Kurthi Etnik

01 mars 2020 16:15

- Kohëve të fundit, Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar një plan për Lindjen e Mesme. Ky propozim ka ngritur pikëpyetje të ndryshme në Kosovë, nëse një plan i ngjashëm mund të propozohet për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, sidomos duke pasur parasysh se ka një kohë që në qarqe të caktuara vendimmarëse diplomatike po qarkullojnë ide për korrigjim të kufijve, të cilat do të mund të shpiejnë në ndarje territoriale mbi kritere etnike. Si e shpjegoni faktin se shfaqen ide dhe parime të tilla tridhjetë vjet pas rënies së murit të Berlinit ?

Igor Štiks: Të gjithë e dimë se gjendja bëhet shpërthyese në marrëdhëniet ndëretnike, ndërnacionale dhe ndëreligjoze, kur shtrohen çështjet territoriale. Në traditën e majtë njihet ajo që e quajmë « autonomi joterritoriale » që është zhvilluar para 100 vjetve në Austro-Hungari, me qëllim të zgjidhen çështjet nacionale në shtetet multinacionale. Në Jugosllavinë socialiste  kishte po ashtu përpjekje të kombinohet disi territoralja dhe joterritoralja, me idenë që disa grupe nacionale të njohura ta gëzojnë statusin e republikës, por edhe për entitete historike, si p.sh me rastin e Bosnje dhe Herzegovinës, se patën kombinuar parimet e djathta me parimin republikan civilo-qytetar. Pra janë provuar formula të ndryshme. Ideja për « përkufizim » të kufijve, përkatësisht ndarjes së popujve dhe territoreve, ishte e popullarizuar në qarqet nacionaliste të viteve ’90. Ajo bazohet në idenë se marrëdhëniet dhe sistemi demokratik janë të mundshme vetëm se në vendet me homogjenitet etno-nacional dhe kjo ide e perkufizimeve territoriale ka shpier në konflikte të drejtëpërdrejta, sepse siç dihet, nacionalistët ballkanikë mund të merren vesh midis tyre për çdo gjë, por jo për territoret. Fakti se këti ide kthehen tridhjetë vjet pas rënies së murit të Berlinit flet për politikën e pasuksesshme të superfuqive në Ballkan, të cilët nuk arritën ta ndërtojnë paqen, ku nuk do të shpërbleheshin spastrimet dhe dhuna etnike, e ku do të duhej të ishin bërë kompromise të caktuara, në kuptim të përqafimit të një modeli qytetar për shtetet e reja, me të drejta btë barabarta për shumicat dhe pakicat, por edhe ide të caktuara që mund të jesh subjekt politik pa përkatësinë etnike. Nëse ky plani për Lindjen e Mesme ka ndonje ndërlidhje me Ballkanin, atëherë gjindemi në një situatë të rrezikshme.       

- Po ku është në këtë mes Bashkimi Evropian ? Ç’nënkupton për nga perspektiva evropiane fakti se po mendohen sot parimet etnike për ripërkufizim të kufijve ? 

Igor Štiks : Bahskimi Evropian pati premtuar paqen në Ballkan nëpërmes integrimeve evropiane. Kjo nënkuptonte se nga territoret do të përkalohej në struktura supra-nacionale, respektivisht që integrimet evropiane do të relativizonin rëndësinë e kufijve dhe territoreve me faktin se nuk do të kishte kufinj. Por sot e shohim se ky nuk është realitetit.  E kemi një geto ballkanike në zemër të Bashkimit Evropian, qaë gjasat për zgjerim dhe anëtarësim në Bahskimin Evropian janë të vogla, e që tashmë nuk ka ndonjë kuptim për njerëzit argumenti për integrime evropiane. E tërë kjo nënkupton se është hapur hapësira për lojtarët e mëdhenj, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të zgjidhin problemet në Ballkann duke mos përjashtuar mënyrat josubtile, nëse i referohemi idesë së përkufizimit të kufijve.

- Z. Ymeri, cila do të kishte me qenë alternativa jo etnike e zgjidhjes së çështjes  mes Kosoës dhe Serbisë, sepse tash ka dy modele e para korrigjimi i kufijve që bazohet në parimin etnik, dhe e dyta është ajo themelimit të Zajednicës së komunave me shumicë serbe e cila po ashtu bazohet në parimin etnik. Cila do të kishte me qenë paradigma jo etnike që do të gjente zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë?

