të studioni në një nga shtetet Schengen, sipas Ministrisë së Integrimeve Europiane, ju duhet të pajiseni me vizë që mundëson qëndrimin tuaj më të gjatë se 90 ditë. Për këtë duhet të kontaktoni ambasadën e shtetit në të cilin planifikoni të studioni. Normalisht, sipas ministrisë, ky proces do të kursej kohë dhe para, për shkak se qytetarët nuk do të kenë nevojë të bëjnë pagesën për vizë si dhe të realizojnë termin për të njëjtën.

Gjithashtu, të rinjtë në Kosovë ballafaqohen edhe me mospërfshirje në vendimmarrje në instancat lokale dhe ato qendrore, shumicën e rasteve kërkesat e të rinjëve kanë hasur në vesh të shurdhër nga institucionet. Pasiviteti qeverisës deri më tani nuk arriti që potencialin kreativ për punë që posedon rinia kosovare, të arrijë ta shndërrojë në veprimtari për projekte afatgjate. Të rinjtë duhet të jenë pjesëmarrës në organizma të rëndësishme të vendimmarrjes në Kosovë sepse sjellin energjinë dhe vullnetin për përparimin e vendit me ritme të shpejta.

Poashtu, të rinjtë përballen dhe me arsim jocilësor dhe me mungesa të hapësirave rekreative dhe sportive. Shteti ynë duhet të punoj në këtë drejtim. Por, përveç këtyre shkaqeve të cilat e mbajnë rininë pa perspektivë, një pjesë e konsiderueshme e fajit qëndron edhe tek të rinjtë, të cilët vazhdojnë të mbesin pasiv në shumicën e kohës duke pritur që pushtetarët të servojnë gjithçka të gatshme. Të rinjët duhet ta largojnë idenë se politika nuk ju shërben për asgjë. Ne si të rinjë në Kosovë nuk duhet ta humbasim besimin në politikë. Duke thënë se ‘kemi humbur besimin në politikë’, nuk arrihet asgjë, përkundrazi kjo qasje është e gabuar për vendin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja. Ne duhet të largojmë idetë pesimiste dhe të kultivojmë ide të cilat çojnë drejt zhvillimit të vendit. Të rinjtë duhet të veprojnë, duhet të jenë aktorë të mirë, të rëndësishëm, të suksesshëm dhe frutdhënës në jetën politike dhe kulturore të vendit tonë.

Ilustrimi: Bigeye