Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Hapet aplikimi: truAktiv zbarkon në Ferizaj

Ilustrimi: Big Eye

Këtë vit “Shkolla e Mendimit Kritik” truAktiv do të udhëtojë online në të gjitha rajonet e Kosovës. Për vitin e katërt të rinjtë e moshave 17 deri në 22 vjeç e kanë mundësinë që të bëhen pjesë e diskutimeve dhe punëtorive katërditore, të cilat e nxisin mendimin kritik rreth politikës, filozofisë, shoqërisë, të drejtave të njeriut, kulturës dhe rolit të secilit/ës për ndryshime në komunitet.

Çka ka me ndodhë më specifikisht n’truAktiv?

Krejt çka duhet me ndodhë në institucione arsimore në Kosovë e që fatkeqësisht nuk ndodh:

– Në ditën e parë prezantohemi, tregojmë kush jemi, shoqërohemi, këqyrim film e diskutojmë rreth tematikës së filmit. Veç na, pa ekspertë.

– Në ditën e dytë bashkë me Adem Behën, Ardian Golën dhe Bardhi Bakijën do ta çmontojmë identitetin, kombin, sekularizmin dhe filozofinë politike.

– Në ditën e tretë do të përballemi me të kaluarën, shëndetin mendor dhe gjininë dhe seksualitetin me Nora Ahmetaj, Mirishahe Syla dhe Natyra Agani.

– Në ditën e katërt bashkë me Visar Arifaj, Aurela Kadriu dhe Adelina Tërshani do të diskutojmë rreth metodave për angazhim qytetar, rolin e satirës në ndryshime shoqërore dhe politike dhe mënyrës se si mundet aktivizmi m’u angazhu përmes artit.

E me kaq kryhet a?

Jo! Pas përfundimit të shkollës të mendimit kritik pjesëmarrësit do të munden të:
– çertifikohen dhe bëjnë punë praktike 3-mujore në Sbunker dhe organizatat e tjera bashkëpunuese.
– marrin pjesë në samitin treditor të truAktiv në Prishtinë.
– marrin pjesë në modulet e strukturuara “Politika dhe Shoqëria”; “Produksioni Multimedial” dhe “Aktivizmi në komunitet”.
– mbështeten nga truAktiv për të implementuar idetë e tyre, të cilat kanë bazë ndryshime në komunitet.
– bëhen pjesë e komunitetit të truAktiv, i cili përbëhet nga ish pjesëmarrës dhe aktivistë të truAktiv.
– bëhen koordinatorë lokalë të truAktiv për të zhvilluar aktivitete në rajonet përkatëse.

Kur ka m’u mbajtë shkolla e mendimit kritik?

Programi zbarkon në Ferizaj në datat 22-25 shtator. Në ditën e parë ia fillojmë në ora 16:00 për me përfundu në ora 18:00. Ndërsa ditët e tjera fillojnë në ora 13:00 dhe përfundojnë në ora 17:30.

A mundem me apliku unë? Nëse po, qysh me apliku?

Nëse je i/e ri/e nga mosha 17 deri në 22 vjeç (nuk e këqyrim për pak) me vendbanim në rajonin e Ferizajit (përfshirë komunën e Lipjanit dhe Shtimes), apliko në vegëzen e bashkangjitur këtu, më së largu deri më 19 shtator në ora 10:00.

Të gjitha pyetjet me * janë të obligueshme dhe duhet të plotësohen. Mos të harrojmë me theksu, për me qenë programi sa më gjithëpërfshirës dhe divers, i inkurajojmë me apliku të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komuniteteve të margjinalizuara dhe komuniteteve etnike pakicë.

A keni me organizu veç në Ferizaj apo shkoni edhe në komuna të tjera?

truAktiv e synon decentralizimin e aktivizmit në Kosovë. Nëse e ki ndonjë shok ose shoqe nga rajonet e tjera të Kosovës mundesh m’i lajmëru se truAktiv deri në nëntor do të shkojë edhe në rajonin e Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicë, Gjakovës dhe Prishtinës.

Diçka për fund?

