Neopatrimonializmi në Afrikë dhe Kosovë, dhe efektet e tij në shtetzhvillim. Aspektet krahasimtare

05 nëntor 2019 15:28

Neopatrimonializmi si term dhe koncept përdoret rëndom nga studiuesit për ta shpjeguar stagnimin ekonomik dhe politik të vendeve të kontinetit të Afrikës. Sidoqoftë, ky koncept që më pas është shndërruar në model qeverisës, ka gjetur prehje për të analizuar rajone të ndryshme të botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore, për të mos e lënë anash edhe Amerikën Latine. Fillimisht është e rëndësishme të shpjegohet sesi lindi ky term, që më pas mori dhenë në fushën e shkencave sociale. Së pari patrimonializmi derivoi nga tipologjia e pushtetit të sociologut gjerman Max Weber më 1922, ku ‘autoriteti patrimonial’ doli si formë e ‘autoritetit tradicional’ që është në krye të piramidës së Weberit. Zolberg dhe Eisenstadt ishin të parët që aplikuan konceptin patrimonializëm tek shoqëritë moderne, dhe, më vonë i vunë prefiksin/parashtresën ‘neo’ ose ‘modern’. Parashtresa ‘neo’ në patrimonalizëm qëndron për institucionet formale dhe rregullin legal/racional të shtetit që bashkëjeton me marrëdhënie patrimoniale. Janë tri forma me anë të së cilave manifestohet neopatrimonalizmi dhe ato janë 1) korrupsioni, 2) klientelizmi dhe 3) patronazhi.

Neopatrimonializmi thyen barrierat në mes asaj që ështe publike dhe private. Në fakt neopatrimonializmi në Afrikë ka funksionuar dhe funksionon duke i përdorur të mirat publike dhe shpërndarë ato tek ndjekësit, që në këtë mënyrë të sigurohet lojaliteti i tyre. Pra, ka një blerje të paqes publike dhe marrëdhënia politike ushtrohet nëpërmes funksionit patron – klient. Skenimi i Afrikës postkolonialiste me anë të modeleve teorike më së shumti shpjegohet përmes udhëheqjes neopatrimonale. Ndonëse tani neopatrimonializmi ka tejkaluar karakterin partikular afrikan – mënyra sesi qeverisën shumë shete sot në shumë kontinente, përsëritë ketë model –veçse me fytyrë dhe formë tjetër.

Kjo formë qeverisëse gërryen konceptin e modernitetit, pasi në të shumtën e rasteve shpërfaqet në forma farefisnore, klienteliste dhe shpesh herë merr karakter feudal. Shteti modern qytetar mbetet i eklipsuar, përderisa patronazhi politik vendos rregullat e lojës. Për më tepër, në kontekstin afrikan neopatrimonalizmi tejkalon premisat ideologjike qoftë të së majtës dhe të djathtës. Ai shfaqet si përthekues i shoqërisë, që katërcipërisht determinon kahjen e zhvillimit të shtetit. Edhe pse është konsideruar se neopatrimonalizmi e ka kthyer disi shetin në funksion dhe ka shembur atë që thellësisht ka qenë e krijuar përmes marrëdhënies patrimoniale dhe ndërpersonale, ende shteti në një pjesë të madhe të kontinentit afrikan konsiderohet si një fasadë pseudo-perëndimore. Neopatrimonializmi vjen si një lapsus apo devijim nga modeli ideal racional/legal dhe ai tradicional weberian. Karakteristika sistemike e neopatrimonializmit është çështje shkalle dhe jo parimi. Kjo shkallë e neoptatrimonalizmit ka prekur politikisht edhe administratën publike në kontinentin afrikan. Dy forma kryesore të ndikimit të padrejtë nga sfera politike janë të mundura dhe të shprehura: së pari, vendosja e zyrtarëve të pakualifikuar të taksave, të cilët mbajnë pozicione patronazhi; së dyti, ndërhyrje neopatrimoniale me administratën tatimore në biznesin e përditshëm - për shembull për të dëmtuar kundërshtarët (Von Soest et al. 2011). 

