Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Arroganca e aktuales ndaj të kaluarës

Louis Dupré: Ali Pasha në gjueti në liqenin e Butrintit, mars 1819

Aktualiteti përballë realitetit

Për shumë realiteti i gjërave është aktualiteti i tyre, pra, gjërat janë ashtu sikurse i shohim në një moment të caktuar. Në përgjithësi njerëzit priren të besojnë se njohja e tyre për aktualitetin, për atë që ndodh përpara syve të tyre dhe ajo që e përjetojnë vetë është maksimumi i njohjes së realitetit. Kjo bindje shprehet në mënyra të ndryshme, por kryesisht në idenë se e kaluara nuk na intereson shumë, se ka kaluar tashmë, kurse e ardhmja, po ashtu nuk mund të parashihet dhe as të jetohet me ankthin e saj.

Mirëpo realja dhe aktualja nuk janë e njëjta gjë. Ajo që ndodh është shumëherë më e gjerë se sa ajo që shohim dhe dimë. Çka ndodh nuk është se na shfaqet menjëherë dhe na vihet në dispozicion. Kështuqë, përderisa nuk mund ta dimë realitetin e asaj që na ndodh, thjesht “nuk ia vlen të thellohemi e stresohemi dhe le të ndodhë ajo që do të ndodhë”. Kjo, në fakt do të thotë të dorëzohemi dhe ta shohim të pashpresë veten përballë njohjes.

Po, a jemi të pashpresë dhe a duhet të dorëzohemi përballë njohjes? Gjithçka varet nga ajo që duam ose nuk duam të dimë. Ajo që duam ose nuk duam të dimë si rregull, duhet të përcaktohet nga ajo që na duhet ose duhet të dimë ose nga raporti mes njohjes që duam ne dhe njohjes që na duhet neve. Në një ngrehinë simetrike të njohjes, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja do të duhej të qëndronin në një ndërvarësi që i bën të domodoshme për të tërën, ku e kaluara do të qëndronte si rrënjë e trung, e tashmja si frut dhe e ardhmja si farë.

Aktualiteti ynë, që i bie me qenë fillimi i shek. 21, është një periudhë e cila nuk ka shumë paralele me ndonjë periudhë tjetër në historinë tonë. Kjo e bën edhe perceptimin e asaj që ndodh në përditshmërinë tonë jo lehtë për t’u kuptuar. Të gjitha ato që ndodhin sot janë në një masë shumë të madhe të paqarta dhe në dukje të pashpjegueshme e të pakuptueshme. Për shembull, ne nuk e dimë pse Kosovës nuk i liberalizohen vizat, nuk e dimë pse Kosovës i vendosen gjithë këto pengesa në njohjen si shtet, nuk e dimë pse serbët në Kosovë kanë të drejta joproporcionale në të njëjtin shtet, nuk e dimë pse në Shqipërinë politike zhvillimi ka ngecur, pse integrimi europian ecën në drejtim të paditur. Pa dyshim që të gjithë ne hamendësojmë mbi të gjitha këto “mistere” të aktualitetit, por hamendësimi nuk është njohje.

Informacioni është i kufizuar në këtë rast si në shumë raste, por të dhënat nuk thonë shumë nëse nuk dimë t’i lexojmë. Një rrugëzgjidhje e vyeshme do të ishte që njohjen tonë të aktualitetit të mos e ndërtojmë vetëm mbi informacionin, por edhe mbi trashëgiminë e të dhënave, të informacionit dhe të dijes. Nëse shohim se Naçertania përsëritet sa herë krijohet rasti, atëherë duhet të krijojmë dijen dhe trashëgiminë e tillë që të mos krijohet ky rast.

Mirëpo, nga poltroni komod i aktualitetit nuk mund të arijmë një vlerësim të qartë të së kaluarës. Për shembull, kur vjen puna tek diskutimi i zhvillimit tonë si komb ose idesë sonë kombtare, paradigma shkencore dhe kuadri teorik i krahasimit dhe ballafaqimit të zhvillimit të lëvizjeve kombtare në Ballkan nuk e pasqyron gjithnjë realitetin e gjendjes së shqiptarëve. Merret si e mirëqenë që shqiptarët ndodheshin në një etapë më pak të avancuar të çështjes kombtare dhe të ndërgjegjes kombtare se sa kombet fqinje, gjë e cila duhet të vihet në pikëpyetje. Pikërisht nga ky këndvështrim i pjesshëm dhe i kufizuar në vetvete në kohë e hapësirë më vonë e deri sot kanë lindur interpretime të shtrembëruara mbi shqiptarët të cilat do të ishin shmangur në rast të ndjekjes së një metodologjie më të zgjeruar dhe të një qasjeje më krahasimtare. Pra, ka ndodhur që aspekte të konjukturave disavjeçare janë marrë si shembullim për veçori strukturore dhe elementë thelbësorë për periudha disashekullore. Kjo mund të ndodhë vetëm kur gjykojmë të kaluarën nga këndvështrimi ekskluziv i aktuales.

