Sa kushton një set pakosh stimuluese fiskale për krizën ekonomike 2020?

31 mars 2020 15:29

€460 milionë për mbi 633 mijë qytetarë e rreth 48 mijë ndërmarrje

Ndonëse jemi vetëm në fund të muajit të tretë të 2020-ës, tashmë është e qartë që bota është në recesion (i.e. rënie e Bruto Produktit Vendor (BPV) në së paku dy tremujorësh të njëpasnjëshëm). Çështja në pyetje tash është nëse nga recesioni do të kalojmë në depresion (ekonomik). Mes ekonomistëve, nuk ka pajtueshmëri për definimin e depresionit, ndonëse shpesh përdoren indikatorët si rënia vjetore prej më shumë se 10% e BPV-së apo një recesion që zgjatë për dy e më shumë vite. Megjithatë, karakteristikat socio-ekonomike të depresionit janë të qarta: rënie e BPV-së, rritje e çmimeve, shuarje e ndërmarrjeve, rritje e papunësisë, e rritje e varfërisë.

Është ende herët dhe ka shumë të panjohura për ta vlerësuar saktë ndikimin ekonomik të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Një vlerësim i hershëm i Organizatës për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik ishte se efekti i menjëhershëm në vendet e zhvilluara do të jetë rënie e prodhimit prej 20-25%. Sipas saj, për çdo muaj të kontrollit strikt të qarkullimit (që natyrisht se është i domosdoshëm), BPV do të jetë për 2 pikë përqindje më i ulët se që do t’mund të ishte. Nëse kontrolli strikt vazhdon për 3 muaj, BPV-ja pritet të jetë 4-6 pikë përqindje më e ulët se që do t’mund të ishte. Çka do të thotë kjo për Kosovën?

Për 2020-ën, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka parashikuar rritje reale të ekonomisë së Kosovës prej 4%. Supozojmë që kjo do të ishte e vërtetë nëse nuk do të kishte pandemi. Në skenarin më të mirë, ku vetëm 1 muaj do të zgjaste kontrolli i qarkullimit, rritja vjetore reale do t’ishte 2.6% apo rreth €186 milionë. Në rastin më të keq, të një izolimi 6 mujor, do t’kishim tkurrje të ekonomisë prej 8% apo rreth €560 milionë më pak se vitin paraprak. Natyrisht se këto janë llogari të hershme, por mjaftueshëm orientuese për ta kuptuar seriozitetin e krizës dhe për të ndërmarrë masa serioze.

Për t’ju përgjigjur krizës së 2020-ës, propozoj një set pakosh stimuluese fiskale në vlerë prej rreth €460 milionë, nga të cilat do të përfitonin mbi 633 mijë qytetarë e rreth 48 mijë biznese. Ky set është ndërtuar me synim targetimin e pasojave kyçe të depresionit. Natyrisht se mbeten edhe sektorë e kategori tjera që nuk janë përfshirë këtu e që mund të kenë nevojë për ndihmë varësisht nga ecuria e krizës. Megjithatë, ato duhet vlerësuar gjatë rrugës. Ndërsa, konkretisht, 12.5% e këtij seti synon luftimin e varfërisë, 55.6% synon luftimin e papunësisë, 29.5% synon ruajtjen dhe rigjallërimin e ndërmarrjeve, dhe 2.4% synon stimulimin e punëtorëve shëndetësor dhe atyre të rendit e sigurisë publike, që janë në ballë të betejës. Ndonëse kohëzgjatja e pandemisë është e panjohur, këto pako janë synuar si masa afatmesme për një periudhë 3 mujore. Të gjitha llogaritjet janë bërë vetëm në bazë të të dhënave që aktualisht janë publike, e të cilat në disa raste nuk janë më të rejat dhe mund të mos jenë më te detajuarat apo më të saktat.

