Rilindja 88': Kriza nuk është ardhmëri

11 korrik 2019 13:20

Artikull origjinal i shkruar nga Behxhet Haliti për Rilindjen.   

Në qendrën sportive  «Vojvodina»  të Novi-Sadit, sot, edhe zyrtarisht filluan manifestimet e shënimit të Ditës së Rinisë. Pos shfaqjeve teatrore,  programeve muzikore  «Pioinerët për pioinerët»  dhe «Të rinjtë për të rinjtë» , pastaj punëtorive krijuese figurative të pionierëve, rok koncertit etj., sot u mbajt edhe forumi rinor me temën:  «Brezi i krizës - kriza e brezit» . Mbrëmë,  gjithashtu në QS  «Vojvodina»  u mbajtën disa manifestime para përgatitore. U hap ekspozita e krijuesve të rinj figurativë të  KSA të Vojvodinës dhe u bë promovimi  i shprehjes meditore të manifestimeve të Ditës së Rinisë. Në forumin rinor që u mbajt me titull pune:  «Brezi i krizës - kriza e brezit»  , morën pjesë të rinjtë dhe të rejat nga mbarë vendi, nxënësit, studentët e punëtorët më të mirë ekonomistët, politkologët, inovatorët, artistët e sportistët më të dalluar të vendit, të  cilët, si u tha, në këtë kohë krize më së shumti i duhet shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse.

Të rinjtë dhe të rejat nga mbarë vendi, duke folur në temën  «Brezi i krizës – kriza e brezit»   u munduan të japin përgjigje në dy çështje kryesore: ky brez ka lindur me krizën është shkolluar dhe ngritur intelektualisht me krizën dhe sot pret punë me krizën, por nuk është në krizë dhe cili është brezi i ri i viteve të 80-ta.

Sipas pjesëmarrësve të këtij forumi rinor,  kriza është prezente gjithkund me ne e në ne, por të rinjtë nuk duhet ta pranojnë atë si pjesë të tyre. Edhe pse tek një numër  i të rinjve ekziston bindja e papërspektivë dhe nihilizmit, si u tha,  çelësin kryesor të daljes nga kriza duhet kërkuar te mospranimi i gjendjes ekzistuese dhe te lufta më e madhe e rinisë për të dëshmuar identitetin e vet me punë e angazhim krijues. Kriza, sipas të rinjve, nuk mund të jetë alibi për mospunën  tonë. U theksuan posaqërisht fjalët e Titos se nuk ka asgjë të paarritshme nëse njeriu dëshiron të arrijë diçka.

Rinia nuk duhet vetëm të presë ndihma nga Partia e nga shteti për t’i realizuar qëllimet e veta, por duhet të angazhohet bashkë me to për kërkimin dhe dëshmimin e identitetit të vet në kuadër të shoqërise sonë.Kjo është kohë e rinisë dhe duhet të shfrytëzohet deri në maksimum, sepse të rinjtë nuk kanë kohë tjetër.

Biseda spontane, shumë joformale e të rinjve në forumin rinor, ngërtheu në vetvete edhe shumë tema interesante për të rinj: prej papunësisë, si problem shoqëror, social e politik përmes politikës banesore, mundësisë që i riu të dëshmohet e deri te koha e lirë e të rinjve. Nga biseda dolën edhe teza shumë interesante, sikur ajo e një të riu se sot është rrezik të jesh i aftë dhe rrezik të jesh i ri, sepse është vështirë të të pranojnë si të tillë ata që nuk u konvenon kjo. Një i ri tha se ai nuk ka kurrfarë lidhje me krizën, sepse ata që kanë harxhuar dikur harxhojnë edhe sot, e ata që kanë punuar dikur punojnë edhe sot, prandaj brezi i ri me çdo kusht duhet të luftojë për atë që do të thotë dalje sa më shpejt dhe sa më e suksesshme nga kriza, e cila është sot, por nuk është edhe ardhmëri.

Neve, të rinjve, tha një diskutues më shumë na konvenon një periudhë e fortë e krizës prej  3-4 vjetësh, se sa ndonjë krizë e butë që do të na percillte dyzetë apo pesëdhjetë vjet.

 Gjatë këtyre ditëve, në Vojvodinë do të mbahen edhe shumë manifestime komunale e krahinore, kurse nga manifestimet e karakterit federativ duhet përmendur  «Mitingun e paqes»  që do të mbahet më 14 maj në vendshpërthimin e Frontit të Sremit dhe rok-koncertin e hapur «Rinia ‘88» që do të mbahet më 21 maj në Paliq e në të cilin do të marrin pjesë grupet më të mira muzikore nga mbarë vendi ynë.

----

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA - një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

11 korrik 2019
13:20

Ri-Rilindja