Për Migjenin e Hajrullahut

19 nëntor 2019 09:13

Foto: Artan Hajrullahu

Arti nuk është një vegël apo një zbukurim, por një shfaqje: një trajtëzim shqisor i marrëdhënieve që ne kemi me veten, tjetrin, botën dhe të hyjnishmen. Letërsia i trajtëzon këto marrëdhënie nëpërmjet gjuhës, muzika nëpërmjet tingujve, skulptura nëpërmjet gdhendjes, vallëzimi nëpërmjet lëvizjes dhe piktura nëpërmjet ngjyrave. Ndërkohë filmi dhe teatri janë një ndërveprim i formave parake të artit të lartpërmendura. 

Shfaqjet mund të ndahen në dy lloje: shfaqje që mbulojnë dhe shfaqje që zbulojnë. Për ta sqaruar këtë ndarje dua t’i rikthehem Elegjive Duine të Rilkes, - më saktë elegjisë së katërt. Aty Rilke bën një ndarje midis shfaqjes së njerëzve të maskuar dhe shfaqjes së kukullave. Shfaqja e aktorëve me maska e mbulon shfaqjen me shtirje, dykuptimësi, dyshime dhe ndarje. Ndërkohë, shfaqja e kukullave është një shfaqje që shpreh vullnetin e vetë Qenies dhe zbulon asgjë përveç vetvetes. Edhe shfaqjet e veprave të artit mund të ndahen në mënyrë të tillë: në shfaqje që mbulojnë gjithësinë me trille dhe ideologjira të mbivendosura dhe shfaqje që zbulojnë vullnetin dhe frymën e Qenies.

Ky dallim midis shfaqjes si një mbulim apo zbulim, më duket mënyra më e mirë për t’u qasur një vepre të patitulluar të Artan Hajrullahut të vitit 2016 ku shfaqet Migjeni. Si shumë punime të Hajrullahut, vizatimi është mbi një karton të thjeshtë që dikush mund ta kishte hedhur në plehra. 

Image

Dua të shtroj disa pyetje: si do ishte kjo vepër, nëse para nesh do shfaqej një Migjen i vrenjtur dhe i zhytur thellë në mendime? Po nëse do ishte i pispillosur me kostum dhe kollare? Apo i mbushur me një dëshirë për të ndryshuar realitetin? I shtroj këto pyetje pasi mendoj se nëse Migjeni do të shfaqej i tillë, atëherë nuk do të rrëfente asgjë: do ishte një përsëritje e mërzitshme. Një shfaqje e tillë e Migjenit do ishte, pra, një shfaqje mbuluese: një pëlhurë që nuk do na lejonte të kundronim atë që është përballë. 

Rrjedhimisht ajo që duhet të kuptojmë tani është: çfarë na zbulon kjo shfaqje e Migjenit në këtë vepër të Hajrullahut? Përgjigja ime e shkurtër hegeliane është se ky punim shfaq vetë njëmendësinë e pakushtëzueshme: ballafaqimin e pandërprerë të të kundërtave. Në këtë punim kemi pikërisht Migjenin, poetin e guximit, kryengritjes dhe kundërshtimit, por që nuk shfaqet aspak i tillë. Migjeni na shfaqet tërësisht i zhveshur, i vetmuar, i ftohur, i sëmurë, me sy të mbushur me dhimbje. 

Vetëkundërshtia që Migjeni mbart në këtë punim shfaqet në tërë trupin e tij. Migjeni nuk qëndron dot drejt: supin e majtë e ka të ngritur mbi supin e djathtë. Edhe sytë plot vuajtje duken sikur janë në mospërputhje: syri i tij i djathtë duket më i hapur, ndërkohë që syri i tij i majtë më i errët.  

Image

Trupi i Migjenit duket më i brishtë se sa një degëz e tharë: po ta prekësh, duket sikur do thyhet. Kjo brishtësi shfaqet në veçanti tek krahët dhe duart e tij.

Image

Duket sikur krahët nuk mbajnë dot as veten, prandaj dhe mbështeten tek njëri-tjetri. Dora e majtë e skuqur ngjan si e vdekur, ndërkohë që dora e djathtë e shtrëngon fort pjesën e poshtme të krahut të majtë. Sërish vetë trupi i Migjenit shndërrohet në një dialektikë të vazhdueshme midis vetvetes: gjë që na kujton edhe përplasjen shpirtërore të Migjenit brenda veprës së tij letrare. 

Afër Migjenit, shohim një kovë me ujë të ngrohtë që nxjerr avull. Ngrohtësia e avullit vihet menjëherë në kontrast me ftohtin dhe lakuriqësinë e Migjenit. Çfarë e mban gjallë Migjenin? Jo vetëm Migjenin, por edhe gjithë poetët e veçuar, të vetmuar, të tëhuajsuar nga pjesa tjetër e shoqërisë? Të dobët, të sëmurë, të ftohur, të pafuqishëm, e shtyjnë jetën me pasqyrimin prej tyre të vetvetes. Gjithkund të rrethuar nga hiçi dhe heshtja. Më të parëndësishëm se kllounët e cirqeve, i pëshpërisin poezitë e tyre mureve dhe zbrazëtisë. Andej tutje, përjashta, zbrazëtia është edhe më e thellë, edhe më e dhimbshme. Vetëm avulli, që këtu qartazi shfaqet si një simbol i shpresës dhe frymëzimit, e mban ende gjallë Migjenin dhe tërë poetët e mirëfilltë sot. Pa atë avull hyjnor, poeti do kishte vrarë veten.  

Image

Edhe në marrdhënien me vetminë, Migjeni shfaqet si një paradoks: ai shfaqet edhe i vetmuar, edhe jo i vetmuar në të njëjtën kohë. Ai është i vetmuar, në kuptimin që ai është i ndarë nga çdo marrdhënie shoqërore. Marrëdhënie e vetme e tij në hapësirë është me dhomën e ftohtë, kovën me ujë të ngrohtë dhe pasqyrën. Por vetmia e tij nuk është e rrokakrejtshme: mbrapa tij ai mban një marrëdhënie me vetveten. Kjo marrëdhënie e tij me vetveten rrëfehet nëpërmjet pasqyrimit të pjesës së mbrame të kokës së tij në pasqyrë. Shumë pak e ndan atë nga marrëzia e plotë, nga një ikje e pakthyeshme nga njerëzimi.

Image

Ky punim i Artan Hajrullahut më kujton një nga besimet më thelbësore të Rilkes: udhëtimi i njëmendtë është udhëtimi i përbrendshëm. Përjetimet e vëzhguesit bashkohen në rrjedhën e kohës së përbrendshme, - e jo e anasjelltas. Përplasja e Migjeni me botën e jashtme është një zgjatim i përplasjes së tij brenda vetes.

  

19 nëntor 2019
09:13

Erlind Sulko