Për ta financuar këtë set, janë gjetur 10 burime potenciale të të hyrave (4 të brendshme e 6 të jashtme) që kapin vlerën prej mbi €782.5 milionë. Pra, nëse duam ta vlerësojmë fizibilitetin financiar të pakove të propozuara, atëherë e shohim se seti kushton sa 58.8% e potencialit financiar që ka Kosova në këtë kohë krize.  Në vijim janë paraqitur detajet e pakove dhe burimet potenciale për financimin e tyre.

a. Pako për mbrojtje sociale  - €56.7 milionë për mbi 355 mijë qytetarë

Rritja e varfërisë është karakteristikë kyçe e depresioneve. Ata që veçse janë të varfër para depresionit, gjatë depresionit vuajnë më shumë meqë ose ju zvogëlohen të ardhurat ose ju bie fuqia blerëse për shkak të rritjes së çmimeve, ose të dyja këto. Një skenar i tillë do t’kishte ndikim tejet të madh negative në Kosovën kur dihet se, në bazë të të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e fundit të 2019-ës, ishin 355,348 qytetarë që mbrohen nga skemat e ndryshme sociale.

Që të evitohen apo zbuten pasojat e depresionit, duhet një pako për mbrojtje sociale. Një pako e tillë, e cila parasheh rritje të të gjitha skemave sociale për 25-200%, për një periudhë 3 mujore, do të kushtonte rreth €56.7 milionë euro dhe do t’i ndihmonte drejtpërdrejt mbi 355 mijë qytetarë.

Konkretisht, rritja do të ishte si në vijim:

- Rritje 200% për skemën e ndihmës sociale;

- Rritje 50% për pensionet bazike të moshës, pensionet e personave me aftësi të kufizuar, skemën e të verbërve, pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, dhe skemën për fëmijët me aftësi të kufizuara;

- Rritje 25% për pensionet kontributpaguese të moshës, pensionet e Trepçës, pensionet e Forcave të Sigurisë së Kosovës, pensionet e Trupave Mbrojtëve të Kosovës, dhe veteranët;

- €200 për person për personat e moshuar dhe pa përkujdesje familjare, për personat e vendosur në Institutin Special në Shtime, dhe për personat e vendosur në shtëpitë e komunitetit në tërë Kosovën.

Të dhënat për llogaritjen e kësaj shume janë marrur nga publikimi i ASK-së për tregun e punës në tremujorin e fundit të vitit 2019. Në mënyrë që vlera të jetë më e saktë për 2020, në llogarinë përfundimtare është përfshirë edhe një vlerë potenciale e inflacionit prej 3%.

b. Pako për subvencionimin e pagave për punëtorët e sektorit privat - €253 milionë për 248 mijë punëtorë

Detajet e kësaj pakoje veçse janë publikuar më herët. Aty është specifikuar burimi i të dhënave, sektorët, pagat, dhe mundësitë e financimit. Për këtë arsye, nuk po i përsëritim detajet këtu. Si përmbledhje: me supozimin se punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë të paguhen pa ndonjë ndryshim, kjo pako parasheh subvencionim e 75% të pagës mesatare bruto sektoriale për 3 muaj për punëtorët e sektorit privat. Vlera e saj do të ishte rreth €253 milionë dhe do t’i subvenciononte rreth 248 mijë punëtorë të sektorit privat.

c. Pako për stimulimin e punëtorëve shëndetësore dhe atyre të rendit dhe sigurisë publike - €11.1 milionë për rreth 30 . mijë mjekë e policë

Padyshim se në vijën e parë të frontit gjatë pandemisë janë mjekët, infermierët, dhe të gjithë punëtorët tjerë të shëndetësisë. Për zbatimin e masave të rekomanduara nga ta, janë punëtorët e rendit dhe sigurisë publike. Duke qenë se roli i këtyre dy kategorive është thelbësor, ata duhet motivuar për punën.

Në bazë të të dhënave nga ASK, në vitin 2017, Kosova kishte 15,057 të punësuar në sektorët e rendit dhe sigurisë publike dhe 14,324 të punësuar në shëndetësi. Ndërsa, në vitin 2018, në shëndetësi ishin gjithsej 13,180 të punësuar në sektorin publik. Në bazë të trendeve nga e kaluara, dhe duke e lejuar një marzhë gabimi maksimale për ta llogaritur koston më të lartë të mundshme, mund të supozojmë se në 2020, janë rreth 15,200 të punësuar në rend e siguri publike, ndërsa në shëndetësi mund të jenë më së shumti 14,500 të punësuar.

