Bajrush Rrahmani 14/01/2019

Ju lutem, dhurojuni “studentëve” diploma!

Unë mendoj se ata nuk studiojnë. Rrjedhimisht, vështirë t’i quash studentë. Më shumë besoj se ata duhet studiuar. Përmes atyre, që do të mund të merreshin si mostër, do të mund të bëhej edhe një studim për Kosovën. Kjo do të mund të vinte në pah sesi këtu ka kaq shumë “studentë” që pa studiuar fare, janë të diplomuar. Këtu ku ka shumë të diplomuar, në shumë pak fusha, me më së paku fare profesionistë. Fjala “interesante” nuk është e duhura për të përshkruar këtë. “E dhimbshme”, ndoshta po!

-Pak ditë më herët, jo shumë ditë para se të mbusheshin dy muaj prej fillimit të studimeve për mua, në mes të një ligjërate që po mbahej në amfiteatrin e madh të fakultetit juridik, hyri një zyrtar i cili i kërkoi profesorit të njërës nga lëndët e këtij semestri të lironte hapësirën ku po mësonim, për arsye se aty duhej të mbahej një kollokfium, nga një lëndë e profesor tjetër. Pas pak minutash bisedë, ata u dakorduan që ne të vazhdonim edhe për pak minuta dhe gjithsesi ta lironim vendin shumë minuta më herët se zakonisht. Pas kësaj, profesori ngutej që të përfundonte shpjegimin e pjesës se paraparë, ndërkaq studentët nguteshin të përgatiteshin më herët sepse nuk e kishin paraparë atë që u kërkua të ndodhte. Këta të fundit u gëzuan aq shumë, thuaj se ishin mbajtur aty pa dëshirë, për shumë kohë, tepër gjatë. Ata të jepnin përshtypjen se kishin lënë gjëra tejet të rëndësishme pa bërë dhe kishin sakrifikuar nga koha e tyre e vlefshme për të qenë aty, gjersa bënin zhurmë të mahnitshme duke u përgatitur.

Në fakt, dyfishin e zhurmës së këtyre që ishin brenda, po e bënin ata që ishin jashtë. Dëgjoheshin brenda (sigurisht duke bërtitur sepse duke folur nuk do të mund të dëgjoheshin) dhe e godisnin derën pa u ndalur. Tentoja të lexoja buzët e profesorit në ato që thoshte, duke aluduar t’i kuptoja fjalët që nuk vëreheshin se nxirreshin jashtë. Ai veçse ishte drejtuar nga unë, si të mos ishte askush tjetër në atë sallë të mbushur përplot. Gjatë kësaj kohe, në pamundësi durimi, hynin pa ndalur ata që do të hynin në testim dhe u bllokuan të gjithë. Ne nuk mund të dilnim e ata nuk mund të hynin. Më besoni se fuqishëm besoj, po të kishte qenë dikush duke vrojtuar nga një vend ku të shihte gjithçka qartë dhe të mos e dinte se ç’po ndodhte aty, patjetër se do të mendonte se ishim të çmendur. Sjellje dhe gjeste nga më të ndryshmet. Ata filluan të ngritnin kokat e të bënin me dorë që të mblidheshin bashkë me ata që kishin planifikuar për t’i zënë rreshtat e caktuar në amfiteatër me qëllimin e ditur, pra të bashkëpunimit gjatë testimit.

Ndërkohë që prisja në rendin e gjatë që e kishim krijuar për dalje me arsyen e identifikimit me kartela elektronike në pajisjen që të gjithë na thonë se nuk funksionon, ç’të dëgjoje? Njerëz që flisnin si robotë për tema të ndryshme. Ata flisnin pa ndalur. Kush duke cituar definicione përmendësh e kush duke dhënë opinione të gjata. Dhe ai personi që nëse do të ishte duke vrojtuar do të mendonte se kishte të bënte me të çmendur, po të gjendej në atë mes dhe të dëgjonte ato që thuheshin, përnjëherë do të mendonte se gjendej në pauzën e ndonjë konference të rëndësishme me personalitete skajshmërisht të ditura dhe me persona tepër të lexuar. “Sigurt kjo do të na bjerë” – njëri në njërën anë! “Është pikërisht i njëjti test si në afatin e kaluar” – tjetri nga ana tjetër, si t’ua kishte konfirmuar vetë profesori ato që i ripërsërisnin më garancë për disa herë me radhë.

