Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Përdorimi i emigrantëve si armë politike (I)

Në një botë të ndërvarur, luftërat ndërshtetërore me armë konvencionale duket se janë bërë të kushtueshme, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik e diplomatik. Për këtë arsye, ka kohë që shtetet po përdorin një sërë mjetesh dhe metodash atipike dhe hibride – të cilat lehtësisht mund të konvertohen në armë – duke filluar nga sanksionet, sulmet kibernetike, shpërndarja e lajmeve të rreme e deri te çrregullimi i tregjeve të energjisë. Ndër këto metoda kreative, kërcënimi përmes manipulimit të fluksit të emigrantëve është bërë veçanërisht atraktiv për shtetet dhe liderët autoritarë. Kriza e emigrantëve në kufi me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë – e fabrikuar nga Bjellorusia, e që mbështetet edhe nga Rusia – konsiderohet formë e luftës hibride që ka si synim strategjik, duke shfrytëzuar mungesën e një politike koherente të migracionit, të ushtrojë presion mbi shtetet e Bashkimit Evropian për ta stimuluar rritjen e sentimentit ksenofobik, të populizmit politik dhe krijimin e paqartësive e mosmarrëveshjeve brenda vetë bllokut.

Sfondi i një “krize hibride”

Shkëndijat e para të kësaj krize nisën të shpërfaqen në maj të këtij viti. Gjithçka filloi të kristalizohej në momentin kur presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, u konsiderua nga shumë vende demokratike dhe organizata ndërkombëtare si përgjegjësi kryesor për manipulimin e zgjedhjeve dhe aplikimin e masave represive kundrejt forcave opozitare dhe kritikëve të regjimit të tij politik. Përveç kësaj, Minsku u akuzua edhe si organizator dhe ekzekutues i rrëmbimit shtetëror të aeroplanit dhe arrestimit të kundërligjshëm të redaktorit dhe aktivistit politik, Roman Protaseviç. Andaj, në kundërshtim të këtyre veprimeve, Bashkimi Evropian kishte vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë, duke marrë si kundërpërgjigje nga Lukashenko paralajmërimin kërcënues se kjo e fundit nuk do të angazhohej më në parandalimin e kontrabandës së drogës dhe emigrantëve ilegalë që do ta kalojnë nëpërmjet kufirit bjellorus e që si destinacion kryesor kanë Bashkimin Evropian. “Ne ndaluam drogën dhe emigrantët. Tash e tutje do e konsumoni dhe do t’i kapni vetë”, shprehej ai.

Nuk ishte e nevojshme të kalonte shumë kohë që të kuptohej se në të vërtetë planet e Minskut ishin shumë më perfide sesa thjesht mbyllja pasive e njërit sy dhe injorimi i asaj që po ndodhte në kufi. Në muajt vijues, në mënyrë të organizuar dhe nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Bjellorusisë, me mijëra “turistë” filluan të marrin rrugën nga vende të ndryshme të Lindjes së mesme – Iraku, Afganistani, Siria etj. – për në Bjellorusi, për t’u shoqëruar pastaj drejt kufirit me shtetet fqinje që janë anëtare e Bashkimit Evropian. Në qershor, shërbimet kufitare të Lituanisë kishin pranuar sinjalet e para duke regjistruar një rritje të theksuar dhe rapide të numrit të emigrantëve të paautorizuar të cilët vinin kryesisht nga Iraku dhe që kishin për synim të kalonin kufirin Lituani-Bjellorusi. Në gusht të këtij viti, ky shtet raportoi mbi 4000 persona të arrestuar në kufi. Sipas statistikave zyrtare, krahasuar me vitin 2020, kjo shifër konsiderohej të ishte rreth 50 herë më e lartë.

Të ballafaquar me këtë situatë të re, nuk kaloi shumë kohë që liderët e vendeve fqinje me Bjellorusinë – por edhe ata të shteteve tjera të BE-së – këto veprime të Minskut t’i klasifikonin si të qëllimshme dhe si një formë e veçantë e kërcënimit kundrejt sigurisë së tyre. Së këndejmi, në fund të qershorit, ministrat e Brendshëm të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë – pas një takimin të përbashkët – deklaronin se rritja rapide dhe drastike e numrit të emigrantëve nuk ishte thjesht proces rastësor i një grupi personash që, përmes emigrimit në një vend të tretë, dëshpërimisht synonin të realizonin ëndrrën e tyre për një jetë me kushte më të mira materiale, siguri më të lartë dhe liri e të drejta të avancuara. Sipas tyre, kjo ishte formë e “kërcënimit hibrid e regjimit bjellorus kundër vendeve baltike, BE-së dhe NATO-s”.

