Maska

Moda në kohën e pandemisë

29 qershor 2020 10:38

Një grimcë e covid-19 është sa një e dhjetëmijëta e një milimetri, praktikisht e padukshme, ajo ka ndryshuar mënyrën se si shohim njëri-tjetrin, si shohim qiellin, rrugët dhe mbi të gjitha mënyrën dhe kujdesin ndaj veshjes.

Secili nga ne tashmë ka një marrëdhënie te tjetërsuar të ruajtjes së higjenës në veshjen e tij. Mbi të gjitha një pjesë e shtuar e garderobës sonë është një element i dhuruar nga mjekësia dhe më pas i transformuar sipas nevojës dhe, ku është mundësia, si përgjigje ndaj një kodi të hollë estetik.

Por pëlhura e maskave më shumë se mbrojtje e sigurtë është një mbrojte psikologjike në luftën kundër grimcës së famshme mikroskopike.

Ky aksesor hyri në mënyrë të menjëherëshme në jetët tona vetëm para disa muajsh, kjo për shkak se e panjohura prodhon frikë duke e shndërruar atë në një ankth kolektiv global. Sot maska është bërë pjesë integrale e veshjes së përditëshme. Shumë shpejt ky element u integrua në çdo uniformë pune e shoqeruar me logon apo sloganin e firmës përfaqësuese.

Edhe pse po të analizojmë maskat që qarkullojnë, nuk janë totalisht efikase ndaj mbrojtjes prej virusit, njerezit kanë krijuar një nevojë të gënjeshtërt për ti pasur gjatë ditës së tyre.

Duke parë fotografitë të cilat na dokumentojnë historinë ne mund të vërejmë se si janë përdorur maskat në pandemitë e kaluara. Fotografia e zgjedhur si kopertinë e revistës prestigjioze të modës Vogue në Portugali për muajin prill të këtij viti, e shkrepur në kohën e Covid-19 vjen si një rikthim në kohën e gripit të vitit 1937 , ku dy aktorët po xhironin skenat e puthjes dhe gjatë provave ata ishin te mbrojtur nga këto maska antiseptike, dhe vetëm në momentin që do ndizeshin kamerat do xhirohej pa maskë. Kjo na bën të reflektojmë mbi nevojën që ne si njerëz kemi, për të prekur e për të puthur, pikërisht në këtë kohë që e kemi të pamundur.

Image

Kopertina e revistes Vogue Portugal,prill 2020
Foto nga:Branislav Simoncik

 
Image

Stanley Morner dhe Betty Furness 
Foto nga : Keystone-France

Në mediat online përherë e më shumë shohim fotografi ku paraqiten portrete njerëzish me maska . Maska është kthyer sot edhe në simbol të protestuesve në rrugë pas periudhës së pandemisë.  

Duke ju referuar protestave të fundit në Amerikë kundër racizmit, maska u kthye në një element për të shprehur mesazhe sensibilizuese ashtu si banderolat.

Image

3. “Black lives matter” 2020 nga Darrel Hunnter (instagram modehunter) 4 qershor 2020

Gjatë periudhës së parë të pandemisë jemi perballur me mungesën e maskave. Si pasojë cdo individ, rrobaqepësi, atelie apo shtëpi mode u mundua të krijojë sa më shumë maska për spitalet apo institucione të ndryshme. Vala e parë e frikës kaloi dhe ky ishte momenti ku të gjithë menduan të krijojnë maskat për ti kombinuar ato me veshjet e tyre. Tashmë mund të gjehen në forma të ndryshme, në ngjyra apo mesazhe nga më të larmishmet të shkruara mbi to, duke u kthyer në një mjet për të shprehur veten. Një hapësirë e re për të reflektuar dhe për të krijuar.

