Sbunker vazhdon me aktivitetin mujor të natës së filmit dhe dhurimit të librave në qytetin e Gjilanit.
Më 15 shkurt, prej orës 18:00 u shfaq filmi “Please Vote for Me” në qendrën The Bridge.
"Please Vote for Me"me regji të Weijun Chen është një film dokumentar i cili rrëfen historinë e tre studentëve të Shkollës Fillore “Evergreen” në Wuhan të Kinës, të cilët përzgjedhen të kandidojnë për mentorin/en e klasës së tyre. Kjo pozitë tradicionalisht është emëruar nga mësuesi/ja i/e klasës meqë mban një pozicion të fuqishëm në kontrollin e nxënësve duke i mbajtur ata/ato në detyrë dhe duke i shqiptuar dënimin atyre që nuk i’u binden. Kështu Luo Lei, Cheng Cheng dhe Xu Xiaofei nisin garën e tyre zgjedhore në shkollë për të fituar. Përmes dokumentarit shpaloset tregimi se a ka qenë gjithmonë një sfidë shumë e madhe për sistemin e arsimit në Kinë që të operoj mes censurës dhe vlerave demokratike.
Shfaqja e filmit u mbajt në qendrën "The Bridge", ndërsa filmat janë siguruar nga programi i Dokufest SHKOLLA DHE FILMI DOKUMENTAR, të komisionuara nga “The WHY Foundation” – Danimarkë, për shfaqje publike që kanë karakter edukativ.
---
Pas shfaqjes të filmit, u dhuruan disa libra dhe u mbajt një diskutim që lidhet me tematikën e filmit të shfaqur.
Nata e filmit dhe dhurimit të librave është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë