Biseda muzgu në kohën e Pandemisë

23 mars 2020 09:51

Ilustrimi: BIg Eye

Më në fund u bë e qartë. E gjithë kjo hapësirë është e përbashkët. Është e jona dhe ne jemi përgjegjës për cilin do mjedis qoftë në Kaukaz, qoftë në Grykën e Rugovës apo qoftë në brigjet e Afrikës së Jugut. Paturpësisht mendoj se një gjë e mirë po ndodh. Më në fund unë kam një shqetësim të përbashkët me një Parisien, një Londinez apo një gjuetar të kafshëve në Australi. Kjo argumenton fuqishëm se ajo që është e imja është edhe e një njujorkezi, ajo që është e një njujorkezi është edhe e një iraniani. E kështu me radhë. Pavarësisht se të pasurit përsëri do të ja dalin më mbanë. Më të çliruar dhe mbase edhe më të pasuruar. Besoj fuqishëm tek kokëfortësia njerëzore e bazuar në instinktin e shpërfilljes dhe dobësisë, për të marrë mësime të reja. Të varfërit gjithmonë janë më të ekspozuar sesa të pasurit, ndaj vdekjes. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Bota ofron kushte të tilla. Miku im i njohur për një sens të hollë humori, Antoine Jaccoud, thotë se më në fund bota perëndimore, po e kupton natyrën e saj të brishtë pavarësisht posedimit të parave dhe armëve. Guardian shkruan se sa më shumë që qenia njerëzore do ta shkatërrojë natyrën me apetite të pangopshme për ta pushtuar, aq më shumë do të zgjojnë viruse që flinin në heshtje. Shkrimtari i ironisë së thellë Jaccoud mendon se ne përfundimisht duhet të ndalemi njëherë e përgjithmonë në rrugën tonë të pistë, për ta kundërshtuar natyrën dhe kulturën e saj. Sipas tij nuk ka koncept të tillë të mjedisit. Ai thotë se vetë ne, jemi ambienti. Pajtohem me të, se ne jemi specie më të shëmtuara të të gjitha kohërave. Në shkatërrojmë çdo gjë që prekim. Po të shkojmë pak më thellë ne ushtrojmë një racizëm të pastër ndaj natyrës.

***

Ka të atillë që që mendojnë se Kina ka nisur një luftë të ashpër biologjike për ta marrë botën në duar. Përshembull Z.Hysaj, thotë se gjithë çfarë duhet të bëjmë është të reflektojmë përballë pkturave të Pieter Bruegel. Ai mendon se sot njerëzit nuk shkojnë në luftë. Me një fjalë armët, bombat dhe aeroplanët luftarak, janë jashtë modës. Bota është e koncentruar në hapje të reja të fronteve. Dhe kjo është faza e parë e luftës së Tretë Botërore. Njerëzit do të kthehen pranë tokës së tyre, për ta kultivuar atë që është e braktisur. Me një fjalë njeriu duhet të kthehet tek pika e nisjes, zhvillimet e mëdha tekonologjike e kanë tejkaluar kontrollin e tij. Natyrisht kjo do të vie me kohën dhe këtu dal tek konstatimi i z.Ilazi, se njerëzit nuk do të arrijnë kurrë ta tejkalojnë konceptin e shpellës. Ata do të kthehen aty. Natyra e tij e vërtetë është shpella. Dhe atdhey i përbashkët i yni.

Ka edhe të tjerë që gjithë këtë situatë e shohin me një pikëvështrim të ftohtë. Plotësisht indiferent dhe gjithë çfarë bëjnë është shfrytëzimi i kohës. Natyrisht një kohë e tillë është luks dhe do të ishte e paimagjinuar në kushte normale, kur njeriu bëhet mish për top përballë armatës së mbijetesës. Përshembull Beni, shoku im i çmuar sall vrapon dhe luan me mua. E ndonjëherë i propozojmë njëri-tjetrit, libra për të lexuar. Mendoj se në tërë këtë tërësi interpretimesh, është vështirë ta gjesh një strehë ku mund të rrish i qetë. Por ka edhe njerëz si gjë të gjalla, që para së gjithash shfrytëzojnë çdo fatkeqësi, e këta janë politikanët. Pa asnjë ndjenjë të empatisë. Që përsëri zbulojnë kthetrat e tyre, kundër njëri-tjetrit. Në këto kohë të vështira as nuk duhet të mendojmë mbi ta ngase çdo mendim mbi ta është torturë. Ajo që shihet qartë është se në të gjithë jemi atome globale. Dhe përkatësia jonë është e përbashkët. Bashkë me përgjegjësinë.

***

Të gjithë jemi fëmijë të Apokalipsës. Dhe pavarësisht që njëmijë herë kam hequr dorë nga poezia njëjtë sikurse Carl Solomon, njëmijë herë i jam kthyer. Shpresojmë që The Tiger Lillies*, nuk kanë të drejtë, kur na thonë se po shkojmë drejtë portave të ferrit.

 

* Trioja e famshme britanike të njohur si paraardhësit kabaresë së punk-ut Brechtian.

23 mars 2020
09:51

Shpëtim Selmani