Historia komplekse e marrëdhënieve Kosovë-Rusi

17 qershor 2021 09:53

Nëse ka ndonjë fuqi evropiane, e cila gjatë shekujve të fundit me qëndrimin e saj ka ndikuar në përcaktimin e fatit politik të Kosovës, është padyshim Federata Ruse. Roli i Moskës në Kosovë dhe ndaj Kosovës rezulton deri më tani të mos jetë analizuar mjaftueshëm, hulumtuar në mënyrë sistematike, gjykuar paanshëm, si dhe parë nga një prizëm më i gjerë i zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Ky artikull nuk mëton assesi të marrë një barrë të tillë, megjithatë synon të hedhë dritë mbi disa stacione kryesore historike, politike dhe diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Megjithatë, janë dy pyetje themelore të cilat meritojnë vëmendje të veçantë. E para, synon të analizojë arsyet që politika ruse ka qenë dhe mbetet vazhdimisht refuzuese ndaj vullnetit politik të shumicës shqiptare të Kosovës dhe e dyta, a mos është nënvlerësuar ndikimi i Moskës e cila me fuqinë politike që ka pasur dhe që ende posedon, shpesh ka qenë përcaktuese e statusit politik të Kosovës?

Federata Ruse dhe Republika e Kosovës nuk kanë lidhur ende marrëdhënie diplomatike, ngaqë Kremlini ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, kur jemi tek raportet diplomatike, Rusia tashmë posedon një Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë që nga viti 2005 e Kosova nuk posedon fare në Moskë. Por, “historia e raporteve diplomatike” ndërmjet Kosovës dhe Rusisë është shumë më e vjetër, duke e bërë atë një nga shtetet me një nga misionet më të vjetra diplomatike në Kosovë. Pra, hiç më larg se në vitin 1866 – në një kohë kur Prizreni ishte qendra kryesore politike shqiptare nën pushtimin osman – kishte një përfaqësi diplomatike ruse në Kosovë.

20 vjet nga vizita e presidentit Putin në Kosovë

Dy vite pas çlirimit të Kosovës nga regjimi serb, Vladimir Putin, president i Federatës Ruse kishte vizituar Kosovën më 17 qershor 2001. Rrjedhimisht, kjo ishte vizita e parë e një presidenti rus në Kosovë. Për më tepër, vizita e Putinit fillimisht në Serbi dhe më vonë në Kosovë, paraqet vizitën e parë pas dy dekadave të një lideri rus në ish hapësirën jugosllave. Presidenti sovjetik, Michail Gorbatschov, ishte i fundit që kishte vizituar Jugosllavinë në vitin 1988 dhe gjatë asaj vizite, ai përpos Beogradit, kishte vizituar edhe Zagrebin dhe Lubjanën.

Por, vizita e Putinit në Kosovë mbetet padyshim një nga ato vizitat e veçanta të liderëve të huaj në vend. Përpos që ishte vizitë surprizë dhe e pa paralajmëruar, Putini pati qëndruar vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës duke vizituar kontingjentin rus prej 3000 mijë ushtarësh në kuadër të KFOR-it dhe duke pasur takime vetëm me komandantin e atëhershëm të KFOR-it, Thorstein Skiaker, dhe kryeadministratorin e UNMIK-ut, Hans Hækkerup.

Asnjë takim me liderët kosovarë. Asnjë takim të vetëm duke përfshirë edhe politikanët serbë të Kosovës. Për më tepër, presidenti Putin akuzonte nga hapësira e militarizuar e aeroportit “terroristët shqiptarë” në Kosovë për destabilizim të rajonit, për sulmet ndaj pakicave në Kosovë dhe për mbështetjen ndaj ekstremistëve shqiptarë në përleshje me trupat qeveritare në Maqedoni.

Bilanci i vizitës disa-orëshe të Putinit ishte mbi të gjitha e karakterit gjeostrategjik dhe atë duke përçuar disa mesazhe, e para së gjithash në drejtim të Perëndimit. E para, Putin la të kuptohet se Rusia i është kthyer Ballkanit me më vendosmëri, ndaj të cilit rajon pararendësi i tij Boris Jeltsin nuk kishte shprehur ndonjë interesim të veçantë. E dyta, Putin bëri të qartë, se Rusia tani e tutje do të jetë bashkë përcaktuese e zhvillimeve kryesore në rajon. Një ditë para vizitës në Prishtinë, Putini kishte takuar në Brdo të Sllovenisë presidentin amerikan George Bush Jr., të cilët ishin dakorduar për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për problemet në Ballkan. Në këtë drejtim, Presidenti Putin kishte proklamuar tashmë ambiciet ruse për furnizim të rajonit ballkanik me gaz rus nga hapësira e Kaukazit.

