Stina e Lirisë

26 shkurt 2020 14:40

Foto: Jetmir Idrizi

(Përkitazi me shfaqjen Pesëstinët e armikut të popullit, nën regjinë e Blerta Nezirajt, teksti i përpunuar nga Jeton Neziraj, bazuar te drama Armiku i popullit e dramaturgut Henrik Ibsen).

S’biejn gjethe, s’ka më drunjë që t’i tundë era,

e një gjeth në zemrën time, përgjithmonë,

është vyshkur, tharë e pluhur është bërë

 

Nga ballkoni s’e shohë qiellin, s’ka më diell mbi këtë qytet

Nuk ka fëmijë që lozin, të ngrysur t’gjithë po ikin larg

Dashuria këtë vend e ka braktisur, përgjithmonë

 

Nuk m’kujtohet më ajo natë, shi kur binte në Prishtinë

Unë e ti, si dy hije, pa cak endemi

Njëri tjetrin më s’e njohim, sikur kurrë t’mos ishim parë.

Nëpërmes këtyre vargjeve të interpretuara nga grupi muzikor Oborri përfundon shfaqja Pesë stinët e armikut të popullit. Një këngë si elegji dhe njëkohësisht homazh për arkitektin Rexhep Luci, të vrarë në shtator të vitit 2000, por po ashtu edhe një homazh për qytetin e Prishtinës. Liria (Meti, udhëheqës i kompanisë ndërtimore Liria, luajtur nga aktori Kushtrim Qerimi), kjo kompani aq e madhe, aq e dashur, aq zemërgjerë, e fuqishme si betoni, ka vendosur që të na ndërtojë pallate, shumë pallate. Më në fund kishte ardhë dita që Liria të mendonte për këtë qytet dhe për secilin që jetonte në të. Qyteti që ishte ndërtuar dikur, ishte i rregullt, por për dikë pas luftës, si p.sh. për kompaninë Liria, përveç që shprehte monotoni, disi kishte edhe stigmën se atë e kishte ndërtuar një kohë armik. Andaj, Liria kishte vendosur që qytetin ta ndërtonte, rindërtonte e mbindërtonte, t’i jepte aq shumë formë derisa t’ia humbte peizazhin që e kishte dikur. Ky ishte plani shpëtimtar që më në fund na kishte sjellë Liria. Mirëpo, i tërë ky projekt kishte filluar të bëhej i parealizuar, sepse pengohej nga një arkitekt i çmendur (luajtur nga Armend Smajli), i cili nëpërmes planit të tij po mundohej ta mbronte qytetin nga hovi që kishte marrë Liria. Kështu që, Liria ishte në hall të madh, sepse duhej t’i nënshtrohej një plani të detajuar të një arkitekti. Mirëpo, Liria nuk dëshironte dhe nuk pranonte të futej nëpër kallëpe të tilla, sepse atë e pengonte ligji dhe rregulli, kishte një alergji nga to. Edhe po, Liria ka nevojë për shfrenim, ka nevojë për dehje, nuk ka nevojë për shtrëngesat që arkitekti po ia vendoste.

Në fillim, si vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët, arkitektin e paraqisnin si një njeri me profesionalizëm dhe seriozitet që e kishte bindur edhe administratorin Pierre (luajtur nga Shpëtim Selmani) që administronte qytetin, se plani i tij ishte i duhuri. Gjithashtu, sindikatat me në krye kryesindikalistin (luajtur nga Afrim Muçaj) kishin besim në profesionalizmin dhe ndershmërinë e arkitektit. Por, sa më shumë që Liria e ushtronte presionin e saj, administratori Pierre fillonte t’i shfaqte dyshimet e tij për planin e arkitektit, derisa në një moment ai jo më që nuk i beson arkitektit dhe profesionalizmit të tij, por edhe fillon t’ia argumentojë se si vendi ka dalë nga lufta dhe ka nevojë për zhvillim, për ndërtim, sepse sipas tij shoqëria e një vendi të tillë nuk e do rregullin, nuk i do parqet, nuk i do as lulet. Edhe kryesindikalisti që dikur mendonte se plani i arkitektit për qytetin ishte i duhuri, filloi të mendojë se ai ishte një komunist dhe se gjithmonë kishte qenë i tillë, një tradhtar i ndyrë. Pra, nga një njeri i ndershëm dhe një arkitekt profesional, ai shpejt do të kalojë në një njeri të urryer, në armik të popullit.

