FATKEQËSIA NUK VJEN KURRË VETËM: NDOTJA E AJRIT DHE COVID-19

Për vite, Ballkani Perëndimor ka qenë një nga rajonet më të prekura në Evropë nga ndotja e ajrit. Qytetet në këtë rajon shpesh i kryesojnë listat e qyteteve më të ndotura në botë. Kur dikush i shton kësaj situate pandeminë globale COVID-19 e cila në një masë të madhe e shënoi vitin 2020 dhe e cila është akoma në vazhdim, rezulton një rritje shtesë e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe vdekshmërisë.

Fatkeqësia nuk vjen kurrë vetëm - kjo është thënie e njohur në Ballkanin Perëndimor. Kjo u përforcua praktikisht nga viti 2020 kur shoqëritë e varfra dhe të prekura nga ndotja e ajrit u goditën gjithashtu nga pandemia e COVID-19.

Shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor janë grimcat e imëta (PM), të cilat kanë ndikim negativ në të njëjtat qeliza dhe pjesë të qelizave të organizmit të njeriut sikurse koronavirusi. Për këtë arsye, personat që janë të ekspozuar çdo ditë ndaj ndotjes së ajrit kanë sistem më të dobët imunitar, dhe prandaj reagimi i organizmit ndaj pranisë së koronavirusit është më i paqendrueshëm, gjë që kontribuon në zhvillimin e formave më të rënda të COVID-19, përfshirë edhe vdekje më të shpeshta. 

Ekspozimi për kohë të gjatë ndaj substancave të dëmshme të ajrit rrit rrezikun e sëmundjeve akute dhe kronike, kryesisht ato që prekin sistemin e frymëmarrjes. Si rezultat i dëmtimit të funksionit të tij, ky sistem bëhet më i prirur në ndikimin e infeksioneve të virusit, duke përfshirë atë të shkaktuar nga koronavirusi (SARS-CoV-2).

Ndotja e ajrit dhe COVID-19: Cilat janë lidhjet shkakësore?

Krejt në fillim të pandemisë kanë dalë hulumtime dhe studime që e lidhin numrin e rritur të infeksioneve me COVID-19 dhe vdekjeve nga ajri i ndotur në rajon. 

Para se të paraqesim rezultate individuale të hulumtimit, duhet të theksohet se pritet apriori një korrelacion pozitiv midis ndotjes së ajrit dhe numrit të personave të infektuar me COVID-19, duke pasur parasysh që ndotja e ajrit lidhet me dendësinë e lartë të popullsisë, pra me një numër të lartë të vdekjeve. Një përfundim i qartë nëse ndotja e ajrit kontribuon në rrezikun e vdekjes nga COVID-

19 kërkon studime epidemiologjike afatgjata dhe shqyrtimin e faktorëve të shumtë. Punime të tilla shkencore janë ende duke u hartuar dhe ne nuk mund të deklarojmë me siguri absolute nëse ekziston një lidhje shkakësore midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19.

Studimet nga Kina, Anglia, SHBA, Gjermania, Hollanda dhe Italia kanë treguar se rritja e ndotjes të ajrit mund të shkaktojë rritjen e numrit të infeksioneve, si dhe nivele më të larta të vdekshmërisë COVID-19[1] . Kërkimet në Gjermani tregojnë se një rritje e PM10 rritë gjithashtu vdekshmërinë në pacientët me COVID-19 të moshës mbi 80 vjeç, deri në 30% te burrat dhe 35% te gratë[2] .

Kur i krahason këto të dhëna, mund të konkludohet se ndotja e ajrit rrit nivelet e vdekshmërisë COVID-19, deri në 15% në nivel global dhe deri në 19% në Evropë[3] . Siç u tha më parë, shkaku kryesor i ndotjes së ajrit janë grimcat e imëta, ndërsa rritja e përqendrimit të saj deri në 1 mikrogram për metër kub rrit vdekshmërinë e COVID-19 deri në 11%[4] .

Fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka ende mungesë të studimeve dhe kërkimeve përkatëse, gjë që na pengon të ofrojmë të dhëna konkrete. Është shumë e mundshme që këto të dhëna nuk do të ndryshoheshin në lidhje me rajonin, madje supozohet se do të ishin edhe më keq. Edhe pa ndikimin e COVID-19, ndotja e ajrit në rajon shkakton deri në 13,500 vdekje të parakohshme çdo vit në rajon; deri më tani, 693,902 njerëz kanë kontraktuar COVID-19 dhe 13,423 kanë vdekur si rezultat i virusit.

