Pse zgjati Qeveria Kurti vetëm 50 ditë në pushtet?

31 mars 2020 19:22

Masat e hershme të izolimit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mars i kontribuuan suksesit në ballafaqimin me pandeminë e Covid-19, pasi vendi ka regjistruar më pak se 110 infeskione dhe një vdekje deri më tash. Në të njëjtën kohë, Qeveria filloi të angazhohet në zvogëlimin e pagave për zyrtarët më të lartë qeveritarë dhe në shkarkimin e bordeve të disa ndërmarrjeve publike të cilat në të kaluarën kanë qenë të prekura nga korrupsioni, duke sinjalizuar një qeveri premtuese anti-korrupsion të udhëhequr nga një gjeneratë e re politikanësh.

Por Qeveria u shkarkua vetëm pas 50 ditësh në pushtet në mesin e krizës Covid-19. Udhëheqësia e Lidhjes Demokratke të Kosovës (LDK) publikisht mbështeste inciativën e Presidentit për të shpallur “gjendje të jashtëzakonshme” në lidhje me koronavirusin, në kundërthënie me qëndrimet e Kryeministrit, mirëpo më shumë se polemikat rreth ballafaqimit me pandeminë, ishin rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare politike si dhe vetë të metat e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) që sollën fundin e shpejtë të qeverisë.

Konteksti: Ngritja e LV-së përmes diskursit anti-korrupsion

Skena politike e Kosovës është shumë e fragmentuar. Pesë parti shqipare ndajnë 100 ulëse në Parlament, kurse 20 ulëse tjera garantohen për minoritetet. Që prej pavarësisë (2008), të gjitha kabinetet qeveritare janë krijuar prej katër ose më shumë partive pasi, për shkak të garancive kushtetuese, në secilin kabinet duhet të ketë gjithashtu përfaqësim të minoriteteve serbe dhe joserbe. Të gjitha qeveritë që nga pavarësia - pjesë të cilave nuk ka qenë vetëm LV nga grupet e sotme parlamentare - kanë përfunduar edhe më parë pa shpenzuar mandatin e plotë, duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

Popullariteti i LV-së u rrit në veçanti gjatë viteve të fundit kur filloi të artikulojë diskurs anti-korrupsion, brenda një agjende politike që anonte në krahun e majtë ndërsa ia uli zërin qëndrimeve të saj më nacionaliste, dhe kur rezultatet e përgjithshme të politikave publike shkaktuan lëvizje votuesish dhe koalicionesh shoqërore në drejtim të saj. Partitë tjera, sidomos tri partitë e ngritura nga ish lidershipi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fraksioni i ndarë më vonë prej saj NISMA, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) - u vunë gjithnjë e më shumë në qendër të kritikave për korrupsion dhe kapje të përhapur të shtetit. Brenda më pak se dhjetë vitesh që kur garoi për herë të parë për Parlament, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më së shumti (29) deputetë në tetor 2019 - që ishte një fitore e ngushtë por arritje e saj e shkëlqyeshme - duke premtuar që nuk do të formonte qeveri me partitë e dala nga UÇK.

Tabela 1: Ngritja e VV-së dhe indikatorët e korrupsionit për Kosovën

 

2010

2014

2017

2019

Ulëse të fituara nga Vetëvendosje

14

16

32

29

Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit  (CPI)

28

33

39

36

Shkalla e korrupsionit – Nations in Transit

5.75

6.0

5.75

 /

Në CPI, nota më e keqe është 0, më e mira (pa korrupsion) 100; te Nations in Transit, nota më e keqe është 7, më e mira (pa korrupsion) 0. Burimet: KQZ 2020, Transparency International 2019, Freedom House 2017.

Partitë tjera mbase u frikësuan nga lufta kundër-korrupsion, por kjo nuk e rrëzoi qeverinë

Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, siç ia nisi, me shumë gjasa do ta përmirësonte menaxhimin e financave publike, do ta reduktonte korrupsionin dhe do ta ngriste mobilitetin e të rinjve në politikë. Frika nga lufta e saj kundër korrupsionit me gjasë ka kontribuuar në rezistencën e partive tjera ndaj saj, por vështirë se kjo frikë solli fundin e qeverisë. Në vend të kësaj, një numër arsyesh prapa largimit të paprecedent dhe të hershëm të qeverisë ndërlidhen me bindjet, sjelljet dhe politikat e lidershipit të LV-së.

