Zoti

22 korrik 2019 10:06

Një ndër pikëpyetjet më të mëdha, fundamentale, të njeriut, lidhet me vetë ekzistencën e tij. Mospasja e një përgjigjeje se prej nga ka ardhur, kush është, cili është qëllimi i tij në këtë botë, e shumë pyetje të kësaj natyre, çdoherë ka krijuar një frikë tek ai. Gjatë gjithë historisë së vet, njeriu për asnjë moment nuk e ka gjetur përgjigjen e cila do t’i falte çastin e qetësisë, sepse pas çdo përgjigjeje të arritur për këto pyetje që kanë të bëjnë me ontosin e ekzistencës së tij, prapëseprapë ka mbretëruar boshllëku. Këto dilema kaq fundamentale dhe vogëlsira e tij në raport me universin ka bërë që njeriu t’u hapet formave të ndryshme të interpretimit të ekzistencës së tij, por edhe vetë ekzistencës së kësaj gjithësie kaq misterioze. Rendi i përpikët kozmik vetëm sa ia ka rritur edhe më shumë frikën dhe si rezultat i kësaj domosdoshmërisht ai ka kërkuar që nëse nuk mund ta zhdukë këtë frikë, së paku ta zbehë sadopak. Pra, në bazë të kësaj frike tmerruese lindin disa përgjigje rreth dilemave ekzistenciale, të cilat kanë për bazë përgjigje jo argumentet racionale, apo faktet, por besimin. Mirëpo, para se të lindnin religjionet, sidomos ato abrahamike, besimi ishte pothuajse një kërkesë individuale, pra kushtimisht të themi një besim diletant. Njerëzit u jepnin gjërave, sendeve të caktuara, karakter sakral, pa ndonjë shpjegim i cili do të ishte si një konsensus i përgjithshëm. Pothuajse gjithçka varej nga përcaktueshmëritë individuale dhe pretendimet shkonin deri te kufijtë e një grupi apo kolektiviteti në të cilin bënin një jetë të përbashkët. Në këtë periudhë besimet kishin një larmi nga individi në individ, nga grupi në grup, sa ç’e shpërfaqnin edhe vetë karakterin njerëzor. 

Mirëpo, me lindjen e religjioneve monoteiste, lind edhe një mënyrë e re e interpretimit të botës dhe të vetë ekzistencës së njeriut. Tanimë, besimi nuk është ofiq i individit, apo i një kolektiviteti të caktuar, por vendoset paradigma e një interpretimi me karakter universalizues dhe më vonë ky interpretim do të bëhet fundamenti i cili ekziston edhe sot e kësaj dite. Religjionet abrahamike përveç se sollën një mënyrë të re interpretimi të botës, ato sollën edhe një qasje të re të besimit. Vetë fjala religjion është krijim latin: religio, religare, që do të thotë: rilidhje. Ky term është krijuar gjatë mesjetës si një koncepsion dhe refleksion i lidhjes së njeriut me botën hyjnore. Religjioni është praktika e cila e lidh njeriun me hyjnoren nëpërmes besimit. Realisht aq sa ka forma të manifestimit të religjionit, po aq ka edhe definicione rreth religjionit. Mirëpo, religjionet monoteiste, si Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, religjionin e paraqesin si një praktikë sociale e mbështetur në besimin individual apo kolektiv te ekzistenca e qenies mbinatyrore, e gjithëfuqishme e cila e ka krijuar botën dhe e udhëheq atë. Pra, këto tri religjione afirmojnë idenë e një Zoti që është i gjithëfuqishëm, i gjithëpranishëm, i gjithëmëshirshëm, i përjetshëm dhe i pakufizuar në kohë dhe hapësirë. Por, përveç kësaj, këto tri religjione kanë edhe pretendime epistemologjike, sepse ato në diskursin e tyre pretendojnë se e disponojnë të vërtetën absolute për botë si dhe idenë përfundimtare të një rendi moral. Pra, koncepti i religjionit edhe sipas sociologut Emile Durkheim, lind në momentin e ndarjes së sakrales nga profania. Misteri i krijuar në këto raste krijon absurditetin, për të cilin Shën Agustini shprehet se pikërisht ngaqë është absurde, e besoj. Prandaj, është ky absurditet i cili bie në kontradiktë me shkencën moderne, e cila ka për bazë parasëgjithash vetëm faktin me bazë racionale. Madje edhe vetë iluminizmi religjionin e përcakton si një produkt të injorancës njerëzore, një zgjidhje imagjinare për problemet reale që ka njeriu në jetën e përditshme. Tendenca e iluminizmit për paraqitjen e religjionit si diçka arkaike i hapi rrugë ideologjive politike të cilat filluan të krijojnë narracionin e tyre mbi botën, e që tani nuk kishte si bazë besimin në të përjetshmen hyjnore, por në amshueshmërinë e parajsës mbi tokë. Të gjitha këto ideologji politike diskursin praktik e kishin me bazë religjioze, por që kursi ndryshonte në fundamentin e interpretimit. Mbase jo rastësisht këto ideologji nga shumë teoricienë u quajtën si religjione sekulare. Këto ideologji politike e zëvendësuan Zotin, si krijues omnipotent e trenscendent, me liderin suprem (diktatorin), si një nga udhëheqësit e përjetshëm i cili klasën njerëzore do ta dërgojë drejt paqes së përhershme. Ç’është e vërteta, secili nga këto religjione dhe secila nga këto ideologji i premtuan njeriut këtë paqe të përhershme, por asnjëherë njeriu edhe sot e kësaj dite nuk ka gjetur prehjen e tij karshi dilemave të tij ekzistenciale.

Pra, siç vërejmë, njeriu në përpjekje për ta mbushur hiçin që mbretëron në univers dhe në vetë ekzistencën e tij, ka krijuar Zotin si instancë që e plotëson këtë boshllëk, mirëpo ai asnjëherë nuk ka mundur ta kuptimësojë boshllëkun që ndjen brenda tij. Sado që fuqia e besimit mund të duket e madhe, prapëseprapë dilema se përtej varrit mbretëron hiçi është e pashkoqitur nga mendja njerëzore. Prandaj, nëse e rimodelojmë thënien e ekzistencialistit Jean Paul Sartre se njeriu është i dënuar të jetojë i lirë, i bie se njeriu është i dënuar të jetojë nën diktatin e dyshimit të përjetshëm. Kështuqë, frika e njeriut se është i vetëm në këtë botë ku mbretëron hiçi, e krijoi Zotin. Përveç se ky Zot është fryt i psikës njerëzore nga frika e vetmisë, ai është, siç do të thoshte shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges se, Zoti është krijesa më fantastike që ka krijuar njeriu.

22 korrik 2019
10:06

Dritan Dragusha