Fundi i Marrëzive

16 mars 2020 14:11

Qenia njerëzore e ka humbur luftën përballë dy koncepteve fundamentale, që do të duhej të ishin esenca e tij, paqes dhe dashurisë. Megjithëse tingëllon patetike (përbuzësit sall mund të më gozhdojnë në kryqin e ashpër të panikut botëror), mendoj së është koha e fundit kur ne duhet të mos turpërohemi përballë trëndafilit dhe pranverës. Për ata që e kuptojnë, do të jetë momenti i zgjimit të tyre. Ata që nuk kuptojnë, do të jenë aty ku kanë qenë gjithmonë, në pamundësinë e tyre idiote për të marrë pjesë në kultivimin e dijes. Njeriu duhet të mbetet përgjithmonë një gjimnazist. E kuptueshme se duke u rritur do të kontaminohet nga paragjykimet, nga sistemet, nga rregullat e shekujve të përparmë, nga tendencat e të fuqishmëve pë të fituar mbi të tjerët. ( Ta themi edhe këtë dhe atë më zë të lartë, fitorja ju takon budallenjëve). Duke u rritur mbushet me marrëzira. Dhe në këtë mënyrë i shkreti bëhet kryekëput një barbar.

***

Pra është koha të bëhemi përsëri romantik dhe ta kultivojmë njëri tjetrin. Qenia njerëzore është mjaftueshëm i rrethuar nga frikëra të ndryshme. Vetëvrasja e domosdoshme tingëllon tepër agresive dhe ne nuk jemi këtu për t’i thurrur himne vdekjes. Pretendimi për të jetuar si tjetri ështe mizor dhe dëshira për të pasur është rrënimtare. Lakmia është perandoria e cila ka pushtuar të gjithë artin e jetesës. Ne kemi frikë, të jemi të guximshëm. Ne nuk kemi nevojë te jetojmë sipas stilit të askujt. Pabarazia shoqërore është esenca. Ne duhet ta kemi vullnetin për të varfërit. Siç e thashë të fitosh sot është turp, egoizëm dhe egocentrizëm i pashoq. Pra çdo gjë sot shfytëzohet për ta pronësuar paranë. Dhe këtu nuk ka më asnjë mirëkuptim dhe asnjë tolerancë njerëzore. Është koha ta ndajmë atë që e kemi me ata që nuk e kanë. Nuk kanë kuptim lumturitë e fragmentarizuara dhe gotat e cakërruara nëpër periferitë e kapitalistëve. Ne duhet ta kultivojmë njëri tjetrin më shumë se kurrë, duke forcuar vetëdijën mbi botën dhe jo vetëdijen mbi kombet. Vetëdija mbi kombin është hyrja në luftëra të reja. E gjithë tërësia jonë është e vogël dhe shihet qartë vetëm në ditët e rrezikut.

***

E kemi të nevojshëm rrezikun për të qenë zemërgjërë. Koha për të rrënuar mitet dhe koha kur profesori ka nevojë për ligjërimin e studentit. Dhe mësuesi për ligjërimin e nxënësit. Le të shkojnë në djallë akademitë. Njeriu duhet të përqëndrohet tek forca e pranimit dhe e mirësisë. Të gjithë budallenjtë në duart e tyre mbajnë flamurin e dashurisë dhe paqes. Koha të ja rrëmbejmë nga duart dhe t’i falendërojmë për mësimin që na kanë dhënë. Koha për ta rrënuar ekzistencën e atyre që e kanë në duar realitetin. E atyre që e formësojnë realitetin. Koha kur ekzistenca e tyre nuk është argument por argument është vullneti. Kapitalizmi na ka zhveshur nga dinjiteti dhe e ka bërë paqen e dashurinë të paqëndrueshme duke i tallur ata dhe njëkohësisht duke shtuar pamundësinë tonë për të rezistuar. Ne kemi humbur kohën për pasionet tona dhe jemi shëndrruar në makineri luftarake. Nuk shohim asgjë tjetër pos asaj që na shërben për ta shtyrë edhe një ditë. Hakmarrja dhe natyra, na fusin tytën e pushkës në gojë.

***

Kundera thotë ajo që është e domosdoshme gjithmonë është e rëndë. Pra është çasti i fundit të ballafaqohemi për këtë gjë të domosdoshme që është rikthimi në tokën e romantizmit dhe idealeve. Përndryshe lumi i madh i post-marrëzive do të na fshijë farën. Dhe njeriu që qëndron fitimtar. I vetëm. Oh, njerëz është një kaktus në ferr.

16 mars 2020
14:11

Shpëtim Selmani