Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Tradhti me letra” (2016) dhe “Vulë” (2019) nga regjisori Valmir Tertini

Prologu

Regjisori Valmir Tertini ka sjell tema nga realiteti i Kosovës përmes dy filmave të realizuar nën logon e regjisë së tij, tema të cilat janë përjetuar, e ku përmes filmave të tij, i ka jetësuar këto realitete.

Filmat e regjisorit të ri, Valmir Tertini, vijnë si një klithmë e madhe për realitetin e jetuar të Kosovës, pasi shqiptarët e Dardanisë (Kosovës së sotme), i kanë ndërtuar në shekuj marrëdhëniet e tyre familjare dhe ato shoqërore, në bazë të rregullave të etnopsikologjisë tradicionale shqiptare.

Trajtimi i dy temave të forta për psikën e shqiptarit dalin përtej normave të caktuara nga vetë ata. Ngjarjet e dy filmave të regjisorit Tertini, konkretisht, filmi: “Tradhti me letra” dhe filmi: “Vulë” zhvillohen në dy shtete ‘mike’ me njëra-tjetrën, në Kosovë dhe në Gjermani.

Në ndodhurit mes dy shteteve, ku shpeshherë ndodh edhe përplasja mes tyre, e kjo përplasje vjen si pasojë e vijës Lindje-Perëndim, e zhvillimeve në kuadër të njerës dhe e mungesave në drejtim të tjerës, ku Kosova dihet se ka fare pak kohë e dalë nga një ngjarje e vërtetë luftë dhe tmerri, e ku Gjermania pjesë e supërfuqive të mëdha botërore, ose më mirë të themi ‘motori ekonomik’ botëror, ku Kosova jo rradhë herë ka gjetur strehë. Në këtë kontekst të vijës Lindje-Perëndim zhvillohen edhe ngjarjet e dy filmave.

Filmi “Tradhti me letra” hapet me një skenë erotike mes Annes dhe Azemit, ku mbizotëron ngjyra e zezë, si për të thënë se ky film është një kontrast i jetës së të rinjve të Kosovës.

Filmi “Tradhti me letra” rrëfen historinë e martesave për letrakurse filmi “Vulë” rrëfen për papërgjegjshmërinë tonë si individë në raport me vizat. Temat e këtyre dy fimave janë të lidhura ngushtësisht siç edhe e cekëm më sipër, me ballkanin Perëndimor, ku me shumë gjasa është i lënë në harresë, jo pa dashje, nga Evropa. E në vazhdën e këtij mendimi, natyrshëm të vinë në mendje, vargjet e At Gjergj Fishtës, ku për rastin në fjalë janë aq kuptimplotë:

“Uh! Evropë, moj kurvë e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?”…

Regjisori Valmir Tertini ka guximin për t’iu qasur fuqishëm të dy këtyre temave, të cilat kanë peshë të lartë emocionale dhe brenda vetes janë plagë të hapura për shoqërinë kosovare, ku përjetimi njerëzor është aq i madh, saqë vetëm forca e artit mund ta përçojë mesazhin e tyre deri në fund.

Studiuesi Jurij Llotmani shprehej se “forca e artit qëndron tjetërkund: ajo na mundëson zgjedhjen atje ku jeta na e privon atë. Dhe, prandaj bëjmë zgjedhjen në sferën e artit, duke e shpërngulur atë nga jeta… Në lidhje me artin dhe interpretimin e tij futen edhe gjashtë tipat e të tij që janë: ripordhimi i realitetit, krijimi i formave, shprehja e përvojave estetike, kënaqësia, emocioni dhe shock-u”[1]

Të dy filmat kalojnë së bashku numrin treshifror për nga pjesëmarrja në festival, si filmi “Tradhti me letra”, i cili numëron 11 çmime, poashtu dhe filmi “Vulë” deri tani numëron 11 të tilla.

Si skenarist dhe si regjisor, vërehet qasja, këndvështrimi dhe pikëshikimi i regjisorit Valmir Tertini gjatë kombinacioneve tek të dy filmat në fjalë.

