Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

I kujt është qyteti?

Rimarrja e hapësirës publike në Palermo, Marsejë dhe Prishtinë

Jeta sot duket gjithnjë e më e paparashikueshme dhe diskursi medial i kohës tregon për një të ardhme të kanosur nga polarizimi, kaosi klimatik, rritja e pabarazisë ekonomike, si dhe impakti i pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Po e shkruaj këtë ese në kohë vendimtare, për Manifestën, bienalën nomade evropiane dhe për qytetin tonë nikoqir Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, një prej vendeve sovrane më të reja të Europës. Pse është ky moment kaq kyç për Manifestën dhe Prishtinën? Aktualisht, lufta në Ukrainë shënon një moment të veçantë gjeopolitik në Europë, teksa kalojmë nëpër një tjetër luftë mizore në kontintentin tonë. Pushtimi i Putinit është dënuar anëmbanë globit për dhunën më të tmerrshme në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Megjithëkëtë, duhet të kuptojmë se barbarizma të tillë janë kryer në Bosnje dhe Hercegovinë para tridhjetë vjetësh, duke bërë kërdinë në Sarajevë e vende të tjera. Hiç më larg se para 23 vjetësh, NATO ndërhyri në Serbi për t’i dhënë fund mizorive në Kosovë. Ky moment s’ka si të jetë më kyç për të përfytyruar edhe njëherë tregimet e së kaluarës që janë të gërshëtuara në të ardhmen e Ballkanit, në mënyrë që të rigjendet kuptimit dhe sensi i së tashmes.

Anëmbanë globit, qytetarët dhe administratat publike janë kurthuar në një përvojë shkatërrimtare, teksa bota bëhet gjithnjë e më e fragmentuar për shkak të shkatërrimit të ekologjive dhe lidhjeve shoqërore qe u kanë mundësuar njerëzve që të lulëzojnë në këtë planet. Sidoqoftë, lëvizjet e protestave të kohëve të fundit i bëjnë ballë gjendjes çoroditëse dhe pakënaqësisë me shkatërrimin e natyrës, kulturës dhe gjithçka ndërmjet. Që nga protestat e Extinction Rebellion dhe Black Lives Matter te lëvizja franceze Jelekët e Verdhë [Gilets Jaunes], është shprehur një ndjenjë e pakënaqësisë dhe frikës nga qytetarët. Njerëzit janë kritikë ndaj ekonomisë së paqëndrueshme rritje-dhe-borxh dhe po rigjallërojnë kërkesën për bashkëpunim dhe autonomi të përbashkët. Këto beteja për barazi dhe demokraci të drejtpërdrejtë sjellin perspektivën historike që pretendohej se është zhdukur me rënien e Murit të Berlinit më 1989 dhe që rastisi me themelimin e Manifestës.

Këto lëvizje aktiviste të reja më rrisin shpresën në masë të jashtëzakonshme. Në këtë ese dua të hulumtoj se si kanë ndikuar ato në edicionet e kaluara të Manifestës, ashtu si edhe në edicionin e ardshëm në Prishtinë. Manifesta ka qenë gjithnjë e angazhuar në shoqëri, me prodhimin e programeve artistike eksperimentale dhe ngjarjeve publike. E lindur më 1996 në Roterdam, menjëherë pas përfundmit të Luftës së Ftohtë që ndau kontinentin europian, Manifesta ka zanafillën prej një nisme që eksploron historitë e kulturës bashkëkohore në Europën paskomuniste. Edicionet pasuese u mbajtën në Luksemburg (1998); Lubjanë (2000); Frankfurt (2002); Donostia – San Sebastian (2004); Nikozi (2006); Trentino dhe Tirol i Jugut (2008); Mursia dhe Kartagjenë (2010); Genk (2012); Shën Petërsburg (2014); Cyrih (2016); Palermo (2018), Marsejë (2020) dhe Prishtinë (2022).