E treta, Putin, ritheksoi nga Beogradi rëndësinë e zgjidhjes së kontesteve duke respektuar normat dhe ligjet ndërkombëtare dhe domosdoshmërinë e integritetit territorial të shteteve (duke aluduar në ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Jugosllavisë mbi Kosovën që parashikohet në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara). Pikërisht, kjo e fundit do të ketë ndikim të madh ndaj fatit politik të Kosovës së pasluftës. Por, para se të merret në analizë roli aktual rus, ia vlen të hedhet dritë jo vetëm mbi raportet aktuale bilaterale Kosovë-Rusi, por edhe ato historike ndër shekuj.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe Kosova

Prezenca ruse në Evropën Juglindore dëshmohet për herë të parë në vitin 1710 në qytetin rumun Iași. Ky zgjerim i Rusise ne kete pjese te botes, po vinte, pos per arsye gjeopolitike, ishte edhe per te mbeshtetur popullaten sllave ne lufterat e tyre kunder Perandorose Osmane. 

Kështu që, nga ai vit me gjithë ngritjet dhe uljet e fuqisë ruse, Rusia kurrë nuk u largua nga Ballkani. Pas dy shekujve të ndërhyrjeve direkte apo indirekte, roli rus në Ballkan përkonte në mbështetjen e qëndrimeve të Beogradit zyrtar. Raportet historike dhe tradicionale ndërmjet rusëve dhe serbëve ende funksionojnë sipas vëllazërisë sllave dhe solidaritetit të ndërsjellë ortodoks. Por, ndikimi direkt rus në raport me Kosovën si një entitet politik, kulmoi me Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 30 maj 1913).

Që nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, ku si rezultat i qëndrimit strikt rus për mos përfshirjen e vilajetit të Kosovës në kufijtë e shtetit të ri shqiptar, Kosova mbeti jashtë Shqipërisë. Derisa në atë kohë Mbretëria Ruse preferonte – në përputhje me interesat nacionale ruse për përfshirjen e të gjitha hapësirave të banuara me rusë nën pushtetin e Moskës – parimin e përcaktimit të kufijve në baza etnike, një gjë të tillë ajo e mohonte për Shqipërinë, e cila synonte të krijohej si shtet nacional duke përfshirë territoret shqiptare të ndara tashmë në katër vilajetet osmane.

Pra, parimin „Shqipëria për shqiptarët“ i prezantuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nga ambasadori austro-hungarez Graf Albert Mensdorff-Pouilly (i cili ishte daja i ambasadorit të ndjerë austriak Albert Rohan) refuzohej nga ambasadori rus në Londër Alexander Konstantin Ludëig von Benckendorff, i cili ishte kushëri me të, sikurse me atë gjerman Karl Max von Lichnoësky. Pra, tre kushërinj (të cilët si rezultat i martesave të përziera ndërmjet familjeve aristokrate evropiane) përfaqësonin tri shtete të ndryshme dhe rrjedhimisht tri qëndrime të ndryshme shtetërore. Gati njëqind vjet më vonë Albert Rohan do të vazhdojë rrugën e dajës së tij, duke luajtur një rol kyç në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në parim, njëra nga pikat kyçe në Konferencën e Londrës, ku Moska synonte në çdo mënyrë të arrihej ishte t’ia siguronte Serbisë daljen në Detin Adriatik, por si rezultat i qëndrimit të fortë të Austro-Hungarisë dhe Italisë, ajo nuk do të ketë sukses. Përcaktimi i kufijve të shtetit shqiptar, i shpallur më 28 nëntor 1912, përkatësisht përfshija e qyteteve të Kosovës nën Shqipërinë, ishte padyshim çështja tjetër ku diplomacia kryesore evropiane e asaj kohe po e shqyrtonte. Sipas historianit austriak, Hugo Hantsch, delegacioni austro-hungarez ishte delegacioni më i përgatitur në Londër, pjesë të së cilit ishin edhe diplomatët austro-hungarez (Theodor Ippen dhe Ëladimir Freiherr Giesl von Gieslingen), të cilit kishin shërbyer si diplomatë nëpër qytetet kryesore shqiptare.

Për ambasadorin francez në Londër, Paul Cambon, shteti i krijuar shqiptar nuk ishte asgjë më shumë se sa një „ndërmarrje austriake“. Bazuar në publikimet e telegrameve të diplomatëve austro-hungarezë të vendosur në Londër, Beograd, Moskë, Shkup, Prizren dhe Berlin, shihet qartë insistimi i tyre për bashkangjitjen e qyteteve shqiptare (Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Dibrës) Shqipërisë, ngaqë sipas gjykimit të Vjenës vetëm në këtë mënyrë mund të krijohej një Shqipëri e aftë për të penguar ekspansionin territorial serb dhe sllav në Ballkan. I përballur me rezistencën austro-hungareze, ministri i Jashtëm rus Sergej Sazonov ia bënte me dije në një telegram kryeministrit serb, Nikola Pashiç, se nëse Serbia nuk heq dorë nga qytetet shqiptare, atëherë „Austria do t’ju sulmojë dhe ne [rusët] nuk duam të hyjmë në një luftë për Gjakovën”.

