DistrACT 01/06/2020

Analizë e shkurtër rreth informimit për shëndetin mendor

Shëndeti mendor në Kosovë është akoma një temë për të cilën flitet pak, e i kushtohet rëndësi vetëm atëherë kur rastet përfundojnë me fatalitet. Këtë gjë më së miri e vërtetojnë rastet e vetëvrasjes dhe disa tentime vetëvrasjeje, që kanë ndodhur brenda një kohe të shkurtë gjatë izolimit. Vetëm pas këtyre rasteve një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë e vuri shëndetin mendor në diskutim. Kjo nuk ishte vetëm në rrafshin shoqëror pasi që edhe institucionet shtetërore filluan të marrin masa vetëm pas këtyre rasteve. 


Mungesa e diskutimit të mirëfilltë shoqëror, rreth çështjes së shëndetit mendor, mendojmë se
është mjaft problematike dhe ndikon në vetëdijesimin rreth shëndetit mendor në shoqëri. Vetëm
33% (327 persona nga 965 gjithsej) janë përgjigjur se ndjehen të lirë t’i diskutojnë emocionet e
tyre në familje. Një i ri, pjesën më të madhe të kohës e kalon me familje, sidomos gjatë izolimit
për shkak të pandemisë qëndrimi më familje për shumë qytetarë ishte edhe i imponuar,
qëndrimi për një kohë të gjatë në një ambient në të cilin nuk ndjehesh i lirë të diskutosh për
gjendjen emocionale që je duke e kaluar dërgon në ndrydhje emocionale, të cilat më vonë
manifestohen me probleme të ndryshme ndërpersonale. 


Kosovarët ndihen më të lirë të diskutojnë për emocionet e tyre si dhe për shëndetin mendor me
shoqëri sesa me familjet e tyre. 45% e të anketuarve janë përgjigjur se ndihen shumë të lirë të
diskutojnë për emocionet e tyre me shoqëri. Ky rezultat tregon shumë për gjendjen e të rinjve
gjatë pandemisë, pasi ata ishin të detyruar të qëndrojnë më familjet e tyre dhe për shkak të
masave për parandalimin e COVID-19 ata e kishin të pamundur qëndrimin me shoqërinë e tyre,
kjo dërgon deri tek ndrydhja emocionale. 


Gjatë hulumtimit kemi vënë re se kosovarëve u mungojnë edhe njohuritë bazë rreth shëndetit
mendor. Mungesa e diskutimeve dhe konsiderimi i këtyre çështjeve si tema tabu, ndikojnë edhe
në edukimin dhe mungesën e informacioneve rreth shëndetit mendor. Në pyetjen se “a e
konsideroni që personat që kanë probleme me shëndetin mendor janë persona të rrezikshëm?”
vetëm 23% janë përgjigjur se nuk i konsiderojnë aspak të rrezikshëm. Kurse në pyetjen se “a
mendoni se personat që kryejnë vetëvrasje janë persona të dobët?” vetëm 29% kanë thënë se
nuk pajtohen me këtë pohim. Në pyetjen “a mendoni se personat të cilët vetëlëndohen ose
tentojnë të kryejnë vetëvrasje e bëjnë për vëmendje?”, 35% për qind janë përgjigjur se nuk
pajtohen me këtë konstatim. Këto përqindje të ulëta e shpërfaqin nevojën për edukim të
mëtutjeshëm të shoqërisë rreth çështjeve të shëndetit mendor.


Mungesa e diskutimeve në familjet shqiptare rreth shëndetit mendor si dhe mungesa e
informacioneve, vijnë edhe për shkak të besimit në institucionet fetare. Shumë çështje të
shëndetit mendor si shoqëri mundohemi t’i zgjidhim përmes institucioneve fetare si xhamia ose
kisha, përmes ritualeve të tyre që i praktikojnë. 93% e respodentëve janë përgjigjur se familjet e tyre ndjekin rituale fetare. Kurse 49% e kanë konsideruar, në një masë të caktuar, turp të konsultohesh me psikologun. 

Përmes rezultateve të hulumtimit, vërejtëm se në Kosovë akoma mungon vetëdija rreth
shëndetit mendor, diskutimet rreth këtyre çështjeve akoma janë tema që nuk fliten në familjet
shqiptare e madje edhe në shkolla. Mungesa e edukimit rreth shëndetit mendor e më gjerë, çon drejt kompleksitetit të personalitetit individual, ku personi nuk mundet të funksionojë si i tërë në shoqëri, dhe e çon atë drejt mpirjes emocionale dhe mendimeve negative.

---

Nisma Nuk o' marre mbështetet nga Sbunker përmes projektit të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Nisma Distract është nismë e dalë nga pjesëmarrës të modulit truAktiv “Produksioni
Multimedial”. Kjo nismë ka për fokus shëndetin mendor. Nisma Distract gjatë kohës së
pandemisë i ka kushtuar vëmendje maksimale shëndetit mendor, duke e parë se izolimi mund
të ndikojë jashtëzakonisht shumë në shëndetin mendor. Distract së bashku me nismën “Nuk
o’ marre” edhe kjo nismë e dalë nga moduli “Produksioni Multimedial” i truAktiv, përpiluan pyetësorin online prej të cilit janë nxjerrë disa analiza mbi mendimet dhe opinionet e qytetarëve rreth komunitetit LGBTIQ+ dhe Shëndetit Mendor. 

Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.