Prej sinjaleve në substancë

Nomade për nga zanafilla, Manifesta gjithmonë është përshtatur çdo të dytin vit me kontekste të reja, duke skicuar kornizën gjeopolitike dhe duke ndryshuar modelet e saj organizative dhe artistike për t’u ngulitur në realitetet shoqërore dhe kulturore të qyteteve nikoqire. Manifesta mobilizon aktorë, organizata dhe inistitucione vendore, hulumton dhe ringjallë modele të reja të bashkëpunimit, bashkëprodhimit, bashkëjetesës dhe politikbërjes kulturore. Protestat e fundit bëhen në një moment të posaçëm historic, të karakterizuar nga muret e reja që po ndërtohen: mure në enklavat europiane në Afrikën e Veriut, Europën Nordike, republikat baltike dhe Ballkan; mure virtuale, siç janë sistemet biometrike të kontrollit të kufive; mure ujore dhe muret mendore, të cilat shfaqen si pasojë e rritjes së ksenofobisë, politikës së frikës dhe sekuritizimit gjithnjë e më të madh të Bashkimit Europian.[1]

Gjatë përgatitjeve për Manifesta 10 në Muzeun Hermitage të Shën Petërburgut më 2014, shtypja e disidentëve dhe pakicave ishte rritur në mënyrë dramatike kur Vladimir Putini zbatoi ligjet famëkeqe të propagandës së homoseksualëve. Në pranverë, disa muaj para se të niste Manifesta 10, Revolucioni Ukrainas shkaktoi moment të papritur e vendimtar dhe Putini urdhëroi rianeksimin ilegal të Gadishullit të Krimesë në Ukrainë, të pasuar nga lufta e paligjshme në Donbas. Midis këtij përshkallëzimi të dhunës, prania e Manifestës në Shën Petërburg u përfol shumë sa i përket autonomisë vendimtare të bienalëve në përgjithësi. Një grup ndërkombëtar artistësh dhe kuratorësh bënë thirrje për bojkotimin e Manifesta 10, për të cilën thanë se nuk do të duhej të mbahej në një shtet gjithnjë e më despotik si Rusia. Përkundër kësaj kritike të veçantë, shumica e aktivistëve politikë në Shën Petërburg kërkonin që Manifesta të mbahej, të bindur se bienalja do të ofronte një strukturë mbështetjeje dhe platformë kritike për zërat disidente të Rusisë dhe madje mund të shërbente si strategji për rezistencë.

Gjatë këtij edicioni sfidues të Manifesta 10, Leoluca Orlando, kryetari i mirënjohur anti-mafia i Palermos, dhe Andrea Cusumano, Këshilltari për Kulturë i Palermos, shprehën dëshirën që të presin Manifestën në Palermo më 2018, si një inkubator për ndryshim shoqëror. Ata shpresonin se Manifesta mund të bëhej instrument që qytetarët e Palermos të rimarrin qytetin e tyre, i cili po kalbej nga dhuna e sistemeve kriminale dhe korruptive. Nuk isha e sigurt se modeli i Manifestës, si organizatë shëtitëse që vë në punë krijimtari të artit bashkëkohor në hapësira të veçanta, ishte e përgatitur që të menaxhonte një kërkesë sa të ndërlikuar aq të ndjeshme. Përball sfidave në Shën Petërsburg dhe ftesës për të shkuar në Palermo, unë kërkova me ngulm transformimin e Manifestës, duke e shndërruar nga një varg ekspozitash njëdisiplinore dhe të kuruar në platformë shumëdisiplinore që prodhon dije dhe kërkim, duke u përqendruar më shumë në bashkëkrijimtaritë vendore se sa te audiencat ndërkombëtare. Manifesta 12 futi në punë një metodologji më pëfshirëse, pragmatike dhe të qendrueshme për të transformuar Manifestën në platformë me substancë dhe duke ofruar vlerë për qytetarët e qytetit. Pra, prej sinjaleve në substancë nënkupton aspiratën e Manifestës që të bëhet partner kuptimplotë për të pararfytyruar një shoqëri më të qëndrueshme dhe më përfshirëse për qytetarët e qyteteve tona nikoqire.