Hyrjet tërheqëse

Të dy filmat fillojnë me skena të nxehta, çka do të thotë se në çdo skenë që shohim, karakteret e personazheve zbërthehen gjithnjë e më shumë. Ndjehet dukshëm kur kemi kënaqësinë dhe mospërmbushjen e partnerit në një mizanskenë, e ku drita reflektonte dukshëm nga ambientet e jashtme. Ngjarshmëria në të dy filmat është se gratë e shfaqura në skenat erotike janë që të dyja shtetase gjermane. Pas atyre skenave të nxehta, ka shumë identitete të fshehura, burri që tradhëton hapur gruan e tij me një tjetër, kinse për marrjen e letrave gjermane, braktisjen e familjes dhe vazjës së tij, që e kujtonte të atin e saj përmes lojërave dhe fjalëve që i thoshte të emës në Kosovë, apo tradhëti ndaj vetës dhe vendit, vetëm e vetëm për të fituar vizë.

Filozofi i lashtë grek, Aristoteti, duke shpjeguar specifikën e imitimit në raport me historinë thoshte se historiani përshkruan fakte të ndodhura realisht, kurse poeti fakte që mund të ndodhin ose të përngjashme me të vërtetën. Mes problemeve qëndrore të këtij reflektimi, zë vend edhe ai i katharsis-it, pastrimit më anë të mëshirës dhe frikës, që mbetet një problem shumë i diskutuar. Sipas Aristotelit, vepra e artit, kur është më të vërtetë e tillë, ngjall emocione si mëshira e terrori, apo jehona të fuqishme morale.

Duke u mbështetur pikërisht në këtë postutat të përmbledhur, themi se regjisori Tertini në realizmin e këtyre dy filmave e ka vënë veten e tij në pozicionin tridimensional: fillimisht si regjisor, si njohës i realitetit duke nga e rrëfyer atë, si një historian, pasi e merr ngjarjen nga zanafilla dhe deri e çon deri në pikën kulmore, dhe në fund të filmit ia ka arritur qëllimit që çdo shikues të kalojë fazën e katharsist-it, pastrimit shpirtëror, dikush përmes parimeve morale, dikush përmes frikës, apo dikush tjetër përmes emocioneve të forta shpirtërore.

Kulminacioni

Filmi “Tradhi me letra” shfaq kthesën dramatike në ambientet e aeroportit, ku Merita- aktorja Albulena Kryeziu, përballet me burrin e saj të ligjshëm dhe me gruan e tij për letra. Burri i Meritës i kishte thënë se gruaja e tij për letra ishte e shëndoshë dhe e shëmtuar, ndërkohë në aeroport ajo përballët me të vërtetën e madhe, ku gruaja e burrit të saj për letra jo vetëm ishte shumë e bukur dhe tërheqëse, por mbi të gjitha ishte edhe më e re se vetë Merita. Merita si personazh ndërlidhës dhe një ndër personazhet kyçe në këtë film, kupton me këtë rast gjithçka dhe çdo gjë, ku dhe kalon një frizë të fuqishme emocionale.

Rrallëherë vërejmë në filma dy ndjesi të gërshetuara në një, mirëpo regjisori Tertinizs na shfaq këtë në filmin “Tradhti me letra”, duke na bërë të ndjejmë fuqishëm karakterin e Meritës dhe të bëhemi pjesë e saj në momente të caktuara.

Në filmin “Tradhti me letra” mbizotëron kriza e vlerave morale dhe intelektuale, e përfytyrimeve refleksive emocionale, ku intonimi dhe ngjyrimi i këtyre reflekseve emocionale dhe intelektuale janë në thelb të zhvillimit të ngjarjeve që zhvillohen brenda skenave të këtij filmi.

