Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sociologjia si shkencë subversive

Në shënjestër të kritikës radikale të sociologjisë është edhe pushteti politik. Ky status subversiv i shkencës së shoqërisë mund të ruhet vetëm duke i garantuar asaj autonominë dhe duke e mbajtur atë të ndarë nga politika.

Në një seri ligjëratash të mbajtura në mes viteve 1917 dhe 1919 para një grupi studentësh në Mynih dhe të botuara në shqip me titujt “Shkenca si profesion” dhe “Politika si profesion”, sociologu Max Weber kishte sqaruar pikëpamjet e tij për shkencën dhe politikën, ku shihte një raport të tensionuar në mes këtyre dy veprimtarive njerëzore. Për të, politika ishte drejtim ose ndikim në drejtimin e një formacioni politik, në mënyrë tipike, një shteti. Weberi e përkufizonte shtetin, jo sipas ndonjë qëllimi që ai duhet ta kryejë ose që e kryen ai, as sipas ndonjë arsye të supozuar të ekzistimit të tij (raison d’etre), e as me terma tjerë teleologjikë e mistifikues – siç nuk mungojnë në filozofinë politike – por sipas një mjeti specifik që shteti e ka në dispozicion: ushtrimin e dhunës ose forcës fizike dhe pretendimit se vetëm ai ushtron forcë me të drejtë.

Kështu, larg çdo mistifikimi, shteti është një komunitetit njerëzish që e pretendon me sukses monopolin e përdorimit të forcës legjitime që ka për qëllim të imponojë vullnetin e atij komuniteti tek të tjerët. Me një fjalë, shteti nuk është asgjë tjetër veç marrëdhënie pushteti ndërmjet grupeve të njerëzve. Mjeti i politikës është pushteti që, sipas Weberit, është forca që dikush e ushtron ose e përdorë si kërcënim për t’i shtyrë tjerët të sillen në pajtim me vullnetin e tij. Kësisoj, politika ka të bëjë me pushtetin; ajo synon pushtetin si mjet për të arritur synime tjera idealiste (vënien e një rendi politik a ekonomik, arritjen e drejtësisë, zbatimin e një politike publike) a egoiste (privilegje, shpërblime materiale, mbrojtje) ose si synim në vete për prestigj ose nder social.

Si e tillë, politika si sferë e praktikës së detyruar, në njërën anë, dhe shkenca si sferë e mendimit të lirë, në anën tjetër, nuk mund të bëhen bashkë. Por, në mes tyre ka edhe tjera dallime të dukshme: të vërtetat e politikës janë të përshtatshme për të kryer funksione konkrete politike, qoftë idealiste a egosiste, shkenca, nga ana tjetër, si përpjekje teorike për të vërtetën per se, është sferë e mendimit dhe veprimtarisë së lirë intelektuale, e çliruar nga shanset dhe efektet e dijes në praktikë dhe e pandihmuar nga aparati detyrues i shtetit për të imponuar të vërtetat e saj tek njerëzit. Politika ia nënshtron të vërtetën qoftë një nevoje imediate politike, qoftë besnikërisë ndaj një komuniteti të caktuar politik, ndërkohë që shkenca e mban të vërtetën mbi të gjitha konsideratat tjera. Kjo mund të ketë qenë arsyeja përse sociologu Weber ngulte këmbë se ato duhet të mbahen të ndara: pikërisht që të garantohet autonomia e sociologjisë nga logjika, prioritetet, interesat, trysnitë dhe kufizimet e politikës dhe që ajo të mund të zhvillohet pavarësisht nga diktati i politikës. Ai vetë ka bërë kujdes që vlerat politike dhe qëndrimet e tij politike të mos i përziejë me punën e tij shkencore.