Atlaset, ‘Puzzle” dhe të Përbashkëtat: Hapja e horizonteve europiane

Si i ktheu në fakt Maifesta sinjalet në substancë? Manifesta mund të përshkruhet më së miri si ekuilibër mes beniales autonome artistike ku ndërhyrjet simbolike, në kohë reale dhe shprehjet estetike prodhohen kundrejt nismës shumëpalëshe dhe si prodhuese e instrumenteve qytetare për të stimuluar qytetarët që të rimarrin qytetin e tyre. Me prezentimin e një studimi urban para bienalës që shërben si plan për ekipin e kuratorëve që të kuptojë kontekstin në Manifesta 12, Ippolito Pestellini Laparelli dhe ekpi i tij nga zyra e arkitekturës OMA me seli në Roterdam u angazhuan për të kryer identifikimin shmëdisiplinor të aspekteve kryesore urbane të Palermos, që rezultoi në publikimin Palermo AtlasPrezentimi i një studimi urban kishte disa motive. Ai qe përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj transformimit tonë prej një maqine ekspozitash në platformë me përqendrim urban, duke marrë pjesë në diskutimet më të gjëra për neoliberalizmin dhe zotërimin e qyteteve. Ai qe gjithashtu përgjigje ndaj sfidës që paraqiti ftesa e Orlandos, që kishte të bënte me Manifestën 12 si instrument të drejtpërdrejtë për të ndihmuar qytetarët e Palermos që të rimarrin në zotërim qytetin e tyre pas 50 vitesh okupim nga organizatat kriminale.

Me shkrirjen e specializimeve të ndryshme në një ekip shumëdisiplinor të ndërmjetësuesve kreativë, përfshi këtu gazetarë, kineastë, arkitektë dhe teoricienë kritikë, dhe duke rrënjosur përpjekjet kuratoriale në kërkime gjithpërfshirëse urbane, Manifesta 12 u përpoq të zgjeronte ndikimin e saj përtej përfshirjes së audiencave me artin bashkëkohor, duke u ofruar qytetarëve të Palermos mundësi për të përfytyruar të ardhmen e qytetit të tyre. Falë këtij suksesi, Manifesta 13 paraqiti një studim për Marsejën, qytetin e dytë francez për nga madhësia: Le Grand PuzzleHulumtimi u porosit nga Manifesta dhe u realizua nga Winy Maas, arkitekt kryesor i MVRDV-së, dhe ekipi i tij nga The Why Factory, në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Kombëtare të Arkitekturës në Marsejë, Kolegjin e Artit dhe Dizajnit e Marsejës dhe Universitetin e Teknologjisë e Delftit. Ky studim i Marsejës kishte për qëllim të krijonte lidhje më të forta dhe më të afërta me komunitetet shpesh të padukshme, si dhe të ndërmjetësonte tregimet e tyre të padëgjuara dhe historitë e ndërlikuara të Marsejës. Studimi ofroi një pasqyrë të këtij qyteti port francez, kryesisht i klasës punëtore, dhe nxori në shesh mundësitë, ëndrrat, domosdoshmëritë dhe kompleksitetet e qytetit, gjë që rezultoi në një ‘puzzle’ të madh që i ngjan mozaikut. Prej këtyre të gjeturave, u propozuan disa ndërhyrje hapësinore, që shtruan rrugën për një mënyrë të re sociokulturore dhe gjeografike të qeverisjes së qytetit. Përfundimisht, Le Grand Puzzle qe vegël për qytetarët që të rimendojnë potencialin e qytetit të tyre dhe zonës përreth pa kërkuar një zgjidhje absolute apo një pikëpamje të vetme për këtë qytet të ndërlikuar.

Për të realizuar Manifesta 14 Prishtina, jemi bazuar në përvojat tona të fundit të punës në Palermo dhe Marsej. Duke u mbështetur në mësimet që kemi nxjerrë prej atyre edicioneve, ndërkohë që jemi zhytur në situatat e Prishtinës, kemi përfituar vizionin urban, ndërhyrjet simbolike, transformimet artistike participuese dhe afatgjate, dhe sondazhet publike me fokus në rëndësinë e kulturës për mirëqenien e bashkësive. Motivacioni i qytetit të Prishtinës për të transformuar dhe ringjallur hapësirën publike magjepsi ekipin tonë, duke i dhënë trajtë narrativëve dhe praktikave tona, ashtu edhe përpjekjeve tona për ndërtim kapacitetesh, veçanërisht në arsim dhe ndërmjetësim. Për pjesën urbane dhe arkitektonike, Manifesta 14 u frymëzua nga zyra e arkitekturës CRA-Carlo Ratti Associates, me seli në Torino, që është Ndërmjetësuesi Kreativ i parë i joni. Ratti dhe ekipi i tij krijuan një vizion urban bashke me MIT Senseable City Lab, të bazuar në hulumtimin në terren. Vizioni kulmoi me shtyllën programore Commons Sense [Sensi i të Përbashkëtave], që përqendrohet në urbanizmin participues për të krijuar zgjidhje urbane të qëndrueshme. Duke marrë parasysh mungesën e hapësirave publike të qasshme në Prishtinë, Manifesta 14 i kushtohet krijimit jo vetëm të hapësirave të reja publike, por gjithashtu rimarrjes së atyre ekzistuese dhe të privatizuara, për të funksionuar si pikëtakime dhe inkubatorë të ndryshimit.