Visar Ymeri : Së pari problemi që po e shohim sot, veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit, globalisht e në rajonin tonë, është një konceptim tjetër i identitetit, nëse e krahasojmë këtë me konceptimin modernist të identiteti. Historikisht identiteti, përfshirë identiteti kombëtar, ka qenë kryekëput i lidhur me pozitën socio-ekonomike të individit ose të një popullate. Me rënien e Murit të Berlinit, kur një pjesë e konsiderueshme e botës, veçanërisht teoretët e krahut të djathtë filluan ta shohin këtë si 'fundi i historisë', që nënkuptonte se sistemi aktual shoqëror-ekonomik do të jetë i përhershëm e i pa alternativë, dallimet e vetme mes popujve, ose mes njerëzve, mbeten ato identitare/kulturore. Si të tilla ato u bënë të pa urëzueshme. Probleme të ngjashme kemi edhe në rajon. Edhe këtu identifikimi ka marrë formën e  'njëdimensionalitetit' etniko-kulturor duke u zhveshur kështu nga të gjitha karakteristikat tjera individuale e grupore që e përbëjnë 'shumëdimensionalitetin' njerëzor e i cili do të reflektohej më së miri në identitetin qytetar si reflektim i plotnisë së vullnetit politik. Kështu që njëra prej arsyeve pse, përherë e më shumë, kemi një tendencë në rritje të etnizimit të problemit, e propozime të shtruara sipas parimeve etnike, është edhe rritja e rëndësisë e fuqisë së politikave identitare e forcave politike populiste nëpër botë, që pashmangshëm reflektohen edhe në rajon. Përgjithësisht këto teori e koncepte politike ia nënshtrojnë komponentën socio-ekonomik, ose politike, komponentës kulturore ose etnike. Pra para se të flasim për pyetjen tuaj mendoj se duhet ta njohim këtë dallim mes konceptimit të identitetit (edhe të atij kombëtar) si diçka që përmban brenda vetes karakteristika e veçori më të shumta identiteti krahas dhe përtej komponentës kulturore/etnike. T'i kthehemi Kosovës, mendoj që ky ka qenë problemi që prej përfundimit të luftës. Prania ndërkombëtare në Kosovë, veçanërisht UNMIK-u, e ka parë Kosovën përmes thjerrzave identitare/etnike, të cilat kanë paraqitur një tablo të një vendi në të cilin jetojnë komunitete të ndryshme etnike (shqiptarët, serbët, etj.) dallimet e të cilëve historikisht e aktualisht asnjëherë nuk mund të tejkalohen. Rrjedhimisht e vetmja gjë që mund të bëjmë është t'i mbajmë këta njerëz të ndarë me njëri tjetrin. Prandaj duhet të gjejmë mekanizma institucional të cilat do ta siguronin një jetesë të komuniteteve pranë njeri tjetrit, e jo që kushtëzojnë bashkëjetesë me njëri tjetrin. Pra që njerëzit të jetojnë përbrenda një territori por pa interakcionin e duhur shoqëror e ekonomik. Ky modalitet i 'bashkëjetesës' e ka rrit hendekun mes veçanërisht shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në vend se të ndërtonte ura e t'i sillte këto komunitetet më afër njera tjetrës. Ky hendek i zgjeruar është përdorur pastaj, veçanërisht nga qeveria aktuale e Serbisë për të paraqitur kërkesa të bazuara në pamundësinë e bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme etnike. Këto propozime nga qeveria e Serbisë tutje i ndajnë komunitetet në Kosovë dhe edhe më shumë e dëmtojnë potencialin bashkëjetues e bashkëpunues të popujve të rajonit, bashkëpunim ky që do të krijonte benefite për të gjithë. Dallimet mes dy rezultateve të mundshme nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë (Bashkësia e komunave me shumicë serbe në njërën anë dhe korrigjimi i kufijve në anën tjetër) janë megjithatë më pak të rëndësishme se sa ngjashmëria paradigmatike që këto dy 'zgjidhje' kanë - e ajo është interpretimi absolut etnik ndaj çështjeve socio-politike. E zgjidhja më e mirë do të ishte investimi në krijimin e identitetit të përbashkë qytetar të shoqërisë së Kosovës dhe të pjesëtarëve të kësaj shoqërie.

- Po në anën tjetër, sa mund të injorohen « çështjet nacionale » ?

