Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qasja e ShBA-së karshi dialogut Kosovë-Serbi: pritshmëri të larta dhe zhgënjime të vazhdueshme

Original article.

Kur Joe Biden mori presidencën më 2021, pati një ndjesi të pritshmërisë së lartë midis zërave pro-demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Bideni ka përvojë të madhe në politikën e jashtme, pasi ka shërbyer tri mandate në Senat. Për më tepër, Bideni shërbeu edhe si zëvendëspresident në administratën e Obamës, gjatë së cilës kohë realizoi shumë vizita në Ballkanin Perëndimor.

Kjo përvojë e tij kontrastonte shumë me atë të paraardhësit të tij, presidentit Donald Trump, diplomacia e të cilit ishte disi më e ngathtë dhe i cili u përpoq të finalizonte shpejt e shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Trumpi emëroi gjithashtu kontroversin Richard Grenell si të dërguarin e tij presidencial në rajon, që ndoqi udhën e një dialogu të ndarë, duke ecur paralelisht me përpjekjet e vazhdueshme të BE-së.

Në shtator 2020, liderët e Kosovës dhe Serbisë u thirrën në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e ekonomisë, e cila ishte një përzierje e dispozitave të ndryshme, duke nisur nga adresimi i çështjes së personave të zhdukur e deri tek emërtimi i Hezbollahut si organizatë terroriste. Marrëveshjes dukej se i mungonte një strategji koherente dhe gjithëpërfshirëse.

Ndryshimi në administratë u manifestua me shpresa të larta në mesin e demokracive në rajon, veçanërisht në Kosovë. Pasi Bideni u emërua më 2021, uroi menjëherë krerët e Kosovës dhe të Serbisë në përvjetorët e tyre të pavarësisë në shkurt. Letra e Bidenit drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq përfshinte një fokus të theksuar në “njohjen reciproke”, duke kërkuar hapa të nevojshëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ne mbesim të palëkundur në mbështetjen tonë karshi qëllimit të Serbisë lidhur me integrimin europian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapat e vështirë që keni përpara drejt arritjes së këtij qëllimi – përfshirë nisjen e reformave të nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovës, përqendruar në njohjen reciproke”, shkroi Bideni.

Kjo sinjalizoi një drejtim të ri për rajonin dhe fillimisht gjeneroi optimizëm në Kosovë. Megjithatë, veprimet e mëvonshme të administratës amerikane kanë demonstruar një qasje të pabalancuar, me presion të shtuar ndaj Kosovës dhe një sy mbyllur ndaj regjimit të Vuçiqit, që rezultoi në një zhgënjim në procesin e dialogut.

Marrëveshja e dytë e Brukselit: Vuçiqi minon Perëndimin

Një dekadë pas arritjes së Marrëveshjes së parë të Brukselit, BE-ja, me mbështetjen e ShBA-së, arriti një marrëveshje të dytë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në shkurt 2023. Kjo erdhi si rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme nga BE-ja dhe ShBA-ja. Sidoqoftë, marrëveshja e re nuk u përqendrua në njohjen reciproke.

Marrëveshja përmban dispozita të ndryshme, përfshirë promovimin e marrëdhënieve normale dhe të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve të pavarësisë dhe integritetit territorial. Për më tepër, marrëveshja përfshin një dispozitë që thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Edhe pse Vuçiqi u pajtua verbalisht me marrëveshjen, refuzoi ta nënshkruante atë. Ditë më vonë, Vuçiqi pohoi në një mënyrë sfiduese kundërshtimin e tij për anëtarësim e Kosovës në OKB dhe deklaroi se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë deri në fund të mandatit të tij. Me këtë deklaratë janë shkelur drejtpërsëdrejti dispozitat kryesore të marrëveshjes. Për më tepër, Serbia votoi kundër ofertës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, përsëri duke e shkelur drejtpërsëdrejti marrëveshjen. Pavarësisht shkeljeve të tilla, BE-ja dhe ShBA-ja qëndruan të heshtura lidhur me këtë çështje.

