Rilindja 88': Gjakmarrja si problem shoqëror

02 korrik 2019 10:58

Artikull origjinal i shkruar nga Milenko Karan për Rilindjen.

Në nivelin e caktuar të zhvillimit të vet për gjakmarrjen kanë ditur të thuash të gjithë popujt. Ai nivel ishte fisi për ç’gjë F. Engelsi me të drejtë konstatoi se «ajo që gjendet jashtë fisit, ka qenë jashtë së drejtës». Ky adet u shfaq nga nevoja: meqë nuk ekzistonte shteti, bashkësitë e hershme duhej të kishin ndonjë rregull të sjelljes: ajo ishte një vërejtje e pamëdyshtë drejtuar sulmmuesit se në anën e të sulmuarit qëndron grupi i tij mu ashtu siç i kanoset hakmarrja të gjithë meshkujve të grupit sulmues. Një karakteristikë e këtillë gjakmarrjen e bën si manifestim të solidarësisë të bashkësive të hershme: një për të gjithë, të gjithë për një. Kjo solidarësi bëhej brenda fisit  për ç’shkak V. Bogishiqi me të drejtë konstaton se «aty ku është fisi, aty është edhe hakmarrja».

 Kufizimet

Në ditët e veta të hershme gjakmarrja ishte e vrazhdë, e paskurpull dhe «deri në skaj e pafrenueshme» për ç’shkak bënte që të shfarroste familje të tëra madje edhe farefis. Kufizimi i pare i saj bazohej mbi parimin e talios: syrin për sy, kokën për kokë. Kufizimi i dytë ndodhi kur palët e konfrontuara pranonin të gjykohej nga jashtë. Zakonisht këtë gjë e bënin pleqnarët vendimet e të cilëve ishin të plotfuqishme – nëse të dyjat palët pajtoheshin me pleqërimin e tyre. Kufizimi i tretë i gjakmarrjes ndodhi kur ajo u ngushtua në një numër më të vogël individësh të cilët mund të goditeshin nga hakmarrja. Sot kjo zakonisht është familja (e gjerë).

Gjurmët e shkruara për gjakmarrjen ndër popujt e lashtë gjenden në Kanunin e Hamurabit, në Ligjin Romak prej Xll tabelave dhe në të drejten ruse. Shkrimi i parë për hakmarrjen te sllavët e Jugut gjendet te Mavrikia.Gjurmë për praninë  e tij në këto anë gjenden në Ligjin e Vinodollit, në Statutin e Politikës dhe në Kanunin e Dushanit. Po ashtu edhe në dokumentet e mbretërve boshnjakë dhe në dokumentet e Dubrovnikut. Për jetën e saj në Mal të Zi dëshmon Kanuni i Petrit I dhe Ligji i Vasojeviqëve nga dymbëdhjetë pika. Në atë hapësirë si dukuri ajo qëndroi deri në mbarim të shek. 19. U zhduk atëherë kur kjo anë u hap së jashtmi – krahazi me risitë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore brenda saj. 

Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipërinë e Veriut ku gjakmarrja zgjati më shumë. Gjithashtu edhe në Kosovë ku ekziston ende – te banorët e saj të kombësisë shqiptare. Në të dyja këto hapësira shqiptarët shekuj me rradhë i rregullonin marrëdhëniet e tyre ndaj normës zakonore-juridike që zakonisht quhet Kanuni I Lekë Dukagjinit. Këto rregulla, i mblodhi, i ndreqi dhe i botoi Sh. Gjeçovi. Është të thuash e sigurt se ato nuk qene të shkruara; ato rregulla janë normativë gojore e sjelljeve që gjatë kalimit të kohës fituan forcën e ligjit juridik. Në të janë caktuar rregullat përkatëse të gjakmarrjes, kushtet e tij dhe rrjedhojat…

Pasojat

Pasojat politike të gjakmarrjes në ditët tona shfaqen në kufizimet të cilat ky zakon qysh më pare ua bën njerëzve në sjelljet e tyre private, e sidomos, në sjelljet publike. Gjithë ajo që, ta zëmë, në fjalën e thënë publike, mund të jetë fyerje nuk varet nga normat e përvetësuara shoqërore , porse vetëm nga gjykimi ose vlerësimi i atij që i drejtohet ajo fjalë. Të thuhet, prandaj, për një njeri se është i marrë ose hor mund të jetë e saktë, por e rrezikshme, sepse nuk dihet kurrë se gjënë e thënë në atë mënyrë ai tjetri do ta marrë si gjykim të sinçertë apo si fyerje. Për këtë shkak njerëzit me pikëpamje të këtilla drojnë nga fjala publike. Këtu dikund duhet të kërkohen rrënjët e asaj që zakonisht quhet opotunizëm në sjelljet publike të njerëzve. 

