Projekti dhe praktika (2) …apo kur e vërteta edhe vret

30 qershor 2020 11:48

Secili nga ne ka raste kur kemi qenë këmbëngulës në të vërtetën tonë edhe kur nuk kemi pasur argumente të mjaftuara rreth saj. Mbase rrallëherë edhe jemi zmbrapsë, ose jemi zmbrapsë vetëm atëherë kur na janë përplasur faktet për fytyre. Mirëpo, jo për çdo të vërtetë që e besojmë ka edhe fakte për të, prandaj, këtu edhe nis e mjegullohet pamja. Po ashtu, jo secili ka aftësinë, kurajon, guximin për t’i kërkuar faktet për atë që beson se është e vërtetë, sikur që ka edhe të atillë që sado fakte që i ofron se e ka gabim, nuk ndrron qëndrim në besimin mbi të vërtetën e tij. Sado që ka fakte të mjaftueshme se Toka nuk është e rrafshët, ka të atillë që e besojnë se ajo është e tillë, ose të qenët të gjithë të barabartë përveç që është e pamundur, një gjë e tillë dërgon edhe në dhunë. Gjithashtu, ka edhe nga ata, për problemet shëndetësore të të cilëve ka dhënë zgjidhje shkenca e mjekësisë, mirëpo ata prapë kërkojnë shërim te ndonjë fallxhor, sikurse të tjerë që besojnë që Neil Armstrong nuk ka shkuar në Hënë, por që thjesht është një mashtrim Hollywood-ian. Ose ka edhe nga ata që një të vërtetë të shekullit XIX e besojnë edhe sot në shekullin XXI, pavarësisht se rrethanat kanë ndryshuar dhe një e vërtetë e tillë nuk ekziston më, është shuar.

- Ankthi i ekzistencës e ka shtyrë njeriun që t’i japë një kuptim asaj që e rrethon. Ka krijuar idhujtari të ndryshme vetëm e vetëm që frikën në mungesë të përgjigjjeve ta zbusë sadopak. Siç e dimë tanimë, pothuajse, të gjitha këto forma të besimit gradualisht vijnë dhe koncentrohen në një botë ku ka vetëm një Zot dhe ku e vërteta e tij është e shpërndarë nëpërmes librave të shenjtë. Këtu zë fill religjioni që për referencë ka një Zot, i cili është autoriteti i vetëm i krijimit të gjithçkaje. Besimtari tani ka një adresë të cilës me shekuj i beson verbërisht. Një Zot që u nxor nga librat e shenjtë sot sundon botën dhe kjo është e vërteta e fundme për besimtarin. Mirëpo, sikur të ishte deri në këtë stad kjo marrëdhënie Zot, fe dhe besimtar, nuk do të përbënte problem. Në fakt, brenda këtij narracioni të mistershëm ekziston nevoja e besimtarit për dominim, sepse, mos të harrojmë që tri religjionet e mëdha monoteiste kanë mision universalizues, që do të thotë, secila nga këto fe të bëhet globale dhe absolute. Pra, duke qenë kështu kemi përplasjet e mëdha në mes tyre përgjatë historisë dhe, po ashtu, duke pas këtë nerv universalizues, këto religjione nuk kanë qëndruar vetëm brenda arealit të tyre religjioz, por janë bërë edhe shprehje, e herëherë edhe alternativë socio-politike. Që rendi social dhe rendi politik të rregullohen me manual religjjioz, edhe sot e kësaj dite besohet dhe luftohet për këtë. Në fakt kjo tendencë e religjionit për të bërë politikë është shumë e hershme, nisë me Shën Palin dhe mbërrin deri në ditët e sotshme. Kur religjioni bën politikë, kur besimtari hedh zarin e kumarit politik në emër të Zotit shpata e drejtësisë hyjnore përshkon trupa të pafajshëm. Me Zotin në ballë, besimtari vendos, sepse është i bindur se ka vetëm një të vërtetë dhe ajo është në anën e tij; ai fillon që sipas ligjeve hyjnore që dalin nga librat e shenjtë ta drejtojë shoqërinë, politikën dhe shtetin, sepse tanimë siç thekson Karl Jaspers-i: “Asnjë lloj mendimi nuk mund t’i afrohet realitetit që e përjeton besimtari në praninë e trupëzuar të Zotit”. Dhe në kuadër të kësaj gjithëpranie, ai që i del përballë kësaj të vërtete është i dënuar nga Zoti nga kjo botë dhe në amshim e pret zjarri hyjnor, e kështu arrihet triumfi i të vërtetës së përbotshme në mendjen e robëruar të besimtarit.

