Një lindje e vështirë, por e natyrshme

27 gusht 2019 10:29

Që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 1999, e deri më 17 shkurt 2008, në Kosovë ka pasur ndryshime, të cilat kanë ardhë si domosdoshmëri e një varg rrethanave. Padyshim se këto ishin ndryshime substanciale për shoqërinë kosovare dhe për pozitën juridiko-politike të Kosovës. Meqenëse, përgjatë këtyre njëzet vjetëve politika kosovare pothuajse zhvillohej në varësi të dinamikave çliruese dhe shtetformuese, atëherë ndryshimi në skenën politike ishte shumë i vogël, gati i shpërfillshëm. Strukturat politike që kishin dalë nga lufta dhe ato që vinin nga paralufta ishin (dhe disa ende janë) të ndërtuara nëpërmes direktivave të njerëzve të fuqishëm brenda tyre dhe ndryshimi nëpërmes delegimit bëhej sa për sy e faqe. Në të gjitha partitë pushteti koncentrohej te lideri apo një grup i vogël, ku antarët e tjerë mund të subordinoheshin në sistem. 

Pra, kjo formë centraliste e udhëheqjes së partive për njëzet vjet ka krijuar struktura parapolitike, përmes të cilave pastaj është mundësuar nepotizmi dhe klientelizmi, sepse duke qenë se udhëheqja bëhej nga një grusht njerëzish të fuqishëm, detyroheshin që pushteti të ushtrohej në dy forma: e para, nëpërmes njerëzve të besueshëm, që ishin të afërmit e tyre (më mirë një dreq i yti, se sa një melaqe e huaj), krijuan një rrjet të administratës farefisnore si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Duke qenë se këta njerëz ishin vendosur nëpër hierarki jo për atë se çfarë ata përfaqësonin, por për atë se kush ishin, pra jo se e njihnin punën në të cilën ishin caktuar, por se të fuqishmit kishin besim te ta, u krijua një rrjet i njerëzve të padijshëm, inkompetentë dhe të papërgjegjshëm e korruptivë. 

Kjo  formë e ushtrimit të pushtetit duket se e determinoi pastaj krijimin e formës klienteliste, sepse përderisa te forma nepotiste ishte besimi ai që i mbante bashkë, duhej që edhe elektorati të lidhej me diçka që e kushtëzonte atë. Prandaj, këtu nuk ekzistonte besim i mjaftueshëm (sepse paranoja e këtyre njerëzve që udhëhiqnin këto grupe ishte përcaktuese në veprimet dhe vendimet e tyre), duhej që njerëzit të kushtëzoheshin. Në mënyrë masive u shpërndanë vende pune në mënyrë që militanti dhe votuesi partiak të kthehej në klient. Secili duhej të kushtëzohej, pastaj të bindej. Prandaj, këto dy mënyra të ushtrimit të pushtetit kanë prodhuar një klasë politike të korruptuar, kriminale dhe kështu shumë sektor vital të shtetit u vunë tërësisht në mirëmbajtje të këtyre strukturave parapolitike. I gjithë ky keqmenaxhim kishte edhe një impakt shumë negativ edhe për vetë shoqërinë (e cila nuk është krejt e pafajshme për një gjendje të tillë të krijuar nën hundët e saj), sepse nepotizmi dhe klientelizmi domosdoshmërisht do ta determinojnë orientimin e resurseve njerëzore për qëllime të veta, pra, në dëm të shoqërisë. Për shembull, arsimi është njëra nga ato shtyllla të shoqërisë që u shfrytëzua nga pushteti për mirëmbajtjen e tij, qoftë edhe me kushtin e shkatërrimit. 

Kosova e 1999-tës edhe e shkatërruar, shihej si shpresë për njerëzit, por nga kjo mënyrë e ushtrimit të pushtetit, më 2019 u bë zhgënjimi i tyre. Pas çlirimit më 1999, njerëzit e dëbuar dhunshëm nga Kosova po ktheheshin pothuajse në marsh me plot shpresë në vendin e tyre, në tokën e shkretë, së cilës, pas njëzet vjetësh nga keqqeverisja, detyrohen t’ia kthejnë shpinën për ta lënë shkret. Pra, para njëzet vjetësh iknim nga dhuna e aparatit shtetëror serb, kurse njëzet vjet pas ikim nga keqqeverisja e politikanve tanë. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja dhe insistohet në përgjigjje të saj, se a ka shpresë, apo a mundet dikush ta rikthejë atë?! Është klishe kur thuhet se shpresa ndërtohet, mirëpo, kjo është e vërtetë. Kush mund ta ndërtojë një shpresë të re në këtë shoqëri plot zhgënjim? Natyrisht, jo ata që kanë kontribuar në rrënimin e saj. Prandaj, jam i mendimit, jo entuziast, se ndryshimi i diskursit që po ndodh këto ditë parazgjedhore, është një dëshmi se kemi një hop cilësor si në kërkesë, ashtu edhe në ofertë. Kërkesa është që të ndryshohet kjo mënyrë e qeverisjes së deritanishme dhe të vendoset një qeveri dhe qeverisje më e përgjegjshme. Kurse oferta (sidomos) jep shpresë për filizat e ndryshimit të mentalitetit politik të cilën e dëshmon nominimi i Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre. Ky transformim nga ana e LDK-së i përçon dy mesazhe. Mesazhi i parë është se kjo parti po shkëputet nga organizimi që kishte origjinë nga para dhe paslufta, pra organizim që i përket çlirimit dhe shtetformimit dhe po futet në një etapë të re të shtetndërtimit, mirëpo me një ndryshim substancial, me figura të reja. Kurse mesazhi i dytë, nëpërmes këtij veprimi të LDK-së që i përcillet skenës politike në përgjithësi, është se ajo duhet të transformohet si në formë, ashtu edhe në substancë. Po shpresoj se konkurenca më nuk do të jetë mes individëve të fuqishëm që vijnë nga kthinat parapolitike, që i paracaktojnë rregullat e lojës politike, por një konkurencë konstruktive nëpërmes ideve. Pra, me këtë ndryshim të tanindodhur edhe formalisht, LDK-ja ka bërë një kapërcim nga një LDK e krijuar në rrethana të jashtëzakonshme, po për rrethana të jashtëzakonshme, në një LDK e cila merret me probleme të zakonshme, e kjo është e jashtëzakonshme. Kjo është formalisht, kurse se sa do të mund ta kapitalizojë edhe përmbajtësisht këtë ndryshim mbetet të shihet në vazhdim. Mirëpo, duhet theksuar se nga ky moment ne jemi në fillim të një faze të re, fazë në të cilë politikanët më nuk do të mund të vijnë apo ta mbajnë pushtetin nëpërmes background-it të së kaluarës militare, apo shprehjeve të tjera që lidhen me patriotizmin çlirimtar dhe shtetformues. Në Republikën e Kosovës ka ardhur koha që të qeveriset, jo më me atë se çfarë ke përfaqësuar dikur (respekt dhe mirënjohje), por për atë se çfarë je dhe çka ofron për sot që të jetojmë më mirë edhe nesër.

27 gusht 2019
10:29

Dritan Dragusha