Kurrë më parë më shumë se tani barrierat e kulturave të ndryshme nuk kanë qënë kaq globale, maska aksesori i cili nuk dallon as në fe as në prejardhje e as në identitet kulturor, është një indument që mbron cdo qënie njerëzore. Sikurse shkruan edhe filozofi Roland Barthes ne librin e tij Sistemi i Modes, ku jane permbledhur reflektime të studimit të tij 10 vjecar mbi transformimin e veshjes në shoqërinë njerëzore ai dallon “një veshje që flet dhe një që bën të flitet për të, proceset inovatore në fushën e veshjeve, të kostumit, dhe të tendencave nuk e kane origjinën në ambjentet e prodhimit por në ato të konsumit“ sikurse edhe vetë maskat bënë per cdo dizajner, duke u bërë pjesë e një nevoje kolektive të cilën ata tani duhet ta bëjnë të flasë për ne. Nevoja njerëzore për maska e bën proçesin e krijimit të saj ,një proces frymëzues për çdo dizajner.

Ky indument i ri në jetën tonë u shtua për të na veshur e mbuluar por njëkohësisht për të na zbuluar nga cdo përkatesi shoqërore. Të gjithë janë të barabartë përballë të padukshmes.

Në këtë mënyrë maska u bë jo vetëm një aksesor i momentit i cili na ruan nga frika e infektimit por edhe si një mënyrë për të shprehur ndjenjat dhe dëshirat tona, duke i dizenjuar e duke i zgjedhur njësoj sikurse zgjedhim veshjet në përditëshmërinë tonë.

Në këtë moment maska kthehet në një aksesor. Një aksesor i cili mund të përdoret si Pret a Porter apo si Haute Couture kjo në varësi të veshjes së dëshiruar.

Shumë marka veshjesh po mundohen që fuqinë e tyre punëtore ta shfrytëzojnë për prodhimin e maskave, ashtu sikurse shumë dizajner amerikanë kanë prodhuar maska për spitalet e ndryshme në Amerikë , ashtu dhe Giorgio Armani ishte nga të parët që krijojë për spitalet e ndryshme të Italisë si ai Luigi Sacco, San Raffaele, Istituto dei Tumori di Milano , Spallanzani di Roma, gjithashtu dhe në spitalin e Bergamos, të Piacenzes dhe ato në Versilia, në momentin e kulmit të pandemisë për Italinë, duke vënë në dispozicion rrobaqepësit e koleksioneve të tij për një nismë më madhore.

Maska është kthyer në një produkt të kërkuar nga njerezit  online dhe mund të themi që në pak kohë mund dhe të kthehet në aksesorin më të shitur .

Stilistë të ndryshem po mundohen të gjejnë forma dhe materiale sa më inovative për të arritur cilesinë e mbrojtjes dhe njekohësisht dizajnin e vecantë dhe komoditetin e mbajtjes së maskave.

Imask është një maskë e krijuar prej plastikës së riciklueshme dhe ka një pjesë filtri të krijuar nga polipropileni e cila mbron dhe personin që e mban dhe njerëzit rreth tij. Kjo maskë është themeluar në prill të 2020 në mesin e pandemisë. Dizajneri Giovanni Gallo është drejtues i laboratorit digjital Gallo-Lab. Do të revolucionojë prodhimin e maskave mbrojtëse. Ndërsa një tjetër maskë është ajo e krijuar në zonën e Monzes në të cilën  grupi Nissei në bashkëpunim me Negri Bossi, kane krijuar maskat me material TPE I cili është shumë elastic dhe i butë dhe gjithashu 100% I riciklueshëm. Fabrika Negribossi e cila merret prej vitesh me prodhimin e materialeve plastike shfrytëzoi  teknologjinë për të prodhuar këto maska për komunitetin.

Image

Foto e marre nga siti zyrtare i Imask

Markat e njohura po mundohen të personalizojnë brandin e tyre, duke krijuar maska për stafin. Si për shëmbull klubi i baskëtbollit ka nxjerrë markën e tij me logot e ekipeve më në zë të basketbollit.