Në mënyrë që të motivohen për punën që po e bëjnë në kohën e pandemisë, këtyre dy kategorive do t’ju ndahej nga €100, përkatësisht €150 për person, për 3 muaj. Pra, nga €100 në muaj për secilin punëtor të rendit dhe sigurisë publike pa dallim, dhe nga €150 euro në muaj për secilin punëtor të shëndetësisë pa dallim, për 3 muaj. E tërë kjo pako do të kushtonte rreth €11.1 milionë.

d. Pako për subvencionimin e shpenzimeve fikse të ndërmarrjeve - €44.8 milionë për rreth 48 mijë ndërmarrje

Në kohë depresioni, ato që pësojnë më së shumti janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndonëse secili rregull ka përjashtim, sa më e vogël ndërmarrja, aq më e rëndë mund të jetë për të kriza. E Kosova rreth 98-99% të ndërmarrjeve i ka mikro me 1-9 të punësuar. Pra, një pjesë e mirë e tyre përbëhen nga të vetëpunësuarit, e pjesa tjetër nga një numër i vogël i punëtorëve. Kapaciteti financiar i shumë prej tyre është i vogël, gjë që i bën tejet të ndjeshme gjatë krizave. Kështu, disa prej tyre i largojnë punëtorët nga puna, e disa të tjera mbyllen. Për ta lehtësuar këtë situatë, duhet një pako stimuluese fiskale për këto ndërmarrje.

Përveç subvencionimit të pagave të punëtorëve të sektorit privat, siç është parashikuar në pakon e përshkruar më lart, nevojitet një pako stimuluese fiskale për shpenzimet tjera fikse sidomos të mikrondërmarrjeve. Në bazë të raportit vjetor të Administratës Tatimore të Kosovës për 2018, numri i biznesve që kanë deklaruar qarkullim më të madh se 0 ka qenë 40,147. Ndërsa, në bazë të të dhënave nga ASK, numri net i ndërmarrjeve të regjistruara në 2019 (i.e. të regjistruara minus të shuara) ishte 8,235. Kështu, bëhen gjithsej 48,382 ndërmarrje, 99% e të cilave i bie të jetë 47,898. Sa mund t’ju duhet këtyre ndërmarrjeve?

Në mënyrë që të llogaritet përafërsisht kërkesa e ndërmarrjeve për para është përdorur shuma e kredive të ndërmarrjeve përgjatë vitit 2019 si mostër përfaqësuese. Në bazë të të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlera e përgjithshme e kredive për ndërmarrjet, në bankat komerciale dhe korporatat tjera depozituese, ishte rreth €895.8 milionë. Duhet pasur parasysh se një pjesë e kësaj shume i takon ndërmarrjeve të mëdha, të cilat nuk janë paraparë që të përfitojnë nga kjo pako. Pra, kërkesa e mikrondërmarrjeve me siguri se është edhe më e vogël se kaq.

Gjithashtu, meqë një pjesë e mirë e shpenzimeve fikse të ndërmarrjeve është paraparë të mbulohet përmes pakos për subvencionomin e pagave të punëtorëve, atëherë hapësira fiskale për të tjerat zvogëlohet. Kështu, në një skenar ku 5% e kërkesës së ndërmarrjeve për kredi në vitin 2019 do të ofrohej si subvencion për 3 muaj, kjo do të kushtonte rreth €44.8 milionë. Përmes saj, do të mund të mbulohej një pjesë e shpenzimeve të mikrondërmarrjeve, si ato për qira dhe obligime komunale, për 3 muaj.

e. Pako për kreditimin e bizneseve - €89.6 milionë për rreth 48 mijë ndërmarrje

Për shkak të izolimit, ndërmarrjeve përgjithësisht ju bie aktiviteti. Kështu, ato kanë më pak qarkullim e më pak fitim. Rrjedhimisht, ju ngushtohen mundësitë e operimit dhe investimit, gjë që ndikon negativisht në prodhim e punësim. Për këtë arsye, përveç kredive që ofrohen në bankat komerciale, duhet krijuar një pako me kushte më të favorshme për likuiditetin e ndërmarrjeve.