Kulminacioni në fiimin “Vulë” shfaqet në disa forma, mirëpo arroganca e personazhit kryesor na bën ta tejkalojmë këtë, sikur ska ndodh asgjë, madje dhe mëdyshjet si audiencë janë të njëjta, duke ndodhur shumë veprime, por sikur rrëshqasin, sikur jemi mësuar nga problemet e përditshme, sikur çdo gjë është e perceptueshme dhe normale, sikur jemi të zhgënjyer dhe nga vetja po ashtu dhe nga ndërkombëtarët, e shumë e shumë sikur dhe pikëpyetje të tjera që mbesin të pa zgjidhura jo vetëm në këtë film, por edhe në jetën reale. Por në fund të fundit duhet ta pranojmë faktin se vepra e artit si për artistin edhe për atë që përfiton prej saj ka veti çliruese.

Filmi “Vulë” është ballafaqimi i dy shoqërive dhe në të njëjtën kohë i dy përplasjeve të qytetërimeve të tyre, ku spikat një shoqëri e dalë nga kriza e luftës, e ku gjetja e forcës për të ndërtuar identitetin kulturor që i përfaqësonte, ishte më e lartë sesa vetë përfitimi i një vize të huaj.

Por VULA e VULES është prapë aeroporti, takimi pa dialog, ku shikimi i Kushtrimit me Viktorian të lë të kuptosh për një fund të hapur që vazhdimin ta mendojë vetë publiku dhe këtu mbyllet edhe filmi.

Qasja

Filmi “Tradhti me letra” çdo skenë e nisë dhe e mbyll pa shkëputje(oneshoot). Lëvizjet vijnë natyrshëm nga gjestikulacionet aktoriale dhe veprimet e tyre në ambientet e caktuara; kur nuk ka dialog- ka lëvizje, kur personazhi nuk lëviz-lëviz kamera, si në rastet:

-Azemi dhe Ana së bashku në krevat;

– Ana i kërkon Azemit që do t’ia takojë familjen, Azemi lë bukën dhe ngrihet nga tavolinë;

-Lidhja e Anes me Azemin, ku lidhja e tyre ndjehej se ishte përtej letrave, ai e ndjek Anën edhe në dush;

-Skena kur Azemi shkarkon arka në Gjermani;

-Skena kur shfaqet Merita me vajzën dhe vajza që përkund një kukull në një djep të vogël;

-Skena e Anes me Azemin duke ngrënë, dhe biseda e tyre;

-Skena e Meritës me vajzën e shtrirë, etj.

Mizanskena

Stina e preferuar e Tertinit në xhirime duket qartasi se është vjeshta, ndoshta për shkak të ngjyrave. Mizanskena në këto dy filma është e errët dhe kjo zymtësi i përqafon dhe aktorët, ku secili ka hallet e tij.

Tek filmi “Vulë” kemi një ndërlidhje të jashtëzakonshme, ku Tina (Fatlume Bunjaku) ia dhuron Viktories (Jorida Sorra) një unazë në formë Bufi (Huti). Në skenën tjetër shpërfaqet dhe skulptura e tij në zyrën e kësaj të fundit. Tek filmi “Tradhti me letra” shohim djepin, peshqirin e vendosur në kuzhinë, ushqimin (fasulen) sobën me dru, etj.

Fundi

Nëse në fillim shohim epsh, në fund do qajmë. Mbyllja e filmit “Tradhti me letra” është e hidhur, lotët tek pragu i derës, ndërsa te filmi “Vulë” të shpërfaqet ndjesia e turbullt, siç është edhe vetë historia e këtij filmi, në ajër.


[1] Çapaliku, Stefan, Estetika Moderne, Shtëpia Botuese “Ombra GVG”, Tiranë, 2004, f. 27.

Author

  • Rovena Vata

    Dr. Rovena Vata njihet si gazetare, koordinatore, pedagoge, publiciste, studiuese dhe albanologe. Dr. Rovena është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 2008. Më pas ajo përfundon po në këtë fakultet studimet e saj “Master i Shkencave” në specialitetin: “Letërsi të Përgjithshme dhe Letërsi të Krahasuar” ku i përfundon ato me “Medalje të Artë”, në vitin 2010.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.