Përderisa ata zinin vendet e rendi ynë kushedi a vërehej se pakohej një nga një, mbërriti edhe profesori i tyre me një mori testesh në dorë. Pa humbur kohë u kërkoi të linin të zbrazur nga një rresht dhe të vinin disa në fillim sepse të gjithë kishin shkuar në fund. Madje, atje studentët ziheshin me njëri-tjetrin duke thënë se “që jashtë kam treguar se ne të pestë do të jemi në rreshtin e fundit” si duke dashur të thonë se ajo fjalë ua kishte dhënë të drejtën detyrimisht të pamohueshme nga askush tjetër për t’u ulur aty, pikërisht ata. Profesori që priste të zbatohej urdhri i tij vrojtonte me kujdes ata dhe i brengosur për kohën që po humbej, u kthye nga ne dhe pyeti se “ç’po bëni ende këtu?” - “Sa të bëjmë identifikimin për dalje dhe largohemi” - i thashë, duke qenë edhe i fundit në rend! - “Nuk ju ka treguar askush se nuk funksionon” – përsëri profesori me ironi duke na parë si problemin e vetëm të shkaktuar aty?! “Po të ishte ashtu as ju profesorët nuk do e bënit identifikimin, nuk besoj se funksionon vetëm për juve, apo jo” - unë, duke mos dashur që ky diskutim të vazhdonte edhe më tej.

Kur rrëmuja përfundoi dhe arrita të dal jashtë, aty në holl të fakultetit, ishin mbledhur të gjithë studentët, për të cilët kuptova se ishin në grupin pasardhës të atyre që veçse kishin hyrë në amfiteatër e këta kishin për t’iu nënshtruar testimit një orë më vonë. Arsyeja e ardhjes e qëndrimit të tyre aty ishte që secili që do të dilte nga mbajtja e testit, të rrethohej e të “detyrohej” të tregonte pyetjet që i kishte pasur në test. Përderisa ajo të ndodhte, ata ishin përkujdesur të jenë të pajisur nga pyetjet e marra të kushedi sa gjeneratave më herët e të bindnin veten se po përgatiteshin për testimin në fjalë. Vështirë se dikush mundte të dëgjonte dikë pa një angazhim të mirëfilltë dypalësh. Ai që fliste duhej të sigurohej se zëri ishte mjaftueshëm i lartë dhe ai që potencialisht do të mund të dëgjonte duhej të mbante veshin me dorë për të përmbushur misiosin e vështirë për të marrë informacion.

I trishtuar nga një ngjarje e tillë, porsa dola tërësisht jashtë, pra aty ku zëri nga brenda nuk dëgjohej e ku lirshëm mund të thithja ajër të ndotur, fillova të mendoj për shkrimin mbi përvojën në fjalë. Në fakt, sa më shumë që e mendoja, e dija se për këtë nuk duhej treguar vetëm ajo që kisha përjetuar, mirëpo për disa ide për zgjidhjen e asaj katrahure.

Unë mendoj se ata nuk studiojnë. Rrjedhimisht, vështirë t’i quash studentë. Më shumë besoj se ata duhet studiuar. Përmes atyre, që do të mund të merreshin si mostër, do të mund të bëhej edhe një studim për Kosovën. Kjo do të mund të vinte në pah sesi këtu ka kaq shumë “studentë” që pa studiuar fare, janë të diplomuar. Këtu ku ka shumë të diplomuar, në shumë pak fusha, me më së paku fare profesionistë. Fjala “interesante” nuk është e duhura për ta përshkruar këtë. “E dhimbshme”, ndoshta po!

Sa më shumë që mendoja mbi këtë temë, aq më shumë të këqija gjeja. Po të analizoje jo edhe aq thellë, kuptoje se “studentët” e tillë që nuk studiojnë, në fakt janë çështja mjaft problematike e shkaktimit të efikasitetit të ulët në mësim, qysh nga shkolla e ulët dhe e mesme. Pa dashur të paragjykoj mbi ta, në atë turmë besoj që ka një mes i cili ka qenë tema kryesore e diskutimit të çështjeve jashtë mësimore në lëndët ku është dashur të mësohej për njësitë e atyre lëndëve, jashtë orës së kujdestarisë. Pra, ata nxënës kanë qenë të tillë që me sjelljet, gjestet dhe fjalët e pahijshme për të cilat kam qenë (besoj që edhe të tjerët po) dëshmitar, arrinin të merrnin vëmendjen e profesorëve e të diskutohej për edukatë minimale të cilën secili fëmijë, lëre më adoleshent e tinejxher duhet ta posedojë. Dhe të gjitha ato humbje orësh të vlefshme asnjë nuk kanë funksionuar, duke e parë se edhe tash si të rritur (18+ vjeçar) i kanë detyruar disa herë profesorët në universitet t’i nxjerrin jashtë nga klasa; dëshmitar edhe për këtë, poashtu.

