Olisa Konjuvca 01/07/2019

Të jetosh në një shoqëri përplot paragjykime

Është gjithmonë diçka, janë fakturat apo puna, familja apo karriera, gjithmonë një arsye qe nuk të lë të fokusohesh, të marrësh një sekondë nga koha jote e ta pyesësh veten: A jam mirë? E në të vërtetë nuk është dinamika e jetës apo gjërat që e përbëjnë atë pengesë për t’u kthyer nga vetja! Është frika e përballjes me realitetin, për më tepër frika e përballjes veten dhe mendjen tone. Fillimisht, e rëndësishme është të kuptohet çfarë impakti do të ketë në jetën tonë një problem mendor eventual. Si do të reflektohen simptomat e këtij problemi në çdo veprim që bëjmë? Cilat do të ishin vështirësitë që na sjell në perceptimin e situatave në të cilat gjendemi në momente të caktuara? Së fundi, edhe çfarë ndikimi do të ketë në shëndetin tonë fizik? Të gjitha këto, janë shembuj konkret të rëndësisë së një mendje të shëndoshë, që ne shpesh nuk e vlerësojmë sa duhet.

Para se te fillojmë të mendojmë si t’u ndihmojmë apo si t’i shërojmë njerëzit nga sëmundjet e problemet mendore, duhet të mendojmë si të ballafaqohemi me pranimin e asaj sëmundjeje si pjese të vetes sonë. Shumë njerëz, gjatë të perceptuarit të realitetit, stagnojnë në fazën e mohimit të asaj që po u ndodh. Kjo është rrjedhojë e stigmave dhe keqinformimit të këtyre individëve që nga fazat e hershme të jetës. Keqinformimi nis në shtëpi, në familje, ndihmohet pastaj nga shkolla dhe rrethi social, nga shoqëria që lëngon nga paragjykimet dhe keqinterpretimet. Për këtë flet shumë fakti se hera e parë kur nxënësit informohen për shëndetin mendor, është definicioni në lëndën e psikologjisë, me të cilën njihen tek në klasën e njëmbëdhjete.

Edhe atëherë, mënyra e interpretimit të këtyre njohurive është e ndikuar nga objektivat e profesorit, që shpesh nuk është asgjë tjetër përveç një qenie e mbushur me stigma dhe paragjykime. E ndikimi i këtyre tek personat qe ballafaqohen me probleme mendore, do ta shumëfishonte sfidën e tyre. Në njërën anë duhet të përballen me simptomat dhe në anën tjetër duhet të luftojnë për t’i mposhtur paragjykimet dhe stereotipet qe vijnë si rezultat i ideve të gabuara mbi këta ta.

            Mirëpo, paragjykimet me të cilat përballen ata do t’i jenë dy llojesh: paragjykimet publike dhe paragjykimet ndaj vetes. Nga ato publike më e shpeshtë është frika te njerëzit me sëmundje mendore, si dhe mendimi se ata nuk janë kompetentë për të marrë vendime vetë që dhe si të tillë, do të kenë nevojë për përkujdesje sepse i ngjajnë fëmijës. Paragjykimet ndaj vetes do vijnë si pasojë e paragjykimeve publike të bëra ndaj këtyre individëve, prej të cilave një individ me sëmundje mendore mund të përjetojë vetëbesim të rënë, zemërim të drejtë ose indiferencë relative, varësisht nga parametrat e situatës.

Shembull konkret i efektit aktual te këtyre do ishte sjellja e dhunshme e njerëzve me probleme mendore që enden nëpër qytete e ndryshme të Kosovës, pa e marrë ndihmën e duhur, mënyra se si çdo qytetar sillet me ta reflektohet në mënyrën se si ata do të veprojnë, prandaj ka raste kur ndjekin ose sulmojnë të tjerët. Mënyra më e mirë për ndryshime është të fillohet vetëdijesimi dhe sensibilizimi në raport me shëndetin mendor, gjë që do të ishte çlirimi i mendjes tonë nga muret e paragjykimeve, e që do te ndodh vetëm me informim të mirëfillte mbi shëndetit mendor në shkolla, në platforma online e në media. Kjo do të ishte lëvizja fillestare për krijimin e një shoqërie pa paragjykime. E jeta në një shoqëri të tillë do ta bënte më të lehtë ballafaqimin me realitetin dhe do ta reduktonte ngecjen në shkallën e mohimit, krahas saj do t’i lehtësonte edhe vështirësitë e njerëzve për të pranuar çfarëdo sëmundje apo problemi që u paraqitet.