Bjellorusia u akuzua edhe nga Bashkimi Evropian se po prodhonte një krizë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura kundër saj. Në këtë kontekst, kryeministri polak, Mateus Moraviecki, akuzoi drejtpërdrejt presidentin Lukashenko për “përdorimin e civilëve si armë për një luftë moderne hibride”. Kurse, Çarls Miçel, presidenti i Këshillit Evropian, e quajti krizën një “sulm brutal e hibrid në kufijtë e BE-së”. Nga ana tjetër, zyrtarët e NATO-s gjithashtu e dënuan fuqishëm “instrumentalizimin e vazhdueshëm të migracionit të parregullt të krijuar artificialisht nga Bjellorusia si pjesë e veprimeve hibride për qëllime politike”. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mas, i quajti taktikat e Bjellorusisë një “lojë cinike pushteti” dhe tha se nuk duhet të lejohet që “shantazhi si metodë politike të ketë sukses”. Kurse, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me presidentin e ShBA-së, nga Uashingtoni nënvizoi faktin se ajo që po ndodhte në kufirin e Bjellorusisë ishte “një sulm hibrid, e jo një krizë migrimi”. Duke vazhduar tutje, ajo konstatoi se ky veprim është “përpjekje e një regjimi autoritar që t’i destabilizojë fqinjët e tij demokratikë… por ne duhet t’i mbrojmë demokracitë tona nga kjo lloj loje cinike e gjeopolitikës së pushtetit”.

Një taktikë e vjetër për një krizë të re

Edhe pse në dukje të parë kjo formë e kërcënimit mund të perceptohet si diçka e re dhe mjaft inovative, është e rëndësishme të nënvizohet fakti se shtetet, sidomos regjimet politike autoritare, edhe në të kaluarën i kanë përdorur emigrantët si armë politike. Në vitin 1971, kur autoritetet e Bashkimit Sovjetik ua mundësuan rreth 1300 hebrenjve që të migronin për në Izrael, zyrtarët sovjetikë me qëllim lejuan që në këtë kontingjent të infiltroheshin edhe persona të tjerë me dosje dhe të kaluar kriminale, që kishin arritur të falsifikonin dokumentacionin, me qëllim që të paraqiteshin si hebrenj dhe të udhëtonin bashkë me ta.

Afërsisht të njëjtën taktikë kishte zbatuar edhe lideri kuban Fidel Kastro. Në vitin 1980 ai i hapi portet e vendit duke ua mundësuar kështu rreth 125.000 kubanëve që të migronin në Florida të ShBA-së. Kjo valë emigrantësh shkaktoi atë që njihet si “Egzodi i Marielit” (El éxodo del Mariel). Pjesa dërrmuese e kësaj mase njerëzish që po braktisnin Kubën nuk do mend se ishin në kërkim të kushteve më të mira ekonomike, apo synonin të përfitonin nga respektimi i lirive dhe të drejtave politike që mundësoheshin në një vend të lirë e demokratik si ShBA-ja, larg mjerimit socio-ekonomik që mbizotëronte atëbotë në Kubën e Kastros. Mirëpo, regjimi i këtij të fundit e shfrytëzoi këtë valë emigrantësh dhe në mesin e tyre – në mënyrë dinake, por të mirëplanifikuar – arriti të infiltrojë persona të dhunshëm me të kaluar kriminale, të burgosur apo edhe pacientë me probleme mendore që ishin nxjerrë direkt nga spitalet psikiatrike të Kubës.

Mirëpo, më qëllim që t’i merrte si modele zbatimi, presidenti Lukashenko nuk është se e kishte shumë të nevojshme që të zhytej në analiza të thelluara literature për të identifikuar raste nga historia të përdorimit të emigrantëve si armë politike. Shembuj të ngjashëm – madje shumë më të freskët – dhe udhëzime konkrete mund të gjente fare lehtë edhe nga fqinji i tij, presidenti rus Putin, apo edhe homologu i tij turk, Erdogan.

Kështu, në vitin 2016, Bashkimi Evropian e akuzoi Rusinë me pretekstin se po organizonte dhe mbështeste aktivisht fluksin në rritje të emigrantëve që përmes “rrugëve arktike” synonin të depërtonin në Finlandë. Ky veprim dukej se bëhej si hakmarrje e Moskës për sanksionet ekonomike që Bashkimi Evropian i kishte vënë Rusisë për shkak të veprimeve të saj të paligjshme ushtarake në Ukrainë. Dihej fare mirë se e vetmja formë që emigrantët të mund të arrinin në kufirin finlandez ishte vetëm nëse Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë do t’ua mundësonte atyre të depërtonin përmes një rajoni të rrezikshëm dhe tejet të militarizuar, e që praktikisht ishte i pamundur të penetrohej nga persona civilë. Kjo nënkupton se Rusia ishte drejtpërdrejt e përfshirë në lehtësimin e depërtimit të fluksit të emigrantëve për në Finlandë. Në anën tjetër, gjatë krizës më të madhe të migracionit të vitit 2015-2016, presidenti turk Rexhep Erdogan i bëri presion BE-së që ta mbështesë Ankaranë me rreth gjashtë miliardë euro ndihmë, në këmbim të bllokimit të korridorit të migracionit nga Lindja e Mesme për në Ballkan.

Gjithashtu, duhet rikujtuar se presidenti Putin, përveç përdorimit të migrimit si kërcënim hibrid, është i njohur në të kaluarën e tij për aplikimin e mjeteve të nduarndurta të luftës hibride që përfshijnë kombinimin e sulmeve kibernetike, fushatave dezinformuese përmes përhapjes të qëllimshme të lajmeve të rreme dhe infiltrimit në vende si Ukraina, respektivisht në Krime, të ushtarëve rusë të armatosur, por të kamufluar me uniforma civile dhe që hiqen si fshatarë vendas. Ka dyshime të bazuara se edhe në këtë rast, përmes Bjellorusisë, në grupin e emigranteve Moska po kontrabandon agjentë sekretë të tyre, apo edhe terroristë që kanë si synim destabilizimin e vendeve të BE-së.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.