Arbër Thaqi 18/10/2019

Sinergjia opozitare

Do të duhet kohë që partneriteti i ardhshëm Vetëvendosje – LDK të mos rezonojë si një opozitë në qeveri sesa si vetë pozita. Kimia mes dy partive më të mëdha opozitare - produkt i një bashkëpunim njëvjeçar në mes zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së në parlament e bisedave ndërpartiake, semi-transparente në elektorat - rezultoi të ishte efikase edhe pa një koalicion parazgjedhor.
Druajtja e Albin Kurtit për mosgarancinë e një fitoreje të bindshme të opozitës pa një koalicion parazgjedhor rezultoi të ishte në fund thjesht një druajte, aq sa ajo e hierarkisë së LDK-së për shkrirjen e gjysmës së kandidatëve për deputetë me gjysmën e atyre të Vetëvendosjes dhe mundësinë e mospasjes së mandatarit të vet. Opozita fitoi bindshëm, e sinergjia e pamaterializuar para zgjedhjeve nuk u zhduk as pas tyre.

Zgjedhjet e 6 tetorit, përveç që përsosën përshtypjet mbi kulturën politike të Kosovës të organizimit demokratik të zgjedhjeve të lira, ngritën shpresë për shpallje luftë korrupsionit e paternalizmit klientelist në institucione, ndër të tjera dëshmuan se edhe në demokraci revolucionet janë të mundshme; të tilla pa dhunë, grushtshtet apo vjedhje industriale të votave. Ngritja e flamurit opozitar me sharm politik e gjakftohësi snajperisti nga Kadri Veseli në natën e 6 tetorit, kryetar i partisë kryesore protagoniste të Kosovës së pavarur, dhe fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik 9 vjeçar me substancë të një protolëvizjeje qytetare kundër regjimit të UNMIK-ut, janë indikatorët më domethënës të këtij “revolucioni”. Ndër të tjera, zgjedhjet e së dielës së kaluar rezultuan me një fitore të dyfishtë të opozitës në Kosovë: ngadhënjimin e opozitës së deritanishme dhe konstituimin e një opozite të re e të shëndetshme në krye me Partinë Demokratike të Kosovës. Diskreditimi i saj nga pozita, reformimi i ri por i pakontesueshëm si proces dhe “kullimi” i ardhshëm të paktën 4 vjeçar në ulëset anësore të parlamentit nga mundësia për vazhdim të kapjes së shtetit do të thotë se ajo do të rikthehet përsëri si hiç më pak se një faktor determinues në skenën politike në Kosovë, ashtu siç ishte më herët, por tashmë me një elektorat të ri e të rifreskuar për 10 apo 15 vitet e ardhshme.

Megjithatë, fitore të opozitës nuk pati brenda politikës serbe në Kosovë. Pjesëmarrja e komunitetit serb në qeverinë e ardhshme ka qenë gjithmonë dikotomike – me rol formal në kabinet qeveritar por me paevitueshmëri në prezencë e konsultim. Fitorja e radhës e thellë në zgjedhje e Listës Srpska e delegjitimon politikisht secilin serb eventual në qeverinë e ardhshme që nuk do t’i përkiste subjektit të saj. Do të jetë e vështirë, pothuajse e pamundur, që të shohim politikanë të kalibrit të Nenad Rashiq apo Sllobodan Petroviq në qeverinë e ardhshme, që përnga niveli i përgjegjshmërisë dhe dobisë politike që sjellin mposhtin shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Lista Srpska në qeveri do të ishte opozitë më e fortë e Albin Kurtit sesa vetë opozita e parlamentit.

Qeveria e re garanton rikthimin e dialogut, me një format të ri - ku zëvendësimi i tarifës 100% si sanksion i politikës realiste e të papranueshme nga komuniteti ndërkombëtar pritet të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar si masë e pranueshme në të drejtën ndërkombëtare - gjë që afirmon dhe përmirëson në start subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, aq më tepër si palë dialoguese me Serbinë. Megjithatë, qeveria e re ndonëse garanton rikthim të dialogut nuk garanton ndonjë marrëveshje me Serbinë, aq më tepër një të tillë ku në të do të përfshiheshin hartat apo implementimi i marrëveshjes së 19 prillit 2013, e që janë ambiciet kryesore diplomatike të Serbisë në dekadën e re që po vjen.

Por të gjithë sytë janë kah struktura e re e qeverisë së re e cila gjithnjë e më shumë po merr karakter e trajtë të cilën sovrani kishte kohë që të paktën e kishte parafytyruar e tashmë edhe legjitimuar: e majta socialiste me të djathtën konservatore. Sinergjike në ndjesi të parë, por edhe simetrike e komplementare në aspektin e kabinetit qeveritar që mund ta ofrojë koalicioni i ardhshëm mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike. Një nivel i lartë i ekspertizës juridike dhe teknokratëve ekonomikë nga të dyja taborret e shumë lehtë i sintetizueshëm brenda një qeverie të re 12 ministrish ku, me anë të kombinatorikave të caktuara, secili dikaster do të udhëhiqej nga një ekspert/e me përgatitje profesionale e legjitimim popullor. Vullneti për koalicion tashmë është konfirmuar pothuajse aq sa vetë koalicioni. Sinergjia e opozitës funksionoi.