Përkundër aftësive të shkëlqyeshme retorike të liderit të LV-së Albin Kurti dhe kolegëve të tij të afërt në parti, udhëheqësia e LV është treguar shumë pak fleksibile karshi pikëpamjeve dhe pozicioneve tjera (që ajo nuk ka përqafuar). P.sh. pas zgjedhjeve të para parlamentare të LV (2010), partneri i saj i koalicionit Lëvizja për Bashkim (LB) ishte ndarë nga grupi parlamentar i LV. Njëjtë më 2010, 12 deputetë të LV-së u ndanë nga grupi i saj parlamentar dhe morën udhëheqjen e Partisë Social Demokrate (PSD). Një numër deputetësh tjerë individualë dhe figurash udhëheqëse e patën lënë partinë edhe në të kaluarën duke e kritikuar atë që ata e pasqyronin si qasje kontrolluese të lidershipit të LV. Përveç kësaj, LV ka pasur vështirësi në krijimin dhe mirëmbajtjen edhe të koalicioneve në nivel lokal.

Në përpjekje për ta siguruar mbijetesën e tyre politike dhe në mungesë të përkushtimit të LV drejt një koalicioni të ardhshëm qeverisës më të gjerë të majtë pas ndarjesh të tilla, Lëvizja për Bashkim, Partia Social Demokrate dhe parti tjera të ngjashme të vogla me orientim të majtë hynë në koalicione parazgjedhore me parti tjera, të djathta. Rezultatet e mundshme të politikave të LV nuk duhet as të mbivlerësohen: qeverisja e saj e mëhershme në qytete të mëdha si Prizreni ka dështuar të bëjë reforma thelbësore, liderët e saj kryesorë nuk kanë mbajtur ndonjë detyrë të lartë menaxhuese publike, dhe grupi i saj paralamentar asnjëherë nuk ka inicuar ndonjë ligj socio-ekonomik me rëndësi. Por edhe sikur të kishte performancë të shkëlqyeshme dhe shumë më shumë ekspertizë brenda strukturës së vetë, Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte pasur të vështirë ta shtynte përpara ndonjë zhvendosje të madhe të politikave në një Parlament të dominuar nga partitë e djathta. Programi i saj qeverisës në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës sinjalizoi në përgjithësi më shumë vazhdimësi sesa ndryshim thelbësor në ekonominë politike të dizajnuar nga organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore gjatë periudhës 1999-2008.

Në të vërtetë, Lëvizja Vetëvendosje është parë nga disa hulumtues më shumë si parti populiste (shih p.sh. Yabanci, 2016). Nuk ka qenë pjesë e lëvizjes për pavarësi. LV qe krijuar më 2005 si lëvizje shoqërore nga Albin Kurti, aktivist i dikurshëm studentor dhe ish i burgosur politik lufte. Kurti ka kundërshtuar Marrëveshjen e Parisit që çoi në ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës më 1999 dhe propozimin për status të Emisarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisaari që çoi në shpalljen e pavarësisë më 2008 me mbështetje të fuqive perëndimore. LV përkundrazi artikuloi vetëvendosjen dhe bashkimin me Shqipërinë, si dhe organizoi protesta kundër propozimit të Ahtisaarit dhe kundër negociatave të mëpastajme Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara që nga 2011 nga Bashkimi Europian.

Kosova mbetet ekonomia më e varfër në krahasim me shtetet e rajonit. Megjithatë, Kosova e pavarur dhe investimet perëndimore – përkundër të metave të tyre – kanë përmirësuar indikatorët kryesorë socio-ekonomikë si numri i të punësuarve, GDP-ja kombëtare, GDP-ja për kokë banori, mbulimi i popullatës me mbrojtje nga varfëria dhe të ardhura pensionale, infrastruktura rrugore dhe shkollore, etj., duke tejkaluar ndjeshëm arritjet më të mira të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (1974-1989), të ngritur me reformat kushtetuese Jugosllave më 1974 – një periudhë që përndryshe kishte vendosur themelet e shtetndërtimit në Kosovë (shih p.sh. Mustafa, 2020). Për këto arsye, kanë qenë të shumtë ata që nuk e kanë parë me sy të mirë hezitimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të përqafuar institucionet e Kosovës dhe, kohë pas kohe, edhe përqeshjen e flamurit dhe himnit të saj.

Qartësisht, në vitetet e fundit, u pa që filloi një konvergjencë e Vetëvendosjes me institucionet ekzistuese dhe kontekstin ndërkombëtar që u kuptua si shenjë maturimi në harmoni me përgjegjësinë që po i jepnin votuesit. Kjo përfshinte gatishmërinë e saj të shprehur për të hyrë në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që pritet të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht obligative përpara se të dy vendet të mund të nisin integrimin në BE. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk ofroi një politikë alternative realiste në këto negociata brenda një konteksti multilateral të interesave. Në veçanti ajo dështoi të fitonte ndonjë simpati nga Shtëpia e Bardhë që refuzoi ta takonte kryeministrin Kurti dhe liderët tjerë të LV në takime të nivelit të lartë si gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ndali $40 milionë fonde të Millennium Challenge Corporation (MCC), si dhe disa kongresmenë republikanë filluan të flisnin për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. LDK ka thënë që keqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, mbështetësit të saj kryesor, ka qenë arsyeja kryesore prapa mocionit.

