Arbër Thaçi 01/04/2019

"Rreth flamurit të Shteteve të Bashkuara..."

Taksa e vendosur në nëntor të vitit 2018 nuk të ngjall përshtypjen e një ndëshkimi të agresionit diplomatik serb ndaj Kosovës sa atë të përmbushjes së një frustrimi të brendshëm qeveritar, të akumuluar me vite. Jo rastësisht thonë, politika e jashtme është pasqyrim i politikës së brendshme. Korrupsioni galopant, irritimi popullor i rritjes së pagave të qeveritarëve, tensionet brenda koalicionit qeverisës si dhe dështimet e njëpasnjëshme të faktorizimit të shtetit të Kosovës duhej disi të shpaguheshin me një akt populist.

Ish-presidenti i 26-të amerikan, Teodor Ruzvelt, kishte një vizion të qartë kur insistonte se SHBA duhet të shërbejë si një ‘fanar ndriçues’ për botën. Sigurisht se në momentin kur SHBA kërkoi suspendimin e taksës, diplomacia amerikane e kishte një plan B. E kishte zgjidhjen e duhur për ta goditur Serbinë në mënyra të tjera. Alegoria e deputetit Milaim Zeka – “me m’thanë Amerika mos flej me gruan 3 netë, unë nuk flej 3 muej” e shpjegon më së miri qëndrimin e një kosovari tipik të pasluftës për të mos e kompleksuar raportin me SHBA. Taksa jo vetëm që nuk ishte një mjet diplomatik i një diplomacie ‘de facto’ inekzistente kosovare, por as mjet reciprociteti. Jo pse mjete të tilla ishin totalisht të panjohura për SHBA-të në të kaluarën. Mes viteve 1996-2001, superfuqia më e madhe botërore aplikoi 85 sanksione ndaj pothuajse gjysmës së njerëzimit por gjëra të tilla kanë rezultuar relativisht të pasuksesshme (përfshirë embargon kundër Fidel Kastros ose sanksionet e dështuara për rrëzimin e Sadam Hysenit).

 Realisht, taksa e vendosur nga autoritetet kosovare pati edhe efekt jashtëzakonisht të vogël ekonomik ndaj një makinerie ekonomike serbe, eksportet e së cilës në Kosovë përbëjnë vetëm 3% të totalit të përgjithshëm. Ironia qëndron madje edhe në faktin se shumë produket kosovare përdorin lëndën e parë nga Serbia përderisa edhe rezervat e grurit nuk i kemi të mjaftueshme. Do të ishte patetike të mendohej që largimi i barkodeve serbe nga shportat kosovare lidhet ekskluzivisht me taksën e jo edhe me kulturën tonë konsumuese e aftësitë prodhuese. Efekti i vetëm puro-pozitiv dhe i pakontestueshëm që kjo taksë ka sjellë është faktorizimi i sovranitetit dhe përçimi i një mesazhi rigoroz të vendosmërisë kombëtare në sytë e aleateve dhe kundërshtarëve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak se vendimi i taksës nuk ishte një vendim i qëlluar në një kohë të gabuar. Po aq e gabuar është edhe mbajtja e saj në kohën kur suspendimi po del të jetë i detyrueshëm. Taksa ishte 100% në vlerë por 0% vizion.

Po ta analizojmë vendimin për vendosjen e taksës 100%, anëtarë nga secila parti e koalicionit qeverisës shpallen autorësinë mbi të; Enver Hoxhaj tha se kishte telefonuar Ramush Haradinajn për të reaguar, Endrit Shala tha se e mori vendimin, Kadri Veseli tha se propozoi përqindjen maksimale, Hashim Thaçi tha se e transmetoi idenë te PDK ndërsa është vetëm Haradinaj sot që, me apo pa të drejtë, po e mbron atë me fanatizëm. Sigurisht se një fanatizëm i tillë dhe i paplanifikuar e pa vizion, mund të jetë më se i tepërt nga ajo që kërkohet në suaza të politikëbërjes së jashtme; është pothuajse e qartë se një taksë tregtare, e drejtuar ndaj një fqinji dhe e përdorur politikisht, është në kundërshtim të plotë me normat moderne ndërkombëtare. Legjitimiteti i saj është një çështje krejt tjetër, po aq sa do të ishte legjitime edhe tërheqja e plotë e Kosovës nga dialogu me Serbinë në kushte kur kjo e fundit tenton ta groposë çdo nismë kosovare për afirmim e vetë po planifikon që ta hapë kapitullin e anëtarësimit në BE në vitin 2021. Çdo tentim kundërvënie të Kosovës ndaj konjukturës së pamëshirshme post-millosheviqjane të Serbisë, kjo e fundit po e kapitalizon në funksion të dështimit të ardhshëm të Kosovës për t'u ndërkombëtarizuar. Dhe me gjasë, dështimi tjetër do të ishte anëtarësimi eventual në Organizatën Botërore të Tregtisë në rast se do të aplikohej. Hapi me diplomatik i shtetit kosovar që sot do të mund ta bënte është, fatkeqësisht, të mos aplikonte fare askund.

Të gjendur përballë seriozitetit pompoz të SHBA-ve, klasa politike kosovare me shumë sesa për subjektivizim te shtetit në arenën ndërkombëtare ka nevojë për unifikim në politikën e brendshme. Për herë të parë, partnerët perëndimorë janë njëzëri në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe, për herë të parë, spektri politik kosovar është kaq i ndarë në raport me SHBA-të. Kalimi i shpejtë nga një entuziazëm i përbashkët politik pro taksës në një katrahurë qëndrimesh të distancuara është dukshëm më i shpejtë se kalimi nga 10% ne 100%. Një biskotë Plazma padyshim se do të shijonte më shumë sot sesa ftohja e tejskajshme mes SHBA-ve dhe “popullit më pro-amerikan në botë”. Fakti që së fundmi presidenti e zhbëri ngërrçin 6 mujor të dekretimit të anëtarëve të KQZ-së vetëm një ditë pas kërkesës së ambasadës amerikane, tregon se janë nuhatur mjaft mirë pasojat tragjike të paralajmëruara nga Trump dhe delegatët e tij. Shtëpia e Bardhë është foleja më e mirë për diplomacinë e pagdhendur të Kosovës. Marrëzia e ka një fund, edhe taksa duhet ta ketë. Të rreshtohemi rreth ‘fanarit ndriçues’ të SHBA-ve.