Krejt sipërfaqshëm mund të përmendim këtu paradigmën mbizotëruese në shoqëritë shqiptare të shek. XX e XXI se shqiptarët ishin të prirur gjenetikisht, fatalisht drejt rrezatimit të të tjerëve dhe errësimit të vetvetes, të lulëzimit të viseve të huaja dhe të neglizhimit të atdheut të tyre, deri tek kodifikimi i supozimit se shqiptari tipik është i prirur të ndërtojë vendet e huaja, por të mos bëjë asgjë për vendin e vet. Një ide e tillë e cila duket se i përket vetëm opinionit popullor, në fakt është pasqyruar në kulturën erudite me forcë akoma edhe më të madhe se sa në rrafshin e opinionit popullor.

Inkuiziconi i të sotmes ndaj të kaluarës

Gjithnjë brenda qëndrimit arrogant të aktuales ndaj të kaluarës, tek rasti i Ali Pashës kemi një nga rastet tipike të gjykimit a posteriori të një aktori politik, por jo me atë që ai dinte në aktualitetin e tij, por me këtë që ne dimë në aktualitetin tonë. Akuza kryesore që i paraqitet Aliut nga inkuizitorët e sotëm është se me veprën e tij ai i shërbeu qëllimeve të krijimit të shtetit grek. Pa dyshim që në njëfarë mënyre situata e krijuar në pashallëkun e Janinës ndikoi në revolucionin grek, por a mund ta dinte Ali Pasha se çfarë do të ndodhte më pas? A ishte ai i vetmi aktor dhe faktor përcaktues i historisë në atë hapësirë? A mbaroi historia me “gabimet” dhe “fajet” e Ali Pashës dhe pse nuk jemi në gjendje ne gjykatësit e sodit ta ribëjmë historinë pa “fajet” e të kaluarës?

Edhe mënyra se si i shohim aktorët dhe ngjarjet e asaj periudhe vuan nga hilja e të qënit gjykatës a posteriori. Ne e dimë se si kanë shkuar punët dhe si kanë rrjedhur ngjarjet, pra si ka ndodhur historia dhe gjykojmë mu nga ky pozicion i privilegjuar. Mirëpo, kjo mbart në vetvete një dozë të madhe padrejtësie. Le të marrim rastin e atyre që ne i quajmë konservatorë përballë reformatorëve nga fundi i shek. XIX e deri në shpalljen e Pavarësisë. Është më shumë çështje njohurie sesa bindjeje. Reformatorët ishin thjesht ata që ndjenin rrezikun dhe shihnin forcimin e fqinjve dhe njëkohësisht amullinë e situatës në zonën e sundimit osman. Konservatorët ishin ata që besonin se shteti osman ku bënin pjesë, e nënshtetas të të cilit ishin, ishte mjaftueshëm i fortë dhe i aftë që të përballojë çdo rrezik nga fqinjët. Përballë ushtrive armike që kërcënonin jetën e tyre dhe pragun e shtëpisë së tyre prapritmas të gjithë shndërroheshin në reformatorë, pasi e shihnin tashmë se shteti, nënshtetas të të cilit ishin, nuk ishte i aftë t’u ofrojë mbrojtje. Pra, ndarja në reformatorë e konservatorë ndër shqiptarë deri në periudhën e indoktrinimit komunist ishte empirike, jo ideologjike. Ideologjizimi i shoqërisë shqiptare ndodh vetëm në gjysmën e dytë të shek. XX, pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon shumë më intensiv në shekullin aktual, XXI.

Kjo e shpjegon më së miri dhe qartazi pse krejt elita intelektuale e politike shqiptare ndërron krah brenda pak muajsh nga mbështetës të xhonturqve para revolucionit të 1908-ës në kundërshtarë të tyre. Po ashtu, kjo e shpjegon edhe pse shoqëria shqiptare sot vuan nga mosdistancimi prej errësirës komuniste, prej vegimeve kriptoenveriste. As karakteri thellësisht kriminal i komunizmit ndër shqiptarë dhe sidomos i versionit enverist të tij, as vendosja e perdes së hekurt dhe ndarja për së gjalli e shqiptarëve të Shqipërisë politike nga shqiptarët nën Jugosllavi nga enverizmi, as varfërimi i skajshëm i Shqipërisë nën sundimin e komunizmit enverist, nuk mjaftojnë për t’i kthyer shqiptarët e indoktrinuar nga mbështetës në kundërshtarë të ideologjisë enveriste.

Nëse shqiptarëve empirikë të fillimit të shek. XX iu deshën dy a tre premtime të pambajtura nga xhonturqit për ta kthyer timonin e makinerisë së opinionit shoqëror në kah të kundërt vetëm në pak muaj, shqiptarëve ideologjikë të fillimit të shek. XXI nuk u kanë mjaftuar ende 3 dekada për të braktisur një ideologji, që edhe pse pranohet se ka rezultuar shkatërrimtare për shoqërinë shqiptare, sërish nuk braktiset. Ideologjia mbi të gjitha e mbi gjithçka.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.