Çfarë është retorika e mirë?

03 tetor 2019 10:41

Artikulli origjinal në Aeon

Platoni thoshte se duhet të jemi dyshues ndaj folësve bindës dhe ngashënjimit të emocioneve. Megjithatë, retorikë mund të jetë një e mirë qytetare.

Filozofët kanë një problem të kahmotshëm me retorikën. Pikëvështrimi i zakonshëm përplasjes mes tyre është i mirënjohur: përderisa filozofia është veprimtari drejt së vërtetës që merret me argumente të arsyetuara, retorika është e painteresuar në të vërtetën dhe merret sall me bindjen. Ky pikëvështrim shpesh i ngarkohet Platonit, por kjo është shumë e ngutshme. Siç e pranonte vetë Platoni, filozofët duhet të paraqesin idetë e tyre në formë bindëse po deshën të pranohen dhe ka përdorime të retorikës që mund të thellojnë në vend që ta irritojnë përkushtimin tonë ndaj të vërtetës. Fuqia e një folësi të efektshëm për të kapluar një audiencë mjafton për të ngjallur dyshimin tonë në politikën demokratike, megjithatë duhet që gjithashtu të pranojmë se praktika e retorikës mund t’i shërbejë një qëllim qytetar. Pyetja kryesore këtu është ajo se çfarë e dallon retorikën e mirë prej retorikës së keqe.

Platonit i interesonte thellësisht kjo pyetje. Sado që interesimi për të vërtetën përshkon mendimin e tij, ky nuk është problemi më i rëndësishëm që ka me retorikën në dialogjet e tij. Që ta kuptojmë kritikën e Platonit, na duhet ta lexojmë në sfodin e një mobesimi të thellë ndaj të folurit bindës që ndjente së bashku me bashkëkohësit pas humbjes së Athinës ndaj Spartës në Luftën e Peloponezit në fund të shekullit të pestë p.e.s. Përveç numrit të madh të të vdekurve dhe të plagosurve që pati qyteti, humbja pati ndikim monumental mbi psikën athinase. Te Ligjet, që zakonisht konsiderohet si vepra e fundit e Platonit, Vizituesi Athinas deklaron se ‘çdo grek e merr për të qenë se qyteti im e do të folurën dhe merret goxha shumë me të, ndërkohë që Sparta është qytet fjalëpak, e Kreta praktikon më shumë dredhinë sesa të folurën.’

Pa dyshim se kishte shumë faktorë që ndikuan në humbjen e Athinës në luftë, por nëse ka një gjë që mund ta veçojmë mbi të tjerat, ai është fakti se vet populli athinas qe bindur prej shtetarëve dhe gjeneralëve karizmatikë të asaj periudhë që të ndërmerrte një numër fushatash ushtarake katastrofale. Siç do të ankoheshin shumë shkrimtarë – historianë, tragjedianë e komedianë – përgjatë dhe pas luftës, shkaku kryesor që solli humbjen qe ‘dashuria për të folurit’ e athinasve.

Rënia e Athinës na ofron një rrëfenjë me moral për epokën tonë. Megjithëse do të ishte gabim të refuzohet e folura bindëse thjesht ngase folësi nuk i përket partisë sonë të preferuar, do të ishte poashtu gabim të mendohet se duhet të pranojmë çdo fjalim që na duket bindës. Fjalimet e Nyrnbergut të Adolf Hitler-it në vitet 1920 dhe 1930 qenë vegla propaganduese shumë të efektshme në përforcimin e pushtetit të Partisë Naziste dhe në ndryshimin e pikëpamjeve të popullit gjerman, por efektet më të gjëra të aftësisë së tij për të fabrikuar një Gjermani të çliruar qenë shkatërrimtare për vendin. Këtu parimi është i thjeshtë: retorika e mirë nuk është e reduktueshme në retorikën bindëse. Bindja shpesh mund të jetë qëllim i retoricienit, por nëse retorika do t’i shërbejë një të mirë qytetare, duhet t’i shërbejë popullit të cilit i drejtohet. Platoni qe i pari që vërejti se bindja nuk mund të jetë qëllimi i duhur i retorikës, ngaqë është pyetje e hapur sesi i shërben interesave të një audience kur një fjalim bindës ndikon në pikëpamjet e tyre.