Si ta përmirësojmë situatën epidemiologjike dhe të kemi ajër më të pastër në Ballkanin Perëndimor?

Numri i provave dhe studimeve shkencore mbi lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 po rritet çdo ditë. Sidoqoftë, siç kemi thënë, duhet të merren parasysh kufizimet e këtyre studimeve. Për të reaguar si duhet, është e nevojshme të merren vendime bazuar në informacione të vlefshme. Prandaj, duke analizuar lidhjen në mes të ndotjes së ajrit dhe COVID-19 në rajonin e Ballkanit Perëndimor, hartimi i të paktën një apo më shumë studimeve është i nevojshëm. Analiza të tilla duhet të planifikohen dhe të përfundohen saktë, në mënyrë që ato të mund të japin përfundime dhe rekomandime adekuate të masave që duhen marrë.

Kur rekomandohen masa, gjithashtu duhet të merret parasysh gjendja e sistemeve të kujdesit shëndetësor në vendet të Ballkanit Perëndimor. Rrjedha e pandemisë ka nxjerrë në shesh pasojat e mungesës së shtretërve spitalorë, një trend të migrimit të mjekëve dhe personelit mjekësor, ventilator dhe pajisje të tjera të pamjaftueshme, si dhe një mungesë të përgjithshme investimesh. Në një kohë kur ato preken nga pandemia COVID-19, presioni mbi këto sisteme të brishta të kujdesit shëndetësor shpesh tejkalon nivelet maksimale. Prandaj, në mënyrë që të sigurohet një integrim në kohë i masave të kujdesit shëndetësor në politikat e drejtuara për mbrojtjen e mjedisit është e nevojshme të rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të sektorit shëndetësor në proceset e vendimmarrjes. 

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të reagojnë dhe të përmirësojnë efikasitetin në zbatimin e ligjeve dhe vendimeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit në mënyrë që të fitojnë benefite më të mëdha ekonomike dhe shëndetësore gjithë qytetarët. Vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë dëme ekonomike në formën e kostove të kujdesit shëndetësor të vlerësuara në rreth 1.9-3.6 miliardë €, të paguara nga qytetarët e rajonit çdo vit.

Së fundmi, duhet theksuar se COVID-19 me shumë mundësi do të jetë një gjë e së kaluarës, mirëpo ndotja e ajrit nuk duhet të mbetet "normalja" e vjetër. Një reagim në kohë nënkupton që masat për të përmirësuar cilësinë e ajrit duhet të futen në politikat publike dhe planet e ndihmës COVID-19 në përputhje me angazhimet e përfshira në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i cili u pranua nga të gjitha shtetet.

Në të vërtetë, në Ballkanin Perëndimor fatkeqësia nuk vjen kurrë vetëm - ne duhet të bëjmë një betejë solidare në fronte të shumëfishta për të mposhtur këtë fatkeqësi. Për këtë arsye, është e rëndësishme të zhvillohen politika rajonale multisektoriale që përfshijnë përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, duke pasur parasysh që ky lloj problemi kërkon një zgjidhje të përbashkët rajonale. 

Nëse dëshironi të bashkoheni në kampanjën "Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër", plotësoni detajet rreth kontaktit përmes vegëzës të mëposhtme:

Vegëza për bashkim në kampanjë.

[1] Isphording, Ingo E. and Pestel, Nico, Pandemic Meets Pollution: Poor Air Quality Increases Deaths by COVID-19 (2020). CESifo Working Paper No. 8495, Available at: SSRN: https://ssrn.com/abstract=3680352

[2] Pozzer A,Dominici F,Haines A,Witt C,Munzel T.Lelieveld J, Regional and global contributions of air pollution to risk of death from COVID-19, Cardiovascular Research(2020),116:2247-2253, Available at: https://academic.oup.com/cardiovascres/article/116/14/2247/5940460

[3] Bhandary N., Air pollution a co-factor in COVID-19 mortality

[4] X Wu, R C Nethery, M B Sabath, D Braun, F Dominici, Air pollution and COVID-19 mortality in the United States: Strengths and limitations of an ecological regression analysis, Sci Adv.2020:6, November 4, 2020. Available at: https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/33148655/