Image

Tini ishte koha që Liria ta shprehte vetën si një shpëtimtare për qytetin, mirëpo shumë shpejt ajo do të shëndrrohej në një vrasëse. Një vrasëse e ftohtë sikur betoni (sic). Liria, ky përbindësh i pasluftës, do të marrë nën kontroll gjithçka, do ta korruptojë secilin, vendor e ndërkombëtar, sindikata e media (gazetarja, luajtur nga Egzona Ademi). Secilin individ, e secilin institucion do ta shantazhojë, vetëm e vetëm që ta realizojë qëllimin e vet. Epo, kush mund t’i bëjë ballë tundimit që të sjellë Liria? Kush mund t’i thotë jo asaj, edhe kur dihet se të gjithë po ngarendnin të rrëmbenin atë çfarë kishte lënë mbrapa paslufta. Kaosi ishte bërë rend, ishte normalitet, dhe këtë normalitet ngulmonte ta pengonte një arkitekt, apologjet i rendit urbanistik, i vetshpalluri mbrojtës i qytetit. Ai, i vetëm, kishte vendosur ta luftonte me çdo kusht planin që kishte vendosur ta implementonte Liria. Liria kishte arritur që përmes korruptimit ta bënte secilin për vete, përveç arkitektit, këtij armiku të popullit. Por, pasi që secili institucion vendor e ndërkombëtar, arkitektit dhe planit të tij ia kishin kthyer shpinën, portat e qytetit ishin hapur që Liria të bëjë çfarë të dojë me të.  Gjithashtu, për kokëçarjet që i kishte sjellë arkitekti, ajo nuk do t’ia falte kurrë. Prandaj, përpara se ta vrasë qytetin, Liria kishte vendosur ta vrasë arkitektin e saj, sepse ajo tanimë e dinte se me vrasjen e tij, qyteti do t’i bjerë sikur në pëllëmbë të dorës. Kështu që, në një natë shtatori, atëherë kur liria vetëm sa ia kishte behur, në mes të krismave të shumta të asaj kohe ekzaltuese, zbehtë u dëgjuan edhe krismat që kishin marrë jetën e arkitektit, dhe kishin lënë në trishtim vajzën e tij (luajtur nga Verona Koxha). Në ditët e para të lirisë u vra një arkitekt në mbrojtje të qytetit, kjo ngjan më shumë me një mit antik sesa me realitetin. Pra, vrasja e arkitektit do t’i ndryshojë edhe dy gjëra: e para - dikur të ashtuquajturës Rruga e Goleshit, institucionet, që arkitektin e lanë në duart e vrasësve, do t’ia vendosin emrin e arkitektit (Rruga “Rexhep Luci”) dhe e dyta - qyteti do të shndërrohet në një varr të madh labirint, ku njerëzit enden nëpër të sikur minjtë e përhumbur nga ndonjë tërmet. Që nga 10 shtatori i vitit 2000, dita kur u vra arkitekti Rexhep Luci, kur shija e lirisë po përshkonte çdo shpirt njeriu, edhe tani kur po shikoja shfaqjen Pesë stinët e armikut të popullit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, vrasja e qytetit vazhdon me ritëm të shtuar, si një zgjatim i një vrasje që kishte ndodhur njëzet vite më parë. Prandaj, edhe sot e kësaj dite ne jetojmë në stinën e pestë, në stinën e Lirisë.

26 shkurt 2020
14:40

Dritan Dragusha