Rreth aktiviteteve të truAktiv në të kaluarën vizitoni www.truaktiv.net ndërsa biografitë e ligjëruesve i gjeni më poshtë.

—-

Shkolla e Mendimit Kritik është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

—–

Kush janë folësit në truAktiv:

Visar Arifaj

Biografia? Nuk ka nevojë për fjalë. Flasin veprat.

Adem Beha është ligjërues në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.  Ai përfundoi studimet në Shkencë Politike dhe Administratë Publike në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar në master në programin Shoqëria Civile dhe Zhvillim Lokal nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Grazit dhe Universiteti Kombëtar i Irlandës në Galway.  Momentalisht, Beha është në përfundim të studimeve të  doktoratës në shkencën politike në  SEEU.  Interesimet e tij kërkimore përfshijnë: transformimi i konflikteve, siguria njerëzore, shtet-ndërtimi dhe ndërtimi i paqes, të drejtat e pakicave dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Aurela Kadriu është diplomuar në Sociologji nga Universiteti i Prishtinës. Ajo është hulumtuese e cila vazhdimisht është përfshirë në kauza shoqërore që lidhen me çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut. Ka qenë e angazhuar si hulumtuese në Iniciativën Kosovare për Histori Gojore [Oral History Kosovo] një arkivë dixhitale e cila mbledh rrëfime jetësore të njerëzve të ndryshëm në lidhje me etapa të ndryshme të historisë. Përgjatë viteve të fundit, ka punuar si hulumtuese dhe pjesë e ekipit të produksionit të katër ekspozitave të cilat trajtonin tema të historisë bashkëkohore të Kosovës dhe gjinisë: Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 (Prill, 2018); Data:Mars (Gusht, 2018); Përnjëherë e mjegullt dhe e pashmangshme:ëModernitetet 1945-1989 (Nëntor, 2018); Ballafaqimi me të harruarën (Shkurt, 2020). Ka punuar si asistente e regjisë në dokumentarin “Daullet e Rezistencës (2016), i cili flet për sistemin paralel të edukimit në Kosovë përgjatë viteve të ’90-ta. Aktualisht është e angazhuar si hulumtuese në dokumentarin “Çka e vrau arkitektin?” i cili flet për zhvillimin socio-urban të Prishtinës pas vitit 1999 (2019, vazhdon) si dhe në një dokumentar i cili flet për fenomenin e migrimit të personave LGBTIQ+ nga Kosova në vendet e Evropës Perëndimore (2019, vazhdon). Është e angazhuar me orar të plotë si koordinatore e projektit Kultura për Ndryshim, i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.

Adelina Tërshani është aktiviste e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe tani punon në Rrjetin e Grave të Kosovës, në fushën e diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës. Adelina, është bashkautore e dy raporteve mbi diskriminimin në baza gjinore në Kosovë dhe Ballkanin Perendimor. Ajo veç kësaj, përmes shkrimeve dhe performancave artistike, adreson problemet me të cilat përballen gratë dhe vajzat në Kosovë, sidomos ato që jetojnë në zona rurale. Duke qenë pjesë e iniciativës “Republika KSKS”, ajo ka avokuar për futjen e edukatës seksuale si lëndë mësimore në planprogramin shkollorë në Kosovë. Veç kësaj, Adelina përmes ‘slam poezisë’, ironizon me shkaqet dhe pasojat e mos-futjes së kësaj lënde në shkolla, si dhe raportit të grave dhe vajzave me këtë fushë.

Ardian Gola ka doktoruar në Sociologji. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ligjëron temat që lidhen me arsimin, shkencën dhe teknologjinë, epistemologjinë, fenë dhe sekularizmin si dhe postmodernizmin. Ka qenë studiues vizitor në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign gjatë periudhës janar – maj 2010. Ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me temat e tij kërkimore. Është, gjithashtu, autor i artikujve shkencorë të botuar në revista vendore dhe ndërkombëtare. Që nga viti 2008 ai u zgjodh në poste të ndryshme administrative, menaxheriale dhe këshilluese, siç janë: Sekretari i Departamentit dhe më pas Koordinator për Zhvillimin Akademik në Fakultetin Filozofik. Gjatë vitit 2014 ai ishte këshilltar i Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Ai është i angazhuar në sferën publike si kritik social. Angazhimi i tij profesional dhe kritik shtrihet edhe në shoqërinë civile, përkatësisht sektorin e OJQ-ve, gjithashtu. Ai është pjesë e disa bordeve ekzekutive të respektuara të OJQ-ve në Kosovë.