Mbase në asnjë disciplinë shkencore nuk është më i dukshëm tensioni në mes politikës dhe shkencës se sa në qëndrimin e sociologjisë ndaj politikës. Sociologjia si një disiplinë shkencore që është veçanërisht subversive ndaj të gjitha formave të autoritetit, nuk mund të gjejë paqe me politikën. Natyrisht, kjo nuk do me thënë që secili sociolog është ose duhet me qenë kritik i autoritetit, ose i status quosë, ose që secila fushë e sociologjisë të jetë subversive, por se nuk ka program studimi a hulumtimi sociologjik, me një fjalë, nuk ka sociologji, që, së paku një pjesë e saj, nuk vë në shënjestër të kritikës radikale status quonë, rendin aktual, prirjet mbizotëruese, autoritetin tradicional dhe pushtetin politik. (Kjo shpjegon përse shtetet totalitare që duan të mbajnë nën sundim të plotë shoqërinë nuk durojnë departamente të sociologjisë.

Gjithashtu, është tregues fakti se në shoqërinë tonë, mospajtuesit me pushtetin dhe ideologët e rezistencës, si Ukshin Hoti e Fehmi Agani, kanë dalë po nga sociologjia në Universitetin e Prishtinës.) Ndryshe, një sociologji që nuk e ka edhe dimensionin e kritikës, nuk meriton të quhet mirëfilli sociologji dhe ajo, heret a vonë, do të degdiset në irrelevancë ose do të përkeqet në instrumentalizim nga pushteti. Se, nëse sociologjisë i hiqet kritika e themeleve të rendit ekonomik, politik, fetar, familjar, si dhe kritika e pretendimeve për privilegj, shenjtëri e prerogativë të çfarëdo lloji, ajo pushon së qeni shkencë e merituar, se nuk çfarë tjetër të na mësojë sociologjia që nuk mund ta mësojmë nga shkencat tjera shoqërore. Me një fjalë, sociologjia luan rolin e kritikut dhe kontrollorit të politikës dhe pushtetit. Dhe ja ku erdhëm edhe te një arsye përse shkenca e shoqërisë dhe politika duhet të mbahen të ndara: pikërisht që sociologjisë t’i lihen duart e lira për të kryer këtë funksion subversiv.

Politika ka shumëçka të mësojë prej sociologjisë, ndaj politikës i nevojitet sociologjia. (Dorën në zemër, njohuritë sociologjike mund të përdoren edhe për qëllime jofisnike në politikë, andaj, si çdo profesionist shkencor, edhe sociologu ka nevojë për një kompas moral që të mos lejojë vetveten ta keqpërdorë sociologjinë.) Kësisoj, sociologjia mund të jetë ndihmëse e politikës, por asesi shërbëtore e saj. Sociologjia, mbi të gjitha, është kritikë pa pardon e pushtetit politik dhe shpeshherë në anën e lëvizjeve të protestës dhe rezistencës. Një pjesë e konsiderueshme e traditës sociologjike, duke përfshirë temat dhe teorinë e sociologjisë, konsiston në problematizimin e pushtetit, rendit aktual dhe prirjeve mbizotëruese në politikë e kulturë, që do të thotë se këto ose diçka tek ato i identifikon si probleme. Prandaj, nuk mund të jesh hyzmeqar i një pushteti ose përligjës i një rendi aktual, pa e tradhëtuar traditën sociologjike; nuk mund t’u qëndrosh besnik mësimeve të sociologjisë dhe, njëkohësisht, t’i bësh shërbime një pushteti dhe rendit që e mban atë.

Author

  • Gëzim Selaci

    Gëzimi Selaci është ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka studiuar Sociologji dhe Teori politike në Prishtinë, Londër dhe Budapest. Specializimi i tij ka të bëjë me legjitimimin e pushtetit dhe ndërtimin e shtetit. Interesimi i tij përqëndrohet tek politika dhe pushteti në shoqëri nga perspektiva ndërdisiplinore dhe shtrihet tek të kuptuarit e pranimit/mospranimit të autoritetit, dinamikës së identiteteve kolektive, si dhe aktivizmit politik.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.