Igor Štiks: Kam përshtypjen se jemi në kurth. Çështjet nacionale janë të vendosura në mënyrën që pamundësojnë që të nxjerrim prej tyre ndonjë paradigmë tjetër. Kërkohen zgjidhje të cilat ofrojnë vetëm  kritere territoriale, apo siç e tha z.Ymeri, me karakter ndarës ose të getoizimit të grupeve të ndryshme. Këto lloj zgjidhje nuk janë vetëm ballkanike, por ato zbatohen edhe në Irlandën e Veriut, në Liban, por edhe në fund të luftës në Bosnje dhe Herzegovinë ose në Kosovë. Pra, mungon çfarëdo imagjinate politike se si të ndërtohet bashkësia paskonfliktuoze e cila nuk do të ishte e ndërtuar mbi dallimet etnike dhe kulturore, që ishin motori i luftës ose së paku motori mobilizues i tyre. Z.Ymeri përmendi problemin e kulturalizimit të marrëdhënieve politike, pra përkalimin nga marrëdhëniet klasore politike në çështjet ekskluzivisht identitare, si dhe natyrisht problemi që paraqitet se matrica e këtyre identiteve nuk mund të ndryshohen ose transformohen, ndryshe nga identitetet klasore që ndryshon. Në këtë kuptim, e majta e sheh që shoqëria zhvillohet dhe që kompozicionet klasore mund të ndryshohen. Natyrisht se e majta dëshiron më shumë barazi në marrëdhëniet klasore, përderisa e djathta këmbëngul në ruajtjen e dallimeve klasore që natyrisht se shtrihen përtej kufijve ose çfarëdo bashkësie identitare.  Sot, perspektiva klasore është shtyrë në margjina  dhe nuk e trajton askush edhe në Ballkan, ngase zgjidhjet kërkohen në krijimin e territoreve etnonacionale, të cilat eventualisht do të demokratizoheshin nëpërmjet një ristrukturimi neoliberal.  Pra, në këtë kuptim gjindemi në kurth sepse nga kjo perspektivë çdo zgjidhje nënkupton konflikt rreth territoreve dhe kompetencave mbi resurset të atij territorit. E majta pasjugosllave ose edhe ajo ballkanike nuk ka gjetur përgjigje të duhur për këto çështje, përpos në idenë që popujt e Ballkanit kanë jetuar së bashku në të kaluarën dhe do të jetojnë edhe në të ardhmen, e rrjedhimisht kanë edhe interesa të përbashkët në ekonominë globale.  Por ky është qëndrim i pakicës.

- Kosova nuk është përjashtim nga zhvillimet në rajon. Dhe nëse e shohim secilin prej shteteve të dalura nga Jugosllavia në asnjërin prej tyre nuk ka pasur sukses asnjë projekt qytetaria. Ashtu siç nuk ka pasur sukses as në Kosovë. Në këtë drejtim çfarë mendoni cili do të kishte me qenë kosovari sot? Çka nënkupton të jesh kosovar? Çka nënkupton të jesh qytetar ose shtetas i Kosovës sot?