Manifesta 14 është zhvilluar përmes një morie ndërhyrjesh urbane, që sillen rreth disa vendndodhjeve nëpër Prishtinë të bazuara në këtë vizion urban, përfshi Hotelin Grand dhe ish Fabrikën e Tullave. Manifesta ftoi qytetarët e Prishtinës në verën e vitit 2020 që të vizitojnë dhe ndërveprojnë me këtë ndërhyrje urbane në zona të ndryshme të qytetit. Ndërhyrja e parë u bë në hapësirën e braktisur të Fabrikës së Tullave, ndërtesën më të rëndësishme postindustriale të Prishtinës. Duke krijuar nje “dhomë ndeje urbane”, ndërhyrja nxiti debat lidhur me atë se si mund të përdoret hapësira, si mund të jetë e qasshme për komunitetin, dhe si mund të bëhet pjesë e infrastrukturës së qytetit.

Çfarë tregohet në Palermo Atlas, Le Grand Puzzle dhe Commons Sense, është se si analizat e çrregullta horizontale të (hi)storive të zbuluara, fakteve të mbushura me të dhëna, miteve dhe fiksioneve mund të bëhen horizont për të parafytyruar një të ardhme tjetër për qytetin. Këto studime mbështesin pohimin se qytetet bashkëkohore përreth Mesdheut dhe Ballkanit Perëndimor ballafaqohen me kriza ekologjike, por gjithashtu tregojnë se ekologjitë janë gjithnjë e më shumë të gërshetuara me historitë e gjata të konfliktit shoqëror dhe njerëzor, ose mundësisht krizave demokratike. Si burim të dhënash, imazhesh, gjenealogjish dhe tregimesh për qytetet, hulumtimi krijon “një mozaik fragmentesh dhe identitetesh që rrjedhin prej shekujve përplasjesh dhe shkëmbimesh,” shkruan Ippolito Pestellini Laparelly në Palermo Atlas. Studimet tregojnë se si e ardhmja e qytetit mund të krijohet me imagjinatë dhe guxim qytetar. Jam e bindur se studimet tona urbane prodhojnë një estetikë të reales dhe kështu mund të konsiderohen si formë e komonizmit [të përbashkëtës], siç shtjellohet nga Nico Dockx dhe Pascal Gielen në hyrje të Commonism:  A New Aesthetics of the Real. Të prodhuarit e një shumësie narrativësh dhe një fragmentimi metodik pikëpamjesh mbi Palermon, Marsejën dhe Prishtinën është “mënyrë e të menduarit të një bote më të mirë e më të bukur që shpërfaqet në kufirin mes fiksionit dhe joletrares, imagjinatës dhe realitetit, utopizmit dhe realizmit,’ që tregon se si “fiksioni mund të bëhet realitet dhe se si ndërtohet realiteti në hijet e imagjinatave njerëzore.[2]

Reale për kë?

Përveç Le Grand Puzzle, kemi paraqitur një projekt tjetër kërkimi në Manifesta 13 për të shoqëruar një studim përfshirës dhe të thellë të Marsejës. Le Tour de Tous les Possibles bashkoi qytetarët në eksplorimin e mjeteve alternative të përcaktimit të ekzistencës së tyre në qytet dhe fitimit të terreneve të reja për solidaritet, ose ndryshe aleancave të papritura. Janë përfytyruar dhe formuar mundësi të reja për jetë në qytet në më shumë se 22 Konsulta me Qytetarë, duke bashkuar njerëzit e Marsejës të të gjithë profesioneve. Rreth 500 njerëz nga Marseja morën pjsë në shkëmbimin dhe prodhimin e narrativëve alternativë dhe projekteve e ideve jo të zakonshme, si në takime të drejtpërdrejta dhe online. Për të nxitur diskutimin, takimet u bazuan në pjesë nga Le Grand Puzzle, duke ftuar qytetarët të diskutojnë rolin që ata si individë së bashku me qytetin dhe Europën do të mund të luanin në transormimin e qytetit të tyre.