Te Gorgia dhe te Fedri, Platoni ndërmerr një tjetër qasje ndaj vlerës së retorikës. Të dyja këto së bashku, shpalosin një teori gjithëpërfshirëse të asaj se kur dhe si një fjalim bindës cilësohet si retorikë e mirë. Gorgia interpretohet më së miri si kritikë e praktikës konvencionale të retorikës. Në këtë dialog, Sokrati argumenton se qëllimi kryesor i retorikës konvencionale nuk është (thënë drejt) bindja, por lajkataria. Ai e ka fjalën për atë se praktika e të folurit bindës zakonisht arrin efektet e saj duke ngopur kënaqësitë dhe dëshirat e një audience.

Vini re se si duke u zhvendosur te psikologjia e një audience, retoricieni tash mund të thotë diçka rreth asaj se si i shërben retorika popullit tek i cili operon. Sipas këtij vështrimi, vlera e retorikës shtrihet në aftësinë për të kënaqur dhe zmadhuar orekset dhe impulset njerëzore. Vetë Platoni nuk beson se retorika funksionon më së miri si formë e lajkatarisë, edhe pse ka të drejtë kur thotë se kjo është mënyrë sesi vepron zakonisht kjo praktikë. Përveç ngashërimeve të drejtpërdrejta të dëshirave të popullit, folësi mund të fitojë përkrahje për ndonjë politikë e pikëpamje në mënyrën më të efektshme duke përkrahur besimet e paluhatura të një audience dhe duke i dhënë zë frikërave të tyre të fshehura. Edhe po të jetë fjalim i shtirur, përforcimi i këtyre besimeve dhe frikërave mund ta bëjë për vete audiencën.

Patjetër që Platoni e njihte mirë furinë që mund të nxisë tek të tjerët retorika e tillë lajkatare. Thrasimaku, për shembull, i njohur si kundërshtari kryesor i Sokratit te Republika, ishte historikisht një prej retoricienëve më të mirë të kohës. Aftësia e tij që të përdorë fjalimin për të ndikuar mbi audienën ishte aq e jashtëzakonshme sa Sokrati i drejtohet te Fedri si ‘i zgjuar si në përndezjen e shumicës dhe, me t’u përndezur, ashtu edhe në qetësimin e tyre përmes magjisë së fjalëve të tij’.

Cili është pra problemi me lajkatarinë e tillë? Ta zëmë se një politikan jep një fjalim të efektshëm duke kënaqur deshirat e votuesve të tij. Askush nuk mund ta mohojë fuqizimin që ndjejmë kur ndjenjat tona pranohen dhe validohen në këtë mënyrë. Pse nuk duhet të cilësohet fjalimi i tillë si retorikë e mirë? Përgjigjja e Platonit përqendrohet te objekti që retoricieni kërkon ta ndikojë: psikologjinë njerëzore. Problemi i tij me retorikën konvencionale është se, duke përvetësuar lajkatarinë si qëllim, ajo përvetëson një konceptim krejtësisht të varfëruar të motivimit njerëzor – d.m.th., se në thelb jemi kërkues kënaqësish.

Teoria e Platonit e psikologjisë njerëzore keqkuptohet shpesh. Një keqlexim i zakonshëm e hamend marrëdhënien mes arsyes dhe pasionit si konfliktuoze. Në fakt, siç e thekson te Fedri, jeta më e mirë për qenien njerëzore është ajo në të cilën arsyeja dhe pasionet veprojnë bashkë si ekip. Në këtë dialog, Sokrati e kthen vëmendjen në atë sesi praktika e retorikës mund të funksionojë në mënyrë produktive si art, por zhvillon gjithashtu një prej portreteve më të detajuara të shpirtit njerëzor në korpusin platonik.

Çiftëzimi i temave është i qëllimshëm. Meqë, nëse përdorimi konvencional i retorikës nuk është art sepse përvetëson botëkuptim të varfër të psikologjisë njerëzore, siç pohon Sokrati te Gorgia, atëherë përdorimi i shkathët i retorikës duhet të operojë në baza të një pikëvështrimi të mirë të psikologjisë njerëzore. Sipas Platonit, ajo çfarë na intereson vërtet kur shqyrtojmë natyrën e retorikës është natyra e shpirtit njerëzor.