Përtej shkeljeve të drejtpërdrejta të marrëveshjes, Vuçiqi ka ndjekur një retorikë luftarake dhe kërcënuese. Në ditën e zgjedhjeve në veri të Kosovës, Vuçiqi lëshoi një deklaratë të ashpër, duke denoncuar Perëndimin si gënjeshtar dhe mashtrues. Ai po ashtu nënvizoi se minoriteti serb në Kosovë nuk do të tolerojë më pushtimin e huaj.

Përderisa është e rëndësishme të pranohet se Kosova po ashtu ka dështuar në zbatimin e plotë të detyrimeve të saj nga marrëveshja e mëparshme, veçanërisht sa i përket themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), duhet nënvizuar se kryeministri Kurti nuk ka shkelur marrëveshjen e fundit në të cilën Kosova zotohet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

Dyshja Chollet-Escobar: Minimizimi i veprimeve kriminale dhe autoritare të Vuçiqit

Më 18 maj 2023, këshilltari Derek Chollet dhe zëvendësndihmës-sekretari Gabriel Escobar dëshmuan para Komisionit të Senatit të ShBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë në lidhje me angazhimin e ShBA-së në Ballkan. Gjatë seancës, senatori Robert Menendez ngriti shqetësimet për lidhjet e Vuçiqit me rrjetet kriminale, sikundër nënvizohet në një artikull të vonë të botuar nga New York Times. Senatori Menendez vuri në dyshim besueshmërinë e Serbisë si partner në dritën e këtyre akuzave të rënda.

Këshilltari Chollet shprehu gatishmërinë për ta vlerësuar partneritetin e tyre me Serbinë, duke mbajtur prore një qëndrim të matur. Ai deklaroi: “Zoti kryetar, na duhet ta testojmë… dhe këtë po e bëjmë me sytë katër”.

Për më tepër, kur senatori Menendez pyeti për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë, Chollet u përgjigj: “Ne e konsiderojmë atë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe këtë ia kemi thënë edhe presidentit Vuçiq, që kurrë s’e mohoi këtë. BE-ja gjithashtu ka thënë që marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme…

Senatori Menendez ndërhyn gjatë kohës kur Chollet flet, duke thënë: “Ai mund të mos e mohojë këtë, por nuk bën gjërat që duhet për ta zbatuar marrëveshjen… dhe është e njëjta gjë”. Sidoqoftë, në vend se të fokusohej vetëm te Serbia, Chollet vendosi t’u atribuojë mungesën e përparimit të dyja palëve.

Administrata e Bidenit ka pasur mundësinë t’i vlerësojë marrëdhëniet e saj me regjimin e presidentit Vuçiq gjatë tre vjetëve të fundit. Tregues dhe indekse të shumta thonë që respekti i Serbisë për liritë dhe të drejtat themelore ka rënë ndjeshëm, duke e bërë atë vendin më autoritar në rajon.

Për më tepër, Serbia shquhet si i vetmi vend në rajon që nuk rreshtohet krah politikës së jashtme të BE-së karshi Rusisë. Qëndrimi i Serbisë lidhur me këtë çështje u konfirmua së fundmi nga ministri i saj i Jashtëm, Ivica Daçiq, dhe shefi i Agjencisë së Sigurisë Informative, Aleksandar Vulin, me pjesëmarrjen në seancën plenare të Konferencës së 11-të Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

Kjo situatë paraqet një kontradiktë në vetvete, pasi administrata Biden në përgjithësi i klasifikon vendet si demokraci ose autokraci, shpesh duke adaptuar një qasje më pak akomoduese ndaj regjimeve autoritare. Sidoqoftë, minimizimi i veprimeve kriminale dhe autoritare të regjimit të presidentit Vuçiq ngre pyetje dhe shqetësime në lidhje me qëndrimin e ShBA-së sa i përket promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë: Dënim selektiv

Një vendim i Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat e automjeteve çoi në dorëheqjen kolektive të kryetarëve serbë të komunave në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zevçan.

Kjo çoi në zgjedhje të parakohshme, që fillimisht ishin planifikuar për 18 dhjetor 2022. Sidoqoftë, për shkak të presionit ndërkombëtar për ta shmangur përshkallëzimin e tensioneve, zgjedhjet u shtynë për 23 prill 2023, vendim ky që u mbështet nga vendet e Quint-it (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar dhe ShBA). Kur erdhi dita e zgjedhjeve, serbët e Kosovës bojkotuan votimin, gjë që rezultoi me zgjedhjen e katër kryetarëve të komunave nga partitë shqiptare, me një pjesëmarrje votuesish prej më pak se 4%.

