Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pandemia dhe pandehmat e teorisë realiste II

Ilustrimi: Big Eye

Realizmi dhe realiteti ndërkombëtar: shteti si aktor i pakontestueshëm

Për shumë kohë u konsiderua se relevanca e shtetit në sistemin ndërkombëtar është duke u venitur, ku si pasojë kishte edhe zbehjen e peshës së tij si aktori krucial në arenën ndërkombëtare. Besohej se aktorë tjerë si: organizatat ndërkombëtare ndërqeveritare dhe ato joqeveritare, tregjet globale, korporatat multinacionale etj., do të arrinin të zëvendësonin shtetin në shumë aspekte, duke e dobësuar dukshëm sovranitetin e tij. Mirëpo, jo rrallëherë, ngjarje të ndryshme dëshmuan se shteti është dhe mbetet aktori më i rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar. Ai është institucioni i vetëm të cilit njerëzit i kërkojnë mbështetje dhe zgjidhje kur përballën me situata të vështira. Pra, në secilin rast kur njerëzit ballafaqohen me sulme nga ndonjë organizatë terroriste, grup kriminal apo u cenohet jeta nga ndonjë katastrofë eventuale natyrore (zjarre, tërmete, cunami, vërshime etj.), instinkti i parë është që t’i drejtohen shtetit për ndihmë, siguri e mbështetje dhe jo ndonjë organizate ndërkombëtare apo korporate multinacionale si: Mjekët pa Kufij, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Coca Cola-s apo Microsoft-it. Kur virusi Covid-19 filloi të marrë përmasa globale, reagimi i parë e shteteve ishte mbyllja e kufijve, vendosja e ndalesave për udhëtim, zbatimi i kontrolleve në eksportin e mallrave dhe injorimi i rolit dhe i rëndësisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera multilaterale. Ndërsa njerëzit të hutuar se çfarë po ndodhte, pasi u udhëzuan dhe u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre, iu drejtuan shtetit dhe agjencive të tij për sqarim dhe informata shtesë sesi të silleshin në këtë situatë të re e bizare globale dhe, çfarë është më e rëndësishmja, kërkuan nga shteti siguri dhe qartësi.

Duke e konsideruar shtetin si aktorin primar në politikën ndërkombëtare, teoria realiste nuk i vlerëson institucionet ndërkombëtare si relevante dhe si faktorë (aktorë jo se jo) që mund të ndikojnë në sistemin ndërkombëtar. Sipas neo-realizmit, si nënkategori e teorisë realiste, institucionet ndërkombëtare janë dhe çdo herë do të mbesin fundamentalisht joefektive, duke qenë se ato nuk mund t’i parandalojnë shtetet që të jenë të fokusuara vetëm në interesin e vet dhe t’i pengojnë ato të angazhohen në politikën e fuqisë ndërmjet vete. Sipas John Mearsheimer, një ndër autorët më të shquar të qasjes neorealiste, institucionet ndërkombëtare kanë fuqi vetëm margjinale, si të tilla i krijojnë hapësirë enorme raportit të fuqisë ndërmjet shteteve.

Pasi virusi goditi Italinë me të gjithë fuqinë e vet të pamëshirshme, duke shkaktuar me mijëra të infektuar dhe të vdekur në baza ditore, Qeverisë Italiane iu desh që e vetme të përballej me këtë krizë të shëndetit publik. Duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Qeveria Italiane kërkoi që të aktivizohej mekanizmi i mbrojtjes civile për furnizim me pajisje mjekësore. Por, në atë kohë, asnjë nga shtetet anëtare nuk iu përgjigj thirrjes. Italia mori përgjigje vetëm nga Kina në baza bilaterale. Ambasadori italian në BE, Maurizio Massari, vlerësoi se kjo nuk ishte shenjë e mirë e “solidaritetit Evropian”, kurse Kryeministri i këtij vendi, Guiseppe Conte, deklaroi se Bashkimi Evropian është vërtet në rrezik të dështimit si projekt në përballje me krizën e virusit Covid-19.

Përgjigja e vakët e BE-së ndaj krizës së pandemisë e dobësoi reputacionin e saj edhe tek vetë qytetarët e shteteve anëtare. U vlerësua se kjo organizatë ndërkombëtare nuk bëri mjaftueshëm për t’i mbështetur shtetet anëtare, sidomos gjatë fazës fillestare të krizës. Sipas një studimi të realizuar në maj të vitit 2020 nga Redfield & Wilton Strategies, italianët kishin kritikat më të ashpra ndaj BE-së, ku 61% të tyre konstatuan se pandemia ka dobësuar reputacionin e organizatës, krahasuar me 40% të qytetarëve gjerman dhe 47% të atyre francez. Shumica dërrmuese e respondentëve nga të tri vendet deklaruan se roli i BE-së në muajt e parë të pandemisë ishte i zbehtë, andaj secili nga shtetet anëtare reaguan në mënyrë të pavarur. Kurse, dy të tretat e të anketuarve vlerësuan se kufijtë shtetërorë të vendeve anëtare janë jetikë për sigurinë e vendit.