Visar Ymeri: Para se t'i përgjigjem pyetjes, e cila më duket shumë interesante, dua të ndalem pak te një shpjegim më të gjerë. Nëse e marrim parasysh konceptualizimin marksist, proletari është ajo klasë shoqërore e cila nuk asgjë tjetër përveç fuqisë punëtore të cilën e shet. Pra proletari është simbol i të shpronësuarit. Ndërkohë që sot ne jemi në një pozicion pak më ndryshe - jo vetëm të shpronësuar nga të mirat materiale e resurset publike, por edhe nga vet kërkesa për fuqinë tonë punëtore si 'pasuria' e vetme e proletarit. Badiou e thotë që një prej veçorive të kapitalizmit të vonë të automatizuar është edhe rritja e numrit të njerëzve të cilët janë të paeksploatueshëm. Të njëjtën gjë e kemi edhe në Kosovë ku si rrjedhojë e mungesës së një zhvillimi të duhur ekonomik kemi papunësi shumë të lartë e perspektive shoqërore e ekonomike shumë të ulët. Rrjedhimisht kjo na kthen më shumë kah identiteti kombëtar sikur e vetmja gjë e mbetur. Shpronësimi shihet si rrezik për asimilim. Por duhet ta kuptojmë këtë gjendje si aktualitet politik e jo si njëtrajtshmëri historike. Nuk ka qenë përherë kështu. Dhe nuk do të thotë se duhet të jetë përherë kështu. Kjo rritje e sentimentin nacionalist në rajon ka ndodhur gjatë viteve të nëntëdhjeta, e ka vazhduar pastaj pas luftërave në ish Jugosllavi. T'i kthehemi Kosovës. Ka një hendek të madh mes asaj se si është konceptuar Kosova si shoqëri edhe si shtet nga Plani i Ahtisaarit dhe formën që e ka marrë pastaj gjatë implementimit të tij. Nëse e shohim teorikisht ideja e Planit të Ahtisaarit, pra konceptimi i Kosovës si shtet dhe shoqëri multietnike ka qenë që të mbillen gradualisht farat që do ta ngjiznin një identitet të ri, të bazuar në qytetari të kosovarit. Që do të nënkuptonte pastaj që të gjitha komunitetit në Kosovë, pra shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasit, të fillojnë ta përqafojnë këtë identitet dhe të zhvendosen nga identifikimi i tyre etnik. Megjithatë kjo ndodhi për shkak të dy arsyeve kryesore: e para është se në fund të fundit Plani i Ahtisaarit është parë që nga fillimi si një projekt i mbivendosur nga jashtë, e jo si projekt burimor i brendshëm. E dyta është se në vet idenë ka aranzhime të cilat kanë ushqejnë një dinamikë tjetër - atë të ndarjes. Rregullimi administrativo-territorial e ai institucional i Kosovës bazohet në dallimet etnike mes komunitetit shumicë dhe komuniteteve pakicë (veçanërisht atij serb). P.sh. komunat e Kosovës të cilat i takojnë të gjtihëve dhe pastaj komunat me shumicë serbe të cilat janë të destinuara për njërin prej komuniteteve. Tutje, një pjesë e konsiderueshme e të drejtave që gëzojnë pakicat janë të akorduara PËR SHKAK të përkatësisë së tyre etnike, e jo të bazuara në korpusin e të drejtave qytetare. Kjo gjë është bërë kundërproduktive. Sepse në vend që identiteti etnik të lihet të vyshket, ai është mirëmbajtur e forcuar institucionalisht e (në rastin e komunave me shumicë serbe) territorialisht. Çka nënkupton të jesh kosovar? Natyrisht që kjo është një gjë që duhet të vendoset nga ne, populli i Kosovës. Por unë mendoj që do të duhej të ishte një identitet i cili bazohet më shumë në të përbashktën tonë, në kuptim të të drejtave që duhet t'i gëzojmë, të nevojave që kemi, e të interesave ekonomike e shoqërore që i ndajmë, se sa në identitetet kulturore të cilat na ndajnë.

- Z. Štiks, në botimet e juaj të fundit, thoni se “shtetësia” mund të jetë diçka që mund ta përkaloj konceptin e komunitetit në atë të shoqërisë?