Forma e kontrollit të administratës publike bëhet nëpërmes forcës apo kërcënimit (në ang. Coercion), rrjetizimi i nëpunësve është instaluar nëpërmes kanaleve të marrëdhënieve ndërpersonale, klientelizmit dhe fuqisë politike. Kjo skajshmërisht çon në anë të kundërt të modelit ideal të burokracisë. Pasojat e kësaj lloj forme të qeverisjes e kanë lënë në stagnim zhvillimin e shtetit në kontinentin afrikan. Megjithatë, Afrika nuk mund të shikohet vetëm me lenset e neopatrimonializmit, dhe korrelacioni i gjithë çfarë ka të ngjarë në Afrikë nuk mund të shpjegohet përmes kësaj komponente. Por, gjithsesi janë edhe disa momente monumentale në trandjen e kontinentit, përveç neopatrimonializmit. Një nga to është dështimi i huave/kredive dhe reformave/masave ekonomike ndërkombëtare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, apo siç njihet  ndryshe si ‘Washington Consensus.’ Programi i rregullimeve strukturore shkaktoi devalvim të banknotës, humbje të vendeve të punës, privatizim të ndërmarrjeve publike, kthim prapthi të shtetit e kështu më radhë. Afrika në këtë mënyrë gëlltitet nga vala e neoliberalizmit, gjë që në aspektin politik shkund seriozisht neopatrimonializmin, por nuk e rrënon tërësisht atë, dhe në aspektin ekonomik gjeneron krizë të madhe publike. 

Thënë këto, qeveritë në shumicë të rasteve janë bazuar në koncentrim të pushtetit tek një person ose tek një grup i vogël njerëzish. Pushteti është ushtruar duke gërryer institucionet, limituar sistemin e drejtësisë, parlamentin, përdorim të forcës si pasojë e mossigurisë dhe klientelizëm të theksuar. Ajo çfarë e karakterizon këtë sistem është shpërndarja e posteve ministrore në këmbim të lojalitetit. Kabinetet janë galopante, dhe administrata publike gjithashtu është e madhe dhe përdoret për përfitime personale. Të dyja këto shpiejnë tek ajo çfarë shumë hulumtues afrikanistë e quajnë ‘klientelizëm sistematik’ (deGrassi, 2012). Përgjithësisht, në këto sisteme kemi një kapje nga institucionet shtetërore deri tek fshatarësia. Ndonëse, fantazma kolonialiste ka ngjarë të jetë venitur, për qytetarët afrikanë makthi ka vazhduar nëpërmes këtyre formave qeverisëse që substancialisht kanë penguar shtetzhvillimin.

Si për shembull, në Kenia marrëdhënia patrimoniale klient-pronar ka qenë faktori kryesor në alokimin e resurseve. Më 2002 ka pasur pritje të mëdha nga qeveria e re përfshirë ‘zero tolerancë ndaj korrupsionit’, por e kundërta ka ndodhur. Korrupsioni ka qenë kryefjala dhe pasqyra e qeverisjes. Kabineti qeveritar ka shërbyer si burim për ndarje të resurseve dhe ka pasur një shpërdorim të tyre. Qeveria është përbërë nga 90 ministra, dhe pritjet e qytetarëvë janë thyer (Von Soest et al. 2011).

Përgjatë viteve të postkolonializmit në Afrikë ka dominuar supremacia e politikës, ku në qendër ka qenë politika si diskutim, si pushtet, por jo politika si e mirë publike. Kjo njihet edhe me termin ‘policy paradox’ apo paradoksi i politikave. Ekonomia për një kohë të gjatë si dhe jeta politike ka funksionuar nëpërmes institucioneve joformale, gjë që në periudhën e paspavarësimit të shteteve ka lënë shenja. 

Kosova dhe sistemi neopatrimonial, aspekt krahasues me shtetet afrikane

Neopatrimonalizmi ka marrë frymë thuajse universale, por formën e ka tjetër nga vendi në vend. Edhe pse gjeografikisht larg, dhe politikisht me dallime, fytyra e neopatrimonializmit afrikan dhe përvojat e këtyre vendeve mund të krahasohen lehtë me Kosovën. Specifikat historike të vendeve afrikane si Republika Demokratike e Kongos, Kenia dhe vendeve tjera dhe të Kosovës kanë ngjashmëri në disa aspekte. Është një koncept i jetës joformale ekonomike që ka determinuar jetën e përditshme në Afrikë, e që pashmangshmërisht edhe jetën politike në vete. Goran Hyden, shkollar amerikano-suedez shtjellon një koncept të cilin e quan ‘economy of affection’ që në shqip ndoshta mund ta përkthejmë si ‘ekonomia e afërsisë/ndjeshmërisë.’ Kjo lloj ekonomie thekson Hyden, operacionalizohet përmes institucioneve jo formale siç është shoqëria, familja, fisi dhe funksionon nga dora në dorë, pa kontroll shetetëror, pa institucione bankare e të tjera. Interaksioni me bazë fisin, religjionin, etninë për të mbijetuar ekonomikisht ka karakterizuar një pjesë të madhe të Afrikës. E njëjta formë është përjetuar në Kosovë nën vitet e okupimit serb. Kjo formë veprimi që ka ardhur në kushte okupimi e më vonë edhe për ikje nga institucionet shtetërore, ka thelluar më shumë marrëdhëniet primitive shoqërore që më vonë janë transmetuar në shtet. Prefiksi ‘neo’e ka çuar marrëdhënien një hap para – patronazhi politik ka vazhduar.