Dëshmitarë jemi poashtu, se të tillë që kanë diploma e nuk janë profesionistë kemi shumë. Ata shkojnë e vijnë në fakultet të caktuar dhe në fund e marrin një diplomë. Mirëpo, dashur pa dashur (nolens volens) në këtë rrugë të tyre jo edhe aq të mundimshme për të siguruar diplomën, ata bëjnë dëme. Ata humbin kohë. Ata shpenzojnë para – me siguri të familjeve të tyre. Ata pengojnë në ligjërata e në orë mësimi. Të gjitha këto, mbi premisën e shkuarjes dhe ardhjes nga fakulteti. Jo mbi premisën e arsimimit, fatkeqësisht. Prandaj, nëse kjo është ajo çfarë duan, pra, diploma, lë t’ua sigurojmë. Le t’i mos rraskapitim ata, e t’ua mundësojmë të na pengojnë neve. E vështirë të mendosh se ardhja e shkuarja nga fakulteti i bën ca më të ditur. Ata nuk dinë mjaftueshëm sa për të kuptuar se në studime nuk duhet shkuar vetëm në fakultet, por edhe pas kthimit të tij (përveçse gjatë qëndrimit në të) duhet studiuar. Krejt çfarë ata dinë është se kur gjithçka të përfundojë e rruga e tyre të marrë fund, kanë për të marrë një diplomë, mundësisht për ta vendosur në kornizë, në një kënd ku edhe mysafirët e shohin.

Tashmë, të gjithë studentët e rinj të pranuar në fakultete përkatëse, pas konfirmimit të rezultateve zyrtare, i kanë datat e caktuara (kryesisht në shtator) kur duhet të shkojnë në objektin e Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës e të dalin në foto për përgatitjen e ID-ve (përsëri duhet theksuar se për to thuhet se nuk funksionojnë për identifikim të prezencës fizike në ligjërata e ushtrime, por prapë edhe ata që thonë ashtu “e provojnë”). Në këtë ditë, krahas procedurave, “freshmenëve” të rinj mund t’u bëhet edhe një pyetje: “A keni vendosur që të studioni në fakultet, apo do të shkoni në të dhe do të ktheheni nga ai?” Përgjigja në këtë pyetje krejtësisht legjitime do ta sofistikonte sistemin e arsimit. Të gjithë ata (që me gjasë nuk do të ishin në numër të madh) që do të pranonin të studionin, pra të përmbushnin qëllimin (padyshim jo të vetëm) të studentit, do të ishin personat, që të papenguar nga ata që madje edhe në fakultet duhet të nxirren jashtë për zhurmën e shkaktuar të tyre, do të bëheshin profesionistë. Devotshëm do t’i përkushtoheshin studimeve. Që nuk do të ishin të tillë e të mendonin se bëjnë punë të madhe e meritojnë nota të mëdha (jo vetëm kaluese) sepse kanë shkuar në fakultet. Sepse kanë bërë një “sakrificë” të madhe. Madje, kështu që mendojnë si studentët në fjalinë e fundit nuk ka vetëm studentë. Ka profesorë (të të gjitha niveleve) e shërbyes të ndryshëm civilë që bëjnë rrahagjoks duke menduar se i meritojnë pagat e tyre të majme sepse paraqiten në punë nga ora 08:00 dhe dalin nga aty në 16:00 (madje jo gjithmonë janë të obliguar ta bëjnë këtë “sakrificë” sepse e kanë përmbushur “normën” më herët duke e respektuar këtë orar për disa ditë me radhë). Kjo mendësi patjetër se duhet të ndryshojë. Këtë e ndryshojnë profesionistët. Ata që studiojnë. Ata që nuk mendojnë se studimet janë sakrificë, mirëpo që i shohin ato si obligim. Ata që e kanë të qartë se kur e sheh dikë duke dalur nga biblioteka, jo domosdoshmërisht po del me njohuri më të larta se kur ka hyrë në të, qoftë edhe 7-8 orë më parë!