Gjatë seancës në Parlament përpara se të bëhej votimi, Kurti deklaroi që një marrëveshje sekrete për shkëmbim territorial ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilën ai tha se e kundërshtonte, ishte motori prapa mocionit për shkarkimin e qeverisë të tij. Ai tha se me të si KM asnjë marrëveshje e tillë nuk mund të nënshkruhej në “Shtëpinë e Bardhë, Shtëpinë e Gjelbër, apo Shtëpinë e Kuqe…”. Një natë para mocionit, përkundër veprimit të Qeverisë së SHBA-së por në linjë me zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Europian, ministrat e jashtëm të Francës dhe Gjermanisë bënë thirrje që qeveria të mos shkarkohej. Në të kaluarën, fuqitë perëndimore publikisht kishin ndjekur politikë të përbashkët karshi Kosovës për dy dekada më radhë dhe prandaj këto dallime mbase reflektojnë tensionet e BE-së me administratën e Presidentit Trump.

Kurti, në anën tjetër, mund të ketë bërë kalkulimet e tij për pushtet. Me zgjedhjet presidenciale amerikane në vjeshtë (dhe një fitore të mundshme të demokratëve) në horizont, me percepcion pozitiv publik për menaxhimin e tij të krizës së koronavirusit që tregohej edhe nga protestat prej ballkoneve të shtëpive, Kurti mund të ketë provokuar mocionin vetë jo vetëm duke refuzuar bashkëpunimin e afërt me emisarin e Trumpit, por edhe duke shkarkuar pa paralajmërim ministrin e pushtetshëm të brendshëm të LDK-së vetëm pse ai kishte bërë një deklaratë televizive duke u pajtuar me shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme” në lidhje me koronavirusin. Kurti e ka ditur që deri më tash, pas çdo mocioni kundër qeverive, Kosova ka shkuar në zgjedhje të parakohshme – për çka ai tani është duke bërë thirrje. Zgjedhjet e këtilla do të mbaheshin pas pandemisë çka do ta vononte ose do ta bënte çdo marrëveshje me Serbinë praktikisht të pamundshme përpara zgjedhjeve të SHBA-së.

Por Kurti mund të jetë ngatërruar në kalkulimet e tij. Një numër njohësish të kushtetutës besojnë që partitë tjera mund ta marrin tani shansin ta formojnë qeverinë e re e cila do të merrte pjesë në bisedime sado që të vuajë mungesën e legjitimitetit të LV-së.

Përveç kësaj, edhe pse Kurti është shumë i popullarizuar në mesin e votuesve, për shumë të tjerë dështimi i LV-së që të marrë përgjegjësi në negociata në bashkëpunim me SHBA-në, përkrahësin më të madh të Kosovës, është nën pritjet e sjelljeve të një fituesi zgjedhjesh. Nuk mundet që partitë tjera ta marrin gjithnjë barrën e kompromiseve për statusin, ndërsa Kurti dhe LV vetëm përfitimet prej tyre. Gjithashtu, administrata e Trumpit – që me siguri synon një sukses në sferën ndërkombëtare përpara zgjedhjeve të vjeshtës – përkundër skepticizmit të përhapur ndaj saj, krijon edhe mundësi të rralla për arritjen e një marrëveshje për shkak të percepcionit pozitiv ndaj saj në Serbi. Si Trumpi, disa udhëheqës të shteteve të Europës, si Kurzi në Austri, kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të përkrahur çdo marrëveshje me të cilën do të pajtoheshin Kosova dhe Serbia. Kështu, pavarësisht se ku do të çojnë rezultatet e kësaj lufte të brendshme pushteti, ajo asnjëherë nuk do jetë plotësisht e lirë nga interesat e palëve ndërkombëtare.

Argumentet kryesore të këtij bllogu me më shumë kontekst për publikun ndërkombëtar janë publikuar fillimisht në https://eastblog.univie.ac.at

-------

 

Burimet e cituara:

- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (2019) Parliamentary elections results, 2010-2019. http://www.kqz-ks.org/an/zgjedhjet-e-= pergjithshme/
- Transparency International (2019) Corruption Perception Index, 2010-2019. https://www.transparency.org/country/KOS
- Freedom House (2017) Nations in Transit corruption Score, 2010-2017. https://www.refworld.org/docid/58f74fdb3d.html
- Mustafa, A. (2020), Kosovo's social policy during self‐management, UNMIK and independence: Persisting high inequality and social exclusion. Int J Soc Welfare, 29: 96-108.
- Yabanci, B. (2016) Populism and anti-establishment politics in Kosovo: A case study of Lëvizja Vetëvendosje.
- Contemporary Southeastern Europe, 3(2), 17-43.

31 mars 2020
19:22

Artan Mustafa & Tobias Spöri