Kosova sikurse edhe vendet Afrikane ka pasur ndërhyrje nga lart – poshtë në fushën ekonomike. Kjo ka ardhur nëpërmes privatizimit që është implementuar përmes neoliberalizmit. Që nga viti 2000 kontrolli mbi resurset shtetërore, dhe institucioneve shtetërore është përdorur për rrjetizim ndërpersonal, që për qëllim ka pasur thellimin dhe mirëmbajtjen e pushtetit. Korrupsioni dhe klientelizmi kanë penguar kapërcimin e madh. Kosova ka mbetur në një stagnim, që mund të teoritizohet dhe operacionalizohet nga aspekti krahasues i neopatrimionalizmit, së bashku me vendet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Evropës Lindore.

Sikurse edhe në Afrikë, ajo çfarë e ka përcjellë Kosovën e që është tipar i neopatrimonalizmit është korrupsioni. Kosova sipas indexit të Bankës Botërore për transparencë, llogaridhënie dhe korrupsion në sektorin publik matur me 2017 kishte 3.0 pikë, që është në linjë me shumë vende të Afrikës dhe jo vetëm. Kosova ka pasur gjithherë kabinet të madh qeveritar, i cili më shumë është përdorur për rehatim politik të figurave të ndryshme për të shpërndar ndikimin të llojit patron-klient sesa për zhvillim ekononik. Një mbizotërim i këtij modeli pengon reformën, dhe kjo ka ndodhur me Kosovën. Një sistem klientelist me premisa farefisnore ka fituar mbi çfarëdo koncepti zhvillimor. Mbajtja e pushtetit dhe kontrollit të organeve kyçe të shtetit kanë bërë që të ketë një mbizotërim nga lart. Teoritizimi dhe argumentimi  i problemit të Kosovës si edhe vendeve afrikane e tejkalon ndarjen e majtë dhe e djathtë, madje janë vështirë të detektueshme problematikat nga ai prizëm për shkak të specifikave. Në Kosovë ka pasur neopatrimonializëm tipik, kurse në Afrikë edhe pse formalisht ka pasur institucione – patriomonializmi pa parashtresën ‘neo’ ka qenë më i shprehur. Neopatrimonalizmi në Kosovë është shfaqur në forma të korrupsionit dhe nepotizmit që ka thelluar lidhjet klienteliste. 

I gjithë ky mozaik është prodhuar nga autoriteti i fituar në shumicën e herëve nga lufta dhe rezistenca e bërë nën okupim. Legjitimiteti i fituar në luftë është përkthyer në autoritet që më pas ka krijuar një lloj patronazhi politik. Jostabiliteti politik dhe tendenca për kontroll të institucioneve të pavarura si mjet për ta ruajtur pushtetin, është formë tjetër e neopatrimonializmit që gjerësisht është e ngjashme si në Kosovë ashtu edhe në vende afrikane. 

Në një vështrim të përgjithshëm, neopatrimonalizmi nuk mund të shikohet apriori si fenomeni i vetëm shpjegues i gjendjes në Kosovë dhe Afrikë. Gjithsesi, ky fenomen mban gjallë pushtete në Kosovë dhe Afrikë. Është ky koncept i shndërruar në formë të qeverisjes që ka penalizuar shtetzhvillimin. Tentimkapja e publikës është formë me përmbajtje që është përkthyer me stagnim. Specifikat e shpjeguara më lart mund të çojnë tek ky konstatim. Neopatrimonializmi ka gllabëruar mbarëvajtjen e publikës. Kjo gjendje nuk është pa rrugëdalje – veçse trashja e këtij sistemi krijon sfida dhe problematika në çrrënosjen eventuale të tij.

 

05 nëntor 2019
15:28

Arbër Fetahu