Disney ka krijuar maska për fëmijë me fotot e personazheve Disney.

Ndërsa dizajnere Candice Cuoko e shikon maskën si një indument provokues i cili duhet të jetë si një aksesor i vertetë e i kuruar, ajo ka përdorur rripat e recipetave në vënd të llastikut për ti bëre sa më provokuese maskat, duke i krahasuar ato me produkte intime.

Image
 
Maskat e krijuara nga Candice Cuoko ne faqen e saje online

apo dhe dizajnere te tjere si Michael Costello i cili ka veshur yjet e pop-it si Beyonce dhe Jennifer Lopez ka krijuar maskat elastike në dizajne të ndryshme.

Artisti Severija Bruzaite  ka veshur një maskë të krijuar nga Donatas Dubauskas duke marrë pjesë në javën e modës ne Vilinus, Lithuani. Kjo maskë na kujton mjekët e periudhës së viteve 1600 të krijuar nga Charles de Lorne, mjek i shekullit të 17-të, praktikat e të cilit u vlerësuan aq shumë sa u punësua si mjeku personal për tre mbretër francezë të njëpasnjëshëm: Henri IV, Louis XIII dhe Louis XIV. Mjekët e shekullit te 17-të  përdornin këte maskë për të vizituar pacientët e tyre. Asokohe ata supozonin që sëmundja përhapej nëpermjet nuhatjes së erës së keqe, kështu në majë të sqepit ato vendosnin bimë të ndryshme aromatizuese që të largonin erën e keqe. Por me kalimin e kohes u kuptua që kjo maskë nuk ishte shumë efikase sepse burimi i sëmundjes nuk merrej nëpërmjet erës por nepërmjet baktereve. Pakujdesia që ato mund të tregonin në momentin që afroheshin me të sëmuret rriste rrezikun ndaj infektimit, si rezultat shume prej tyre humbën edhe jetën.

Image

Artist Severija Bruzaite  ka veshur nje maskë të krijuar nga Donatas Dubauskas

Foto: AFP

Nëse ndalojmë një moment së menduari për kontekstin global, mund të themi qe kjo pandemi është e para e cila në kulturën tonë na fton të reflektojmë mbi mbrojtjen kolektive. Nëse në vende të tjera si Amerika apo Kina pandemitë edhe në vitet e mëparshme kanë vënë në alert njerëzit dhe sistemin mjekësor, ne Ballkan ne po përballemi per here te pare (ne kohen moderne) me ketë ekperiencë kolektive të pazakontë.

Lirika Matoshi një dizainere me origjinë nga Kosova ka dhënë një kontribut të vecantë për emergjencën civile në vëndin e saj të lindjes. Ajo arriti të mbledhë 23,250 dollarë në vetëm 4 orë. Me bazë në NewYork, stafi i ateliesë së saj  krijoi maska per të kryer këtë akt bamirësie për vendin e saj të lindjes.

Image

(lirika.matoshi instagram) 24 prill 2020

Gjithashtu atelie minimal në Tiranë ka krijuar maska të personalizuara për këdo që kishte dëshirë të ndjehej ndryshe në këtë kohë pandemie, duke përdorur artin dhe krijimtarinë si një formë shprese për kohën të cilën po kalojmë.

Image
 

Në foto blogerja Estela Ulkaj, e cila ka vënë një maskë të prodhuar nga atelie minimal.

Tuti atelie e cila ndodhet në Tiranë, gjithashtu në koleksionet e saj shtoi maskën e personalizuar në veshjet e sajë të pambuketa, për të krijuar një look sa më të kuruar.

Keto nisma janë filizat e para të reflektimeve të dizajnereve shqiptarë për të qënë sa më pranë ndryshimeve dhe nevojave që diktoi kriza globale shëndetësore.

 

29 qershor 2020
10:38

Armela Lamaj