Bardhi Bakija ka studiuar në Bard College Berlin dhe në John Cabot University në Romë. Në dy vitet e fundit ka qenë menaxher projektesh në Jahjaga Foundation. Përkthimet e Bardhit botohen rregullisht në sbunker.net. Bardhi ka interes në studimin e mitologjisë e filozofisë së lashtë greke e romake, historisë së artit të Renesancës dhe Barokut, si dhe letërsisë moderniste të fillimshekullit 20.

Mirishahe Syla është aktiviste feministe dhe studijuese e qështjeve gjinore. Përqëndrimi i saj është në problematizimin e konceptit të gjinisë dhe ekzaminimin e ndikimit që ka në formësimin e normave sociale dhe krijimin e diskurseve në kontekstin lokal në Kosovë. Me interes të veçantë, ajo trajton problemin e Dhunës me Bazë Gjinore duke adresuar faktorët themelorë, përfshirë normat gjinore dhe pranueshmërinë e dhunës. Ajo ka përfunduar studimet master në Studime mbi Gratë dhe Gjinitë. Aktualisht punon si Këshilltare për Qështje Gjinore dhe Menaxhere e Programit për Hulumtime në organizatën SIT, poashtu është anëtare e Grupit për Këshillim në projektin e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë dhe Krijimin e Paqes në rajonin e Ballkanit, si dhe punon me organizata të tjera lokale dhe ndërkombëtare në fuqizimin e rolit të gruas, fuqizimin e të rolit të të rinjve në shoqëri, dhe përmirësimin e shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës në familje, ndër to Fondacioni Jahjaga, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Shtëpia e Sigurt në Gjakovë, Anibar, etj. Prapavija e hulumtimeve të saj përfshinë qështje të epistemologjisë gjinore, rolin e të rinjve në parandalimin e dhunës, integrimin e ndërthurjes në programe ndërkombëtare për parandalimin e dhunës, si dhe qështje të tjera sociale. Fushat me interes për të janë nderthurja (intersectionality) në mendimin dhe veprimin feminist, ekofeminizmi, feminizmi transnacional, si dhe feminizmi rural.

Natyra Agani-Destani është ligjëruese në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë. Ajo ka përfunduar studimet themelore të psikologjisë në UP, ndërkaq studimet e doktorratës në Universitetin e Clemsonit në SHBA. Intereset e saja hulumtuese përfshijnë fenomenin e dhunës në kontekstin e shkollës, ngacmimin në mes të bashkëmoshatarëve, migrimi, intervenimet në komunitet, dhe problemet e shëndetit mendor në mesin e adoleshentëve. Ajo është e martuar dhe nëna e Diellit.

Nora Ahmetaj themeloi Qendrën për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP) në vitin 2010, dhe deri në vitin 2016 shërbeu si drejtore e saj. Gjatë luftës në Kosovë, ajo zhvilloi hetimet për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për Qendrën për të Drejtën Humanitare. Ahmetaj ka specializuar gjatë gjithë karrierës së saj në të drejtat e njeriut, transformimin e paqes dhe konfliktit dhe drejtësinë tranzicionale. Para se të punonte në CRDP, Ahmetaj ishte këshilltare e Komisionit Evropian dhe punoi për një sërë organizatash ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Nga viti 2010 deri në 2012, ajo ishte anëtare e Këshillit Koordinues Rajonal të Koalicioneve për themelimin e Komisionit Rajonal të së Vërtetës (KOMRA). Ajo u trajnua për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Qendrën Carr për Politikat e të Drejtave të Njeriut në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Harvardit, në të cilën ajo mori pjesë në vitet 1999-2000.

Author

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.