Atëherë, cila është natyra e shpirtit njerëzor? Te Fedri, Sokrati e përkufizon shpirtin përgjithësish si parimin e vetëlëvizjës në gjëtë e gjalla. Te alegoria e njohur e qerres, ai ndan shpirtin njerëzor në pjesë të ndryshme: karrocieri, i cili përfaqëson intelektin njerëzor, përpiqet që të ngasë dy kuaj, njërin të racës fisnike, tjetrin të egër (që përfaqëson pasionet racionale dhe joracionale). Në këtë alegori, Platoni nuk e mohon natyrën tonë si kërkues kënaqësish. Megjithatë, nëse duam të lëvizim vetet tona si qenie njerëzore, ai beson se është vendimtare që të zhvillojmë natyrën tonë si kërkues arsyeje. Pse pikërisht? Përgjigjja e tij kryesore te Fedri është se pjesa jonë që kërkon arsyen përfaqëson aftësinë që ka secili prej nesh si qenie njerëzore për t’u përfshirë në mendim të pavarur: për të kuptuar dhe çmuar për veten tonë një grumbull idealesh dhe aspiratash sipas të cilave dëshirojmë të jetojmë. Ç’është e vërteta, ai përshkruan dëshirën tonë për ta zhvilluar këtë arsyetim si forcë aq bindëse saqë më së miri do të klasifikohej nën kategorinë e dashurisë erotike.

Vështrimet e Platonit mbi fjalimin bindës na ofrojnë një grumbull mjetesh të dobishme për ta parë vlerën e retorikës në jetën qytetare moderne. Kritika e tij shpjegon, pikë së pari, prirjen tonë në politikën demokratike për t’iu përgjigjur me dyshim aftësive të një folësi bindës. Këtu problemi shtrihet jo në përdorimin e fjalimit bindës si të tillë, por në synimin e shumë retoricienëve të efektshëm për ta korruptuar apo topitur fuqinë e audiencës për mendim të pavarur. Te Mein Kampf (1925), Hitleri është shumë i hapur rreth këtij synimi në shtjellimin e vështrimeve tij rreth përdorimit të duhur të propagandës: ‘Arti i propagandës qëndron pikërisht në të qenit i aftë të zgjojë imagjinatën e publikut përmes ngashënjimit të ndjenjave të tyre, në të gjeturit e një forme të përshtatshme psikologjike që do të mbërthejë vëmendjen dhe të bëjë për vete zemrat e masave kombëtare.’ Kjo është krejtësisht një formë e asaj që Platoni e quan retorikë lajkatare.

Përveç të shpjeguarit e natyrës së retorikës së keqe, kritika e Platonit ndihmon gjithashtu që të na ndriçojë për natyrën e retorikës së mirë. Nëse që të kesh shpirt është të jesh gjë vetëlëvizëse, dhe çfarë është thelbësore për vetëlëvizjen e shpirtit njerëzor është aftësia për të menduar për vetet tona, atëherë përdorimi i shkathët i retorikës do të duhej të kultivonte atë aftësi në veçanti. Kur ndeshim folës bindës të këtij lloji në sferën publike, nuk duhet t’u përgjigjemi në mënyrë cinike. 

Përkundrazi, duhet të mirëpresim takime të tilla, meqë ato janë mundësi për të mobilizuar si dëshirën tonë për të kuptuar, ashtu edhe pasionet tona.

A është e mundur retorika e këtij lloji në jetën publike sot? Jemi të prirur të besojmë se qëllimi i retorikës është veç bindja ose besimi, dhe se një qëllim i tillë është i papërshtatshëm për promovimin e mendimit të pavarur në një audiencë. Megjithatë, ky është gabim. Një retoricieni të shkathët mund t’i nevojitet që të vendosë baraspeshë mes këtyre dy qëllimeve, por këto nuk janë të papajtueshme. Rreziku që duhet të shmanget gjithnjë është lloji i retorikës që përmban autoritetin e bindjes në kurriz të mendimit të pavarur të një audience. Ka pasur fjalime në epokën moderne që kanë prekur dëgjuesit aq thellë, ndërkohë që kanë ruajtur respektin themelor për sovranitetin e shpirtit njerëzor.

