Ilustrimi: Big Eye
Këtë vit “Shkolla e Mendimit Kritik” truAktiv do të udhëtojë online në të gjitha rajonet e Kosovës. Për vitin e katërt të rinjtë e moshave 17 deri në 22 vjeç e kanë mundësinë që të bëhen pjesë e diskutimeve dhe punëtorive katërditore, të cilat e nxisin mendimin kritik rreth politikës, filozofisë, shoqërisë, të drejtave të njeriut, kulturës dhe rolit të secilit/ës për ndryshime në komunitet.
Çka ka me ndodhë më specifikisht n’truAktiv?
Krejt çka duhet me ndodhë në institucione arsimore në Kosovë e që fatkeqësisht nuk ndodh:
- Në ditën e parë prezantohemi, tregojmë kush jemi, shoqërohemi, këqyrim film e diskutojmë rreth tematikës së filmit. Veç na, pa ekspertë.
- Në ditën e dytë bashkë me Adem Behën, Ardian Golën dhe Bardhi Bakijën do ta çmontojmë identitetin, kombin, sekularizmin dhe filozofinë politike.
- Në ditën e tretë do të përballemi me të kaluarën, shëndetin mendor dhe gjininë dhe seksualitetin me Nora Ahmetaj, Mirishahe Syla dhe Natyra Agani.
- Në ditën e katërt bashkë me Visar Arifaj, Aurela Kadriu dhe Adelina Tërshani do të diskutojmë rreth metodave për angazhim qytetar, rolin e satirës në ndryshime shoqërore dhe politike dhe mënyrës se si mundet aktivizmi m’u angazhu përmes artit.
E me kaq kryhet a?
Jo! Pas përfundimit të shkollës të mendimit kritik pjesëmarrësit do të munden të:
- çertifikohen dhe bëjnë punë praktike 3-mujore në Sbunker dhe organizatat e tjera bashkëpunuese.
- marrin pjesë në samitin treditor të truAktiv në Prishtinë.
- marrin pjesë në modulet e strukturuara “Politika dhe Shoqëria”; “Produksioni Multimedial” dhe “Aktivizmi në komunitet”.
- mbështeten nga truAktiv për të implementuar idetë e tyre, të cilat kanë bazë ndryshime në komunitet.
- bëhen pjesë e komunitetit të truAktiv, i cili përbëhet nga ish pjesëmarrës dhe aktivistë të truAktiv.
- bëhen koordinatorë lokalë të truAktiv për të zhvilluar aktivitete në rajonet përkatëse.
Kur ka m’u mbajtë shkolla e mendimit kritik?
Programi zbarkon në Pejë në datat 06 tetor – 09 tetor?. Në ditën e parë ia fillojmë në ora 16:00 për me përfundu në ora 18:00. Ndërsa ditët e tjera fillojnë në ora 13:00 dhe përfundojnë në ora 17:30.
A mundem me apliku unë? Nëse po, qysh me apliku?
Nëse je i/e ri/e nga mosha 17 deri në 22 vjeç (nuk e këqyrim për pak) me vendbanim në rajonin e Pejës (përfshi komunat e Istogut, Klinës dhe Deçanit), apliko në vegëzen e bashkangjitur këtu, më së largu deri më 03 tetor në ora 10:00.
Të gjitha pyetjet me * janë të obligueshme dhe duhet të plotësohen. Mos të harrojmë me theksu, për me qenë programi sa më gjithëpërfshirës dhe divers, i inkurajojmë me apliku të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komuniteteve të margjinalizuara dhe komuniteteve etnike pakicë.
A keni me organizu veç në Pejë apo shkoni edhe në komuna të tjera?
truAktiv e synon decentralizimin e aktivizmit në Kosovë. Nëse e ki ndonjë shok ose shoqe nga rajonet e tjera të Kosovës mundesh m’i lajmëru se truAktiv deri në nëntor do të shkojë edhe në rajonin e Gjakovës dhe Prishtinës.
Diçka për fund?
Rreth aktiviteteve të truAktiv në të kaluarën vizitoni www.truaktiv.net ndërsa biografitë e ligjëruesve i gjeni më poshtë.
----
Shkolla e Mendimit Kritik është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.