Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Loja e fajit: fajtori i vërtetë pas dënimit të Kosovës

Pak njerëz duken të interesuar t’i kuptojnë arsyet e bojkotit të serbëve të Kosovës ndaj zgjedhjeve lokale të mbajtura në prill 2023. Bojkoti u organizua nga Lista Serbe, parti kjo politike e kontrolluar nga Beogradi, dhe u dënua nga shtetet e Quint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-ja). Është e rëndësishme të nënvizohet se Lista Serbe ushtron një kontroll të konsiderueshëm mbi popullatën serbe në veri të Kosovës dhe mbështetet nga bandat kriminale; një politikan serb lokal, Oliver Ivanoviq, u vra në vitin 2018 pse guxoi të sfidojë Listën Serbe.

Dominimi i Listës Serbe mbi popullatën serbe të Kosovës vihet në dritë me faktin se dy serbët që kanë dalë në zgjedhje kanë marrë gjithsej shtatë vota. Duke iu përgjigjur këtij intimidimi, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nënvizoi: “Presioni dhe kërcënimet për të mos marrë pjesë në zgjedhje janë shqetësuese”.

Përderisa është evident fakti se kryetarët e zgjedhur shqiptarë nuk përfaqësojnë realisht komunitetet lokale me shumicë serbe, Kushtetuta e Kosovës nuk kërkon kuorum zgjedhor. Kështu, me gjithë pjesëmarrjen e ulët e zhgënjyese, zgjedhjet u konsideruan të vlershme dhe kryetarët e zgjedhur kishin të drejtë ligjore të merrnin postet e tyre. Megjithatë, protestuesit bllokuan hyrjet kryesore para ndërtesave komunale. Prandaj, prania e policisë ishte e nevojshme ashtu që të garantohej siguria e tyre.

Shumë serbë në veri të Kosovës do të kishin protestuar paqësisht – ashtu sikundër u takon ligjërisht – por ideja se bandat kriminale s’do të kishin sulmuar kryetarët e komunave është pak e gjasshme, duke pasur parasysh historinë e tyre të dhunës.

Nëse Qeveria e Kosovës do t’i kishte udhëzuar kryetarët e komunave që të mos zinin pozitat e tyre, ky do të ishte një pranim i plotë se nuk është në gjendje dhe as nuk dëshiron të qeverisë në mënyrë efektive pjesën veriore të vendit, për shkak të kontrollit të pakontestueshëm të ushtruar nga turmat e dhunshme. Ky do të ishte gjithashtu pranim se Kosova në fakt nuk është shtet sovran dhe po ashtu një fitore e sundimit të turmave mbi demokracinë.

Përfundimisht, dhuna nuk u shkaktua nga vendosja e Policisë së Kosovës; ky ishte thjesht një pretekst. Qeveria serbe, Lista Serbe dhe bandat e dhunshme kërkojnë çdo mundësi për të nxitur dhunën, për të nxitur sektarizmin dhe për të shkaktuar rrëmujë, pasi në thelb e refuzojnë autoritetin e Prishtinës dhe do të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për ta minuar atë.

Sulmet përfaqësojnë një vazhdimësi të agjendës së tyre për ta rimarrë Kosovën, që është pjesë e një ambicie më të madhe për krijimin e së ashtuquajturës “Serbi e Madhe”. Kjo ringjallje e nacionalizmit agresiv serb përbën kërcënimin më të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon; Kosova e pavarur nuk paraqet kërcënim për kurrkënd.

Ledhatimi i Vuçiqit: Loja e rrezikshme në Ballkanin Perëndimor

Përkufizimi i Qeverisë së Kosovës si agresore është keqinterpretim i qëllimshëm që sugjeron braktisjen e parimeve demokratike në favor të realpolitikës brute. Veprimet të tilla minojnë përpjekjet për t’i mbështetur vlerat dhe parimet demokratike dhe pengojnë përparimin drejt një rajoni të zhvilluar dhe paqësor.

Kërkesa e zhurmshme për ta dënuar Kosovën buron nga fakti se të paktën që nga viti 2018, fuqia e ShBA-së – dhe e Perëndimit në përgjithësi – ka rënë dukshëm. Kjo gjë pastaj ka nxitur rivlerësimin e prioriteteve të politikës së jashtme; në rastin e Ballkanit, në Uashington u mor qartë një vendim për t’i dhënë përparësi përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Qëllimi duket të jetë parandalimi i Rusisë që të fitojë ndikim në rajon, duke e afruar Serbinë me Perëndimin. Ndaj, promovimi i reformës demokratike dhe lirisë së shtypit është braktisur në favor të ledhatimit të Vuçiqit.

Kjo politikë veç e ka trimëruar Vuçiqin; brenda vendit ai është bërë më autokratik dhe jashtë tij është bërë më i gatshëm të krijojë destabilitet në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe posaçërisht Kosovë. Fakti që politikanët perëndimorë vazhdojnë ta ledhatojnë Vuçiqin, pavarësisht kësaj, është një aktakuzë dënuese për mprehtësinë e tyre politike; ende më keq, ka implikime ogurzeza për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Të lundrosh mes alternativave të Kosovës: Vlerësimi i mbështetjes së ShBA-së dhe pasojat e saj

Alternativa me të cilën Kosova ballafaqohet tani është e kornizuar qartë: bindjuni ShBA-së, ose do të zhyteni në humnerë. Vetëkuptohet se mbështetja e ShBA-së ka qenë kruciale në të kaluarën, por do të ishte krejt marrëzi të imagjinohej se për shkak të asaj mbështetjeje të së kaluarës duhet kaluar gjithë kohën në lutje të përhershme. Nuk është “anti-amerikane” të mos pajtohesh me politikën e jashtme të ShBA-së; patriotë të shumtë amerikanë kritikojnë përditë politikën e jashtme amerikane. Ndaj është kruciale që populli i Kosovës ta vlerësojë trajektoren e propozuar nga ShBA-ja për Kosovën në bazë të meritave dhe jo mirënjohjes për të kaluarën.