E përgjigja me kunja e Pashiçit ndaj Sazonovit ishte, se “këtu nuk është në pyetje Gjakova, Dibra dhe Shkodra, por pyetja është: A është Rusia me miqtë e saj më e fortë apo më e dobët se Austria me aleatët e saj? E gjithë bota sllave dhe të gjithë të tjerët do ta konsiderojnë Rusinë të mundur përmes politikës dhe kërcënimeve të Austrisë”.

Sazonov në librin e tij “Gjashtë vite të rënda” (i botuar më 1927), pra për gjashtë vitet sa ishte ministër i Jashtëm (1910-1916), hedh dritë për idenë e tij në krijimin e Aleancës Ballkanike ndërmjet shteteve sllave (Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi) dhe Greqisë, që më vonë shpiu në fillimin e luftërave ballkanike. Krijimi i Federatës Ballkanike si një faktor i ri politik dhe ushtarak në Ballkan ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për monarkinë dualiste austro-hungareze. Aleanca Ballkanike ishte edhe një kërcënim direkt për tokat shqiptare nën pushtimin osman, pasi që ato do të ndaheshin ndërmjet shteteve të Aleancës dhe pjesa e atëhershme e Vilajetit të Kosovës me qendër Shkupin, do t’i kalonin Serbisë, gjë që edhe do të ndodhte.

Vendimet e Konferencës Ambasadore të Londrës të Fuqive të Mëdha nga dhjetori 1912 deri në gusht 1913 ishin padyshim fatale për Kosovën në shekullin XX. Përfundimisht, Vjena dhe Moska vendosën për të ardhmen e fatit të Kosovës. Përderisa, diplomacia e Ballhausplatz-it realizoi dy prioritetet e saj kryesore: a) që Serbia mos të ketë dalje në Detin Adriatik dhe b) rikonfirmimin e shtetit të sapo shpallur shqiptar, ajo tregoi gatishmëri për kompromis mbi Kosovën pas një rezistence të gjatë dhe të vendosur nga ana e Moskës. Kjo e fundit në të shumtën e rasteve mbështetej edhe nga diplomacia franceze, e cila nuk e shihte me sy të mirë forcimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Evropën Juglindore.

Shtypi i Shën Petersburg dhe qarqet nacionaliste ruse kishin filluar tashmë ta ngriste zërin edhe kundër perandorit rus Nikolaus II., i cili sipas tyre vazhdimisht po bënte koncesione në negociatat e Londrës në drejtim të Vjenës. Në disa telegrame diplomatike të asaj kohe, thuhet se cari rus Nikolla II ishte i mërzitur me Vjenën dhe se politika e tij “pajtuese nuk po gjenë mirëkuptim” në Vjenë. Nga rrethi i perandorit rus mbizotëronte mendimi se Rusia deri tani kishte treguar pajtueshmëri për të gjitha çështjet me rëndësi jetike për Vjenën dhe ai kishte frikë nga trazirat e mundshme të kundërshtarëve të tij. Dhe një rrëzim i mundshëm i një perandori të një shteti të fuqishëm, siç ishte Perandoria Ruse, do të kishte efekt edhe në shtetet e tjera të drejtuara nga perandorë apo mbretër.

Edhe Gjermania që mbështeste pozicionet austro-hungareze filloi të kërkonte nga Vjena më shumë fleksibilitet. Kështu që, në Konferencën e Londrës filloi të krijohej një mirëkuptim për atmosferën jo të favorshme që gjendej Nikolaus II dhe rrjedhimisht, nuk duhej lejuar që atij t’i “humbet fytyra” apo të duket i dobët në konferencë. E objektivi primar rus – tashmë dihej – ishte forcimi i Serbisë dhe zgjerimi i saj territorial, i njëjti qëllim sikurse që kishte mbajtur Rusia në Kongresin e Berlinit në qershor të 1878.

Kështu që përfundimisht, vendimi i Vjenës për të mos bërë koncesione për daljen serbe në Adriatik dhe për çështjen e Shqipërisë, bëri që ajo të lëshojë pe për pjesët tjera të banuara me shqiptarë, vendim i cili do ta përcaktojë historinë e mëvonshme të Kosovës. Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, në librin e tij “Kosova - histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” shkruan me të drejtë se “kufiri i sotëm midis Shqipërisë dhe Kosovës është në thelb një rezultat i diplomacisë ruse”. Nëse diplomacia austro-hungareze (me mbështetjen e Italisë dhe të Gjermanisë) do të kishte qëndruar e vendosur në integrimin e Kosovës në territorin shqiptar, historia e ardhshme e Kosovës do të ishte definitivisht ndryshe.

17 qershor 2021
09:53

Faruk Ajeti