Parimi i vetëndihmës është një tjetër element i rëndësishëm i teorisë realiste. Duke u gjendur në një ambient anarkik dhe në mungesë të një autoriteti qendror në sistemin ndërkombëtar, shtetet janë të fokusuara në fuqitë dhe kapacitetet e veta për gjetjen e zgjidhjeve për sfidat dhe krizat me të cilat përballën. Kjo qasje e funksionimit që mbështetet në postulatin “ne të parët”, u shpërfaq mirëfilli gjatë pandemisë. Ndalesat e udhëtimit apo të hyrjes në shtete të caktuara, mbyllja e kufijve, proteksionizmi farmaceutik apo edhe konkurrenca për pajisje shëndetësore – siç janë maskat apo respiratorët – ishin sjellje predominante e shteteve. Më 31 janar 2020 Presidenti Trump mori vendim që t’u ndalojë hyrjen në ShBA të gjithë qytetarëve të huaj që së fundi kishin udhëtuar në Kinë. Në mars, kur përhapja e virusit filloi të marrë përmasa globale, Presidenti Trump vendosi të suspendojë fluturimet ajrore nga Evropa për në ShBA. Ky vendim i zuri në befasi vendet evropiane që janë edhe aleate të ShBA-së, sepse u mor pa konsultim paraprak me ta. Në të njëjtin muaj edhe shtete si Brazili, India, Izraeli dhe Rusia vendosen që të mbyllnin kufijtë e tyre. Edhe në BE, si organizata e vetme supranacionale në botë, dolën në pah elemente të veçanta të shteteve anëtare që, duke u bazuar në parimin e vetëndihmës, injoruan dhe shkelen vlerat bazë të funksionimit të kësaj organizate, siç janë “katër liritë e lëvizjes” së  njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Shtetet anëtare vepruan kështu sepse ishte në interesin e tyre, duke konfirmuar në këtë mënyrë një ndër elementet kryesore të teorisë realiste.

Mungesa e bashkëpunimit në nivel të organizmave multilateral ishte karakteristikë tjetër që u shpërfaq në politikën ndërkombëtare. Një gjë e tillë ishte shumë evidente sidomos gjatë muajve të parë të pandemisë. Kryesisht bashkëpunimi, në intensitet fare të limituar, u zhvillua vetëm në nivel bilateral. Organizatat dhe institucionet kryesore multilaterale ndërkombëtare u treguan të ngathëta që të organizohen dhe të harmonizojnë interesat me qëllim të prodhimit të zgjidhjeve optimale për anëtarët e tyre dhe jo vetëm. Liderët e G7, që përfaqësojnë shtatë vendet demokratike me ekonomitë më të zhvilluara në nivel global, nuk arritën të takohen deri në fillim të muajt mars. Edhe kur u takuan nuk është se arritën ndonjë rezultat konkret. Në anën tjetër, liderët e G20, ku marrin pjesë njëzet shtetet më të zhvilluara ekonomikisht dhe shtetet në zhvillim, arritën që për herë të parë të takoheshin në fund të muajt mars, gati tre muaj nga shfaqja zyrtare e virusit Covid-19 në Kinë. Por, edhe në këtë takim nuk është se u morën vendime dhe u ndërmorën veprime të shpejta e konkrete në përballje me pandeminë. Në anën tjetër, Këshilli i Sigurimit, si organi kryesor i Kombeve të Bashkuara, ishte pothuajse inekzistent për një periudhë jo të shkurtër. Kina që në mars mbante presidencën e këtij organi, e bllokoj tërësisht procesin dhe nuk e lejoj as të vinte në konsideratë ndonjë rezolutë eventuale për pandeminë me arsyetimin e paqëndrueshëm se çështjet e shëndetit publik janë jashtë domenit “gjeopolitik” të Këshillit. Ky konstatim ishte krejtësisht irrelevant sepse kjo nuk ishte hera e parë që ky organi i OKB-së merrej me çështje të shëndetit publik. Në 2014 Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 2177 (2014), ku përcaktonte epideminë e Ebola-s në Afrikën Perëndimore si “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. U nevojitën 7 muaj që nga shfaqja për herë të parë e virusit Covid-19 në Kinë dhe 111 ditë që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli atë pandemi globale që Këshilli i Sigurimit, më 1 korrik 2020, të aprovonte Rezolutën 2532 (2020) përmes së cilës “konsideronte se zgjatja e paprecedentë e pandemisë Covid-19 ka të ngjarë të rrezikojë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare”.

