Nuk o' marre 01/06/2020

Analizë e shkurtër rreth informimit për personat LGBTIQ+

Në Kosovë fatkeqësisht niveli i edukimit mbi personat LGBTIQ+ është relativisht i ulët, këtë
nivel të ulët të edukimit mund të fillosh ta kuptosh që nga komentet në rrjetet sociale, ku
zakonisht mbizotërojnë sharjet, fyerjet, ofendimet, paragjykimet e shumë stereotipe të
ndryshme ndaj personave LGBTIQ+ në Kosovë. Duke e vështruar këtë fenomen dhe duke e
ditur se mosinformimi dhe mungesa e edukimit mbi këtë temë nuk përfundon vetëm në rrjete
sociale, mirëpo vazhdon të ndodhë në baza ditore, duke i sulmuar në mënyrë verbale dhe
fizike persona të ndryshëm për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, si nismë e disa
të rinjve aktivistë vendosëm që t’i kthejmë mendimet qytetare në fakte empirike që të mund të
na ndihmojnë me perceptimin qytetar rreth kësaj çështjeje.

 
Përmes pyetësorit online, të cilin e kemi përgatitur, janë përgjigjur rreth 982 persona nga
Kosova. Pyetjet kanë qenë deklarime personale me mundësi pajtimi prej 1 deri në 5 (1 = nuk
pajtohem; 5 = pajtohem plotësisht) dhe opsionin 0 në rast se nuk kanë pranuar të përgjigjen.
Menjëherë në fillim të analizës së pyetësorit, kemi hasur në një fakt se shoqëria kosovare nuk
e pranon shumë diskutimin rreth të drejtave të personave LGBTIQ+ duke u bazuar se nga numri
total prej 49.319, të cilët e kanë parë pyetësorin, vetëm 4.25% e këtij numri kanë qenë të
gatshëm të na ndihmojnë për nxjerrjen e të dhënave. Vlen të theksohet se nga personat të
cilët janë përgjigjur, 34.4% kanë qenë nga Prishtina ndërsa përgjigjet në rajonet e tjera nuk e
kanë kaluar 11.4%. 


Në pjesën e parë të pyetësorit janë nxjerrë të dhëna rreth organizimit dhe komunikimit në
familje, ku e shohim se kemi të bëjmë me persona të cilët janë rritur dhe formësuar në një
ambient konservator dhe patriarkal duke u bazuar se për gjysmën prej tyre janë burrat ata të
cilët e mbajnë familjen financiarisht ndërsa gratë janë ato të cilat i kryejnë punët e shtëpisë. Po
ashtu në të njëjtën kohë, rreth 38.5% janë pajtuar plotësisht se familjet e tyre i ndjekin ritet
fetare. 


Edhe pse të rritur në familje më konservatore, 50% e pjesëmarrësve konsiderojnë se ndihen
të përkrahur nga familjet e tyre dhe ndihen të lirshëm të kenë diskutime brenda familjes së
tyre. Mirëpo liria për të diskutuar për shprehjen e emocioneve të tyre me familjen zbret në
33%. 


Në pjesën e dytë të pyetësorit është prekur edhe elementi i shoqërisë duke e ditur se përveç
rolit të familjes, shoqëria është një faktor tjetër prej të cilës ne formësohemi dhe ndërtojmë
identitet duke e kaluar një kohë të madhe në shkollë, rrugë, kafe e vende të ndryshme. Në
bazë të përgjigjeve, pjesëmarrësit e pyetësorit pohuan se ndjehen më të lirë me shoqërinë se
familjen e tyre që të diskutojnë për tema të ndryshme dhe t’i shprehin emocionet e tyre. 


Gjithashtu, opinionet personale mbi personat LGBTIQ+ i kemi vlerësuar si shumë të
rëndësishme për këtë pyetësor, pasi që anonimiteti i krijon mundësi të anketuarëve që të
përgjigjen pa ndikim shoqëror. Sa i përket opinioneve personale të pjesëmarrësve, ato
ndryshojnë dhe ndonjëherë janë edhe kontradiktore varësisht nga perceptimi i tyre për çështje
të ndryshme rreth personave LGBTIQ+. Shembull, derisa 53.4% besojnë që personat
homoseksualë duhet të kenë të drejta të barabarta me personat heteroseksualë, ky besim bie
poshtë në 46.8% në çështjen e të drejtës të adoptimit të fëmijëve nga çifte homoseksuale.
Ndërkaq, një kontradiktë tjetër është përkundër besimit në të drejta të barabarta dhe një pjese të madhe të pjesëmarrësve  (54.9%) të cilët do të dëshironin të kishin kontakt me persona LGBTIQ+, prapë 30.2% i shohin si të pamoralshme marrëdhëniet seksuale në mes personave të seksit të njëjtë dhe vetëm 20.3% do të votonin një person LGBTIQ+.  

Duke e pasur parasysh numrin e vogël të përgjigjeve, një pasqyrë konkrete nuk ka arritur të
nxirret mbi opinionet e përgjithshme të popullatës së Kosovës. Sidoqoftë, në aspektin gjinor,
gratë janë më pranuese ndaj personave LGBTIQ+. Po ashtu, përveçse janë përgjigjur më
shumë, personat nga kryeqyteti kanë qenë gjithashtu më tolerantë, por jo në ndonjë nivel me
shumë dallim.


Në Kosovë, fatkeqësisht akoma ka padituri dhe homofobi ndaj personave LGBTIQ+, në njëfarë
mënyre njëra e ushqen tjetrën. Ky nivel i ulët i edukimit, vjen si pasojë e mungesës së trajtimit
të temave rreth orientimit seksual dhe identitetit gjinor në familje e veçanërisht në shkollë. Sot,
fëmijët akoma vazhdojnë të mësojnë me libra të në përmbajtjen e tyre ka stereotipe të thella
me gjuhë diskriminuese dhe shembuj të familjeve të ashtuquajtura “normale”. Në bazë të
përgjigjeve të pyetësorit, si aktivistë mendojmë që tani është momenti i fundit kur dyert duhet
të hapen për trajtimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ në Kosovë. Përmes pyetësorit, ne
kemi dashur përafërsisht të dimë mendimet rreth personave LGBTIQ+ dhe e konsiderojmë se
kjo është e pa mjaftueshme, në qoftë se hulumtimet dhe analizat nuk do merren parasysh nga
përpilues kurrikulash shkollore e universitare në Kosovë. 

---

Nisma Nuk o' marre mbështetet nga Sbunker përmes projektit të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Nuk o’ Marre, është nismë e dalë nga pjesëmarrës të modulit Produksioni Multimedia të programit truAktiv. Nisma ka për qëllim informimin dhe edukimin e qytetarëve mbi çështje, të cilat kanë të bëjnë me komunitetin LGBTIQ+. Nuk o’ Marre në bashkëpunim me nismën Distract (nismë po ashtu e dalë nga programi truAktiv, Produksioni Multimedia), përpiluan pyetësorin online prej të cilit janë nxjerrë disa analiza mbi mendimet dhe opinionet e qytetarëve rreth komunitetit LGBTIQ+ dhe Shëndetit Mendor. 

Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.