Përballë idealit dhe realitetit

29 tetor 2019 13:41

Një review përkitazi me filmin Cold November (Nëntor i ftohtë), të regjisorit Ismet Sijarina

Ngjarjet e mëdha, ndryshimet revolucionare kanë qenë dhe janë një ankth për individin. Pothuajse, çdo gjë kapërdihet nga fryma e këtij ndryshimi të madh. Njeriu, individi humb çdo vlerë dhe njëjtësohet me masën nga një frymë e tillë. Përpara pushtuesit të gjithë janë të pushtuar, sikurse, edhe përpara të pushtuarit të gjithë pushtues, pra,  në fund të fundit janë njësoj. Pra, ka një pushtues, një të pushtuar – një histori. Gjithçka, çdo gjë dhe çdokush i nënshtrohet këtij rendi determinist. Nuk ka Unë, por ka Ne. Nuk ka Ai, por ka Ata (sic). Andaj, sipas këtij ligjërimi supozohet se edhe kur të ëndërojmë, duhet të ëndërrojmë të gjithë njësoj, madje edhe seks do të duhej të bëjmë të gjithë njësoj. Pse?! Sepse jemi të njëjtë na thonë. I përkasim të të njëjtit lloj, prandaj edhe jemi dhe duhet të sillemi njësoj. E gjithë lufta brenda një populli që është në luftë, është se si duhet të sillemi si një trup i vetëm edhepse, nuk jemi të tillë. Masa duke qenë totalitare mundohet që çdo gjë është jashtë margjinave ta fusë brenda gjirit të saj ngulfatës, mirëpo, nëse kjo nuk është e mundur atëherë duhet përjashtuar duke e poshtruar në mos dhe eleminuar. Historikisht masat kanë qenë dhe janë vrastare për individin, sepse individi është armiku kryesor i hipokrizisë së tyre. Një individ me vullnet, besim dhe guxim intelektual, i cili vendimet që i merr i bën jashtë interferencave eksternale, nga konformiteti shoqëror shihet si armik. Sipas tyre ky soj njeriu nuk i duhet shoqërisë, sepse ai mendon me kokën e tij, jo sipas dëshirës së shoqërisë. Shoqëria, sipas tyre, duhet ta ketë një trup dhe një kokë dhe për këtë ato koka që synojnë të theksohen duhet prerë. 

Prandaj, rasti i arkivistit Fadil Syla (luajtur nga aktori Kushtrim Hoxha), na e bën të prekshëm këtë narracion. Rasti i tij nuk është copëza e historisë së përgjithshme, por është historia e tij, e familjes së tij, madje në disa momente vetëm e tij. E gjithë kjo histori shfaqet në filmin Cold November (Nëntor i ftohtë), të regjisorit Ismet Sijarina. Fadili, jeton nën fshikullimin e kamxhikut të idealit dhe nën presionin e realitetit ekzistencial dhe si rrjedhim ai jeton nën presionin e këtij binomi. E gjithë beteja e tij zhvillohet brenda një dileme morale dhe brenda një realiteti për ekzistencën. Sikur e gjithë lufta që ndodhë jashtë me tërë masën dhe vëllimin e saj janë koncentruar vetëm në një pikë, në shpirtin e Fadilit. Ai në çdo çast është nën presion dhe se e di se duhet të ballafaqohet vetë me të. Vendimin që e ka marrë nuk e ka nga kryeneçësia, as nga guximi. Ai është i frikësuar, sepse vendimi i tij në njërën anë të peshores e ka të vendosur idealin e popullit për kundërshtim (e që edhe vetë Fadili është po aq kundërshtues), si dhe në anën tjetër ekzistencën e familjes së tij. Kjo përplasje në mes të popullit në njërën anë dhe të familjes në anën tjetër, për Fadilin është përplasje më e madhe sesa vetë përplasja e qytetërimeve, është përplasja mes moralit dhe mendjes. Morali i thotë se duhet të jesh krah me idealin, mirëpo, mendja i thotë se si mund të jesh me idealin kur je i vdekur urie. Morali i thotë se duhesh ta lësh punën e të vuash sikur shokët, kurse mendja i thotë se duhet të jesh i përgjegjshëm para familjes. Kjo dilemë Fadilin do ta ndjekë në çdo hap. 