Pasojat juridike të gjakmarrjes në këtë hapësirë sot e gjithë ditën shihen në pasigurinë personale të njerëzve meqë këta nuk dinë se kur as me ç’forcë do t’i godasë hakmarrja. Nganjëherë nuk dinë as për ç’arsye. Në këtë pikëpamje nuk ndihmon fort prania e gjyqeve dhe ligjeve sepse e drejta zakonore nuk e njeh shtetin si gjykatës. E drejta të merret haku nuk ndërpritet me aktvendimet e gjyqit, ajo mbetet madje edhe nëse gjyqi e ekzekuton me denim me vdekje. Gjithashtu nuk janë hiç më të mëdha as mundësitë  e shtetit t’i mbrojë familjet në «burgjet shtëpiake» sepse ato «vullnetarisht» mbyllen Brenda katër mureve të veta. Për ç’arsye as nuk kërkojnë mbrojtjen e saj, ndonjë ndihmë të saj edhe më pak.

Pasojat ekonomike të gjakmarrjes janë më të dukshmet dhe më të rëndat në fatet e shtëpive në «burgjet shtëpiake». Këto janë familje meshkujt e të cilave pas hakmarrjes, sipas zakonit, duhet të mbyllen vullnetarisht. Kjo mbyllje nuk bëhet vetëm për t’i ikur hakmarrjes, ky është , gjithashtu, veprim me të cilin nderohet ajo ana tjeter, e, bashke me këtë, t’i shmanget takimit me të dhe ndonjë të papriture të re. Meshkujt e këtyre familjeve pa lejen e pales tjetër, nuk bën të dalin jashtë pragut të oborrit. Për këtë shkak token e këtyre familjeve zakonisht e punojnë femrat. Ato, gjithashtu, bëjnë punë tradicionale meshkujsh (shesin, blejnë, paguajnë tatimin). Meshkujt mund të punojnë, po pati fare dobiega kjo, vetëm në oborr të shtëpisë së vet e që konsiderohej përherë «punë grash» degradim ky tjetër i njeriut me sistem fisnor të vlerave.

Pasojat arsimore të kësaj sjelljeje zakonore-juridike janë, gjithashtu, të rënda herë-herë dramatike. Sipas Kanunit hakmarrja, në bazë të rregullave, nuk bëhet ndaj fëmijës (mashkull) deri dikund kah mosha 14 vjeçare, përkatësisht 15 vjeçare. Kjo, pra, është koha kur kryhet shkolla fillore. Kur t’I mbushë këto vjet fëmija mashkull i nënshtrohet hakmarrjes për ç’arsye shumica e djaloshave të kësaj moshe strehohet në «burgun shtëpiak», me ç’gjë e ndërpret shkollimin e mëtutjeshëm, pastaj aftësimin punues dhe, në fund, punësimin.

Përfundimisht

Pasojat sociale të gjakmarrjes të pranisë së gjakmarrjes në kohën tonë dhe në hapësirën tonë, janë edhe më të dukshme dhe më të rënda. Ky zakon, edhe si vetëgjykim, është problem social aspak i thjeshtë sepse në vend të modeleve bashkëkohore të sjelljes i konservon ato anakronike. Konservon gjithashtu sistemin e vlerave që bie ndesh me këtë shoqëri dhe që ka për bazë arbirtraritetin në vend të pajtimit, frikën në vend të qëndrimit të lirë. Me veti të tilla gjakmarrja në ditët tona është sjellje me të cilën shoqëria e qytetëruar, sidomos ajo vetëqeverisëse nuk mund të pajtohet me të edhe pse, si duket, duhet ta durojë edhe do kohë.

Se ky zakon po e humb mbështetjen «natyrore» dëshmojnë deformimet gjithnjë më të shpeshta të kësaj sjelljeje, apo thënë troç, sjelljet e panjerëzishme në ditët tona. Kjo është shenjë e sigurt që gjakmarrja sot gjendet në zgrip ndërmjet kërkesave gjithnjë më të pranishme të një jete tjetër dhe përkrahjes gjithnjë më të rrallë të modeleve dhe të sjelljeve të vjetra. Tjetër rrugë as nuk do të ketë ...

----

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA - një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

02 korrik 2019
10:58

Ri-Rilindja