Pavarësisht numrit jashtëzakonisht të ulët të votuesve, Ambasada e ShBA-së në Kosovë lëshoi një deklaratë pas zgjedhjeve, që sqaroi se ishin “në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”.

Më 29 maj, kur kryetarët e zgjedhur të komunave tentuan të shkonin në punë, serbët vendas i penguan të hynin në ndërtesat komunale, duke bllokuar hyrjet kryesore. Autoritetet e Kosovës u përgjigjën duke vendosur njësi speciale të policisë për t’i shpërndarë turmat. Njëkohësisht, presidenti Vuçiq vendosi ushtrinë e tij në gatishmëri lufte dhe e pozicionoi më afër kufirit të Kosovës.

Ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, dënoi veprimet e Qeverisë së Kosovës në këtë situatë, duke e akuzuar për përshkallëzim tensionesh, dhe i bëri thirrje kryeministrit Kurti që “të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme”. Menjëherë pas kësaj, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi veprimet e Kosovës.

Sidoqoftë, nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme ndaj protestuesve të dhunshëm që tentuan t’i sulmonin ndërtesat komunale dhe u angazhuan në aktivitete agresive si djegia e makinavesulmi ndaj gazetarëve dhe brohoritjet e sloganet shoviniste. Ngjashëm, ShBA-ja nuk e komentoi vendimin e Serbisë për t’i lëvizur trupat më afër kufirit të Kosovës dhe ngritjen e nivelit më të lartë të gatishmërisë për luftë.

Të nesërmen, turma të dhunshme sulmuan ushtarët e KFOR-it me gurë, eksplozivë, koktej molotovi e armë zjarri, me ç’rast u lënduan 30 ushtarë, tre nga ta në gjendje kritike. Vetëm atëherë ambasadori Hovenier reagoi duke e dënuar dhunën e protestuesve. Përgjigjja e ashpër ndaj Kosovës është e pabalancuar, duke pasur parasysh që Serbia vazhdimisht nuk i ka respektuar standardet demokratike dhe ka ngjallur agresion për ta shtyrë agjendën e saj.

Edhe pse kryetarët e porsazgjedhur të komunave mund të mos jenë përfaqësuesit idealë të komuniteteve së cilave u shërbejnë dhe është e drejtë e qytetarëve serbë të Kosovës të protestojnë, Kosova nuk mund t’i detyrojë qytetarët e saj serbë të marrin pjesë në jetën qytetare, të kandidojnë për poste publike ose të votojnë. Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik, garantimin e sigurisë dhe aftësimin e zyrtarëve të zgjedhur që t’i kryejnë detyrat e tyre pa pengesa.

Kosova po përballet me një valë të re presioni nga Perëndimi. ShBA-ja tashmë ka penalizuar Kosovën pas trazirave duke e përjashtuar nga Defender Europe 23, një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga ShBA-ja. Ambasadori Hovenier shkoi aq larg duke deklaruar se ShBA-ja po shqyrton edhe pasoja të tjera dhe aktualisht s’është entuziaste ta ndihmojë Kosovën për të fituar njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Këto veprime janë dukshëm më të ashpra në krahasim me çdo presion të mëparshëm ndaj Vuçiqit.

ShBA-ja kishte përgjegjësinë të dënonte veprimet e regjimit të Vuçiqit, i cili është bërë dukshëm më joliberal viteve të fundit. Megjithatë, në përpjekjen për të ndërtuar një marrëdhënie më pozitive me Serbinë, me shpresën se ajo do të miratonte një qëndrim më të favorshëm perëndimor, Kosova është bërë objekt i presionit dhe kritikave të padrejta. Kjo ka rezultuar në zhgënjim të madh me politikën e ShBA-së në rajon dhe ka dëshmuar se taktika e tyre e qetësimit vetëm sa ka ushqyer regjimin e rrezikshëm të Vuçiqit.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.