Kujtoni Fjalim e Getisburgut (1863) të Abraham Linkolnit, që edhe sot konsiderohet model i oratorisë amerikane. Në tre paragrafë të ngjeshur, fjalimi i tij prek të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Lincoln-i dha fjalimin në një ngjarje formale, në dedikimin e varrezave për ata që kishin luftuar dhe vdekur në një moment kyç të kthesës në Luftën Civile Amerikane, por që në fjalisë hyrëse ai e bën të qartë se do të shfrytëzojë këtë moment për të reflektuar mbi temën e dedikimit më në përgjithësi:

Para 87 viteve baballarët tanë sollën në jetë në këtë kontinent, një komb të ri, të sendërtuar në Lirinë, dhe të përkushtuar në premisën se të gjithë njerëzit janë krijuar njësoj.

Pjesa e tjetër e fjalimit vë përbri me mjeshtëri dedikimin e hapësirës fizike në të cilën qëndron audienca me dedikimin e të gjithë amerikanëvë ndaj kësaj premise abstrakte, të shprehur në Deklaratën e Pavarësisë (1776): ideali i lirisë për të gjithë.

‘Është patjetër me vend dhe gjë e duhur,’ pohon Lincoln-i, që të përkujtohen të vdekurit, por në strumbullarin që i jep fjalimit fuqi retorike, ai deklaron se ‘në një kuptim më të gjerë, ne nuk mund të dedikojmë – nuk mund të shenjtërojmë – nuk mund të shugurojmë – këtë tokë.’ Ata që luftuan në fushëbetejë tashmë e kanë arritur atë. Për ata që shohin drejt së ardhmes, për të gjallët, Lincoln-i ju kërkon që të ripërkushtohen ndaj kauzës së barazisë dhe lirisë njerëzore:

Na takon ne të gjallëve, që të përkushtohemi këtu ndaj veprës së papërfunduar të cilën ata që luftuan e kanë shtyer përpara me aq fisnikëri deri tash. Na takon ne që t’i përkushtohemi detyrës së madhe që na pret – që prej këtyre të vdekurve të nderuar të marrim devotshmëri edhe më të madhe ndaj kauzës për të cilën ata lanë pikën e fundit të devotshmërisë – që ne këtu të vendosim fuqishëm se këta që ranë nuk vdiqen kot – që ky komb, nën zotin, do të lindë lirinë përsëri – dhe që kjo qeveri e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të shuhet nga kjo tokë.

Fuqia e madhe e Fjalimit të Getisburgut, plot siç është me ndjenjë e urgjencë, rrjedh prej ftesës që dëgjuesi të marrë parasysh themelet mbi të cilat u ndërtuan Sh.B.A. Fuqia bindëse e fjalimit përbëhet jo vetëm nga aftësia e tij për të ngjallur pasionet e audiencës dhe për të ngjizur besim, por gjithashtu nga aftësia që të bëjë amerikanët e zakonshëm të mendojmë më vetëdijshëm se më parë për koherencën e idealeve të tyre dhe zbatimin e këtyre idealeve në praktikë. Audienca është lëvizur (prekur), por gjithashtu (në sensin e Platonit) vetëlëvizur, në pikën që ata inkurajohen që të mendojnë për vete.

Nëse është ashtu, mund të shohim pse pretendimi se retorika shërben si zëvendësues i zbehtë për arsyen dhe argumentin është shumë thjeshtëzues. Retorika e mirë bën gjithashtu punën e arsyes, paçka se disi ndryshe prej argumentit filozofik. Platoni erdh u bë pesimist për retorikën e bashkëkohësve të tij në Athinën demokratike, që mund të jetë edhe arsyeja pse ngriti Akademinë si vend ku mund të lulëzojë praktika e mendimit të pavarur. Prapëseprapë, ka pasur momente në histori që mund të na lënë me shpresë – ose të paktën më pak dyshues kur është fjala te prospektet për retorikën e mirë. Pyetja e rëndësishme për në sot është: ‘A mund t’ia dalim të krijojmë retorikë politike që edhe të jetë tejet bindëse edhe njëkohësisht të nxisë mendimin e pavarur?’ Kjo nuk është pyetje retorike. Nëse nuk ia dalim, do të kemi telashe.

***

Tushar Irani është profesor i filozofisë në Wesleyan University në Konektikat. Ai është autor i librit Platoni mbi vlerën e filozofisë: arti i argumentit te Gorgia dhe Fedri.

----

Përktheu: Bardhi Bakija

 

03 tetor 2019
10:41

Tushar Irani