ShBA-ja natyrisht që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare, por për të paktën një dekadë në thelb është përpjekur ta çojë Kosovën drejt një rruge qorre. Synimi i saj ka qenë ta përqafojë Serbinë, ndërkohë që Kosovën ta lërë të shndërrohet në një shtet fantazmë, pa identitet të konsoliduar, ku pavarësia reduktohet në kotësi, ku vendasit mund të jetojnë pa ndërhyrje të jashtme por pa perspektivë për një integritet të vërtetë ndërkombëtar; ku ka pakënaqësi të nivelit të ulët por rrallë e hiç dhunë.

Krijimi i kësaj zone inekzistente kërkon miratimin lokal; kësisoj, liderëve politikë në Kosovë iu kërkua të ruanin narrativën fiktive se Kosova po bën “përparim” dhe se Perëndimi është aleati i tyre. Në këmbim të faktit se Perëndimi mbylli njërin sy karshi korrupsionit të tyre, liderët e Kosovës iu bindën gjithë përkushtim udhëzimeve për zbatimin e politikave të favorshme për Serbinë, si AKS më 2013 dhe Gjykata Speciale më 2015. Rezultati qe prolongimi i liberalizimit të vizave dhe mospranimi në BE, papunësia masive, imigracioni i lartë, korrupsioni i madh dhe stagnimi ndërkombëtar.

Ngritja e Vetëvendosjes qe rezultat i drejtpërdrejtë i pakënaqësisë së gjerë, të nxitur nga këto sfida shoqërore. Ajo ngritje përfaqësonte një shprehje autentike të lirisë dhe po ashtu zhgënjimit të njerëzve. Natyrisht, qëndrimi më këmbëngulës i Vetëvendosjes nuk përputhej me planet e ShBA-së, duke çuar në një përpjekje për diskreditimin e tyre. Kur elektorati refuzoi të pranonte kornizën e ShBA-së dhe votoi Vetëvendosjen në qeveri më 2019, ShBA orkestroi rënien e qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje. Megjithatë, populli i Kosovës edhe një herë demonstroi vendosmërinë e vet për të rezistuar duke mbështetur fitoren e madhe dhe historike të Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021.

Që nga marrja e detyrës, Vetëvendosje ka shfaqur një përkushtim të madh karshi parimeve demokratike dhe integrimit perëndimor. Qeveria e Kosovës ka shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO, shoqëruar me progres të dukshëm në zbatimin e reformave progresive politike e ekonomike.

Indekset ndërkombëtare tregojnë përparimin e dukshëm që ka bërë Kosova sa u përket lirive demokratike dhe të drejtave themelore. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova është ngritur për njëzet vende në vetëm dy vjet. “Reporterët Pa Kufij” po ashtu kanë vënë në dukje përparimin e Kosovës, pasi ajo është ngjitur njëzet vende më lart në Indeksin e Lirisë së Shtypit që nga viti 2020. Për më tepër, “Freedom House” ka vënë re përmirësim të dukshëm nga viti në vit në renditjen e Kosovës në raportin “Freedom in the World”, që nga 2021. Së fundi, Banka Botërore ka theksuar progresin ekonomik të Kosovës. Të ardhurat për kokë banori në Kosovë janë rritur për 50% krahasuar me dhjetë vjet më parë, si dhe ka pasur një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë.

Në gjithë botën perëndimore, liderët politikë po braktisin parimet demokratike, po përqafojnë populizmin përçarës dhe po ndjekin realpolitikën joguximtare, por jo edhe Kosova. Populli i Kosovës, natyrisht, nuk mund ta frenojë këtë rrjedhë të vrazhdë, por mund të zgjedhë të mos përfshihet në të. Sulmet tërësisht të padrejta kundër Qeverisë së Kosovës degradojnë Perëndimin dhe shërbejnë si fitore për Serbinë e Rusinë; populli i Kosovës dhe kushdo anembanë botës që mbështet demokracinë, lirinë e paqen, duhet të mbahen fort kundër bulizmit të turpshëm të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës dhe qëndrimit të saj parimor kundër autoritarizmit të dhunshëm.

Mënyra se si komuniteti ndërkombëtar – veçanërisht ShBA-ja – ka fajësuar Kosovën për dhunën e ushtruar nga turmat serbe është padyshim e padrejtë dhe po ashtu një burim keqardhjeje për shumë amerikanë që vërtet kujdesen për Kosovën. Në fund të fundit, populli i Kosovës aktualisht po ushqehet me gënjeshtra; bindja ndaj zyrtarëve aktualë që përfaqësojnë ShBA-në nuk do të sjellë paqe, integrim ndërkombëtar dhe prosperitet. Ajo do ta kthejë Kosovën në ditë të errëta të poshtërimit, stagnimit dhe korruptimit.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.