Të zhvilluarit e këtyre punëtorive me qytetarë për Manifesta 13 Marsejë, si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë, qe përgjigje ndaj një varg ngjarjesh në qytet. Këto ngjarje kishin të bënin me infrastrukturën e ndërlikuar të Marsejës dhe me raste, kushtet e dobëta të jetesës, ndotjen dhe çështjet e mobilitetit që ndihen në shumicën e qyteteve të mëdha të Europës. Në tetor 2018, gjatë përgatitjeve për Manifesta 13, u formua lëvizja organike Jelekët e Verdhë. Ndërsa në Marsejë një tragjedi shënoi lindjen e një solidariteti të pashoq mes qytetarëve. Në nëntor 2018, dy pallate në gjendje të keqe u shemben në rue d’Aubagne, në zemër të qytetit, duke vrarë tetë banorë.[3] Menjëherë pas kësaj ngjarjeje tragjike, qytetarët u bashkuan në bashkësi të ndryshme. Punëtoritë tona me qytetarë përbënin atë që Zhak Ransier [Jacques Rancière] e ka përkshkruar si sistem estetik, retorik dhe të arsyeshëm “të fakteve të vetëkuptueshme të perceptimit shqisor që në të njëjtën kohë nxjerrin në shesh ekzistencën e diçkaje të përbashkët dhe përvijëzimet që përkufizojnë pjesët dhe pozicionet përgjegjëse [në të përbashkëtën]’.[4] Pati takime në burgje, shkolla, dyqane dhe hapësira publike, të cilat e bënë politiken t’i bashkohet sociales, që sipas Antonio Negrit është koncept themelor i një tubimi: Tash, sot, e kemi mundësinë të transformojmë tubimin në forcë. Ngase ajo është politika: dhënia e forcës. Ose, ajo është estetika, nëse duam të përdorim atë term: të japësh formë dhe forcë.[5]

Për edicionin Manifesta 14 Prishtina kemi krijuar Konsultime ndërsektoriale me qytetarë në zona urbane dhe rurale, për të kuptuar çfarë nënkuptojnë njerëzit me kulturën e tyre dhe relevancën e kulturës së tyre. I kemi përkthyer këto të gjetura në programet tona të edukimit, artistike dhe të tjera, por gjithashtu në përbërjen e ekipit, hapësirat dhe caktimin e projekteve afatgjate. E ardhmja e qytetit mund të krijohet me imagjinatë, transofrmim dhe guxim qytetar. Kjo perspektivë funksionon vetëm duke përfshirë komunitete të ndryshme dhe publikun përmes një morie aktivitetesh, si në fokus grupe ashtu edhe në studime kuantitative. Forumi i Hapur, të cilin e kemi organizuar në shkurt 2022 për të ndërvepruar me sektorin e kulturës, ofroi mundësi për të eksploruar dhe reflektuar bashkarisht me qytetarët mbi kompleksitetin e peizazhit kulturor të Prishtinës.

Pikërisht në këtë lëkundje si lavjerrës mes formës dhe forces të përshkruar nga Negri, propozoj që të vendosim modelin e riformatuar të Manifestës, që merr në gji lëvizjet sociopolitike dhe mosmarrëveshjet që hasen (përsëri) sot në qytetet tona nikoqire në Europë, të cilat nga ana e tyre frymëzojnë metodologjitë e Manifestës që luhaten mes artit dhe sociologjisë. Të analizosh gjërësisht kufijt konceptual dhe dallimet mes artit dhe strukturave sociopolitike sipas meje është e pavend, meqë të dyja janë praktika estetike-konstituive. Përkundrazi, Manifesta është e interesuar në sintezën dhe bashkëpunimin mes Manifestës dhe institucioneve publike të nikoqirit dhe qytetarëve të tij, duke gjetur mënyra për të bërë të mundur prodhimtarinë e praktikave artistike dhe politike, që janë bërë njëkohësisht një dhe shumë, duke demonstruar mënyra të përbashkëta të punës, kujdesit, jetesës dhe vdekjës në qytet.