Përveç pagave të punëtorëve dhe subvencionimit të shpenzimeve tjera fikse, mikrondërmarrjeve dhe atyre të vogla e të mesme, do t’iu ofrohej një mundësi për marrjen e kredive me 0% interes dhe me grace periudhë për 6 muaj. Shuma maksimale e kredive do t’ishte €10,000. Vlera e përgjithshme e kësaj pakoje do t’ishte rreth €89.6 milionë, që është 10% e kredive të ndërmarrjeve gjatë vitit 2019. Kredidhënia do të zgjaste deri në shtjerrjen e mjeteve dhe kthimi i kredive do të bëhej deri në një periudhë maksimale prej 3 vitesh.

Financimi

Është e qartë se buxheti i Kosovës për vitin 2020 nuk është i mjaftueshëm për t’i mbuluar shpenzimet e planifikuara aty plus këto pako. I tërë seti me 5 pako kushton sa 19.5% e buxhetit të planifikuar. Shprehur në kohë, ky set nënkupton që viti 2020 nuk i ka 12 muaj por rreth 14 muaj e 10 ditë. Gjithashtu, me rënien e aktiviteteve ekonomike, bie edhe kapaciteti i qeverisë për të gjeneruar të hyra nga tatimi. Kështu, ky set mund të duket tejet i shtrenjtë. Por, jo i pamundur.

Ekzistojnë së paku 10 burime përmes së cilave mund të gjenerohen mbi €782.5 milionë. 4 prej tyre janë të brendshme, e 6 janë të jashtme. Këto janë kombinim i mobilizimit të burimeve të brendshme dhe ndihmave e borxheve nga jashtë. Është e qartë se viteve të fundit Kosova e ka rritur borxhin e jashtëm, i cili në vitin 2019 arriti në mbi €1.2 miliard. Por, në një kohë krize dhe emergjence, borxhi i jashtëm nuk duhet të jetë prioritet. Dhe, për më tepër që, hapësira ligjore për të ekzison, meqë mund të shkojë deri në 40% të BPV-së.

Konkretisht, potenciali i Kosovës për të gjeneruar mjete për këto pako mund të bëhet realizohet përmes:

