Liri Hashani 13/05/2020

Armik i (pa)dukshëm

Pandemia COVID-19 kaploi botën e e ndaloi atë! U mbyllën kufijtë e shteteve më të mëdha, e me to edhe qarkullimi i njerëzve e mallrave. U mendua për të mirën e popullatës dhe u ndalua transporti publik e privat deri në një afat te pacaktuar. U mbyllën lokalet, e aktivitetet kulturore u ndaluan pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti. Me fushatën #rriNshpi kosovarëve i'u bë thirrje të mos dalin nga shtëpitë e tyre.
Çdo gjë ishte në binarët e kontrollës, numri i të infektuarve ishte minimal e ende nuk kishte të vdekur. Por, doza e panikut u rrit kur filluan përçarjet mes partive politike në pushtet, thuajse nuk mund të prisnin deri pas përfundimit të kësaj gjendjeje. Kur populli pa gjithë këtë rrëmujë, u shtua edhe një problem më shumë për ta, së bashku me virusin korona erdhi edhe një virus i pashmangshëm politik. Kryesuesit e shtetit nuk po pajtoheshin mes vete. Presidenti Hashim Thaçi, mendoi se situata nuk po menaxhohej siç duhet dhe se për këtë duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme, të cilën e kundershtoi fuqishëm Kryeministri Albin Kurti, që, sipas tij, Presidenti synon kompetencat që i sigurohen në gjendje të jashtëzakonshme: duke filluar si  udhëheqës i mbledhjeve të sigurisë e disa “privilegje” të tjera. Kjo nuk mbaroi këtu, Kryeministri, vendosi ta kufizoj lirinë e daljes për të gjithë popullatën, ku lejohej te dilnin në orarin 10:00-17:00. Kjo thirrje, ishte diçka e re, sidomos për gjeneratat e lindura pas vitit 2000, që nuk e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, e as orën policore të saj. Pas marrjës së këtij vendimi, Presidenti paditë Kryeministrin për shkelje të Kushtetutës, aktit më të lart juridik të një vendi. Përgjegja u kthye pozitive, Gjykata konstatoi se kufizimet që përmban Vendimi i kontestuar i Qeverisë përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të lartcekura, nuk janë të “përcaktuara me ligj”, andaj bien në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

E qershia mbi tortë e gjithë këtij kaosi u bë koalicioni LDK-VV, që u shpërbë prej mocionit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky vendim erdhi pas shkarkimit nga pozita e Ministrit të Brendshëm z. Agim Veliu, pas deklartatës të tij se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme, e cila nuk i pelqeu Kryeministrit Kurti dhe kështu e liroi atë nga pozita që mbante.
LDK reagoi ndaj këtij shkarkimi, duke i’u referuar koalicionit mes tyre dhe rregullave të dakorduara dhe se mospërfillja e tyre dergoi tek inicimi i mocionin të mosbesimit kundrejt Vetvendosjes.

Kur virusi korona veçse kishte depërtuar në Kosovë, ishin ende rastet e para të të infektuarve. U vendosen rregullat se nuk duhej dalur  pa dorëza e maska dhe duhet respektuar distancimi fizik prej 1.5-2 metra. Të gjitha këto rregulla u thyen në ditën kur u votua për mocionin (25 Mars), në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Me 83 vota për, 32 kundër e 1 apstenim, u rrëzua qeveria Kurti. 

E gjithë kjo situatë dukej sikur ndonjë shaka e krerët qeveritar janë protagonist. “I gjithë ky shou është bërë për të mirën e popullatës, që të u’a tërheqin vëmendjen nga pandemia e të mos brengosen shumë rreth saj.”

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që gjithësecili/a të ketë vetëm 90 minuta të drejtë për levizje të lirë, e orari i daljes vendoset varesisht nga numri i parafundit të numrit personal në letërnjoftim. Ky 90 minutësh do jetë me rotacion, psh, numri 1 do mund të dal në ora 7:00-8:30 ndërsa pas tre ditësh do mund dal nga ora 13:00-14:30, në menyrë qe vendimi të jetë i përshtatshëm për të gjithë.

Këta 90 minuta asociojnë me 90 minutat e lojës së futbollit, ku lojtarët/et vrapojnë e japin më të mirën nga vetja për të shënuar ndonjë gol, ndërsa në 90 minutëshin tonë, ne vrapojmë në dyqane për të kryer obiligimet tona, e nëqoftëse kalon 90 minutëshi, dëshirojmë minuta shtesë, në mënyrë që të mos gjobitemi.

Tashmë kemi hyrë në dymujorëshin e vetizolimit, të gjithë pajtohemi qe kemi mall për familjarët e tjerë, për shoqërinë, për kafe llafet, për punë, e për normalitetin. Por, duhet menduar në suaza më të mëdha, nese nuk  përfillen rregullat, potencialisht mund të jemi të infektuar e të infektojmë të tjerët e të vie deri tek më e keqja. Më mirë të kujdesemi sot për shëndetin që nesër të mund t’ju kthehemi realitetit. #RriNshpi se edhe pak ka mbetë.