Në fakt, nëse vështrohen më vëmendje, sjelljet e shteteve sa i përket mungesës së bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar interpretohen shumë qartë përmes teorisë realiste. Kjo pandehmë teorike supozon se arritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në mënyrë efektive nuk është çështje shumë e thjeshtë, përkundër nevojës dhe domosdoshmërisë që kjo të ndodhë në një botë të ndërvarur. Realistët e pranojnë se bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare është prezent gjatë gjithë kohës. Normat, parimet dhe institucionet natyrisht që u shërbejnë shteteve që të bashkëpunojnë, mirëpo kjo ndodh vetëm kur vlerësohet nga vetë shtetet se ky bashkëpunim është në interesin e tyre. Teoria realiste gjithashtu paralajmëron se bashkëpunimi ndërkombëtar shumë shpesh është tejet fragjil. Kjo, sipas tyre, ndodh për dy arsye kryesore: e para, shtetet druajnë se vendet tjera nuk do të respektojnë dhe përmbushin zotimet e tyre. E dyta, sepse shtetet besojnë se nga një bashkëpunim eventual pala tjetër do të përfitojë më shumë. E treta, shtetet zakonisht duan që të shmangin bartjen e një pjese joproporcionale të kostove. Kuptohet, kjo nuk nënkupton se shtetet nuk arrijnë dot që të gjejnë rrugë dhe modaliteteve të bashkëpunimit, në mënyrë që të mbështesin njëra tjetrën në gjetjen e zgjidhjeve dhe adresimin e problemeve globale. Por, nuk do mend të kuptohet se kur sjelljet e shteteve mbështeten mbi këto parimet e sipërpërmendura, sidomos në kohë krizash, efektiviteti i tyre për të ofruar zgjidhje kolektive minimizohet dukshëm.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe deklarimi triumfalist nga disa i “fundit të historisë” krijoi përshtypjen se realizmi, si qasje teorike, e ka humbur fuqinë shpjeguese të çështjeve ndërkombëtare dhe si e tillë është shndërruar në një “dinozaur teorik” jorelevant për kohën dhe rrethanat e reja. U besua verbërisht se bota përfundimisht u bë një rrjet i ndërlidhur ngushtë ku ndërvarësia dhe institucionet multinacionale globale si OKB-ja, apo ato regjionale si BE-ja, do të jenë mekanizma të mjaftueshëm për të ofruar zgjidhje për çështje dhe problemet ndërkombëtare, përtej dhe pavarësisht shteteve. Përkundër kësaj, në periudhën e pas Luftës së Ftohtë marrëdhëniet ndërkombëtare u karakterizuan nga luftëra të ndryshme ku shtetet ishin aktorët kryesorë të përfshirë, pa dakordimin e të cilëve zgjidhjet ishin vështirë të arritshme. Për me tepër, rritja e zhvillimit ekonomik të Kinës dhe projektimi i këtij zhvillimi si fuqi politike e diplomatike gjithandej në botë dhe rikthimi gjeopolitik i Rusisë në skenë, ka hapur një epokë të re të garës dhe konkurrencës për pushtet e ndikim në mes të tri shteteve që aktualisht e dominojnë sistemin ndërkombëtar (ShBA, Kinë, Rusi), duke e zhvendosur polaritetin e sistemit nga “momenti unipolar”, të dominuar nga ShBA-ja që nga fundi i Luftës së Ftohtë, në atë multipolar. Kjo, ndër të tjera, nënkupton se edhe fuqia shpjeguese e teorisë realiste ka rifituar rëndësinë e saj domethënëse. Kriza epidemiologjike e shkaktuar nga virusi Covid-19 ka riforcuar dhe rikthyer në vëmendje edhe më shumë pandehmat e rëndësishme të kësaj teorie. Efekti i parë dhe më i rëndësishëm është rikonfirmimi se shtetet janë aktorët kryesor në marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se institucionet e tjera si organizatat ndërkombëtare, korporatat multinacionale etj., nuk kanë rëndësi, por efikasiteti i tyre varet kryekëput nga vullneti i shtetit. Fakti se gjatë fazës së parë të pandemisë bashkëpunimi ndërmjet shteteve – në veçanti në nivel të institucioneve multilaterale – ka qenë pothuajse inekzistent, për t’u konsoliduar dhe intensifikuar më vonë, ka nënvizuar faktin se parimi i vetë-ndihmës është ende postulat udhëheqës për shtetet në sistemin ndërkombëtar.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.