Igor Štiks: Mund të ketë konfuzione, por unë nuk përfaqësoj idenë se shtetësia është diçka neutrale, por theksoj dallimin që kemi në serbisht dhe kroatisht midis shtetësisë dhe qytetarisë, mbase kjo është njëjtë edhe në shqip. Për shembull në sllovenisht është e njëjta gjë. Pak ta riformuloj. Unë kam trajtuar konstruksionet, si të shtetasit, ashtu edhe të qytetarit. Pra, konstruksionin e qytetarit në kuptimin e të drejtave të tij juridike, e pastaj edhe si pjesëtar aktiv të bashkësisë së tij politike. Në Ballkan kemi provuar modele të ndryshme në njëqind vjetët e fundit. Është e vështirë të gjindet ndonjë model që do të prodhonte rezultat të dëshiruar vetëm sepse është i tillë në Kushtetutë. Z.Ymeri përmendi me të drejtë Planin e Ahtisarit, që tingëllon bukur në letër, por pastaj nuk zhvillohen në vakuum. Poastaj edhe mund të insistoni në model qytetar për shtetin vetrëm se në përkatësinë shtetërore, por kjo nuk nënkupton se mund të harroni proceset e tjera politike. Identitetet etnike nuk janë vetëm veçori ballkanike, edhe pse mendohej në vitet e ’90 se ishte vetëm ballkanike, por sot shohim se dominojnë politikat nacionaliste, etnike, religjoze dhe identitare, edhe në vende si Franca si shtet që tradicionalisht ka themelet mbi shtetësinë etj. Shtetësia mund të përdoret për çështje të ndryshme. Në Jugosllavi mendohej se zgjidhja ishte gjetur në të ashtuquajturën shtetësinë federale duke e kombinuar me shtetësinë republikane, por ku kishte brenda republikave edhe autonomi të caktuara, si në rastin e Kosovës. Pra ka pasur përpjekje për modele të ndryshme që të zgjidhen çështjet nacionale edhe duke i bërë të parëndësishme në shoqërinë socialiste. Dihej se nuk mund të shmangej çështja nacionale shqiptare në një shtet që quhej Jugosllavi si vend i sllavëve të jugut, duke ditur se shqiptarët nuk janë sllavë. Në përgjithësi janë kërkuar zgjidhje të shpejta. Ajo që më shqetëson sot është se hapësirën e shtetësisë e shohim si hapësirë për etnifikim, si në Ballkan, duke përfshirë në shtetësinë vetëm pjesëtarët e përkatësisë së tyre etnike dhe duke përjashtuar të tjerët., apo shtetet në fqinjësi si Hungari ose Bullgaria që i japin qasje në shtetësi pjesëtarëve të etnisë së tyre jashtë kufijve të tyre shtetëror. Këtë e bëjnë pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit, përpos Shqipërisë. Mekanizimat shtetërore përdoren për ta specifikuar përkatësinë shtetërore, por pas spastrimeve etnike dhe inxhinieringut etnik përmes shtetësisë po ndodhë edhe etnocentrizmi migrimi.  Njerëzit migrojnë atje ku janë shumicë. serbët e Bosnjes shkojnë në Serbi, kroatët e Bosnjes në Kroaci apo boshnjakët e Sanxhaklut në Bosnje. Bashkësitë multietnike, multikulturore ose multigjuhësore po shthurren dhe po ndahen, e përputhja e tyre me kufijtë shtetërore pothuajse është çështje e kryer. E paradoksi është që kjo po përmbyllet në momentin kur në të gjitha këto shtete kemi katastrofën demografike. Pra, zgjidhjet janë gjetur në shtete të pastra etnike në momentin kur po zhduket ose po zvogëlohet popullata ballkanike.     

Në këtë situatë që përshkruani, sa janë vërtetë gjasat të ndërtohet një alternativë progresive, aq më tepër kur paralalelisht kemi edhe një model ekonomik neoliberal dhe pushtete neoautoritariste?

Igor Štiks : Gjendja në Ballkan është më e rëndë se në Evropën Perëndimore. Përpos që kemi problemet postkonfliktuoze, ku dominojnë forcat nacionaliste dhe konservatore, kemi edhe politikat neoliberale si gjithkund, por nuk e kemi infrastrukturën si ekziston në Francë me sindikatat ose strukturat e majta që kanë traditë njëqind vjeçare. Pra, nuk kemi asgjë nga këto përderisa jemli në një situartë shumë të vështire ekonomike dhe sociale. Pra, shansat janë të vogla në këto momente. Por, historia është plotë befasira dhe mund të shpresojmë në befasi të tilla.     

