Përfaqësimi gjinor në kohën kryesore në media gjatë 2020

Platforma alternative e edukimit për nxitje të mendimit kritik “truAktiv” ka monitoruar përfaqësimin gjinor në transmetuesit nacional në Kosovë gjatë kohës kryesore (prime) në vitin 2020. Ideja shtytëse për këtë monitorim ka qenë mungesa e grave në diskutimet e emisioneve të ndryshme të cilat shfaqen gjatë kohës kryesore dhe vizualizimi përmes numrave i këtij përjashtimi. Nga gjetjet mund të konfirmohet se si gratë, ndonëse e përbëjnë shumicën e popullësisë në Kosovë vazhdojnë të mbeten të neglizhuara dhe idetë e perspektivat e tyre nuk janë të përfaqësuara pothuasje aspak në sferën publike përmes debateve dhe diskutimeve televizive.

Emisionet të cilat janë monitoruar nga truAktiv janë: Debat në RTK; Pressing në T7; Desku në KTV; Rubikon në KTV dhe Klan Kosova; Click në RTV 21; Zona B në Klan Kosova; dhe Debat Plus në RTV Dukagjini.

Përfaqësimi gjinor është bazuar në numrin e paraqitjeve të grave dhe burrave të ftuar/a për çdo emision televiziv, ku vetëm përgjatë vitit 2020 në 738 emisione televizive të transmetuesve nacional të monitoruara nga “truAktiv”, vërejmë se nga 2.632 mysafirë/e të ftuar/a, fatkqësisht vetëm 202 paraqitje ishin gra ose në qoftë se i përkthejmë në përqindje vetëm 8.5%. Nga këta të ftuar në emisionet e monitoruara, kanë dominuar njerëz të cilët përdorin dhunë, seksizëm, nacionalizëm, racizëm, homofobi dhe transfobi ose njerëz të cilët për shkak të privilegjeve të fituara nga shoqëria nuk ju bëjnë përshtypje këto fenomene të rrezikshme të cilët janë armiqë të barazisë, shoqërisë progresive dhe shtetit demokratik. Poashtu, vlen të theksohet se nga të gjitha emisionet e monitoruara nga truAktiv, vetëm 1 grua është moderatore, e cila gjithashtu është në bashkëmoderim me një burrë moderator.

Në anën tjetër, sa i përket transmetuesit publik, RTK-së, në 115 debate të monitoruara të emisionit “Debat” ka pasur të ftuar 382 burra dhe vetëm 22 gra ose vetëm 5.4%. Në periudhën e parë të vitit 2020, RTK ka trajtuar më së shumti tema politike si marrëveshjet qeveritare, qeverisja dhe krizat politike, ndërsa, në pjesën e dytë të vitit rreth Dhomave të Specializuara dhe dialogut Kosovë-Serbi. Nga të gjitha emisionet e monitoruara, vetëm 5 prej tyre e kanë trajtuar pandeminë COVID-19 dhe asnjë debat nuk është trajtuar rreth shoqërisë dhe kulturës.

Tutje, RTK ka vazhduar që gjatë këtij emisioni të mos i kushtoj asnjë hapësirë shëndetit mendor, shkeljeve të të drejtave të njeriut, pakicave etnike dhe dhunës ndaj grave. Realisht sipas gjetjeve tona, praktikë e njëjtë ka ndodhur në të gjitha emisionet e transmetuesve të tjerë nacional, ku nuk ka pasur asnjë interesim të trajtimit të çështjeve të lartëpërmendura, ndonëse pandemia i kishte theksuar edhe më shumë këto probleme të grupeve të caktuara të shoqërisë dhe domosdomshëria e trajtimit në nivel mediatik ishte tejet e rëndësishme, mirëpo për transmetuesit nacional kjo nuk kishte aspak me rëndësi dhe me përgjegjësi kolektive, anipse numri i shkeljeve të drejtave të njeriut, dhuna në familje, gjegjësisht dhuna ndaj grave vazhdonte të ishte prezente dhe dita e ditës në rritje si pasojë e izolimit dhe ndikimit socio-ekonomik që shkaktoi COVID-19.

Emisionet televizive në Kosovë, e sidomos të transmetuesit publik RTK duhen të përkushtohen maksimalisht për përfaqësim të barabartë gjinor dhe të sigurohen për gjithëpërfshirje të mendimeve në diskutimet të cilat trajtohen gjatë gjithë kohës në emisione, debate, e sidomos gjatë kohës kryesore, duke e ditur rëndësinë dhe rolin e tyre tejet të madh në formimin e opinionit qytetarë mbi cështje të ndryshme sociale, politike dhe kulturore. Deri më sot, këta trasnmetues janë treguar jo profesional dhe nuk e kanë përmbushur këtë vlerë të demokracisë e shoqërisë të mirëfillët. Sipas gjetjeve tona, viti 2020, ashtu si vitet e tjera, lë shumë për të dëshiruar sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor në media, kështu që ne shpresojmë se ky monitorim do të ndihmoj në vetëdijësimin e mediumeve kosovare sa i përket trajtimit të barabartë gjinor tek të ftuarit/at në emisione dhe rëndësisë për trajtim të çështjeve të cilat lidhen me jetërat ditore të njerëzve e jo me politikën ditore. Poashtu, truAktiv përmes këtij monitorimi synon që ta vetëdijsoj cdo qytetar se çka po servohet në kohën kryesore televizive dhe se si në media e kemi vetëm një narrativë per cështjet në Kosovë, atë të burrave heteroseksual.

Media