1. Rialokimit të disa projekteve të planifikuara në buxhetin e 2020, gjë që do të krijonte hapësirë fiskale për riorientimin e mjeteve. Nëse vetëm 0.5% e buxhetit të 2020-ës do të mund të rialokohej, nga projektet që nuk janë urgjente drejt këtyre pakove, atëherë do të krijoheshin rreth €11.8 milionë.
2. Fondit të privatizimit, i cili në fund të janarit 2020 ishte mbi €272 milionë.
3. Fondit të kursimeve pensionale që në tremujorin e fundit të 2019-ës kishte €3.3 milionë të painvestuara.
4. Emetimit të letrat me vlerë përmes Bankës Qendrore. Në tremujorin e tretë të 2019 janë gjeneruar rreth €105 milionë. Nëse një vlerë e tillë do të emetohej sërish, kjo do të nënkuptonte €105 milionë në dispozicion për këto pako.
5. Marrjes së kredisë në FMN, e cila, përveç ri-aranzhimit të borxhit aktual, ka 4 programe përmes së cilave do të mund të gjeneroheshin mjete në kohën e krizës, duke përfshirë: Rapid Credit Facility, Rapid Financing Instrument, Stand-By-Arrangements, dhe Catastrophe Containment and Relief Trust. Nga të gjitha këto programe, aktualisht vlera potenciale që do t’mund të gjenerohej është mbi €271 milionë. 
6. Marrjes së kredisë dhe ndihmave nga Banka Botërore, e cila aktualisht ka ndarë një fond prej $14 miliard si përgjigje ndaj krizës së COVID-19. Ajo, është duke planifikuar ta krijojë një fond prej $160 miliard për pasojat socio-ekonomike të virusit. Gjithashtu, për kohë krizash, ajo ka programin Catastrophe Deferred Drawdown (CAT DDO) përmes së cilës mund të merren deri në $250 milionë ose 0.5% të BPV-së (cilado që është më e vogël). Në rast të Kosovës, do të aplikohej 0.5% e BPV-së, e cila do të nënkuptonte një shumë prej mbi €35.5 milionë. Dhe, meqë nuk ka kuotë për fondin $14 miliardësh për menaxhim të krizës, dhe $160 milardësh për pasojat socio-ekonomike, mund të supozojmë se nga to Kosova do të mund të merrte vetëm sa gjysmën e shumës nga CAT DDO, që i bie rreth €17.8 milionë. Pra, gjithsej, potenciali për të marrë mjete nga Banka Botërore është mbi €53.3 milionë. 
7. Marrja e donacioneve nga Komisioni Evropian (KE), i cili veç ka ndarë €50 milionë specifikisht për pasojat ekonomike.
8.Marrje e kredisë dhe donacioneve nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila aktualisht ka ndarë €1 miliard si pako emergjente për t’iu përgjigjur krizës. Ajo nuk ka caktuar kuota për vendet, por nëse vetëm 1/5 e asaj që KE ka ndarë për Kosovën, apo 1% e këtij fondi dedikohet për Kosovën, atëherë ajo do të gjeneronte €10 milionë.
9.Marrja e kredisë dhe donacioneve nga Banka Evropiane për Investime e cila aktualisht ka ndarë €40 miliard për rigjallërimin e ekonomisë, me theks tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndonëse nuk është e specifikuar kuota dhe mundësitë për vendet që nuk janë ende anëtare të BE-së, nëse supozojmë se vetëm 1/10 e donacionit të KE apo 0.01% e këtij fondi do të shkonte për Kosovën, atëherë kjo do të shtonte €5 milionë.
10. Marrja e ndihmave nga Kombet e Bashkuara, të cilat kanë ndarë $2 miliard për t’iu ndihmuar vendeve më të varfra. Meqë nuk ka ndonjë kuotë të caktuar, nëse supozojmë që vetëm 0.06% e këtij fondi do të ndahej për Kosovën, atëherë kjo do të shtonte edhe €1 milion.

Gjithsej këto burime përbëjnë mbi €782.5 milionë, ndërsa kosotja e 5 pakove të shtjelluara më lart (plus 1% asaj shume e shtuar për shpenzime administrative) është më pak se 58.8% e tyre. Pra, ndonëse gjenerimi i mjeteve për t’i financuar ato është sfidë, nuk është sfidë e pamundur.

Përfundim

Ndonëse jemi para shumë të panjohurave dhe pasigurive në lidhje me kohëzgjatjen e pandemisë si pasojë e COVID-19 dhe është vështirë që të llogaritet me saktësi efekti që do ta ketë në ekonomi, shumë vende të botë veçse janë duke u përgatitur për një krizë të thellë ekonomike. Se a do të shndërrohet recesioni në depresion, kjo do të kuptohet shumë shpejt. Por, për t’i paraprirë një situate të tillë, këtu u paraqiten 5 pako në vlerë prej rreth €460 milionë, nga të cilat do të ndihmoheshin drejtpërdrejt mbi 633 mijë qytetarë e rreth 48 mijë ndërmarrje. Përmes tyre, targetohen efektet karakteristike të depresionit si varfëria, papunësia, shuarja e ndërmarrjeve dhe demotivimi i shërbyesve në vijën e parë të frontit. Për financimin e tyre, u paraqitën 10 burime në vlerë të përgjitshme prej mbi €782.5 milionë, të cilat potencialisht mund të përdoren nga Kosova. Mbase kriza do të jetë më e lehtë, por është më mire të përgatitemi e ajo të mos vijë sesa kur të vijë, të na gjejë të papërgatitur.

31 mars 2020
15:29

Edison Jakurti