- Lufta më e madhe në politikë është bërë që një të vërtetë kaq të pakuptueshme dhe, si rrjedhim, edhe kaq të papërthekueshme, ta përvetësojnë ideologji të ndryshme. Cila është ajo e vëretë që do ta zëvendësojë të vërtetën hyjnore, që të mos presim të vdesim që t’i gëzohemi parajsës, por atë ta sjellim këtu mes nesh? Kështu, ideologji të ndryshme politike librat e shenjtë religjioz i zëvendësuan me manifeste politike, Zotin me ideologun dhe si rrjedhim besimtari i këtyre ideologjive tanimë nuk e bënte jetën në tokë si përpjekje për të shkuar në parajsë, sepse parajsa ishte premtuar në tokë. Ideologji të ndryshme si fashizmi, nazizmi, nacionalizmi, komunizmi etj., të vërtetat e tyre i proklamonin si të pakundërshtueshme përmes dhunës. Duke qenë njeriu i etur për të zgjidhur enigmën e ekzistencës së tij, intrigohet nga këto forma ideologjike dhe në fund bëhet ushtar i tyre. Derisa në religjion e vërteta është nën flamurin e të përtejmes, tani për këto ideologji e vërteta është nën flamurin e të drejtës historike. Duke kërkuar fundin e historisë, njerëzit përjetojnë fundin e tyre. Njerëzit vrasin njëri-tjetrin duke mbrojtur të vërtetën e tyre. Bota ndahet sikur copëzat e një pasqyreje duke luftuar secili që ta mbrojë të drejtën e vet. Nga këto ideologji janë krijuar shumë ushtarë, e kanë mbetur shumë pak njerëz. Gjithçka peshohet me argumentin e fuqisë, e jo me fuqinë e argumentit. Pra, vetëm brenda idealit të tyre, të vërtetës absolute ky besimtar ideologjish realizohet, jashtë këtij areali, në rastin më të mirë konsiderohet një send që flet. Përderisa, e vërteta historike bart mbi shpinë reliktet e parajsës, ferri do të jetë i garantuar. Gjithashtu, derisa njerëzit do të kenë nevojë për ideologji që të na dërgojnë drejt tokës së premtuar, vdekjet tona do të jenë vetëm numra. Ideologët ofrojnë zgjidhje të shpejta për çështje të ndërlikuara, siç vijnë nga bota socio-politike, pra, ata pretendojnë se problemet që i ka bota i rregullojnë më një kaçavidë, janë fundi i të vërtetave të tyre. Lenini proklamonte të vërtetën marksiste të materializmit dialektik dhe e vërteta e tij qe Stalini, i cili proletarin e shndërroi në një zvarranik. Në emër të krijimit të punëtorit ideal, fashizmi i Musolinit krijoi skulpturën reale të mjerimit njerëzor, ndërsa në emër të krijimit të një race të pastër, Hitleri krijoi laboratorë shfarosës. Të gjitha këto u bënë në emër të të vërtetave absolute dhe premtimit të një ndërtimi të parajsës në tokë, por që, në fakt, lulet që mbinin në atë parajsë lironin aromë njeriu të shkrumbuar.

Në këtë botë ku njerëzit ngarendin sikur kuaj të murrëtyer në grupe-grupe për të zbuluar të vërtetën absolute, të vetmuar gjithëherë kanë qënë skeptikët. Ata janë të vetëpërjashtuarit e shoqërisë. Ata janë ishujt individualë që jetojnë nën mbretërinë e së vërtetës. Si nga religjioni, ashtu edhe nga çfarëdo ideologjie politike, janë specia më e urryer. Ishte Pirroni në antikë ai i ciili i vendosi bazat e një dyshimi radikal. Përderisa të gjithë mund të konstatojmë se mjalta është e ëmbël, Pirroni thotë se tash në këtë moment mjalta më vjen e ëmbël. Pra, janë çastet e caktuara kur diçka na duket e vërtetë, e që në një rast tjetër nuk do të na dukej e tillë. Është thënë vazhdimish se është gjë shumë e lehtë që njeriu të zgjedhë të jetojë me të vërteta të gatshme që na i ofron feja, ideologjia, mirëpo, të jetosh me rëndesën e dyshimit është sizifiane. Të vësh në dyshim Zotin, të mirën e tij, të dyshosh të vërtetën historike, të mirën që sjell ajo, kjo të garanton përbuzje. Edhe në librat e shenjtë dënimi më i madh është i rezervuar jo pë rata që e mohojnë Zotin dhe të vërtetën e tij, por për ata që skepsa e tyre thotë nuk e di. Njëjtë ishte edhe me ata që jetonin, ta zëmë, nën komunizëm. Ata që mohonin këtë sistem ideal, në rastin më të mirë burgoseshin, kurse skeptikët që e vinin në dyshim idealin e pastër të sistemit përjetoheshin si armiqtë e fundamentit të tyre. Pra, skeptiku është ankthi i këtyre ideologjive, hija që i ndjek përherë nga pas. Kur ideologjitë përballen me skeptikun, urrejtja për të është si kanibali që e urren veten kur e shikon në pasqyrë. Prandaj, dyshimi botën e bën më të qetë, sepse njeriun e bën më të butë. Të dyshosh do të thotë të argumentosh, kurse të besosh do të thotë të vrasësh, sepse më nuk je në botën e argumenteve, por në mbretërinë e së vërtetës. Të besosh duhet bindje, kurse të dyshosh duhet guxim. E vërteta na bën diktator, ndërsa dyshimi na bën më njerëz

30 qershor 2020
11:48

Dritan Dragusha