Programimi i Aleancave

Në Marsejë, bashkëpunimi i hershëm i Manifestës me partnerë dhe qytetarë vendorë ktheu vëmendjen te një tjetër audiencë. Në vend të audiencave ndërkombëtare që kanë vizituar tradicionalisht bienalen, Manifesta filloi të prioritizojë marrëdhëniet më të ngadalshme dhe më pak spektakolare që janë formuar mes bashkësive vendore nga metropoli. Kjo audiencë e re kërkon forma alternative të ndërmjetësimit dhe lyp bashkëprodhime dhe struktura më intime mes Manifestës dhe qytetit. Ky ndryshim zgjeron edhe më tej strukturën në të cilën disa modele të programimit dhe angazhimit artistik funskionojnë pranë njëra tjetrës, duke kundërshtuar çdo formë të hierarkisë.

Në Prishtinë kemi braktisur hierarkinë duke u bërë radikalisht më lokalë, duke mësuar dhe duke përçuar zërin e prishtinasve. Nuk do të ketë program kryesor apo paralel, por thjesht tregime që shtjellojnë vendndodhjet, hapësirat dhe historitë e ndryshme të qytetit. Prandaj, për herë të parë, Manifesta ka stimuluar përfshirjen e aktivistëve joinstiticionalë dhe subkulturorë, si dhe lëvizjet e aktivistëve të artit që përfaqësojnë shumicën dërrmuese të talentit kosovar brenda bienalës, krahas një sërë institucionesh me ndikim që përkufizojnë ekosistemin kulturor të pasur dhe dinamik të Prishtinës. Kjo do të thotë se pjesëmarrësit kosovarë janë të ekuilibruar, barabar me të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit ndërkombëtarë në bienale, duke na ftuar të zhvillojmë modalitete të ndryshme të punës transdisiplinore në një perspektivë bienaleje. Manifesta 14 ka krijuar gjithashtu një shteg rajonal që lidh programin e Prishtinës me partnerët kulturorë të rajonit përmes Projektit Ballkani Perëndimor dhe që themelon rrjet të qëndrueshëm.

Në një botë që ndryshon, Manifesta është gjithashtu duke eksperimentuar me modele të reja demokratike të kurimit. Në Marsejë, programi i trefishtë i Manifesta 13 përfshinte: një program të jashtëm të kuruar me një ekip specialistësh ndërkombëtarë; një program që lidh institucionet, galeritë, artistët dhe kuratorët e vendit; si dhe një program të edukimit dhe të ndërmjetësimit. Përgjatë dy viteve të fundit, për të krijuar një trashëgimi më të prekshme për Prishtinën, kemi punuar bashkarisht dhe për së afërmi me urbanistë, profesionistë të kulturës, artistë dhe mendimtarë nga Prishtina. Duke u përqendruar në kërkim dhe prodhim të dijes, Manifesta ka zbatuar strategji të bazuara në nevojat dhe interesat e bashkësive lokale me një ambicie për të eksploruar praktika të reja dhe mënyra të reja të të mësuarit dhe çmësuarit.

Ndryshimi i madh që paralajmërova ka të bëjë me zhvillimin e projekteve institucionale më afatgjate, ku Manifesta është nismëtare dhe së bashku me ekipin vendor vendosë parametrat dhe transferon projektin atyre që pastaj mund ta mirëmbajnë. Kështu pra, ne ende prodhojmë projekte artistike, por gjithashtu vendosim modele të reja të institucioneve të artit dhe të mësimit, modele alternative të ndërmjetësimit, dhe alternativa për çështje të mobilitetit dhe ambientit. Për çdo edicion dhe çdo çështje, po ftoj praktikuesit më të mirë për të krijuar ëndrra imagjinare së bashku. Në të gjitha këto qytete të Manifestës, bashkësitë dhe qytetarët janë të ndarë prej komuniteteve artistike. Një pjesë e madhe e punës tonë është që t’i bashkojmë polet dhe t’i stimulojmë që të gjenjë mënyra të reja për bashkëpunim. Një projekt i suksesshëm në Marsejë ka qenë themelimi i një qendre arti në komunitet në një lagje të lënë anash ku bashkësitë dhe punëtorët e kulturës i japin zë tregimeve të padëgjuara, e cila qendër tash është kthyer në një institucion të përhershëm.