Visar Ymeri: Mendoj që këtu do të duhej së pari ta bëjmë një ndarje mes dy lloj konceptesh të qytetarisë - asaj liberale dhe konceptimit më progresiv republikan të qytetarisë. Të dyja këto rryma të menduarit kanë qëndruar në antagonizëm të gjatë ne Perëndim. Mendoj që  aktualisht në rajon, sidomos në Kosovë, koncepti mbizotërues është ai liberal. Sipas këtij konceptimi qytetaria është i bazuar në liri negative - pra liri nga ndërhyrja pushtetare në jetën e individit. Qytetari e gëzon të drejtën e jetesës së lirë. Pra lihet i qetë. Diçka si një qytetar pasiv.  Por këtu mendoj që lind një pjesë e konsiderueshme e problemit. Duke qenë të lënë të qetë, pra ku qytetari mjaftohet të mos jetë i përndjekur nga pushteti dhe ta organizojë jetën ashtu siç ajo don, nuk krijojmë ndërveprimin e nevojshëm për përjekje të përbashkët, e cila përpjekje pastaj do të rezultonte me ndërtimin e një identiteti të përbashkët me bazë qytetarie. Prandaj e thashë më lartë që ne jemi lënë të vetmuar në identitetet tona etnike, e që na është bërë diçka shumë e çmuar. Unë pëlqej më shumë konceptin republikan të qytetarisë: jo vetëm një qytetari të lirë nga përndjekja e shtypja nga pushteti, gjë shumë e rëndësishme padiskutim, por të një qytetarie që gëzon të drejtën, madje e ka obligim, që të merr pjesë kolektivisht në vendimmarrje politike. Mendoj që kjo përpjekje e përbashkët që mund të marrë formë, siç e potencoi Igori, të Sindikatave të përbashkëta, organizatave shoqërore të përbashkëta, situata të ndëveprimit ekonomik e kulturor, etj., do ta shtronte rrugën për një bashkëpunim më të mirë mes njerëzve të ndryshëm në rajon, dhe e cila do të organizohej përtej parimit të solidaritetit e më afër parimit të internacionalizmit. Pra së pari duhet të lëvizim përtej qytetarit liberal drejt atij progresiv, dhe së dyti ta ngrisim solidaritetin në një shkallë të re të bashkëpunimit sipas parimit internacionalist të bashkëpunimit mes partive progresive në mënyrë që ta konceptojmë një këndvështrim të majtë, socialdemokrat, ose socialist, quaje si të duash, të bashkëpunimit rajonal. Dhe mendoj që jo vetëm Kosova, por secili vend i rajonit ka hapësirë dhe do të duhej ta mendonte veten si shtet me një identifikim të ri të pjesëtarëve të shoqërisë: pra edhe Serbia edhe Mali i Zi, sigurisht edhe Maqedonia e Bosnja, të gjitha këto vende do të duhej ta aplikojnë model të ngjashëm të shtetit të bazuar në qytetari. Mendoj që gjëja më e rëndësishme është ta mendojmë modelin më të përshtatshëm të shtetit për vendet e rajonit duke e pasur parasysh se asnjë prej vendeve asnjëherë nuk mund dhe nuk do të jenë etnikisht homogjene; dhe gjë tjetër në këtë drejtim është ajo se çfarë marrëdhënie mes shteteve do të ishin më të mirat dhe më të përshtatshmet për vendet e rajonit, veçanërisht në ndërveprimin ekonomik ku do të duhej të lëviznim nga tregtia e lirë (free trade) si paradigmë ekonomike kah tregtia e balansuar (fair trade).

Sa mund të jetë dimensioni rajonal një nga mundësitë?

Igor Štiks : Së pari duhet të pikënisemi nga bindja se fati ynë është rajonal dhe ballkanik. Kjo do të nënkuptonte një lloj internacionalizmi ballkanik dhe bashkëpunimi rajonal mbi parime të paqes dhe respektit të ndërsjellë. Megjithatë shtetet e sotme të Ballkanit Perëndimor kufizohen në administrimin e territorit nga qeveritë e njohura ndërkombëtarisht. Ato aktrojnë shtetin, duke qenë se nuk kanë sovranitet në disa fusha thelbësore, si në ekonomi, financa, apo edhe nuk administrojnë me resurset e tyre. Pra janë më shumë si administratë që menaëxhojnë popullatë, që ajo të qëndrojë e qetë dhe të përfshihet në ekonominë neoliberale. Duket se kanë gjetur formulën në nacionalizmin etnik që ende provokon emocione dhe pamundëson ndonjë bashkësi tjetër politike që do të tejkalonte politikat identitare etj. Këtu është fusha ku duhet të tregohet kreative imagjinata e majtë, duke qenë se kemi dinamika në sferën ku është një njërën anë gjuha e përbashkët që përbashkon pjesën më të madhe të hapësirës ish-jugosllave, me Slloveninë dhe Maqedoninë, e në anën tjetër sferën shqiptare që ka një dinamikë tjetër dhe ku mund të gjinden sferat e bashkëveprimit. Gjuha e përbashkët përfshin me lehtë përfshin shoqëritë e Bosnjes, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të zi. Por nëse nuk mund ta ndërtojmë Ballkanin vetëm në këtë sferë, duke zgjeruar perspektivat dhe përfshirë edhe përvojat tjera jo vetëm ish-jugosllave duke thyer barrierat, që nuk janë vetëm gjuhësore, por edhe është bërë edhe si mendësi më e gjerë.

----

Nga Belgzim Kamberi.

Ky debat është i botuar në të përmuajshmen Le Monde Diplomatique në gjuhën shqipe, të cilën e gjeni në pikat e shitjes në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, gjithashtu është publikuar edhe në Institutin për Politika Sociale "Musine Kokalari".

01 mars 2020
16:15

Igor Štiks & Visar Ymeri