Shumë nga ne edhe mund ta gjykojmë vendimin e Fadilit, madje shumica absolute edhe e bën, mirëpo, këtë e bëjmë duke mos qenë ose duke mos dashur të mishërohemi me fatin e tij. Fadili është i dënuar nga historia të jetojë si tradhtar, sepse veprimin e tij asisoj e ka vendosur populli kjo kategori kaq abstrakte. Dilema e Fadil Sylës është pothuajse analoge me dilemën e atij studentit sartre-an, i cili nuk e di se a është më mirë të shkojë në luftë me shokët apo të qëndrojë me nënën e tij në shtëpi dhe këtë dilemë ia paraqet Jean-Paul Sartre-it, e i cili në pamundësi për t’i treguar rrugën që duhet ndjekë, këshilla e tij për këtë student ishte që të vepronte sipas vullnetit të tij, sepse simbas Sartre-it ekzistenca e njeriut mund të kuptimësohet vetëm atëherë kur ai vetë e merr fatin e tij në duart e veta. Dhe në këtë pikë Fadili është tipik sartrean, ekzistencialist orthodoks. Edhe përkundër presionit psikologjik ai reziston, sepse fuqia rezistuese e tij është koncentruar në shpëtimin e familjes së tij. Ai ka një qëllim që të mbijetojë qoftë edhe duke u përbuzur nga shoqëria. Dilema e tij nuk është ankth për shoqërinë, por shoqëri bëhet ankthi i tij.

Një anë tjetër në kuadër të këtij ligjërimi filmi Cold November shpërfaq edhe dy elemente shumë të rëndësishme; shoqërinë dhe tradhtinë. Në fakt filmi nuk e relativizon tradhtinë si koncept, por as si masë ndëshkuese, mirëpo, duke e zhveshur hipokrizinë e shoqërisë (popullit), e rikontekstalizon dhe e ridimensionon epitetin e tradhtarit. Fadili punon si arkivist në një ndërmarrje në kohën kur masat e dhunshme që ishin vendosur në Kosovë nga aparati shtetror serbë ku kishin bërë që shqiptarët të largoheshin dhunshëm nga puna, të mbylleshin fabrika, shkollat, Universiteti etj., ai vendos që të punojë. Ky vendim sado drastik po aq edhe kundërthënës për kontekstin, por në syrin e kamerës së regjisorit Sijarina merr një trajtë tërësisht personale. Fadili nuk vazhdon punën për t’i ndihmuar armikut. Ai vazhdon punën sepse nuk ka kah t’ia mbajë. Jeta e tij, e gruas, dy fëmijëve dhe babait të tij janë të varura nga paga e punës si arkivist që bën. Është interesant se vendimi i Fadilit për të qëndruar në punë, tek pala shqiptare e bën tradhtar, kurse tek pala serbe e bënë mosbesues. I huaj në punë, i huaj në shoqëri, ky është fati i tij të cilin ai duhet ta mbajë mbi supe, të jetojë si një fantazmë në mes njerëzve. Fadil tradhtari, është njeriu i cili ka vendosur të marrë në duar fatin e tij dhe është pikërisht ky vendim që atë e bëri tradhtar. Ai ka vendosur që familjen e tij të mos ta lërë nën ndërgjegjen e shoqërisë, por t’i marrë përgjegjësitë që ia ka ngarkuar vetës, ta mbajë veten dhe familjen e tij, qoftë kjo edhe me kushtin e vdekjes. 

Pra, nëpërmes Fadil Sylës, filmi Cold November, na bën me dije se brenda asaj që mundohemi ta paraqesim si histori e popullit si histori kombëtare në fakt ka një shumësi të pafundme historish të veçanta, e që secila është e ndryshme në llojin e vet. “Nuk ka një histori botërore, ajo nuk ekziston. Ka histori individuale” thoshte dikur autori i librit Mjerimi i historicizmit, Karl Popper.  Prandaj, filmi Cold November në njëfarë forme na këshillon që të jemi të kujdesshëm kur marrim guximin që ta gjykojmë tjetrin sesi të sillet, e aq më pak kur këtë e bëjmë sidomos në emër të popullit. Mbase, jeta e Fadil Sylës përfundon pas përfundimit të thesit me kumpira, mirëpo, mendësia që e nxjerr tradhtarin si kategori shoqërore në debatin publik vazhdon edhe sot e kësaj dite të përsëritet.  

 

29 tetor 2019
13:41

Dritan Dragusha