Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Përdorimi i emigrantëve si armë politike (II)

Pagesë në këmbim të mbylljes së portave

Bashkimi Evropian nuk ka arritur asnjëherë ta konsolidojë një politikë të përbashkët, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e emigrantëve. Në mungesë të saj, në jo pak raste shtete të veçanta apo vetë BE-ja, është munduar të propozojë zgjidhje kreative duke u ofruar vendeve tranzitore – që konsiderohen si “shtete porta” për emigrantët – shuma të konsiderueshme mjetesh financiare në këmbim që këto të fundit t’i mbyllin rrugët kaluese duke e penguar kështu depërtimin e emigrantëve për në Evropë.

Në këtë kontekst, në vitin 2008, diktatori i Libisë, Muamer el Gadafi, arriti një marrëveshje me Italinë në të cilën qeveria italiane ra dakord që t’i paguante pesë miliardë dollarë Libisë për ta ndaluar fluksin e afrikanëve që, përmes Italisë, depërtonin në Evropë. Në 2010, duke folur gjatë një takimi me ish-kryeministrin Italian Silvio Berluskoni, kolonel Gadafi deklaronte se Evropa “mund të kthehet në Afrikë pasi ka miliona afrikanë që duan të vijnë këtu”. Andaj, sipas tij, BE-ja duhet t’i paguante Libisë së paku pesë miliardë euro në vit për ta penguar migrimin e paligjshëm të afrikanëve në mënyrë që të shmangte, siç shprehej ai, një “Evropë të zezë”. Me fillimin e valës kryengritëse kundër regjimeve autoritare në botën arabe – e njohur si “Pranvera Arabe” – me synimin që t’i pengonte forcat perëndimore që t’u ofronin mbështetje forcave rebele në Libi, Gadafi kishte paralajmëruar shtetet perëndimore duke u thënë se ata po bombardonin “murin që qëndron në mes të emigrantëve afrikanë dhe Evropës”.

Është ironike të konstatohet, por si duket Gadafi kishte të drejtë në parashikimet e tij. Një pohim i tillë, në fakt, mbështetet edhe nga të dhënat statistikore. Transformimet politike në Libi dhe në Tunizi rezultuan me një rritje domethënëse dhe rapide të emigrantëve që udhëtonin nga Afrika e Veriut – në të shumtën e rasteve përmes Italisë – për në vendet e BE-së. Në mesin e vitit 2011, rreth 48,000 emigrantë kishin mbërritur në ishullin Italian Lampedusa. Deri në vitin 2014, numri kishte arritur në 170,000. Në mesin e tyre kishte njerëz nga e gjithë Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, të cilët kishin zgjedhur të provonin fatin duke ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm. Libia, e cila kishte përjetuar trazira socio-politike deri në defunksionalizim e saj, tashmë ishte shndërruar në një “shtet portë” – e paaftë të kontrollonte depërtimin e migrimit masiv për në Evropë.

Duket se marrëveshje të tilla, sado kreative që mund të duken, nuk kanë qenë shumë produktive dhe, në jo pak raste, kanë pasur edhe efekt të kundërt. Dakordimet në mes të vendeve të BE-së dhe shteteve të treta, që shërbejnë si territore transitore të kalimit të emigrantëve, u kanë ofruar këtyre të fundit – sidomos në rastet kur këto vende dominohen nga regjime autoritare – mundësinë që ta përdorin migrimin e pakontrolluar si levë të shantazhit politik. Të njëjtën taktikë kundrejt BE-së – përveç Gadafit – e kishte përdorur edhe presidenti turk Rexhep Erdogan. Pasi u përmbyt me refugjatë nga lufta civile siriane në vitin 2015, BE-ja pranoi t’i paguante qeverisë turke gjashtë miliardë euro për t’i pritur refugjatët dhe – çfarë ishte shumë më e rëndësishme për ta – për të mos ua mundësuar atyre që të udhëtonin më tutje dhe eventualisht të arrinin në Evropë.

Me këtë veprim, Bashkimi Evropian shpërfaqi haptazi brengen dhe shqetësimin e tij kryesor, gjë që ia mundësoi liderit turk ta përdorte këtë frikë si kërcenim për t’i realizuar interesat e tij ekonomikë dhe politikë. Kështu, kur forcat ushtarake turke kishin filluar të zhvillonin aksione militare në Sirinë Veriore, BE-ja fillimisht kishte reaguar me tone të ashpra duke e cilësuar këtë ofensivë si “pushtim”. Si kundërpërgjigje, presidenti Erdogan kishte kërcënuar se nëse BE-ja nuk ndryshon qëndrim, ai do “hapte portat dhe do të dërgonte në Evropë rreth 3.6 milionë refugjatë”. Për pasojë, BE-ja me elegancë diplomatike kishte zbutur retorikën e vet dhe nga cilësimi i veprimeve ushtarake turke si “pushtim”, filloi t’i karakterizonte ato si “aksion ushtarak i njëanshëm”.