Gjatë përgatitjes për këtë edicion në Prishtinë, kam ndjerë një qëllim të urgjent për praninë e Manifestës në këtë pjesë të Europës, ku mund të bashkëkrijojmë projekte të qëndrueshme në zona si urbanizmi dhe ekologjia, ashtu si edhe të rrisim praninë e institucioneve shumëdisiplinore dhe nismave të edukimit. Në këtë kuptim, Manifesta vazhdon të jetë platformë për ekperimentim që prej edicionit tonë të parë në Roterdam më 1996. Në Kosovë janë nisur një varg projektesh afatgjate. Kjo është ambicia jonë: të jemi inkubator dhe të krijojmë kornizën konceptuale, ndërkohë që bashkësia lokale merr pronësi të përbashkët dhe vazhdon pasi që Manifesta 14 të ketë përfunduar. Një shembull i një projekti të tillë është Korridori i Gjelbërt, i cili transformon një pjesë të Prishtinës të nxjerrë nga përdorimi – hekurudhën e Beogradit në një hapësirë të gjelbër dhe një udhë për kalimtarë që lidh Fabrikën e Tullave me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në zemër të qytetit. Komuniteti do të përfshihet në mbjelljen, dizajnimin dhe mirëmbajtjen e këtij korridori. Në bashkëpunim të ngushtë me administratën publike, ky projekt do të ndihmojë në ndryshimin ambiental afatgjatë të qytetit.

Në një botë që ndryshon vazhdimisht, Manifesta ka rimenduar dhe do të vazhdojë të rimendojë në disa nivele modelin e bienalës, që lidhet me zanafillën e strukturës sonë, pra nomade, shëtitëse dhe që shërben si inkubator. Në Prishtinë, kjo do të thotë të ndryshohet prodhimi ynë i dijes në një formë të praktikës participatore, krahas krijimit të një trashëgimie më të prekshme për qytetin dhe bashkësitë e tij, në formën e institucioneve të përhershme shumëdisiplinore, të cilat mund të jenë shembull i zhvillimit të ekosistemit kulturor të Prishtinës. E skicuar nga artistët, praktikuesit e kulturës dhe arkitektët e Manifestës në shumë e shumë tregime e ngjarje, mund të them se shoh një horizont të përbashkët, me Manifestën si akrobat në litar dhe qytetarët si pronarët dhe kujdestarët e vërtetë të hapësirës së tyre publike, institucioneve dhe qyteteve. Ngjashëm me këtë akrobatin që ecë mbi litar, Manifesta paraqet alternativa në detyrën e rëndësishme, por shpesh të vështirë, të ndërtimit të aleancave të llojllojshme, ku të jetuarit së bashku me ambientin është një marrëdhënie që ka bazë në solidaritet dhe bashkëpunime produktive, krahas nxjerrjes në pah të mënyrave për të promovuar bashkëjetesën. Jo vetëm që është thelbësore të pyesim se i kujt është qyteti; duhet gjithashtu të përfytyrojmë se si të kujtojmë, aktivizojmë dhe të përkrahim njëri tjetrin në qytetet tona.


[1] Shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe zonës Shengen që prej të nëntëdhjetave kanë ngritur mure me gjatësi afër 1000 km, barasvlershëm me më shumë se gjashtë herë se tërë gjatësia e Murit të Berlinit, për të parandaluar të shpërngulurit që të migrojnë në Europë. Burimi: Ainhoa Ruiz Benedicto and Pere Brunet. ‘Building Walls: Fear and Securitization in the European Union’ in Centre Del.s d’Estudis per la Pau (2018).

[2] Dockx, Nico & Gielen, Pascal. ‘Introduction: Ideology & Aesthetics of the Real’ in Commonism: A New Aesthetics of the Real. Amsterdam: Valiz (2018). f.58-59.

[3] “Ni oubli ni pardon”. Marseille, un an apr.s le drame de la rue d’Aubagne’ in Le Monde (2019).

[4] Rancière, Jacques. The Politics of Aesthetics. London: Continuum (2006), f.12.

[5] Negri, Antonio. ‘The Salt of the Earth: On Commonism. An Interview with Antonio Negri’ in Commonism: A New Aesthetics of the Real. Gielen, Pascal & Lavaert, Sonja (eds.). Amsterdam: Valiz (2018). f.98.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.