Armët e migrimit masiv” si mjet destabilizues

Qëllimi i përdorimit të emigrantëve si armë hibride me efekte politike është që të shfrytëzohet mungesa e kohezionit brenda-shoqëror në shtetet e synuara dhe në këtë mënyrë të stimulohet një lloj atomizimi social që në të shumtën e rasteve shoqërohet me mungesë konsensusi dhe stabiliteti. Studiuesja e shkencave politike, Kelli Grinhill, në librin e saj “Armët e Migrimit Masiv: Zhvendosja e Detyruar, Shtrëngimi dhe Politika e Jashtme” – pas një analize sistematike që nga viti 1951 e tutje – arriti të identifikojë së paku 56 raste të atyre që ajo i quan “emigrime të inxhinieruara me forcë”. Ajo, ndër të tjerash, duke u mbështetur në të dhëna empirike dhe raste studimore, erdhi në përfundim se, për fat të keq, kur kjo taktikë përdoret nga shtetet, duket se funksionon shumicën e rasteve. Grinhill nxori në pah se shtetet që kishin si synim të fabrikonin me forcë emigrimin dhe ta përdornin atë si mjet politik, arritën të përmbushnin të paktën disa nga objektivat e tyre në 73% të rasteve dhe pothuajse të gjitha objektivat në më shumë se gjysmën e rasteve, respektivisht në 57% të tyre.

Autorja argumenton se suksesi i konsiderueshëm i kësaj metode ndikimi e bën atë të preferueshme dhe shumë praktike për përdorim nga shtete të ndryshme. Së këndejmi, sipas saj, “shtetet detyruese” në të shumtën e rasteve arrijnë që të kenë sukses në saje të shfrytëzimit perfid të përçarjeve socio-politike brendapërbrenda “shteteve të synuara”. Kjo jep më shumë rezultate në vendet ku paraprakisht ekzistojnë botëkuptime dhe qëndrime antagoniste në mesin e shoqërisë sa u përket atyre që kanë mendim afirmativ dhe dashamirës kundrejt emigranteve dhe atyre që janë kundër që këta të lejohen të hynë në vendin e tyre. Ndarje të tilla bëjnë që liderët e “shteteve të targetuara”, në mënyrë që t’i shmangin vështirësitë që shkaktohen nga emigrantët, të dakordohen dhe pranojnë kërkesat e “shtetit detyrues”. Për shtetet e dobëta, të cilat nuk kanë në dispozicion mjete të shumta për të ushtruar presion me synim të realizimit të interesave të tyre, shfrytëzimi i qëllimshëm i refugjatëve mund të jetë një mundësi më shumë për t’i arritur qëllimet.

Mbështetur mbi këto premisa teorike, mund të konkludohet që të njëjtën gjë duket që po synon ta bëjë edhe Bjellorusia. Kjo krizë mund të konsiderohet një akt i luftës hibride, sepse Minsku po përdor migrimin në mënyrë strategjike për të ushtruar presion mbi BE-në dhe për të krijuar përçarje e mospajtime brenda bllokut. Duke qenë se në këtë rast kemi të bëjmë me trafik njerëzor të sponsorizuar nga shteti, synimi është krijimi i një krize humanitare për të detyruar BE-në dhe vendet e saj anëtare t’i pranojnë kërkesat e Bjellorusisë, përkatësisht t’u japin fund sanksioneve të tyre. Andaj, çdo lëshim ndaj Bjellorusisë mund ta inkurajojë më tej rritjen e partive dhe lëvizjeve të tjera sociale që kanë sentiment armiqësor ndaj emigrantëve dhe kështu të kontribuojë në thellimin e ndarjeve ekzistuese brenda BE-së.

Kërcënimi i perceptuar për një valë migracioni të pakontrolluar kishte luajtur rol kyç në destablizimin politik, ngritjen e ksenofobisë dhe popullizmit politik në Evropë edhe në vitin 2015. Nuk është shumë e vështirë të konkludohet se gjithashtu në këtë rast, Bjellorusia në bashkëpunim edhe më Rusinë, po eksplorojnë mundësitë për të krijuar panik dhe turbulencë në mesin e vendeve të BE-së me qëllim të përsëritjes të të njëjtit konfuzion socio-politik. Andaj, derisa në Bashkimin Evropian nuk ekziston një politikë koherente dhe afatgjatë e migracionit, vendet autoritare që kanë mundësi të kontrollojnë rrjedhjen e emigrantëve do të shfrytëzojnë atë si mjet kërcënimi hibrid në avantazhin e tyre për të shantazhuar dhe destabilizuar vendet e tjera.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.